Feminzmi shqiptar nuk është femëror

SKICË – Feministet shqiptare – shumica – dallojnë nga ato të sferave tjera të orientit e oksidentit. Këto, feminizmin e nënkuptojnë jo si avancim deri në barazi gjinore, por si ruajtëse të vlerave tradicionale e religjioze të atyre që përfaqësojnë. Konkretisht; për nga retorika thonë jemi të diskriminuara e për nga veprimi konkret thonë mos nga ngucni se është e drejta jonë të jetojmë e vishemi si duam vetë. E pa u bërë “gratë” nuk i detyron burrat dot!

Ai konstatimi formëtelegrami i Nietzsches: «Se si bota reale u shndërrua përfundimisht në një fabul», në një rrëfim, në një sagë me synim edukimi të recipientëve, të thumbon në brinjë saherë që t’i ndjekësh polemikat, të cilat si bajoneta sharjesh, flakësh, si gjëmbametali përshkojnë sferat virtuale e mediale shqiptare. Pseudodebate, të tipit që s’kanë si përfundojnë ndryshe përveç si ata 18 marinarët e Magelanit në Sevilan e vitit 1522, të cilët pasi kishin udhëtuar botën rrethepërreth, të bërë asht e lëkurë, kufoma të gjalla, proklamonin dëshirën se vdekja do të ishte honorari, kurora e vetme që vuajtjet e tyre vërtet do t’i shpërblente si duhet.
Bota, qenia, universi, historia, kultura janë merimanga komplekse, prandaj edhe «humori» i Nietzsches me gjithë ata deri në kohën e tij ishin snobizuar aq greminueshëm saqë besonin se nëpërmjet fabulës së tyre, kodit të sajuar në tezë apo teori pretendonin ta kenë zbërthyer qoftë edhe një segment të qenies. Këtë mesazh të Nietzsches e kuptoi thellë e mbarë Heidegger – i, mentori që i hapi portat e duhura Derrida- s së kohës sonë, atij që humanitetit (edhe aktual) i ofroi leksionin kapital se si duhet t’i trajtojë, njohë ato që janë dhe se si duhet të riparojë ato që ka ndërtuar vetë e për nga efekti janë defekt.

Kot. Antopocentriku nuk dorëzohet. Sidomos ky i sferave të gjuhozonës sonë. Ta lë përshtypjen sikur gjithçka çka ka lexuar në jetë është romani Aldous Leonard Huxley, «Brave New World» ku aq bukur përshkruhet se si Mustafa Mondi përcakton se cilët janë Alfat, Betat dhe Gamat e species dykëmbëshe dhe atë që nga fekundimi e deri tek seksualiteti vetëm epshogjimnastik e jo riprodhues. Kjo fabul dihet botërisht se nxiti vërshimin e një serie të populluar paradigmash e teorish sidomos në taborin e konstruktivistëve. Këta që Derrida donte t’i ndal, duke ua tërhequr vërejtjen se njeriu mund të dekonstruktojë vetëm atë që ka bërë vetë (që nga Poiesisi i Arsitotelit e shpjeguar mjaftë) e jo edhe natyrën, kozmosin, botën, ato që ecin sipas ca ligjeve që truri i njeriut nuk i kap ende dot si tërësi thjeshtë sepse nuk janë mare nostrum e kompetencave tona.

