Kundër moralit, me përgjegjësi

Shkruan Dritan DRAGUSHA

Që nga paslufta (sidomos), pothuajse të gjithë ne si shoqëri, në përgjithësi mundohemi që ta moralizojmë politikën, e në veçanti veprimet politike. Siç duket akoma nuk jemi çliruar nga mendësia e kaluar (komuniste), e cila e ka idealizuar edhe politikën e si rrjedhim ka bërë moralizimin e saj. Çdo veprim politik, çdo aleancë politike e trajtojmë në raport me të qenit moralisht në rregull. Edhe zhvillimet aktuale politike vazhdojnë të pasqyrojnë një diskurs të tillë. Sikur jemi zënë nga një histeri kolektive për të moralizuar. Sikur kemi marrë pozicionin e demiurgut që kemi të drejtën kanonike për të bërë moralin. Thua se pastërtia e shpirtit dhe e dinjitetit njerëzor është personifikuar në ne. Por, çfarë fshihet mbrapa gjithë këtij ligjërimi? Kot nuk thuhet se djalli fshihet në detaje (sic). Shembull: kur ne gjykojmë mbi veprimin e dikujt tjetër duke e vënë moralin në qendër të argumentit, atëherë për shkak të pamundësisë, ne tentojmë të bëjmë një shkëputje nga ai veprim. Pra, kur themi se ky koalicion mes partive është veprim i pamoralshëm, ne njëkohësisht nuk i ikim dot tendencës për të gjykuar nga prizmi i të qenit vetë i moralshëm. Kështu, ky pozicionim fsheh brenda vetes dy të vërteta themelore të cilat kanë edhe si qëllim ta mjegullojnë realitetin: a) pafuqia, mungesa e vullnetit për t’u ballafaquar me problemin dhe b) nëpërmes këtij moralizimi tentohet të iket nga përgjegjësia që kemi.

Le të ndalemi t’i sqarojmë më thellë këto dy elemente.

a)  Thuhet (dhe pothuajse shumica e pranojnë) se politika ështëarti i së mundshmes, andaj nëse kjo qëndron, atëherë morali është i përjashtuar automatikisht nga kjo sferë. Prandaj, politika trajtohet si ndërmarrje interesash. Mirëpo, sot në teorinë politike kjo ndërmarrje (politika) konsiderohet edhe mundësi ndërveprimi. Në kuadër të kësaj, politika apo më konkretisht politikani (ose demagogu siç e quan Max Weber-i, sepse ky i fundit mendon se në shtetin kushtetues dhe në demokraci demagogu është prototipi i politikanit udhëheqës), është ai i cili për synim ka që të arrijë qëllimet politike me mjetet të ndryshme. Kur ky i fundit bën veprime tipike politike dhe arrin qëllimin, kundërshtarët politik dhe shoqëria po ashtu do ta gjykojnë edhe si veprim të pamoralshëm. Ai që moralizon shpeshherë tregon pafuqinë karshi kundërshtarit të tij. Gati se çdo humbje kamuflohet me moral. Mirëpo, këtu ka më shumë sesa një gjykim emocional, apo një ‘gjynah’ prej naivi, sepse përbrenda kësaj banon frika, e cila e bën të pamundur që të ndërmerret diçka që dobëson fuqinë dhe zvogëlon pasionin, prandaj nuk thuhet rastësisht semoralin e kanë zbuluar të dobëtit (Nietzsche).

b)  Në marrëdhëniet e ndryshme ndërnjerëzore, e sidomos në rrafshin politik, moralizimi është forma më perfide e ikjes nga përgjegjësia? Për shembull: kur nxënësi i kërkonte Sartre-it që ta këshillonte rreth dilemës që i kishte dalë përpara: të rrijë me nënën e tij apo t’u bashkohet shokëve në luftë, vetë akti i tij ishte moralizues, pra, ishte një tendencë e ikjes nga përgjegjësia, pasi ai kishte mundësi të vendoste pa pasur nevojë që të kërkonte këshillën e mësuesit të tij për rrugën e drejtë. Për këtëliria bëhet barrë e rëndë, sepse ajo vjen me përgjegjësinë si attachmenti saj dhe pafuqia për të qenë të përgjegjshëm na bën të papërgjegjshëm kundruall lirisë, andaj shumë shpejt e dorëzojmë (heqim qafe) atë tek një autoritet më i lartë. T’i moralizosh aleancat politike qoftë edhe kur ato ideologjikisht janë të papërputhshme apo t’i shtizosh individët se pse kanë vendosur që t’i bashkëngjitën një formacioni politik apo pse ata kanë vendosur që të veprojnë në një mënyrë të caktuar, është ikje nga përgjegjësia jonë, që për rrjedhojë nuk është asgjë tjetër përpos hipokrizi.

