Loja vetëvrasëse e Prishtinës

Kosova nuk e ka luksin të tallet me perëndimin. E fundit e vetmja garanton ekzistencën e saj. Shqipëria po deshi Rama edhe le të shpallet vilajet i Erdoganit. Do t’i shkonte portalit të tij. Edhe Hashim Thaçi mund të shpëtoj nga Gjykatat duke kërkuar azil atje. Lufta e kosovarëve nuk u bë për të qenë molle e papjekur as e turqve e as e dikujt tjetër.

Qeveria kosovare duhet të prononcohet qartë, shkurt dhe shqip se në cilin drejtim ecë. Se a është e vërtetë ajo që propagandon Turqia zyrtare gjithandej Kosovën dhe Shqipërinë t’i ketë në pëllëmbë të dorës. Këtë garanci Erdogani nuk ia jep vetëm Putinit dhe qendrave tjera, por po me këtë «fakt» ka kohë që e kërcënon edhe BE-në salloneve diplomatike.
Jo vetëm rrjeteve sociale janë hapur faqe të populluara dhe të cilat orkestrohen nga shërbimet turke dhe të cilat manifestojnë «vëllazërinë erdogano – shqiptare» kundër perëndimit dhe atë në plotë gjuhë të botës, për kauzat më të ndryshme të Lindjes kundër Izraelit, por edhe mediat vendore atje dhe nëpër analizat e ndryshme që qarkullojnë zyrave të shteteve perëndimore aludohet kërcënueshëm se Turqia me Bosnjën, Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi mund ta bllokojë Bashkësinë Evropiane në nismën e saj të integrimit të Balkanit perëndimor në çdo kohë nëse nuk sillet sipas kërkesave të Ankarasë.

Ku është konflikti BE – Turqi? Europa dhe fuqitë tjera perëndimore deri dje e kanë konsideruar vendin bosforik aleat dhe mik të vetin. Nuk e urren perëndimi Turqinë. E fundit mirëpo, sidomos pas ardhjes së Erdoganit refuzon të njohë të drejtat e popujve, të implementojë barazinë qytetare, të mos synojë ekspansione ndaj vendeve tjera, ka investuar dhe investon bashkë me Iranin dhe vende tjera të këtij blloku në destabilizimin e vende të tejra të Lindjes; donë të legalizojë dënimin me vdekje; shtyp fjalën e lirë dhe ka ndërmarrë një mori ligjesh që zhysin sa më thellë shtetin dikur ataturk në një autokraci të tmerrshme sheriatike.

Se qeveritë shqiptare nga mllefi ndaj perëndimit, sidomos pas vendimit të “Gjykatës Speciale” dhe “Liberalizimit të vizave” mund të jenë të mllefosura me ata që dikur i çliruan është krejt e natyrshme, por se orientimi drejt Turqisë autorkratike erdoganeske do të ishte gabimi më fatal i politikave shqiptare nuk donë shumë sqarime. Shqipëria mund edhe ta ketë këtë komoditet të “luaje maca miu” si fqinja e saj Serbia, të cilën si duket e imiton duke u përpjekur të vë nën kërcënim me ikjen për Rusisë a Turqisë (sikur në Bruksel të hanin barë, dhe të jenë aq infantil saqë t’ua fusin opingat e Shumadisë), Kosova mirëpo nuk e ka këtë luks. Kjo nuk e ka këtë luks rrezikimi të udhës së saj perëndimore se vetëm e fundit është garantuesja e shtetësisë së saj. As Turqia e as Shqipëria jo vetëm se nuk e kanë këtë forcë por edhe e kishin dorëzuar lehtë sa një kusi me domate sapo t’iu premtohej apo rrezikohej diçka në çaste të caktuara.
Republika e Kosovës nuk e ka luksin të tallet me Evropën, me SHBA-të dhe aleatët e saj duke flirtuar kaq infantilçe me një diktator aq të egër dhe autokrat si Erdogani dhe atë në dy fazat më të pavolitshme për shqiptarë: 1. Turqia ka nis tashmë moti t’ua përçajë rëndë shqiptarëve shoqëritë – në interes të kujt? Dhe 2. Në kohën e forcimit të konfliktit nëpërmjet perëndimit me Turqinë që haptazi ka vetëm një aleat të vetëm: Putinin.

Nuk dimë se si së ndërton politikën e jashtme qeveria e Kosovës. Në mos nga fjalët ngushëlluese të ambasadorëve aty që nëpër ndeja u thonë “mos u mërzitni se jemi me ju” e nga ana tjetër postojnë raporte për humbjen e Kosovës drejt aleancave më antikosovare të mundshme të aksës së të kqinjve? Kështu ndodhë. Ngase Kosovën e shpërdorin të gjithë që nga Erdogani e deri tek ndonjë ministër i jashtëm i pangjyrë i Tiranës në favor të krekosjes së pabrektë të tyre për të siguruar ndonjë rol aftashkurtër salloneve të të mëdhenjve. Politika e jashtme nuk bëhet me “vëllezër” dhe alete “gjenegjaku” e vasalitete tjera imagjinare, por me strategji që para së gjithash, mbi të gjitha mbron interesat e shtetit të ri – Republikës së Kosovës. E siç e thotë historia: duke mbrojtur Kosovën ruhen edhe gjithë shqiptarët, mbrohet kulturosfera si tërësi.

Apo vërtet besojnë se janë aq të zgjuar se do t’iu bëjnë 1:0 të gjithëve Turqisë, Perëndimit, Rusisë? Nëse më pyet dikush mua – ju konsideroj si më të të pashkolluarit në politikë, që nga padija rrezikoni ekzistencën e një lirie, për të cilën u luftua aq shekuj!Eutanazikë të tmerrshëm!

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.