Ç’ujk dele është Albin Kurti?

Ku shkuan klientët e Gëzim Kelmendit e ku u tretën? U avulluan? Janë në LDK? Jo. Ata i absorboi LVV me mjeshtri. I fitoi vetëm me demagogji apo kjo është politika e liderit të saj „postfaktik“ Albin Kurti?

Tema edhe pse akute para zgjedhjeve nuk u prek nga kush. Unë personalisht nuk e trajtova temën për shkak të respektit që kam ndaj shumë miqve të mi që janë partiakë dhe ngase prirem nga parimi se çdo opsion – sado destruktiv mund të më duket mua – meriton shansin për garë. Se pse nuk e trajtuan tjerët dihet – arsyet i njohin nga sjellja hipokrite, pseudo-oportuniste e mediave të shumta në Kosovë, disa prej të cilave linkun e parë që ofrojnë në faqet e tyre virtuale janë ato të «Shenja»-s në Maqedoni ngase sponsorët dhe shefat i kanë të njëjtë. Media tjera, të cilave ua njoh shefat i ikin kësaj teme për shkaqe përfitimi material që kanë me oligarkët strehues të grupeve radikale religjioze.
Fjalën e kam tek aspekti religjioz i zgjedhjeve që shkuan. Respektivisht: ç’rol luajti ai tek 39% e votuesve.

1.
Nëpërmjet AKR-së së oligarkut Pacolli «shamiat» – siç quhen stigmatizueshëm ekstrareligjiozët – u renditën brenda partisë së ish presidentit Ibrahim Rugova. Duke përdorur këtë fakt kundërshtarët e «pacifistëve» saora vulosën LDK-në të jetë streha e fundit e forcave të korruptuara të islamit politik në vend. Kjo i shkaktoi dy dëme partisë së udhëhequr nga Isa Mustafa: nga njëra anë asaj ia refuzuan votën sekularët e vendosur të saj bashkë me katolikët që e kanë votuar përherë dhe nga ana tjetër myslimanët tradicionalë ngase si pelë troje e «shamive» aty brenda garoi e bija e Tërnavës, i cili konsiderohet si njëri i korruptuar nga turqit dhe arabët për interesa personale.
Gjersa Hashim Thaçi ishte demagog në këtë drejtim dhe i shkaktoi dëme kolosale vendit me flirtimin me linjën esktraradikale të islami politik vetëm sa për t’i zhvat dhe LDK u infiltrua për shkak partnerit të tyre të koalicionit, i cili si ashtu kërkoi suspendimin e rrugës evropiane, si është tek tjerët?
Konkurrenca madje, sidomos LVV, e cila qëmoti pandehet të jetë në aleancë me këto forca luajti me kartën rehabilituese të stilit: «Ne nuk e kemi asnjë shami brenda»!
Vërtetë?

2.
Dy ditë para Vitit të Ri 2014 një institut perëndimor ma dërgoi për përkthim një video. Ishte një intervistë që Ridvan Berisha e kishte zhvilluar me shefin e VV-së Albin Kurtin (shih videon 1). Pyetjes se a ka radikalizëm islam në Kosovë i përgjigjet me një po – por. Sipas Kurtit ai ekziston por jo ashtu siç hiperbolizohet nga shteti dhe media të caktuara. Tjetra që si duket kishte tronditur qarqet të veçanta perëndimore e mirë të informuara për atë çka erdhi më vonë ishte teza asgjësuese e «po»-së paraprake të Kurtit rreth ekzistencës së radikalizmit, i cili tha se: „atë e ka shpikur shteti për ta zhdukë urrejtjen e kosovarëve ndaj serbëve ortodoksë“. Se teza doli «insinuatë» me paramendim e dëshmuan rreth 400 Lavdrim Muhaxherët dhe dhjetëra të dënuar për terrorizëm. Pyetja e institutit atëherë ishte: a mund të jetë Albin Kurti «Kali i Trojës» i organizatës panturke të Baletës-Ferrajt-Jazexhiut- Qosjes -Goranit të cilët shqiptarët i shohin dhe duan si kraterin më të përshtatshëm për konceptin e tyre euraziatik me Turqinë si superfuqinë e saj. Pra invadimin e Europës perëndimore me islamin politik duke shfrytëzuar tokat shqiptare si «aeroportin» nga ku do nisin fluturaket neoosmane. Ky treshi, organizata e tyre, është ai i pushtimit osman si «vasalitet pozitiv» dhe broçkulla tjera teorike infantile. Konstatimi im atëbotë se a është Kurti viktimë e kësaj organizate ishte mohues – s’ka mundësi shkrova. Edhe pse media të ndryshme e shpallën si të tillë me kohë – shih lidhjen!
Këtë mendim nuk e mbaja më në këmbë dot pas analizimit të shfaqjeve të Kurtit nëpër «iftare» të zgjedhjeve të fundit. Pse? Ngase nga fjalimet dhe qëndrimet e tij mësohet se ai ka braktisur atë «hegelizmin« e përvetësuar nga ndejat kontemplative me Adem Demaçin dhe ka përvetësuar pseudodoktrinën «anti-imperialiste» të shtabit të sipërpërmendur.

