Bllok perversitetit!

Po të doja këtë artikull do t’ua imponoja me dhunë së paku nja 100 mijë facebookianëve. Dhe atë për 10-15 franga zvicerane. Por jo. Mos bëni like perversitetin, gënjeshtrën, të keqen, pornografiken, mos shpërndani agjendat e klaneve dhe mafive politike, oligarke dhe manipuluese. Mos më shpërndani as mua kur fyej dhe denigrojë tjetrin pa argumentuar gjë. 

Si ju doli analiza pas debatit aq të ashpër Kosovë-Shqipëri? Si u ndiet pasi folën Hashim Thaçi, Edi Rama dhe primatët tjera të kauzave tona virtuale? Domosdo ose si triumfues ose si humbës të radhës. Dolët o si shqiptarë o si kosovarë dhe atë të rreshtuar brenda taborit ku as që deshët të ishit. Sa herë dalim “të lagur” nga debate të këtilla. Plotë herë. Dalim të pakënaqur se bëmë punën e djallit. Kjo ndodhë kur nuk e dimë se kush për çka inicon ide të tilla, cili është motivi e cili qëllimi.
Po debati duhet të bëhet? Patjetër. Por nga kush? Sa historian të afirmuar folën për të kaluarën e relacionit Shqipëri-Kosovë? Sa sociolog josatelitë folën, të atillë që me vepra konkrete (jo studime në volume por ja me nga dy tri libra të mirë) kanë hulumtuar strukturat socio-antropologjike tek njëra e tjetra palë? Sa prej tyre kanë studime për rolin e Shqipërisë gjatë luftës së Kosovës dhe anasjelltas cili ishte roli i Kosovës gjatë rënies së monizmit në Shqipëri? Asnjë? Asnjëri prej tyre nuk është i shquar për diçka nga këto.
Po kush e bëri debatin atëherë dreqi ta marrë?
Gazetarë që paskan zbuluar një protokoll? Dakord gazetarët dinë gjë për marrëveshjet, kontratat, dialogun kosovaro-serb, kanë lexuar stenogramet, katralogjet e dialogjet ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj kosovare? Dinë diçka më thellë? Jo. S’dinë asgjë prej këtyre. As ata e as shumëkush tjetër zonave virtuale që llapin sikur të ishin vetë sajuesit e dialogut të BE-së?
Për çka qe fjala atëherë? Pse gjithë ajo zhurmë gjithë ato rrena, gjithë ato fyerje, gjitha ato ofendime nga njerëz që ja siç del as 1% të kompetencës së nevojshme për t’i trajtuar ato çështje nuk i kanë. Nuk i kanë ngase janë publicistë, gazetarë, juristë që paradite mbrojnë shtetin nga krimi e pasdite mbrojnë krimin nga shteti, pra përshkrues të së përditshmes (si realitet të konstruktuar po nga ata) ose menaxherë rigoroz të kuletës dhe interesave të tyre. Legjitime kjo. E pamoralshme, por njerëzit duhet të mbijetojnë. Ata nuk i kanë fajet pse janë ashtu, të asaj natyre.
Po ne të vdekshmit e zakonshëm, si reaguam ne?

II.
Një portal e plason një lajm X akrobati gjysmë i dehur të ketë thënë diçka si: “Gjithë facebookianët të jenë lopë”. Boom. Unë e marrë linkun e lajmit dhe e plasoj në murrin tim me 5mijë miq dhe afër 2 mijë ndjekës. Të njëjtin e postoi edhe në faqen time me afër 5 mijë ndjekës tjerë. Nga këta 12 mijë si zakonisht reagojnë interaktivisht rreth 20% me like e share! Këta 2500 reaguesit janë të ndarë në katër kontinente dhe kanë nga poaq miq, ngase interaktivët janë të populluar, gjë që donë të thotë 2500 herë 2500. Multiplikimi është edhe më imens se ç’llogarisim e dimë ne. Ky është kontributi ynë si shpërndarës të lajmeve, portaleve, gazetave. Ne jemi ndoshta – përveç robotëve të Google e kompani që komercializojnë gjithçka – faktor që vendosim se cila gazetë vdes e cila jo, cili mbijeton e cila bëhet milionere. Ose në të dyja rastet: ne jemi viktimat, ngase pavetëdije jemi pjesë e një biznesi aq të pashpirt virtual, ku ne si subjekte jemi të zhveshur madje edhe nga gjuha dhe funksionojmë vetëm si fabrika shenjash abstrakte me të cilat bëjnë tregti spekulantët.
A mund t’i ikim kësaj bote, ku kemi hyrë kaq thellë? Jo. Se edhe ne kemi nevojat tona për informim. Dhe jo gjithçka është negative.
Po çka të bëjmë atëherë?

Një mësim le të jetë edhe debati i fundit. Brenda këtij mekanizmi liku e shpërndarjeje u sajua një debat që la pa punë edhe qeveritë e shteteve (jo se ata punojnë kur ska afera të këtilla). Për çka? Për t’ia shpëtuar imazhin dikujt. Masat u mashtruan për të njëmijtën herë brenda pak muajve me kauza të rrejshme, ngase të gjithë, pa përjashtim përfitojnë nga ky sistem i pakontrollueshëm e manipulimit me dezinformata nëpërmjet infrastrukturës së digjitalitetit. Kështu veprojnë tashmë disa vite edhe mediat shqiptare. Lajmi i tyre bëhet unanimitet kur ai përlan masat, jo nëpërmjet protestave, por nëpërmjet turmave virtuale që ndezin e rindezin edhe vetë mediat në këtë lojë reciproke e me një dallim: mediat e bëjnë për të fituar e masat për tu “zbavitur”. Po çka të bëjmë atëherë?

III.
Mos bëni like perversitetin, kushdo ta plasojë atë, qoftë edhe miku më i afër. Mos shpërndani artikuj ku shihni se blegtori flet për kolapsin e bankave, makinisti i Amerikës për mënyrat e ushqimit në Zululand, mos shpërndani artikuj kur i pashkolluari në histori flet për Luftën e Dytë Botërore, mos shpërndani bythët e Kallashit nëse nuk jeni maniak seksual, mos shpërndaj lajmin ku matematikani flet për historinë e religjioneve…. shpërndani vetëm atë që e konsideroni të drejtë, të mirë dhe atë mundësisht pa u bërë pjesë e asaj makinerisë komerciale nga e cila përfitojnë të pasurit duke u bërë edhe më Donald Trump-ë, e shkrihen të varfërit edhe më duke mbetur zero të sëmura pas ndonjë monitori, në ndonjë banesë të ftohtë të Kongos – nga ku të njëjtat portale, po ua shikove statistikat e detajuara i kanë nga disa mijë reagime, klikime edhe pse atje kush gjuhën nuk ua merr vesh.
Të racionalizohemi në këtë drejtim. Nëse megjithatë e kemi një fuqi atëherë ta kthejmë atë si duam ne e jo ata që nuk fryhen nga paret dhe perversiteti i tyre!

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.