Robinhudët e turmave bandite

Ata akuzohen për krime, vjedhje, spiunim e për çkamos tjetër. Në vend të mospërkrahjes mirëpo ata nga masat festohen si mite, ikona të gjalla. Pse kjo? Kemi të bëjmë me shumica bandite shoqërish që besojnë se nëpërmjet krimit do ta kenë më mirë?

Nuk e studion dot saktë sa e nevojshme karrierën e asnjë politikani ballkanik pa e lexuar veprën «Bandits» të historianit të lindur në Aleksandrinë egjiptase Eric J. Hobsbawm. Sidomos kapitulli i parë «Banditët, shteti dhe pushteti» dhe ai i katërti «Banditi si simbol» janë të domosdoshme nëse hulumtuesi donë të kuptojë natyrën e operimit e tyre të suksesshëm me popujt. Brenda këtyre kapitujve hulumtuesi gjenë shkaqet se për ç’arsye politikani i korruptuar, hajn, mediokër, kriminel vazhdon në Ballkan të perceptohet si ai Robin Hood-i i baladave angleze të shekujve 13-15. Të mitizohet pra si një thyes ligjesh në mbrojtje të turmave të varfra e shkelura nga ndonjë monarku i pashpirt. Edhe pse sot në shek. 21 s’ka të tillë por vetëm kriminelë ordinerë që shkelin edhe mbi kufoma për interesa personale fame e pasurimi, ata vazhdojnë të festohen si profetë e komandantë hyjnorë të lirisë.
Është kështu ngase masat janë të prapambetura apo ngaqë primatët e korruptuar dinë bukur se si veprimtarisë së tyre ordinere t’ia bashkëngjisin ndonjë ide sakralizuese për t’i maskuar të duken si engjëj? Më shumë duket të jetë kjo e fundit: ata kanë mësuar se vdekja harrohet si e natyrshme vetëm atëherë kur ajo nuk spektakulohet nëpërmjet ndonjë ideologjie që i mundëson martirizimin. Nëse edhe vdekja, ky akt aq i rëndë i natyrës ndaj qenieve të saja mundet të vishet ashtu mitologjikshëm sa për t’i nënshtruar e hipnotizuar njerëzit në favor të një politike, atëherë pse qenka kjo e pamundshme edhe për të gjallët që munden edhe të shpërndajnë plaçkën me kryepleqtë e katundeve dhe shefat e lagjeve?
Vërtet është kështu apo ne vetëm dramatizojmë?

*
Gjatë kohës së embargos ndaj ish-Jugosllavisë së u botuan dhjetëra raporte serioze nga Institute të ndryshme të Sigurisë me adresë në SHBA e Europë, të cilat dokumentonin përimtësisht rrjetin ballkanik të kontrabandës me armë, cigare dhe naftë. Ndër kryesorët e këtij rrejti që thyente embargon ndaj Serbisë konsideroheshin përveç Gjukanoviçit dhe serbët edhe Sali Berisha e Menduh Thaçi i Maqedonisë. Po, ky të cilit së fundi ia dëgjuam zërin t’i thotë shërbimit sekret maqedon që bëri «Kumanovën» gjak se «është i gatshëm të jap jetën për urdhrat e saja». Gjukanoviç është ende në pushtet. Daçiçi, njëri nga dylberët më të afërti ish etnocidalit Millosheviç poashtu. Sali Berisha vazhdon të jetë babai i opozitës shqiptare dhe Menduh Thaçi është bërë fetar për t’i larë gjynahet por vazhdon të jetë shefi i PDSH në përmbysje. Këta kanë ende masa të mëdha pas vetes. Këta nuk u ndëshkuan nga masat se dolën kriminelë, spiunë. Jo.
Vetëm fëmijët me cucëll në gojë nuk e dinë se i gjithë shteti i Kosovës është i kapur nga klane të ndryshme mafioze që nuk nisin e përfundojnë vetëm me Azem Sylën. Edhe ambientalistët, peshkatarët, turbopatriotët, unionistët, separatistët, madje edhe fashistët janë bërë milionerë për shkak të tenderëve, korrupsionit, kapjes e stërkapjes. Akuzohen për vrasje, shkelje kronike të ligjeve, keqpërdorime (Pronto), publikisht zëshëm, por asgjë, ata vazhdojnë të mbrohen nga mijëra ithtarësh që ulërijnë jo vetëm rrjeteve sociale por edhe fizikisht se jetën japin për të njëjtët.
Nga përgjimet e Zaevit (kastat e reja e të vjetra të së cilës parti janë edhe më të zhytura) mësoi opinioni se si plotë funksionarë të BDI-së janë edhe më të korruptuar se gjithë shefat e qeverisë Gruevski bashkë. I hoqi kush këta nga partia, funksionet? Jo ende janë. Garojnë si deputetë. Ikën ata të cilëve iu sajuan skandale perverse se protestonin brenda partisë. Masa të caktuara do t’i votojnë sërish.
Këtyre ditëve sërish dhe nga konkurrenca politike e egërsuar u aktualizua një video që shpalon një skandal të ndodhur në Turqi, ku dokumentohet si shefi i Halk Bankës Suleyman Aslan pranon para policisë dhe kamerave se 3.5 milionë dollarët e gjetura kutive, çorapeve dhe çizmeve personale ishin pjesa e 4.5 milionëve të dedikuara për simotrën e LVV – së kosovare (se instruktorët e kësaj i ka) lëvizjen «Besa», respektivisht për Universitetin Ballkan dhe mediave e shoqatave të blera nga këta. Përveç mëradikalëve të Gruevskit nuk reagoi kush. Nga raportet e Europolit, Interpolit dhe instancave tjera të sigurisë ndërkombëtare mësohet se Turqia nuk lejoi zgjerimet e hetimeve matej ngase shpëlarja e parave ishte bërë me «bekimin» e shërbimeve sekrete turke, pra me të njëjtin sistem për çka hetohet edhe i biri i Erdoganit në Itali: për shpëlarje parash nëpërmjet organizatave të ISIS e kompani! Gruevski ka kërkuar mos-hetimin nga instancat e brendshme të tij për qëllime politike: «Nëse fitojnë i lëmë shqiptarët në zona të caktuara pa deputet fare se u çojmë padi».

