Gramatologjia e «like»-ut

Pse plotë autorë shqiptarë kanë drojë nga rrjetet sociale? Shumica prej tyre i përlloçin ato. 

«E dini se nëpërmjet linjës telefonike bëhet bartja e bacileve», thotë «gruaja e çmendur» në filmin «Sisters» (SHBA:1973), të Brian De Palma-s. Psikotrileri me aktoret famoze Margot Kidder dhe Jennifer Salt ndonëse s’ka për temë diçka si bacilofobinë, nomofilinë apo teknofobinë por çrregullimin disociativ në identitetin e njeriut, ai megjithatë transmeton një numër të madh kodesh që të bashkëshoqërojnë hapësirave të mentalitetit të kohës. Në njërën nga ato zona përballemi me frikën nga teknologjia (teknofobinë).

Në kryeveprën e tij «À la recherche du temps perdu» („Në kërkim të kohës së humbur“: 1913 – 1927) Marcel Proust na i përshkruan mahnitshëm arsyet e refleksit, si frikë për të qenën, nostalgji për të shkuarën dhe shok nga e panjohura, e reja. Shtresat më të prekura nga psikovalë kësodore, gjithmonë kanë qenë të paarsimuarat. Unikate janë rastet intelektuale që kanë mbetur si retro-simbol kundër zhvillimit, ndryshe kjo edhe do të binte në kundërshti me natyrën e tyre të supozuar avantgarde. Rastet e veçanta të refuzimit kokëfortë e të qëllimshëm të së resë, në histori kanë mbetur më shumë si akt rezistence ndaj kapitalizmit, komunizmit, imperializmit se sa si paranojë apo paaftësi e një gjenerate, që as për vdekje nuk lëshonte lapsin nga mesgishtat ose nuk e kapte telefonin me dorë.
Në këtë linjë, me këtë rrëfim mirëpo nuk e analizojmë dot distancën gati shqetësuese të «elitave» shqiptare ndaj rrjeteve sociale. E para: ngase Telefoni ishte një aparat që nuk paraprinte ndonjë mjet parapërgatitës, ai u shfaq si aparat demonësh që thirrke zërat nga fundi tjetër i globit, interaksion që deri atëherë ishte liçensë e rezervuar vetëm për shtrigat dhe magjistarët, ata që sajonin shtihanën e komunikimit me kufomat dhe e dyta: Treni i Proust-it, që poashtu si gogol frikonte apaçët, shkaktoi tërmet mental e frymor sepse vuri në pikëpyetje perceptimin e deriatëhershëm të kohës, pra sugjeroi tek normalët, të vdekshmit përshpejtimin e kohës, shkurtimin e jetës, që domosdo sugjeronte fobinë e radhës.

PROBLEMI – «Elitat» shqiptare para shpërthimit të mediave të reja kanë pasur mundësinë e integrimit hapëror: domethënë  njohin telegramin, fax-in, telefonin, makinën e shkrimit e kështu me radhë. Pra nuk përkon me biografinë e tyre frika nga aparatura dhe teknologjia e re.

Nga qëndrimet, shprehjet dhe deklaratat që kemi mbledhur në rrjete dhe nëpër media tjera mirëpo rezulton se shumica e shkrimtarëve me emër, të rinj e të vjetër, autorëve, intelektualëve, politikanëve, akademikëve, shkencëtarëve – edhe atyre që pro forma janë prezent në rrjetet sociale – të jenë përbuzës, përlloçës, injorues, fyes ndaj rrjeteve sociale. Nëse nuk është mjeti i interkomunikimit problem, atëherë çka? Njeriu që fshihet pas «liket»-ut apo frika e autorit nga përhumbja, si i fundit i birës së fyellit për shkak të konkurrencës së madhe?

ÇKA FSHIHET PAS «LIKE» -UT – Michael Kosinski me kolegët e tij të University of Cambridge, në një studim (2013), gjatë të cilit hulumtuan, analizuan dhe vlerësuan «like»-ët e 58 mijë përdoruesve të facebook-ut e krijuan një shabllon të shkëlqyeshëm se si nëpërmjet frekuencës së përdorimit  të butonit të pëlqimit mund të shpalosh vetitë e profileve me një saktësi marramendëse prej 98%. Interkomunikimi dhe aktiviteti «live» po edhe ai i «përqendruar» japin madje informacione (gjatë analizës) të cilat përdoruesi – as në kontakt fizik – nuk i eksponon kurrë. Pas publikimit të këtij dhe shumë studimeve tjera anësore facebook-u është bërë njëri nga referencat me verifikueshmërinë absolute si referencë për të ndërtuar psikografitë, gjendjet, prognozat, në relacionin individ-grup-shoqëri, mbi interesat politike, kulturore, pra për të çdo segment që ta synoj hulumtumi.