2.
Gruaja tha zonja Bale është “konstrukt social”. Esenca e saj – feminiteti, gjinia, funksioni biokimik – apo sinjifikanti “grua” është konstrukt që e kanë vendosur burrat odave të Dukagjinit? Nuk e sqaron kush këtë punë. Martha Nussbaum në esenë e saj «The Professor of Parody», botuar në  «The New Republic» (22.02.1999), kishte të drejtë kur konstatonte se Judith Buttler i bënë një dëm të madh feminizmit ngase e përjashton nga realiteti, duke e postuar në një sferë të izoluar vetëm brenda gjuhës – në cilën gjuhë, variant e kulturë? -, pra vetëm si proces konstruktimi mental brenda aktit të shprehjes së kategorisë Grua, duke sugjeruar këtë fabrikën bazë të çdo lloj diskriminimi. Përveç se në tru mirëpo, si imagio, figurë ajo ekziston edhe në realitet. Dhe realiteti në të cilin jeton ajo e diskriminon jo sepse është grua, femër, apo le ta quajmë “madame”, porse institucionet tona kulturologjike, konceptet tona morale, forma e organizimit tonë politik, shoqëror e kanë degraduar atë me shekuj si “defekt të natyrës” (Plotini), si “portë afine e së keqes” (Aquini), si “brinj i mashkullit” (Bibla), pa të cilin nuk vdes patjetër mashkulli, si “skllave që martohet vetëm me një burrë i cili mund të martohet pafundësisht dhe që nuk guxon të dalë jashtë pa lejen e burrit ose e mbuluar si mumie (Kurani) e të llojit. Artet si stadi më fisnik i lirisë së humanitetit janë poaq me duar të përgjakura në drejtim të pabarazisë gjinore sa gjithë tjerat. Pra, gruaja nuk diskriminohet pse është grua, femër, pse quhet ashtu apo kështu, porse qenia e saj trajtohet me bioracizëm nga ana e mashkullit që historikisht ka pasur primatin të ndërtoj institucionet tona kulturore. Po cilat janë ato tek shqiptarët? Institucionet, për të cilat na thotë Derrida që t’i dekonstruktojmë për t’i riparuar në favor të lirisë dhe të drejtave të barabarta. Me ç’mostrash etiko-institucionale operon shqiptari i sotëm që diskriminon kaq keq gruan edhe në shekullin 21? Pse vepron ai kështu e jo ndryshe?

3.
Pa detektimin e burimeve se pse kemi këtë mendësi ndaj gjinisë femërore nuk mund të merremi me “biznesin politik” të feminizmit. Shqiptari/a e sotme është produkt i historisë, kulturës dhe traditave të veta. Ai është një konglomerat (shumica nëse studiojmë historinë antropologjike të 300 viteve të fundit) i përbërë nga nacionalizmi, islami (religjioni), komunizmi, folklorizmi, shkollat dhe artet që e kanë formuar. Feministet duhet të dekonstruktojnë këto përcaktues të identitetit dhe mentalitetit shqiptar për të kuptuar se a është Kanuni i Lekë Dukagjinit, Epet e Fishtës, këngët e Naim Frashërit, traktatet e Sami Frashërit, literatura e Kongolit, Agollit, religjionet, komunizmi apo xhungla globaliste e fundit shkaktaret se pse gruaja, respektivisht femra apo madame shqiptare gjendet në këtë gjendje? Po e bënë feministet shqiptare këtë studim paraprak mirëpo, ato do të ndeshen me ca realitete që po i zëruan nuk marrin as vota e as respekt nga turmat e s’munden të bëhen mbrojtëse të të drejtave të ndonjë individeje me shami, ngase do ta dinin se ideologjia motivuese për bartjen e shamisë, për qenien e gruas “mall për pufe seksuale private të mashkullit” është ndoshta religjioni; do ta dinin ndoshta se burri “të drejtën” për ta vrarë krejt familjen femërore se ia paskan prishur nderin e fisit nuk vijnë nga komunizmi, as neoliberalizmi, as nga vjershat e Fishtës apo romanet e Kadaresë.

4.
Nuk mundesh të mbrosh vlerat që sollën femrën në këtë gjendje – është e diskriminuar apo? – dhe njëkohësisht të thuash jam kundër diskriminimit të gruas, ngase jam zëri i saj. Jo. Aspak. Të duhet vetëm si mjet për politikë, për tu dukur vetë apo për diçka tjetër, por me feminizmin dhe mbrojtjen apo avancimin e të drejtave të gruas s’ka të bëjë hiç e përkundrazi – ky tip feminizmi është shkaku pse në kulturosferën shqiptare ende nuk ka një feminizëm efektiv!

5.
Prandaj çdo debat që hapin feministet i katapulton ato në ata marinarët e Magelanit. Ngase nëpërmjet një fabule pseudoniçeane që mund të modifikohej kështu “jemi konstrukt i trurit të religjioneve, ideologjive, jemi vetëm iluzion e në fakt s’jemi gra, por…”. Çka mbetet këtu; vetëm konstrukti mental se janë gra e s’duan të jenë ashtu në kokat dhe gjuhën e botës? Feminizmi nuk mund të jetë vetëm një fabul me esence paradoksale. Më shumë se kaq brenda polemikave të të ashtuquajturit feminizëm shqiptar nuk ka. Se të kishte nuk do ishte aspak politikë në duar të burrave që mendojnë ende si për gratë e shek. 6.

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.