Dashuria është Zoti

Lirim Gashi

Para se ta trajtojmë këtë temë të relacionit dashuri-perëndi, sa të ndjeshme po aq edhe komplekse, duhet t’ia parashtrojmë vetvetes por edhe njëri tjetrit pyetjen, cili është motivi që na detyron por edhe inspiron për ta trajtuar dhe analizuar Krijuesin, këtë konstrukt imagjinar, ekzistenca e të cilit në kujtesën individuale dhe kolektive është po aq e lashtë sa vetë historia e njerëzimit. 

Shkruan: Lirim GASHI

Për ta trajtuar seriozisht dhe shumëdimensionalisht këtë temë kaq komplekse, duhet të shërbehemi me të gjitha njohuritë ekzistuese që i përkasin shkencës, filozofisë, teologjisë dhe parapsikologjisë.
Në pamundësinë për ta bërë këtë, për shkak të kohës dhe diturisë së limituar, unë personalisht shërbehem me dhuntinë artistike të cilën e kam përvetësuar për t’i amortizuar shpërthimet idioteske dhe emocionale të njerëzve të frustruar, pse nuk kanë përgjigje në të gjitha pyetjet, nga se besojnë se mund t’i arrijnë rezultatet e Ferrarit me motorin e Fiçes.
Një gjë është e sigurt: vetë ekzistenca e fenomenit jetë, për gjenezën e së cilës kemi shumë pak njohuri, mjafton si motiv për ta eksploruar kuptimin e saj. Në pamundësi për t’i gjetur përgjigjet e kënaqshme shkencore, që e qetësojnë shpirtin, njeriu është i prirë që t’i krijoj ato në fantazinë e tij. S’ka shkencë e përvojë që nuk e thotë më se motivi kryesor për konstruktimin e dogmës religjioze rreth ekzistencës së Krijuesit ishte frika e njeriut nga vdekja biologjike. Këtë dobësi të njerëzve, që nuk e kuptojnë se vdekja është pjesë përbërëse e jetës, më së miri e ka shfrytëzuar dhe kapitalizuar parapolitika, për t’i krijuar religjionet monoteiste, që në fakt ishin fabrikat e para të mashtrimit, vetë-mashtrimit, indoktrinimit, trushpëlarjes dhe eksploatimit kolektiv të masave të gjëra për qëllime përfituese të natyrës sunduese dhe materiale.

ZOTI SI MEDIATOR?
Njeriu është, para se gjithash, qenie emotive dhe eksploruese mirëpo në mvarësi prej nivelit të stabilitetit psikofizik rezulton edhe aftësia e tij për tu ballafaquar me anën reale dhe imagjinare të jetës. Unë për shembull nuk ia shoh mendimet dhe as emocionet Frashër Osekut, por besoj në ekzistencën e tyre pasi që i posedoj dhe ndjej të miat.
Që imagjinata prodhon fakte reale këtë e dëshmon dinamika e ndryshimit të mënyrës së jetesës dhe standardeve perceptuese përmes revolucionit industrial, ekonomik, financiar dhe teknologjik.
Unë personalisht mendoj që jeta është kualifikim për garat e mëtejshme dhe sa më lartë që kualifikohemi aq më shumë përgjigje të paimagjinueshme marrim rreth misterit të saj. Fakti që gjithçka ka ecur me kohën përpos religjioneve, i bën ato qesharake, jotërheqëse dhe idiotike për njerëzit e vetëdijshëm, andaj këta të fundit edhe e zvogëlojnë fatmirësisht hapësirën e tyre manovruese për vazhdimin e eksploatimit shpirtëror, material dhe fizik të njeriut.
Për mua nuk ekziston dilema se a ekziston mbinatyrorja nga se përgjigjet i marrim në jetën e përditshme nëse i hapim shqisat, por ekziston një frustrim i madh pse shumica, jo vetëm që s’po i hapin shqisat, por po vazhdojnë të vegjetojnë para vetës symbyllur, sikur amebat dhe papuçoret.
Njeriut nuk i duhet ndërmjetësuesi për të biseduar me Krijuesin, ashtu siç nuk i duhet ndërmjetësuesi për të bërë dashuri me gruan e tij, për ta dashur të mirën dhe dobishmen si dhe për ta luftuar dhe mposhtur të padobishmen dhe të keqen.