Këtë metodë e përdorëm në kontekst me temën. Për të filtruar sadopak sjelljen e «like»-rëve karshi prodhimeve intelektuale si; proza, anekdota, poezia, piktura, pra të atyre zhanreve nga të cilat jetojnë dhe kërkojnë lexues/recipientë/shikues të njëjtët autorë dhe «publicistë» që kanë probleme me rrjetet sociale. Të njëjtin hulumtim e bëmë paralelisht edhe në dy zona tjera; në atë zviceranen dhe në atë kroaten. Gjersa në atë zviceranen interreagimi për zhanret që folëm pothuaj është inekszistent në atë kroaten, brenda komuniteteve të vogla dhe të specializuara, kujdesi ndaj autorëve ende nuk është zhdukur krejt. Në grupet, profilet, komunitetet shqiptare të facebook-ut rezultatet janë krejt ndryshe: mbizotëron një aktivitet i dendur jo vetëm «pëlqimesh sipërfaqësore» por edhe deklarimesh (komentet) që tregojnë për cilësinë e recipientëve si analizues dhe vlerësues të prodhimit».

Patjetër në këtë kontekst duke mos harruar se plotë edhe aktualizojnë atë problemin nga i cili kishte frikë Wittgenstein kur thoshte: «kur feston gjuha lindin problemet e vërteta filozofike», pra facebook dhe rrjetet tjera sociale nuk janë florilegiumi i perlave të të shkruarit bukur, mirëpo sot tashmë nuk mohohet ajo që e kemi definuar para shumë viteve si «Cyberpoetikë shqiptare» (Ahmeti, Xh: 2012) dhe që është më dinamike se edhe vetë klasikja.

FRIKAT TJERA – Pse atëherë aversioni i autorëve? Problemi ekziston diku tjetër. Dhe ka të bëjë me statusin social si dhe kushtin e rrjeteve; ato përveç neto-s  kërkojnë edhe bruto- prodhimin e krijuesit. Si duket nëse një poet si XY gjatë komunikimit të shkruante qoftë konceptualisht e qoftë gjuhësisht njëjtë si ndonjë komentues i frustruar, të cilin shpesh nuk e merr vesh se me kë është duke polemizuar? Do të dukej pra keq. Tjetra: deri vonë autorët kanë botuar libra, janë bërë ca recesione kryesisht afirmative, janë mbajt ca orë të kota letrare dhe autori është kthyer në studio për ta sajuar «kryeveprën e radhës». Distanca ka mundësuar legjendat, mitet, ruajtjen e kultit: ja doli, vjen duke hapëruar, duke tundur kokën, shihe shihe ia dha dorën këtij, e njohka atë. Sot kjo distancë dhe ekskluziviteti i përfoljes së veprës vetëm nga mediat nuk ekziston më. Dhe autorët që nuk përfillen – përveç atyre që për shkak kualitetit barten edhe nga tjerët e nuk kanë nevojë t’iu përshtaten kushteve të kohës – nga rrjetet, grupet dhe komunitete sepse nuk i prek gjë në nerv, mbeten me 35 lexues dhe 12 lavdërues.

Përmbledhtazi: Aversioni i autorëve ndaj rrjeteve sociale, sipas hulumtimit mund t’i këto tri arsye:

1.Frika që të mos humb autoritetin nga interreagimi «live» se aty nuk janë redaktorët dhe korrektorët.
2. Nënçmimi i atyre që gjenden pas «like»-ut si turmë e pashkollë, primitive.
3. Arsyeja që mos të humb kohë (mirëpo këto nuk kanë përbuzje, nuk demonizojnë mediat sociale siç bëjnë autorët për të cilët e kemi fjalën, se megjithatë disa prej tyre janë aty).

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Në moshën 18 vjeçare dënohet me 6 vjet burg nga Jugosllavia e atëherëshme për kundërrevolucion dhe separatizëm. Shkollën e mesme e mbaron në Gostivar dhe Tetovë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Jeton në Bernë. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.