*
Se çka bëjnë shtetet dhe mafia është njëra anë e medaljes e si sillen masat është tjetra. Në rastin e Lëvizjes «Besa» ithtarët i shpërndajnë këto argumente: «Rasti është vitit 2013-2014», «Ani së paku këta e bëjnë për Allahun. Xhelozë islamofobë, ateistë, komunistë jeni ju që jeni kundër Besës». Çka implikojnë këto arsyetime? Nuk ka rëndësi se nga erdhën paret, kryesorja ata i përdorin në emër të Allahut, dmth. ky i fundit ua paska mësuar zanatin. Blasfemi bërtasin besimtarët e taborit tjetër. Rasti paska ndodhur dje dhe është më pak krim? Në këtë stil veprojnë edhe ithtarët e PDK-së në Kosovë, ata të PD-së në Tiranë, ata të BDI-së dhe PDSH-së në Maqedoni dhe shumica absolute e tjerëve. Sa të kritikosh dikë prej tyre për veprime negative ose korrupsion nuk të dëshmojnë të kundërtën, nuk reflektojnë por të hidhen në qafë duke të etiketuar me ç’mos epitetesh.
Dhe po i numëruam gjithë këta bashkë dalin gati gjithë ata që zgjedhin, shumica e votuesve. Si ka mundësi kjo skizofreni? Duam drejtësi, demokraci, shtet të fortë e ligjorë mirëpo rrofshin banditët?

*
Pikërisht këtë e argumenton Eric J. Hobsbawm në studimin e fenomenal të tij «Bandits» (2000) kur shkruan: «Kjo formë biznesbërie seminomadike e fiseve çobane ka traditë të thellë në Anadoll dhe Ballkan nga ku edhe kanë origjinë shumica e banditëve të këtij lloji » [F. 21: 2007 Ribotim]. Ky mund të jetë çelësi shpjegues se pse masa të mëdha brenda shoqërive shqiptare ende më lehtë ndjekin banditët se sa njerëzit korrekt dhe që duan implementimin e demokracisë kualitative dhe shtetit ligjor. Mjafton që të njëjtët banditë të thonë se atë që bëjnë e bëjnë për Zotin, Kombin apo Atdheun dhe mund të vazhdojnë të vjedhin deri sa të mos kenë më çka të bëjnë me paret. Nuk kërkon dot përparim shoqërish me këtë mendësi të shekujve të hajdukëve, komitëve, kaçakëve që shoqëritë tjera i kanë tejkaluar shekujve 16-17. Kur do të bëhet ndryshe? Zgjedhjet në Maqedoni janë edhe një rast për ta mbyllur apo për ta vazhduar këtë epokë banditësh.

suleyman_aslan_bankaya_geri_dondu_h60726
Shefi i Halk Bankës Suleyman Aslan gjatë arrestimit
NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.