Atentatorëve të ajrit dhe lirisë

Ky shkrim duket si tentim për ta vizatuar korridorin që çon në apokalipsin e një shoqërie. Edhe pse në të s’ka asgjë të ekzagjeruar. Asgjë nuk mund të përgënjeshtrohet pa gënjyer. Besojmë se liria në këtë stad është edhe më e rëndë se robëria, ngase atëherë edhe vrasja kishte një kuptim, ndërsa sot plotë njerëz jo vetëm lirinë por edhe vetë jetën e konsiderojnë të pakuptimtë.

Zhvatën kapitalin. I kërkojnë edhe rezervat e fundit arkave publike. E kanë shndërruar shtetin në nimfën më të përdalë ku politoprostitutët kanë zbuluar burimin e pasurimit. Aty ku nuk bën punë fallusi vihet në aksion banditizmi që zhvatja të duket madje legale; nëpërmjet gjyqeve, granteve, tenderëve, haraçeve ngordhin edhe zonat e fundit të asaj pasurie publike, gjithmonë e kapur prej tyre, por e cila shërbente së paku si iluzion se ndoshta një ditë do mbetet diçka tepricë edhe për lypësin, punëtorin, bujkun dhe qeniet tjera të shoqërisë. Jo. E vranë edhe iluzionin më jerm të mundshëm. Dhe gjitha këto nuk mjaftojnë. Parada vazhdon.
I mblodhën dhe harxhuan gjitha diplomat dhe doktoratat. Ashtu pa ditur ta shqiptojnë asnjë fjalë siç shkruhet. Aty, në të ashtuquajturat tempuj të dijes, me sukses tashmë lapidarizuan monumentin e Infantilit – demonit ekzekutor të çdo vlere të dijes dhe respektit. Ca pleq të frustruar me tituj akademik mbajnë pozitat, ashtu si murgj sa për ta hipnotizuar demonin të mos acarohet edhe më shumë. Të mos përdhoset edhe më tepër, aq saqë njerëzve të atij nënqielli t’ua heq edhe atë copë ajri që u ka mbetur që mos mbyten trupdeformuar.
Hamësit harxhuan edhe ajrin, por i kanë lënë edhe ca kubikë për t’i mbajtur gjallë skllevërit që mos vdesin para zgjedhjeve të ardhshme.
Çka pas përdhunimit të kapitalit, nderit, dijes, lirisë, bukës e ajrit të tyre? Çka mbeti? Ku ta gjej ajo qenie atje ende fuqinë për ta dëgjuar këngën e mërzitshme të ne pozitivistëve qesharakë se gjithçka do bëhet mirë? Kush do ta bëjë mirë, kur asnjë i pa-korruptuar nuk shpëtoi?

II.
Pasqyrë e zezë kjo? Janë shqiptarët të prirë të mendojnë e besojnë vetëm në negativitete? Ndoshta. Kosova nuk është e listës së atyre vendeve ku njerëzit vdesin urie. Po vetëm edhe kjo mungon. Do të ishte ndoshta pa asistencën e diasporës dhe të huajve. Dhe ndoshta edhe ndodhë që pleq të moshuar vdesin të vetmuar e varrosen pa e kuptuar kush se cili infarkt i përcolli vërtetë përtej: ai i zemrës apo ai i ftohtit.
Si do që të jetë shumica ndihet zi. Diagnoza si perceptim dhe ndjenjë e shumicës është e papërgënjeshtrueshme. Sa përqind të masave atje nuk e ndiejnë këtë diagnozë – të zhgënjimit total me lirinë e tyre? Sa njerëz në Kosovë ende vazhdojnë të besojnë në këngët optimiste të pushtetarëve, suflerëve dhe murgjve të tyre që për një miniluks shesin idealet si çorape të përdorura?
Kujt t’i besojnë ata njerëz atje? Klasës politike në pushtet – jo. Retrorevolucionarëve edhe më të korruptuar se të parët edhe më hiç – bëjnë vepra edhe më të pështira se vetëm hajdutërinë materiale. T’u besojnë atyre snobëve e snobeve protourbane që besojnë se masat kanë nevojë jo për zgjidhje por për maska të reja – edhe më të gërditshme në esencë se sa gjithë brutaliteti i bukolikëve transparentë.
Ç’të bëjnë masat e njerëzve me një diagnozë të këtillë, të dëshpëruar deri në atomin më minim të frymës së tyre përveç se – të shkallmuar nga realiteti i kësaj bote të pamoralshme – të kërkojnë shpresë botëve irracionale; të radhiten si dele para klerikëve injorantë që u premtojnë flori dhe gra me bollëk në ndonjë botë tjetër, cilado-qoftë ajo, ngase më të keqe se kjo botë që ia bëjnë hamësit edhe të ajrit nuk besojmë se ekziston në univers.

III.
A ka shpresë në atë kulturozonë që duket sikur liria ta dënojë njeriun më shumë se çdo robëri e historisë? Shohim ndonjë rreze drite në diskurset e inteligjencies së re? Është në ardhje ndonjë politikan, filozof, ndonjë rrymë e re, shpirtpastër që vuan nga diagnoza reale e jetës siç është atje dhe paralajmëron ndryshimin? Shumëfish: Jo! Në asnjë rast, në asnjë mënyrë, në asnjë portal, në asnjë libër, tek asnjë njeri nuk detekton dot një sistem serioz se si duhet të shpëtoj njeriu atje – jo, asnjë që pranon realitetin, ngase kjo diagnozë edhe po të ishte e imagjinuar është  aq shkatërruese, skëterrëse, e tmerrshme saqë do të kishte shgjumuar edhe më letargjikun ndër mendjet me potencial. Shoqëria është rrugës të kulmojë në një koloni psikopatësh, paranojakësh, alarmistësh që mund t’i shpërdor jo vetëm njeridjalli i sofistikuar por edhe injoranti më konfuz farelehtë i shpërdor si dinamit për t’i vetëasgjësuar.

IV.
Sinqerisht: këtë e deshët ju primatët e vendit. Të ju besojmë se jo? Po. Edhe ky lloj destruktiviteti kaq rrënues kërkon strategji, sistem, të cilin nuk ua besojmë ta keni bërë me dije e vetëdije. E keni bërë me diploma dhe doktorata të rrejshme. Sjelljet që bëni e prodhuan këtë situatë – kështu sot e beson shumica absolute e qytetarëve që nuk i keni hipnotizuar me ndonjë korruptim lehtësues! A ka dënim më të madh se të perceptohesh kështu – si vrasës i lirisë dhe ajrit të tyre – qoftë edhe nga një mijë veta e lere më nga një masë kaq e madhe njerëzish!
Ndoshta njerëzit i keni hendikepuar fare keq, por natyra e ka një dinamikë të çuditshme dhe nuk e le kënd të ikë pa ia prish qoftë edhe veturën që ia bartë kufomën drejt varrit.

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.