«Urdhëri» i demosit politikës në katakombe

POSTELEKTORALE / Një gjë është i sigurt: ndërkombëtarët nuk do të lejojnë zgjedhje të reja para afateve. Ata do të operojnë si në Maqedoni: me ultimatume. Receta është kjo:  një megakoalicion për tejkalimin e «fazës së jashtëzakonshme të demokracisë kosovare»  siç e quaj  unë  periudhën qeverisëse që vjen. Arsyet se pse kalkuloj kështu përpiqem t’i jap si përgjigje ndaj 5 pyetjeve më poshtë (Të realizuara edhe si intervistë me GazetaBlic):

Kush është fituesi i këtyre zgjedhjeve e kush humbësi?
E qartë: LVV i fitoi zgjedhjet. Po mos të ishin koalicionet ajo do të merrte mapën e presidentit për të formuar qeverinë e ardhshme. PDK nuk do ta mbrrinte 25% vetë. Tash mirëpo situata është kjo. PAN prinë, LVV është e dyta dhe LDK e treta.
Ky rezultat nuk është i keq, por më i miri i mundshmi për proceset që vijnë. Pra është shumë mirë. Natyrisht duke ndjej keqardhje për ato që humbën. Por Kosova fiton dhe kjo ka rëndësi. LVV-së i ipet shansi tash ta marr përgjegjësinë dhe të dëshmojë se dinë të punojë më mirë ose më keq se tjerat.
Humbëse është si gjithmonë klasa politike in toto, për arsye se demosi në secilat palë zgjedhje distancohet sa më shumë prej tyre. 60% e elektoratit as që do të merret me politikën më.

Çka nëse LVV nuk pranon duke shpresuar të rritet edhe më në zgjedhjet e ardhshme?
LVV ka njerëz të mençur brenda dhe njohës të politikës. Ajo e dinë se ky ishte zeniti i saj, jo për arsye të opsioneve por për shkak revoltës qytetare kundër tjerëve. Nëse ata nuk hynë në pushtet do të gabojnë. Nga historia e votimeve – jo vetëm në Kosovë – politologët e dinë se vota e marrë nga revolta qytetare është më e pasigurta, më labilja e mundshme. Ngase rapiditeti vertikal dhe ai i rënies janë më të shpejtit e mundshmit. Ajo do të ketë kujdes.
Plus me Haradinajn kryeministër do ta kenë mjaftë rëndë që të korrin suksese jashtë qeverisjes. Haradinaj nuk është Neroni i shkolluar nga Seneka e as Aleksandri i përgatitur nga Arsitoteli, por është karakter që do të zgjidh shumë probleme praktike dhe që prek përditshmërinë e qytetarëve. Një plus i madh i tij është se ka politikat më konstruktive rreth identitetit, kulturës, orientimit. Me këshilltarë e ministra të mirë ai nuk do të rrëzohet gjatë nga psuhteti. Për këtë të jemi të sigurt; nëse e merr qeverinë tjerët do ta kenë zor ta heqin.

Pse themi se është mirë që ndodhi kështu. Vetëm për shkak se fitoi LVV, për të cilën shpresoj të integrohet apo ka edhe më shumë?
Po, ka shumë më shumë. Qeveria e ardhshme nuk mund të bëhet me aleanca mezikaluese që luftojnë për një apo dy vota në parlament. Ndodhi edhe më shumë ngase u bë ai «helvetizimi i politikës kosovare» që çonë drejt një demokracie sa më kualitataive.
Minoriteti elektoral (40%) e bëri atë që u paralajmërua qysh në zgjedhjet e kaluara: ndodhi «helvetizimi» i politikës kosovare. Jo në atë kompozicion që pritej zgjedhjeve të shkuara, ku AAK pritej të bëhet e dyta, por tash me VV-në. Nga perspektiva singulare tri partitë kryesore të vendit dallojnë nga fuqia vetëm me disa përqindje minimale: PDK, LVV dhe LDK.
Ky është një mesazh i qartë: demosi delegon të gjithë, në mënyrë të barabartë që të marrin përgjegjësi në bërjen e shtetit.  Sidomos me këto kauza përballë, sjellja e pa paraprogramuar e masave i ngjan asaj asisitencës së «dorës së fshehtë» në favor të gjithëve edhe kur ata janë të përçarë copë. (Kështu ndodhi edhe lufta ku ishte krahu luftarak dhe ai diplomatik për një synim edhe pse kundër njëri tjetërit deri ne hasmëri).

