LDK – ose duaje sindromën si ty vetë

ELEKTORALE/ «Më fyenin, poshtëronin, injoronin sa isha i gjallë e më zhvatin tash sa të munden kur jam në varr», po të thoshte se kështu i ka folur Rugova atij mediumit të LDK-së që mban kontaktet me përtejësinë saora do t’i kishim besuar.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës padyshim se ka njerëz për t’u admiruar. Paradoksalisht, ata që kanë qenë shumë afër liderit tashmë të ndjerë Ibrahim Rugova janë jashtë ose u vranë qysh herët. Ata që duken si trashëgimi e frymës së tij janë të rinj ose nuk janë në partinë që betohet ta ketë testamentin ekskluziv të inkarnatit të Gandit me flamur dardan e në kohët postmoderne. Pjesa dërmuese e kësaj LDK-je, kështu siç është udhëhiqet nga sabotuesit dhe luftuesit e liderit pacifist shqiptar. Këtë histori e dinë çdokush. E më së miri e dinë ata vetë – ata që e bojkotonin në çdo hap të tij, dhe të cilët sot përbëjnë strukturat kryesore të partisë. Ibrahim Rugova ishte pacifist me besim, frymë e synim. Këta për pushtet e para e tradhtonin atëherë, e bëjnë sot dhe do ta bëjnë edhe nesër – madje fatkeqësisht edhe nga rrethi i ngushtë familjar i tij.
Kjo strukturë, përveç mashtrimit të madh që u bën masave të jetë trashëgimtare e Rugovës, ka edhe diçka tjetër esenciale në natyrën e saj: është dëshmia absolute se shqiptarët ende nuk i kanë hyrë ndarjes nga mendësia e robit. Jo vetëm atij të shekullit të fundit, por më shumë atij skllavit të rraskapitur shtatë shekullor.

*
Të ndalemi tek fuzionet dhe teza e mendësisë së robit. Në këto zgjedhje, kjo linjë dramatike e skllavëve të bashkuar të historisë, mbërriti kulmin. Nuk ka dilemë se LDK-në e përbëjnë me shumicë ata që më së paku i bombarduan serbët; familjet e ish funksionarëve të ish Jugosllavisë dhe kundërshtarët e hapur të luftës (pas mbarimit të luftës iu bashkëngjitën edhe luftarakë për motive krejt anësore, me siguri jo rugovistë).
Që drama e linjës së sindromës të Stokholmit të jetë edhe më bindëse, aleanca e forcave të robit shekullor u koalicionua jo vetëm me ata që bizneset dhe ngritjen e tyre i kanë falë simpatisë të tipave si Selim Brosha e që hapnin firma fiktive në Zvicër me vëllezërit e Millosheviqit – plus me ata që glorifikojnë Fadil Hoxhën si shpëtimtar të kombit – por edhe me strukturat religjiopolitike që për synim të promovuar kanë ri-osmanizimin e shoqërive shqiptare. Për më keq ata minojnë jo vetëm sekularizmin tashmë tejet të brishtë të demokracive shqiptare, por janë edhe pararojë e atyre që përgatitën me fjalë e me vepër ekstremizmin wahabit që i kushtoj Kosovës me 400 të rinj dhe me një fytyrë të nxirë para botës.
E a ka thikë më vrasëse se kjo për frymën e Rugovës? Jo se Rugova ishte islamofob, porse ai madje me shpirt donte kthimin e riteve dardane për ta ruajtur identitetin specifik kulturor properëndimor me plis të bardhë, jo të gjelbër apo të zi.

