PDK- assesi kësaj radhe!

ELEKTORALE / Partia e Hashim Thaçit është përgjegjëse për përdhosjen e Republikës gjithandej ku ajo ka ngecur ose ka dështuar rëndë. Zgjimi për korrigjim në fillim ishte shou, ndërsa sot kur pasardhësi zotohet e premton mungojnë ende dëshmitë konkrete e sidomos besimi i masave.

PDK nuk ka të drejtë të kërkojë edhe një shans para se të dëshmojë katarsisin total nga elementet që kanë demoluar shtetin deri më tani. As kësaj radhe ajo nuk del para votuesit me lista të pastra. Përkundrazi aty ka njerëz që drejtpërsëdrejti janë përgjegjës për katrahurën në arsim, shëndetësi, si të akuzuar për vjedhje maratonike dhe dështues gjithandej ku kanë pasur përgjegjësi. Madje aty kanë mbetur edhe «babaxhanë», pa bekimin e të cilëve rëndë të ketë ndodhur ndonjë keqpërdorim i përmasave të mëdha.
Po që se Kadri Veseli vërtet ia dilte të ofroj lista po aq të pastra siç organizon rrethin veprues të tij para zgjedhjeve, atëherë mund t’iu drejtohej votuesve me mëshirë edhe për një shans, kështu assesi.

*
PDK ka gabime historike nga paslufta e deri dje. Gjithçka nisi me ndarjen e Mitrovicës. E bëri Hashim Thaçi këtë rrëshqitje fatale me qëllim apo nga padija do ta thotë me siguri shumë shpejtë historia. Mitrovica de facto u nda në atë fazë kur serbët as që guxonin të kërkojnë diçka. Shumëçka në Kosovë dështoi në fillimet e saj për shkak të serviliteteve jodinjitoze të udhëheqësisë së pushtetit kosovar karshi të huajve. Nënshtrimi shkoi aq larg e aq i pervertuar saqë as Brukseli e Uashingtoni nuk e dinin saktësisht se cilat qendra në të vërtetë janë duke komanduar me Prishtinën.

Se kush gjithkush përzihej në fatin e Kosovës u pa shumë vonë dhe atëherë pasi u denacionalizuan edhe pikat më nevralgjike të ekonomisë kosovare si infrastruktura, komunikacioni, energjia dhe plotë të këtij drejtimi. Si pasojë e kësaj shitjeje gatifalë e damarëve gjenerues të kapitalit kosovar u stagnuan gjasat për mirëqenie dhe shkaktuan ikje masive të të rinjve gjeografikisht e idealisht drejt „opsioneve“ si ekstremizmi fetar, kriminaliteti, perëndimi e lindja.

Ekstremizmi i prodhuar nga keqqeverisja, pamundësia për tu shëruar, shkolluar apo realizuar në vend ua mundësoi organizatave religjiofanatike, politagjenturore të përlajnë e përvetësojnë shoqërinë edhe aty ku njerëzit as që e parafytyronin. Përndryshe si ecë pas Gëzim Kelmendit, Ramiqit apo Hoxhë Krasniqit shqiptari normal?

*
Duke pasur parasysh këto që listohen më lartë akuzat për veprimtarinë e SHIK-ut dhe ato të «Prontos», duken sikur partia t’i ketë lansuar vetë. SHIK ishte organizatë e domosdoshme informative e asaj kohe. Nuk ka ushtri e as shtet apo parashtet për organizma të tilla. Ish – pjesëtarë/e të saj ke sot në të gjitha partitë pa përjashtim, në shoqërinë civile, media dhe gjithandej. Për atë kohë ata kanë bërë punë patriotike. Nëse ka devijime dhe krime ato do të zbardhen, por jo në fushatë elektorale ku shohim edhe informatorët e saj më të regjur dikur ta akuzojnë për gjëra që edhe s’mund t’i ketë bërë ajo në konkurrencë me atë të «pandave» dhe krimeve tjera pasi as mundësitë nuk i kishte. Afera dhe metoda „pronto“ është ves i të gjitha partive jo vetëm në Kosovë. Të njëjtën e bëjnë të gjitha, varësisht se ku e kanë pushtetin. Me këto pseudoakuza nuk e dëmton kush partinë e Hashim Thaçit, sot të Kadri Veselit.

*
Nuk ka dilemë se Kadri Veseli del të jetë më i zgjuari nga të gjithë. Ai i dinë dhe me lëvizjet e tij i pranon këto gabime, prandaj donë ta shpëtojë partinë duke mos i dhënë prioritet për qeverisjen e ardhshme por duke mos e lënë edhe pa pushtet fare. Tash varret nga koalicionarët e kësaj partie se a do të groposen të gjithë bashkë apo do të shpëtojnë të gjitha. Ramush Haradinaj është figura nëpërmjet të cilit PDK sheh shpëtimin – ky i ka vetëm 100 ditë në qeveri, me Rugovën dhe jo me dështime që mbahen mend gjatë. Përkundrazi. Ai as që rrezikohet nga gjykatat dhe doli i pastër në çdo drejtim.

Edhe kësaj radhe të gjithë indikatorët flasin se PDK do të dalë sërish më e forta. Kjo se në krahasim me tjerat luan me kartën e premtimit të thyerjes me atë biografi të dështuar dhe kërkesën për një fillim të ri. Dhe në konkurrencë nuk ka subjekt që s’mund ta akuzosh për diçka, ngase secila është me trastën e saj plot thera biografike, strukturore apo në kundërshti me dëshirat dhe kërkesat e shumicës.

*
PDK e meriton sanksionimin e votuesve. Në kushtet normale, me masa të shkolluara përtej nivelit të PISA-s dhe me shtet ligjor si duhet PDK do të dilte këtyre zgjedhjeve duke paguar faturën për gabimet e saja të shumta. Ajo po si LDK nuk e meriton votën e qytetarit që donë Kosova të ecë përpara jo për shkak të konsistencës në orientim dhe paaftësisë se i ka dëshmuar të dyja kohëve të fundit, porse njëherë duhet vërtetë të bindë se ka ndryshuar stil, njerëz dhe bindje.  Jo kësaj radhe, këtë herë ajo më së paku meriton votë!

 

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.