Çka nënkupton kjo konkretisht?
Versioni i parë:  Që të trija palët PAN, LVV dhe LDK përbëjnë koalicionin e madh. Si hierarkia ashtu edhe përgjegjësia ndahet konform përqindjeve të fituara. E para merr kryeministrinë, e dyta Kuvendin + një ministri shtesë përtej kalkulimeve në përqindje dhe e treta atë që mbetet nga të dy të parat. Interesant ky lloj helvetizimi është se edhe në kontekstin e aftësive ndarja, taborizimi është kualitativ dhe në favor të legjitimimit të masave: LVV mund të bënte punë të mira në resorin e mirëqenies sociale, shëndetësisë, infrastrukturës dhe administratën publike. LDK do të merrte përsipër ekonominë, financat, tregtinë dhe industrinë, kulturën ndërsa PDK si më e sprovuar në politikë do të menaxhonte me punët e jashtme, të brendshme, drejtësinë, sigurinë e të ngjashme.
Nga njëra anë kjo do të ishte mirë se do të mundësonte aelancën e domosdoshme për kapërcimin e «fazës së jashtëzakonshme të demokracisë kosovare» për katër vitet e ardhshme, nga ana tjetër lufta e mërzitshme dhe më shumë bllokuese opozitë dhe pozitë nuk do të bëhej më me gaz por me konkurrencë brenda përgjgjësisë; më të mirët i bëjnë ministritë më të mira, të këqijt i dështojnë punët në segmentet ku janë dhe vetëdëshmojnë se janë gërryes votash e asgjë më shumë.
Versioni i dytë është aleanca ndërmjet PAN + LVV me LDK opozitë ose PAN + LAA me LVV-në opozitë. LDK nuk është për opozitë. Me këtë personel hierarkik aktual ajo do të vazhdonte të tkurret edhe shumë më shumë. LVV-së në opozitë do t’i merrej era nga velat për arsye se në këtë qeverisje do të zgjidhen kauzat kryesore me të cilat ajo bën politikë. S’ka tjetër rrugëdalje. Pra revolta qytetare do të jetë shumë më pak aktive, jo se politikanët janë bërë më të mençur por presioni i BE-së ka arrit kulmin, Gjykata Speciale do ta lehtësojë shumë krahun e luftës nga akuzat dhe spekulimet dhe Serbia nuk do jetë më me aq ndikim në orinetimin e vendit sa tash ngase do të ndyrshojë qëndrimet krashi Kosovës. Do të detyrohet.

Vijat e kuqe megjitahtë ekzistojnë?
Oferta për pushtet jo vijën e kuqe por edhe malin Sharr të bën ta lësh mbrapa me një kërcim të vetëm e të lehtë atletik. Partitë kosovare duhet të mësojnë nga rasti i Maqedonisë. As partia më e madhe nuk ia doli më të inicojë zgjedhje të ardhshme e të shpejta. Kur u rrezikua situata aq saqë versioni për zgjedhje bëhej i mundshëm ofensiva e ndërkombëtarëve ishte më ultimative; s’ka kohë për të humbur bënja qeverinë më stabile të mundshme dhe harroni zgjedhjet se s’kemi kohë t’iu presim ju të luani kauboj me indianë në këto kohë krizash. Kjo do të ndodhë edhe me Kosovën – me garanci. Prandaj opsioni i zgjedhjeve të reja është refren që duhet harruar për nja 4 vjet, ose ndodhë që ikin ndërkombëtarët dhe Kosovën e ruajnë pylltarët e Zhlepit.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.