**
LDK vetëm 3 vite nuk ka qenë në qeveri. Ka hyrë në qeveri duke mashtruar gjithmonë partnerët paraprakë duke u tallur me ta ditën e duke lidhur „besë“ me tjerët natën. Gjatë qeverisjes së fundit ajo ia kaloi akulturës filcokratike të konkurrentëve të saj. Nuk i përgjoi kush (ndoshta?!) se bisedat do të ishin edhe më zbavitëse se ato të shefave të «prontos». U punësuan gra, kolegë klubesh e psudouniversitetesh; iu shpërndanë tenderë bijve, bijave dhe disa pinjollëve që u kyçën më vonë – këta u bënë jo vetëm vetë milionerë të rëndë por me gjithë farë e fis, ende pa qenë drejt e vetë në pushtet. Në çdo ministri, agjenci me hov e vrap i punësuan ithtarët, vartësit, shoqet e shoqeve, bashkëshortet, dashnoret, dashnorët bashkë me korrierët. Nëpër kafene vendoseshin subvencionet për këtë apo atë botues, për këtë apo atë teatër, shkrimtarë e lista është e gjatë. Të korruptuar janë si tjerët pa dyshimin më të vogël: Që nga 3% e deri në qeverisjen e fundit mund ta mbushim një bibliotekë po aq sa për disa tjerë për të cilët mund t’ia nisim që nga „Vendlindja thërret e deri tek Azem Syla e Xhavit Haliti e këndej“.

***
A ka aksion më aversionmbjellës e refuzues se t’i lavdërohesh dikujt se je profesor i një institucioni arsimor që mezi rri në listë si i 6879-ti? Ose i ndonjë shkolle që nuk hynë fare në listë? A ka akt më iritues që oreçast t’ia plassh në fytyrë faktin dikujt se ke studiuar jashtë disa semestra në sajë të gjendjes së mirë të prindërve ish funksionarë, t’ia thuash këtë atij Tjetri që ndoshta prindit i ka pasur në burg ose të vrarë nga serbët? (Digresion: ky mit është qesharak. Të kesh bërë disa vite jashtë sot nuk donë të thotë asgjë se janë me mijëra që ia dalin disi. Ne që jemi formuar e shkolluar jashtë e dimë se sa shumë më të cekët janë se plotë brenda, ata që mbajnë si flamuj triumfalë diplomat e tyre të marrë me djers e gjak jashtë). Pra për ç’kuadrosh të forta e kanë fjalën këta njerëz? Është mashtrim tipik snobësh dhe kaq.

Ekspertët e thonë: zhvillimi i trumbetuar ekonomik i qeverisë së shkuar është një kozmetikë që shiu i parë e shpërndau nëpër fytyrë duke na shpërfaqur klounin e radhës. Me fore dhe falsifikime statistikash nuk bëhet shteti.

****
Me këtë LDK Kosova vetëm mund të humbë edhe më shumë: ata janë jokonsistentë sidomos në një kohë të betejave të mëdha diplomatike që pasojnë për shkak të kërkesës së BE që Serbia të ndahet përfundimisht nga Kosova. Ajo do të ndahet por se me çfarë çmimi varret nga konsistenca e shqiptarëve në të drejtat e tyre. Ajo kësaj radhe duhet të rri në opozitë dhe të shërojë veten nga sindroma e Stokholmit dhe mundësisht të riprofilohet me njerëz të frymës për çka aludon – atë të Rugovës e jo të Tërnavës, Lisbas apo ish binjakëve të Rrahman Morinës – jo se janë të këqij apriori si njerëz porse nga historia e dimë se opsioni i tyre ishte gjithmonë i dëmshëm për lirinë e Kosovës. Është një t’i kesh duart e papastra se ke vjedhur materialisht por është shumë më e rëndë ta kesh gjithë historinë e papastër dhe atë ku korruptimi material del si ana që edhe mund të falej.

*
Qytetari i kthjellur dhe që donë vendin e vetë duhet disa herë të marrë frymë thellë para se ta votojë simptomën sindromike të veten, njëkohësisht duke kërkuar ndryshim e ecje para të vendit të vetë. E qartë se aty ka personalitete që e meritojnë votën aq shumë, por ata janë pak e partia nuk e meriton.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.