Londra dhe ne

Liderët e padijshëm, të sëmurë pas pushtetit, famës apo parave janë patjetër ferri i çdo shoqërie. Por duhet ta ndërrojmë pak e sa-ora anën e medaljes dhe të flasim për fabrikën e tyre: pse gjithë ai numër aq i madh njerëzish lidhet gjithmonë pas atyre që shihet se rrejnë, ecin mbi kufoma e s’kanë aspak moral e përgjegjësi? Pse disa refuzohen si altoparlantë të një versioni të së vërtetës e e tjerët përkrahen – edhe kur shihet sheshazi e si në vitrinë se gënjejnë jo vetëm tjerët por më shumti veten?

Si duhet ta lexojmë aktin e Brievikut dhe këtë të kamionit apo vrasjeve që ndodhin lartë e poshtë të adoleshentëve me shamia?

2.
Unë jetoj gjatë në perëndim. Shumë më gjatë se në vendin e origjinës. Dhe për nga natyra kudo që të jetoj pasi nuk kam agjenda thjeshtë egocentrike i përjetoj realitetet nënlëkurshëm.
Njëra nga temat që më ka shoqëruar në të gjitha studimet ka qenë populizmi, nacionalizmat, ksenofobia dhe lufta e kulturave (ose si e quan ai matufi panbritanik plak “përplasja e kulturave”). Ky interesim ndoshta ka çuar që pas kulturologjisë (arteve) t’u përveshëm historisë, politologjisë dhe shkencave të religjioneve. Në fillim të studimeve të mia nuk ishte Islami temë. Përkundrazi konkurrenti i saj: krishterimi radikal që si në SHBA, Skandinavi dhe Zvicër (ku jetoj unë) u bë supporti më i flaktë i partive ksenofobe, ekskluzioniste, populiste, të cilat brenda njëzet viteve u bënë partitë më të mëdha të perëndimit. Në këtë stad studimesh të teologjive madje kamë qenë vetë brenda lëvizjeve karizmatike evangjeliste.
Mos-shpërthimi i një konflikti më frontal dhe ridobësimi e këtij trendi në perëndim shpresohej me mosreagimin e botës islame ndaj koncepteve e strategjive nxitëse e djallëzore si ai i “Përplasjes së kulturave” e të llojit të Samuel Huntingtonit. E para se një luftë e tillë është pise dhe totalisht e pabarabartë. Kulturosferat tjera nuk e kanë as dijen, as kapacitetin e as mundësitë për ta përballuar teoradikalizmin perëndimor.
Sidomos heshtja e perëndimit kur më 2014 si kryeministër i Indisë u zgjodh vrasësi masiv Narendra Modi, i cili si kryeministër i krahinës Gujarat ushtroi njërin ndaj gjenocideve më makabre ndaj myslimanëve në emër të hinduizmit u pa se në fund kush do ta humb luftën dhe atë edhe më keq se historikisht – më të dobtit dhe jo vetëm demonët e tyre. Ka plotë raste të tjera si këto – kur fuqitë perëndimore shihej se në agjendë e kanë tashmë armikun e qartë – islamin që rrezikon botën?

3.
Eh ja shqiptarët përzihen përherë në luftëra ku jo se nuk duhet të marrin pjesë në njërin apo tjetrin krah, por po të kishin mend e intelegjencira mund të ndihmonin në këtë mes. Lere se u çuan lloj lloj pseudo-interpretësh të përgatitur në Saudi, Stamboll e Katar dhe u sillnin shqiptarëve doktrina që ishin reaksion infantil i doktrinës së Huningtonit, por edhe primatë politikë, klube, institute dhe unione tjera injorantësh, pa menduar në përmasat globale të problemit dhe pa pasur asnjë fije përgjegjësie ndaj shoqërive e kulturës ku jetojnë u bënë mercenarë, avokatë, luftëtarë të njërit apo tjetrit bllok. Fare kot. Dhe edhe më keq: duke u shtyrë pikërisht me atë botën aktualisht më të fortë kundër tyre, pra pikërisht atë botë që po deshi iu ndihmon e po s’deshi i lë siç i la historisë; pa liri e pa brekë.

4.
Nuk ka sistem më garantues për koekzistencën e diversitetit se sa modeli sekular i shtetit ligjor me të drejta për të gjithë në interes të të gjithëve. Shqiptarët si askush tjetër kishin mundësinë të bëhen shembull për të mirë. Por jo. Edhe sot politizohet me shamia, Skënderbeun si vrasës, sulltanin paqësor e anasjelltas. Dhe kush i thoshte e thotë se?

Mbetën të stampuar si islamofob e zëra shkretëtire ata njerëz që i lusnin mediat, tarafet religjioze, qeveritë e politikanët që mos i hyjnë kësaj lufte të rrezikshme me njërën apo tjetrën fe duke marrë anë politike, ngase as iu shkon e as kanë qoftë detyrime morale, pragmatike apo diçka tjetër. Këto zëra e lexuan mirë aktin e Brievikut dhe e dinë se kamioni i Londrës nuk është as i pari e sdo të jetë as i fundit. E dinin për arsye se ata zëra të pakët nuk kanë synim pushtetin që duan ta ndërtojnë atë qoftë nga hiri i shamiave, minareve, kishave apo sinagogave të djegura, e dinin ndoshta dhe nuk donin që dikush t’i ndjek nënat, motrat e tyre, apo akëcilën qenie të lirë vetëm pse beson në këtë apo atë doktrinë, fe apo ideologji.

5.
Çka më thoni tash? Islamofob në katror? Bota qenka e padrejtë? Patjetër se bota nuk është  e drejtë. Po vërtet ju jeni ata që do ta bëjnë botën të drejtë kur s’dini tî kuptoni as proceset më cullake të kohës? A e dini kush është fabrika më besnike e kësaj bote të padrejtë? Ju të padijshmit, pare – e pushtetdashnorë egocentrikë, apologjet të demonëve, ngase edhe atëherë kur çdo llogari ua tregon se cila do jetë fatura hani kashtë në emër të ndonjë ideali e morali utopik duke gënjyer dhe duke marrë antidepresiva që mos u dalin në ëndërr së paku ato kufoma që varrosen lamave të juaja.
Gjergj Fishta, Naim e Sami Frashëri e madje edhe Skënderbeu e gjithë tjerët ka mundësi të mos kenë fare shqiptarë. Së paku jo si këta primatët që thonë janë trashëgimtarë të tyre.

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.