Nuk është se nuk qëndron thënia se lojtari i dymbëdhjetë në futboll janë shikuesit, por për dallim nga shikuesit në futboll, votuesit në politikë kanë të drejtë që edhe të shënojnë, pra janë pjesë aktive e lojës. Prandaj, duke qenë ne, votuesit, pjesë aktive e lojës, jemi edhe pjesë e përgjegjësisë qoftë e fitores apo e humbjes. Teorikisht thuhet se ne futemi në lojë për çdo katër vjet në pozicionin e sulmuesit dhe ku veprimi ynë atë ditë, në atë lojë e përcakton dikë që do të luajë për katër vite rresht. Pra, është në dorën tonë që atë ditë me lojën tonë të vendosim sesi do rrjedhin gjërat për katër vitet e ardhshme: a do të luajnë të zgjedhurit për ne apo do të luajnë me ne! (sic). Është interesante se loja jonë si votues nuk është aq e thjeshtë, ku ne shkojmë dhe shënojmë (votojmë), është më shumë se kaq. Po ta vrojtojmë më me vëmendje, që nga paslufta ne, si votues, kemi luajtur keq! Pse? Sepse ne vetë i kemi paraprirë kësaj, ose kemi votuar në bazë të inateve, d.m.th., kemi luajtur vetëm sa për t’i ndërruar lojtarët ose jemi bërë indiferentë ndaj lojës, e për pasojë në të dy rastet ne votuesit kemi përfunduar si humbës.

Mirëpo, asnjëherë nuk kemi luajtur lojën më të rëndësishme, jo për t’ua ndërruar vendin lojtarëve, as për t’u bërë meskinë, por për ta ndërruar mendësinë e lojës…, këtë nuk e kemi bërë kurrë dhe siç duket nuk e kemi ndërmend ta bëjmë edhe për një kohë të gjatë.

Prandaj, kur moralizojmë për ndonjë veprim apo mosveprim, qoftë të kundërshtarit qoftë i yni, ne në secilin rast pretendojmë t’i ikim përgjegjësisë. Ne, jo që nuk marrim përgjegjësi, por edhe atëherë kur bartim përgjegjësi, luftojmë me çdo kusht të çlirohemi prej saj me çdo çmim. Kush e di, ndoshta një ditë do të vetëdijësohemi për përgjegjësinë që kemi si qytetarë, ndoshta jo,  ama për asnjë çast nuk do të na trajtojnë më mirë, më me respekt po nuk patëm dinjitet për vetveten. Liria, demokracia nuk janë fraza që përdoren vetëm sa për të shprehur një mendim apo për kurtuazi, por ato janë përgjegjësi, janë hapësira ku ne mund të manovrojmë pa diktat, pa dhunë, por me përgjegjësi dhe dinjitet. Përndryshe, nëse ne vetë këto nuk i marrim seriozisht, atëherë askush nuk do të na marrë ne, pasi paraprakisht ne kemi mohuar vetveten. Për këtë, për të arritur tek gjërat e mëdha, duhet të sillemi me respekt me gjërat e vogla. Ndryshe, çasti i dobësisë nuk na falet. (Marrë nga Sbunker)

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Në moshën 18 vjeçare dënohet me 6 vjet burg nga Jugosllavia e atëherëshme për kundërrevolucion dhe separatizëm. Shkollën e mesme e mbaron në Gostivar dhe Tetovë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Jeton në Bernë. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.