3.
Ishte portali ekstraradikal-proturk i organizatës lartë, tesheshi.com, i cili solli një video që bëri bujë. Aty Kurti thotë se do ta luftojë «islamofobinë dhe stigmatizimin e myslimanëve» dhe se «do të lejojë shamiat në shkolla dhe administratën publike» (Shiko videon 3). E para është betejë fisnike por i përngjanë asaj luftës me fantomë, ngase me islamofobë apologjetët aktivë të forcave radikale brenda VV-së i definojnë ata që luftuan ekstremizmin dhe terrorizmin e jo ata që sulmuan xhamitë apo rrahën imamët gjatë namazit. E dyta është apel për sabotimin e shtetit sekular. Sugjerim adresuar forcave të caktuara teofashiste që mund ta rinisin luftën me përkrahjen e tij po erdhi në qeveri.
Militantët e tij më aktivë rrjeteve sociale nuk thanë se ka të drejtë. Shumica donin të na bindin se e ka për vota, ngase është ateist. Hipotezë kjo mirëpo e pabindshme sidomos kur ftojmë në kujtesë asistencën e VV-së nëpërmjet instruktorëve të saj «tironas» dhënë Lëvizjes turke në Maqedoni «Besa», e cila aleancë u prish gjoja nga njëri prej fraksioneve brenda organizatës së Baletës dhe Ferrajt që priret nga Milazim Krasniqi i Prishtinës.
Madje litari trashet edhe më shumë se kaq;  në një fjalim si duket para fetarëve mitrovicas Kurti do të shprehet kështu: «Bile unë besoj se për kombin shqiptar, në përgjithësi, në shekullin 21, fati jonë matet me fatin e dy qyteteve, Mitrovicës dhe Shkupit. Në gjendjen në të cilat janë Mitrovica dhe Shkupi, në atë gjendje ti e kupton se në çfarë gjendje është populli yt. Është Ervin Hatibi (Foto 2 nga e majta në kollazh), është një poet shumë i mirë shqiptar, është i ri, thotë  – me përqeshje Kurti para se të thotë – ne nuk  kemi letërsi shqiptare vetëm atë që nis me Rilindjen kombëtare e deri tek Ismail Kadare, por e kemi edhe Ervin Hatibi, Edlir Azizin (nëse i dëgjuam si duhet)…e kështu me radhë…» (Shiko Videon 02) dhe vazhdon me predikimin e njohur për shamitë.
Në ç’gjendje janë Mitrovica e Shkupi që qenkan fytyra e vërtetë e kombit shqiptar? Pse Ervin Hatibi e ky Azizi se nuk e di kush është qenka alternativë e një traditë aq të gjatë e me shekuj e letërsisë shqiptare? Për çka flet Albin Kurti?
Shtoi kësaj avarie se këtë politikë në gjuhë, mendje e shprehje e gjejmë edhe tek shumica absolute e militantëve të VV-së rrjeteve sociale atëherë drama na rritet e bëhet edhe më e rëndë se realiteti. Apo siç pyetëm për çka lufton Albin Kurti?
Këtyre ndoshta iu përgjigjet vetë dikur, por çka dëgjoj me bind se kam gabuar në konstatimin tim të vitit 2013 kur kam thënë se Albin Kurti nuk mund të jetë Kali i Trojës e pseudoreligjiozëve fundamentalistë panturq, pasi në këto e dhjetëra video e fjalime tjera ai argumenton sikur me folur me gojën e tyre.

4.
LVV ia mori klientelën Partisë së Drejtësisë, Gëzim Kelmendit, Fuad Ramiqit dhe tjerëve. Ata nuk u avulluan por përbëjnë ndoshta atë 15% që dyfishoi LVV-në, ndërsa faturën e paguan LDK. Kjo lojë shahu në politikë është normale, sikur të ishte vetëm aq: Albin Kurti mirëpo si properëndimoren, proosmanik nuk i vlen askujt. Nëse është ndryshe dhe gjitha këto kalkulime janë të gabuara, le të sqarohet. Kohë ka. Tash i ka katër vjet komoditet si partia më e madhe vendit. Poqëse e kemi potretuar gabim as atëherë nuk humbim se ia kalon çdo demagogu. Po e kemi portretuar ashtu siç është mjerë Kosova sa e verbër që është.
Redaktorja e «Deutsche Welle» e quajti Albinin «Ujku me veshje të deles» që u prinë «nacionalistëve, radikalëve dhe të frustruarëve». Kjo nuk qëndron: të frustruarit janë ata që mbi 50 mijë herë shkoqën fletëvotimet. Radikalët po i udhëheq, çështja është vetëm; cilët radikalë?

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.