NË SENDUIÇIN E NEGACIONEVE
Lufta mes negacioneve është motori i jetës, gjersa humanizmi e vetmja qasje e duhur që e ruan dinjitetin dhe e mposht energjinë negative në ne. Nëse Zoti është sinonim i dashurisë dhe djalli i urrejtjes, vetë fakti që këto dy negacione emotive jetojnë në ne dhe me ne e dëshmon që ne jemi produkte përleshjes permanente ndërmjet të antagonizmave.
Po të mos ekzistonte urrejtja njeriu nuk do t’ia dinte vlerën dashurisë dhe anasjelltas po të mos ekzistonte dashuria njeriu nuk do ta kuptonte kurrë sa e keqe është urrejtja.
Ta urresh djallin nuk do të thotë ta duash automatikisht Krijuesin por imagjinatën që e ke për të dhe anasjelltas ta duash Krijuesin nuk do të thotë ta urresh djallin por imagjinatën që ke për të.
Ta urresh eksploatimin, padrejtësinë, racizmin, shovinizmin, korrupsionin, krimin, tiraninë, skllavërimin, hipokrizinë, cinizmin etj…do të thotë të kesh perceptim të ngritur në piadestalin më të lartë të ndërgjegjes, ndërsa nëse posedon edhe afinitet për diferencimin dhe deshifrimin e hieroglifeve të jetës do të thotë t’i afrohesh me mijëra kilometra misterit të saj.
Mua jeta më ka mësuar që të solidarizohem me njerëzit që e duan të mirën nga se kur shoqërohem me ta e ndjej thellë në shpirt afërsinë me Krijuesin.

EKSKURS RELAKSUES
Është një temë më e nxehtë se dielli, që po na furnizon me energji, dritë e fuqi, për të protestuar kundër Krijuesit të tij, nga se po i vjen nxehtë, e po kallet për ne dimër e verë, deri sa ne kundër Krijuesit të tij, po vjellim ditë e natë vrer.
Natyrisht, nuk luajmë të gjithë në ligën e njëjtë, dhe shumë prej nesh bartin kokën për së koti, por mua më së shumti më pëlqeu, komenti i Man Hotit.
Më pëlqeu edhe komenti i një debatuesi që më paska përcjellë me kujdes, kur e kam mbajtur për jetën pas vdekjes, një ligjëratë në dokufest. Është një temë për të cilën nuk jemi të pajisur sa duhet, as me dituri e as me kompetencë, pasi që për ta trajtuar si duhët, na duhën 1001 kg inteligjencë. 1001 kg inteligjencë, të absorbuara për 1001 natë me Kamasutrën, Editën, Çiftelinë, Shyhreten dhe Shkurten.
Jeta që e njohim ne, miq e mikesha, është vetëm njëra prej biliarda formave, ndërsa liga në të cilën ne luajmë, na dëshmon se për mend vuajmë shumë. Qëllimi im është që të kualifikohem për ligen e kampionve, e ju zbritni nése doni edhe në ligen e tretë regjionale, vetëm Shakiren dhe Era Istrefin mos i merrni me veti, këto tjerat ua fali pa pare.

HUMORIN ANASH:
Jeta është sipas mendimit tim, gjendje e vetëdijesuar e materies që ekziston në biliarda ekzemplar, forma, trajta e nivele të vetëdijes.
Motori i jetës është lufta për ekzistencë ndërsa energjia që lirohet dhe shfrytëzohet për ta jetuar jetën dhe për ta ndërtuar ambientin për lehtësimin e ekzistencës është gjithashtu produkt i bashkëveprimit të materies së vetëdijesuar dhe idesë. Lufta permanente në mes negacioneve të të gjitha formave aq sa prodhon po aq edhe shpenzon energji andaj sasia e energjisë thotë fizika mbetet gjithnjë e njëjtë ndërsa e vetmja gjë që ndryshon janë trajtat dhe format e energjisë. Për mua si adhurues shkence, së krijuar nga materia e vetëdijesuar për ta eksploruar fenomenin jetë dhe univers dhe për ta deshifruar misterin e saj është e logjikshme që ekziston diçka përtej shkencës, natyrës dhe universit, këtij qarku të mbyllur andaj nuk e lejoj vetën që të limitohem nga njohuritë ekzistuese. Është një matematikë pak më e komplikuar por e logjikshme dhe racionale për ata që i hapin shqisat dhe shikojnë edhe përtej gardhit.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.