Popat pa topa

Kisha Ortodokse Maqedone u vu krah nxitjes së luftës. I duhen ikona të reja, të shenjtësh me biografi kriminele? Kampanja për t’i dhënë luftës së Gruevskit karakter religjioz ka nisur qëmoti. Pa sukses. Shqiptarët s’janë të marrë!

I çoroditur, i hutuar, gjermani bërtet brenda një kishe serbe afër Valjevës: «këta janë kriminel lufte»! Turisti perëndimor, ndërmjet ikonave të shumta sllavo-ortodokse, dallon edhe ato të Millosheviçit, Karaxhiçit, Arkanit me kompani. Berlinasi nuk e kupton botën se pse ka mundësi që një tempull religjioz abrahamit të strehojë qenie të akuzuara për etnocide, vrasës nga soji më barbar që përjetoi shekulli 20.

Po që se ikonat t’i kishte parë ndonjë historian ose ndonjë ballkanas nuk do habitej, as çuditej e as tërbohej fare. Ato, që se ekziston kisha ortodokse, e ashtuquajtur «pravosllave», janë aty. E kanë vendin aty. Janë inventari konstitutiv i saj. Si në Rusi, Serbi, Bullgari, kështu edhe në Maqedoni Kisha gjithmonë ka qenë në anën e shovinizmit, politikës së përqendruar për të zhbërë tjetrin me identitet e besim ndryshe. Gjithë e njohin Irinejin. Poashtu Aleksejin. Në Maqedoni madje edhe në kohën «komunizmit», kishat shërbenin si dylbitë, kontrolluesit dhe laboratorët e pushtetit. Gjatë demonstratave të shqiptarëve për gjuhë, shkollë dhe flamur, sigurimet vendore, kur i mbushnin rrastë qelitë e stacioneve policore, po aty, bodrumeve dhe katakombeve të Kishës kryenin torturimet e «kontrarevulcionarëve». Popat ruanin derën. Luteshin për shëndetin dhe fuqinë e agjentëve të sigurimit shtetëror, që mos të dorëzohen deri sa të cofë nga dhuna “armiku i shtetit”, qoftë të ishte edhe fëmijë.

Me një fjalë: nuk habit aspak fakti që Kisha Ortodokse Maqedone dhe Arkipeskopi Petar të kenë hyj në aksion pro pushtetit, pas gjithë atyre kërkesave e apeleve të shumta të VMRO-së së Gruevskit, që ajo t’i bashkëngjitet luftës për të shpëtuar kriminelët dhe «familjet» e tij.
Ndaj cilave apele reagon kisha?

II.
Qe një javë e më shumë Gruevski, respektivisht mediat e tij, kanë nisur ta fusin elementin religjioz brenda konfliktit për pushtet. Si duket shtabi i përgatitjes së trazirave në vend, me synimin për të marrë pushtetin ose për të futur vendin në luftë do të ketë konstatuar se me nxitjet ndëretnike nuk do arrijë efektin e dëshiruar. Shqiptarët nuk reaguan si të marrë që të bëhen edhe kësaj radhe viktima, të keqpërdorurit e ngatërresave ndër kriminelët e politikës.

Duke llogaritur në radikalizimin fetar të shumë shqiptarëve të besimit islam Gruevski dhe Kisha shpresojnë se ia dalin me nxitjet; kjo nga njëra anë do t’i shpëtonte uzurpuesit e shtetit dhe ekonomisë nga sanksionimet dhe burgosjet dhe nga ana tjetër bota do ta „mirëkuptonte luftën kundër terrorizmit islamik“.

Gazetat si „Dnevnik“ vazhdimisht publikojnë artikuj historiko-ashkencor të tipit: «Të përzihen të krishterët, tokat t’i marrin shqiptarët» (shih fotografinë), „Maqedonia e krishterë në rrezik nga shqiptarët islamikë“ ose madje duke shtyrë „torbeshë“ të apelojnë që shqiptarëve t’iu merren xhamitë (si rasti i Ismail Bojdas, kryetarit të maqedonasit mysliman nga Kisha e Shën Marena).

III.
Matematikë e vonuar ballkanike kjo e Gruveskit dhe Kishës. S’ka më mish për topa as nga kjo kategori brenda popullatës shqiptare. Para tri viteve ndoshta mund të korrnin ndonjë sukses, por jo sot. Kështu ngase falë aktivizmit dhe punës së madhe të intelektualëve të rinj, imamëve të mençur dhe vetë BIM-it përtej zonës së Shkup – Kumanovë (këndej ende ekziston rrezik. Sidomos në Pollog, Kërçovë, Strugë, Dibër misioni i fanatikëve u dërmua) deradikalizimi i individëve dhe grupeve të caktuara ka pasur efektin maksimal, më shumë se edhe aty ku shtetet bashkëveprojnë në këtë drejtim e këtu jo.

Kot Arkipeskopi Petar këndon si popdiva himne kundër spiunëve, kot iu lutet ikonave të tij, ndër të cilat tash do ta ketë sistemuar edhe bustin e Gruevskit, që t’iu ndez karta e lojës me zjarr për të shpifur një luftë ndër-religjioze.

Vetë fakti se Kisha t’i dalë në krah klanit mafioz të Gruesvkit dhe shovinizmit më primitiv të ditëve tona dëshmojnë se Popat e Maqedonisë ende nuk kanë dalë nga katakombet e mesjetës së kryqëzatave dhe barbarisë. Fatkeqësi. Fétë duhet të vepronin kundër luftërave e jo të jetojnë nga to. Popat mirëpo nuk e kuptojnë këtë, njëjtë si ata terroristët që besojnë se bombat, armiqësia ndaj tëndes, vetes, shuarja e jetëve qenkan urdhrat e Zotit të tyre. Kriminelët, vrasësit nuk i donë askush tjetër përveç politikave që nëpërmjet krimit o duan ta shpëtojnë veten o ta bëjnë atë edhe matej.

Lidhje:
Peshkopi duke ekzekutuar himnin për spiunët e mallkuar
https://www.facebook.com/ljupco.gorgievski.3/videos/1861854377173794/

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.