Hahn në gropën e qenve

Erdhi Hahni. Shkoi Hahni. Tha atë që thotë me muaj. Vetëm qentë janë risia e atij nënqielli. Katërkëmbëshit pushtuan sheshet e Gostivarit dhe Tetovës. Pse pikërisht aty në Pollog e jo në Prilep, Strumicë apo Haraçinë? Vetëm BE e dinë

Në shenjë solidarizimi me bashkëspeciet e tyre që protestojnë kundër gjuhës dhe qenies së tjerëve edhe katërkëmbëshit dhëmbëmprehur të Pollogut ua kanë mësyrë shesheve të Gostivarit dhe Tetovës. Qentë kanë dalë në rrugë. Nuk kafshojnë kënd, por në turma demonstrojnë se edhe «etnia» e tyre kërkon dinjitet, trajtim të drejtë, liri.
Dolën pikërisht atëherë kur erdhi Komisionari Evropian Johannes Hahn.
Donin t’i kumtonin komisionarit se nuk i zë gjumi dot nga ulërimat morbide të njërit grup postanimal për ta shuar tjetrin dhe se tashti u mbush kupa dhe kërcënojnë ta marrin fatin e republikës në duar?

II.
Hahn nuk i takoi qentë. I injoroi poaq sa ndonjë parti të parashuar. Foli me gjithë ata që si duket me ditë të tëra kishin ushtruar muskujt e fytyrës se si t’i qëndrojnë përballë komisarit me orë pa iu fik zgërdhirja asnjë sekondë. Refreni: «duam në BE, NATO, jemi Europë». Përpjekja e Hahn-it për tua mposhtur zgërdhirjen: «Turqi, Rusi»? Dy kodet nuk e ndihmojnë dot. Qeshje dhe pastaj të gjithë në korr: «ku shtrihen ato? Hahahaha»!
Hahni dhe kompania e tij me lehtësi: «Eh as vetë nuk dimë».
Në fund ashtu siç pritej u recitua ultimatumi i njohur; «Ivanov duhet sa më shpejtë ta pezullojë refuzimin dhe t’i lë njerëzit ta bëjnë qeveri»!

Ivanov nuk iu frikohet as qenëve e lere më njerëzve. Jo nga trimëria por nga parëndësia e habitusit të tij. Është i paapetitshëm  për të dyja kategoritë. As vetë nuk nxit për t’u kënaqur sa më gjatë e më orgjishëm në postin e tij, por ashtu i thonë. Kushti «i tij» është i njohur: «Poshtë platforma e Ramës» nuk është i tij por i një partie minore turke. Përveç qenëve dhe gjithë tjerëve vetëm ajo parti e dinë se për çka e ka fjalën Ivani që nuk tmerron dot as mizat e lere më qentë e njerëzit. Partia e dy burrave të pabarabartë ndërmjet veti; njëri diktator andej Bosforit e tjetri ish shef i shërbimit sekret. Ndoshta edhe tjerët e dinë se ku e ka fjalën Ivan-ovi por sillen sikur nuk ia varrin.

III.
Iku Hahni? Çka iu tha që s’iu thuhet tash e sa muaj? Pse ishte atje? Asgjë tjetër përveç daljes së qenve e re nuk doli. Prandaj duhet të përqendrohemi tek ata. Tek qentë. Jo s’mund të jetë e rastësishme dalja e tyre aq e organizuar dhe pikërisht në Tetovë e Gostivar. Pse nuk dolën edhe kolegët e tyre ta zëmë në Prilep, Strumicë, Gjevgjeli? Dakord nuk kërkojmë që të dalin në Shkup se atje janë paramilitarët e asaj species tjetër që do t’i kafshonin katërkëmbëshit pacifistë të Pollogut me ndihmën e kangalëve të dërguar nga Köpek Irkları ve Köpek Bilimleri Federasyonu.
Sipas informatave të sigurta nga terreni komploti i BE-së është ky: Nëse kozmopolitët, shqiptarët, vllahët, bullgarët, egjejeasit, serbët, boshnjakët dhe gjithë ata nuk merren vesh ndër veti BE konform politikës së saj të rajoneve do të flas me qentë e saj besnikë që të pushtojnë zonat etnokompakte shqiptare të Tetovës, Gostivarit, Strugës, Dibrës, Kërçovës e kështu me radhë dhe të cilat do t’i përkrah drejt një autonomie e mëtutje nga qendra. Ky është plani ZH, jo vërtet për ta prish Maqedoninë por për ta përdorur kartën e njëjtë si dykëmbëshi krahëderipërdhé duke thënë «ti thua o platforma shqiptare o qeverisja» ne themi «o gjuha o bye». E kjo bëhet vetëm me qentë se njerëzit ende nuk janë zhvilluar deri në atë stad saqë të operojnë me dinjitet maksimal e me besnikëri totale ndaj species së vetë.
Vetëm qentë janë shpresa e Hahn-it. Njerëzit janë të rrezikshëm se s’munden të jetojnë pa e kafshuar njëri tjetrin.

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.