Qytetari dhe politika

Përshtypje më bëri kohët e fundit literatura reflektive e disa autorëve bashkëkohorë, akademikë të UET-së, mbi shoqërinë shqiptare dhe zhvillimet e saj të viteve të fundit, por në këtë shkrim po hedh pak dritë mbi njerën nga temat e profesor Tonin Gjuraj, në librin e tij Nova Demokratia (UET press), që lidhet me marrëdhënien e politikës me qytetarin. Fillimisht ai ngre pyetjen se “Përse  vazhdojmë të mbetemi prapa, në drejtim të zhvillimit, krahasuar me shumicën e vendeve të kontinentit tonë?

Nga Dr. Mimoza Ahmeti – Një punë intensive, gati e padukshme, bëhet në universistetet tona  për përgatitjen e semantikave, të cilat nuk janë vetëm idetë që vijnë nga bota e avancuar, por edhe shumë vepra që lidhen drejtpërsëdrejti me reflektimin mbi mjedisin shqiptar, të marrëdhënieve sipas sferave të ndryshme, politike, ekonomike, sociale e më gjerë.  Vetëdija mbi mjedisin e marrëdhënieve është shenja e parë dalluese e pjekurisë së një sistemi. Sigurisht edhe më parë kemi pasur vetëdije, por jo kritike. Vetëm vetëdija kritike bën përmirësim. Përshtypje më bëri kohët e fundit literatura reflektive e disa autorëve bashkëkohorë, akademikë të UET-së, mbi shoqërinë shqiptare dhe zhvillimet e saj të viteve të fundit, por në këtë shkrim po hedh pak dritë mbi njerën nga temat e profesor Tonin Gjuraj, në librin e tij Nova Demokratia (UET press), që lidhet me marrëdhënien e politikës me qytetarin. Fillimisht ai ngre pyetjen se “Përse  vazhdojmë të mbetemi prapa, në drejtim të zhvillimit, krahasuar me shumicën e vendeve të kontinentit tonë? Përse ka një lloj skepticizmi të vazhdueshëm ndaj demokracisë shqiptare dhe mosbesim reciprok midis elitës politike dhe qytetarëve, që duket se ka shoqëruar tranzicionin shqiptar në të dyja dekadat e fundit?”

Pyetjet janë shumë të qarta, por përgjigjet mjaft komplekse. Sipas autorit ”Shqipëria gjendet në një fazë ku njerëzit nuk hezitojnë të shfaqin hapur pakënaqësi dhe pasiguri për të ardhmen e tyre.” Nga ana tjetër, vijon ai, ata janë të vendosur në mënyrë të palëkundur për të ndjekur rrugën drejt Europës. Ai kap një kontradiktë midis qëllimit dhe mënyrës në këtë kurs; fillimi i këtij procesi ishte i një besimi të pakushtëzuar dhe me një hapje pa selektim ndaj gjithçkaje të huaj “një përqafim i idealizuar dhe jo kritik i institucioneve dhe kulturës perëndimore, pa parë çfarë ishte relevante për ne”. Një “ekstremalizim i besimit” citon ai.

Duke parë rrënjët e lidhjes midis ecurisë dhe vonimeve drejt zhvillimit me këputje siç do ta quaja, autori thotë: “sipas meje…dy kanë qenë dimensionet kryesore që kanë shkaktuar këtë gjendje …gjatë tranzicionit: ndikimi i së kaluarës apo roli i trashëgimisë historike dhe mënyra e zhvillimi të tranzicionit”. Interesante është lidhja e fushës orientuese globale dhe europiane, gjendja faktike e mjedisit tonë pas 90tës, metodat joracionale për ta futur natyrshëm në proces vendin dhe defekti pastaj te mekanizmi i ndërtimit të shtetit, siç vëren autori: i institucioneve demokratike. Ai mendon se në vendin tonë pak pas fazës euforike të fillimit u shfaq “kultura e mosbesimit”. Kultura e mosbesimit apo deluzionit, si do ta quaja,  besoj se është edhe ajo një kulturë që gjen arsyet e qenies. “Shqipëtarët u përballën menjëherë pas viteve nëntëdhjetë me pasojat e vonesave të tyre historike në ndërtimin e shtetit dhe të institucioneve demokratike; ”kultura e mosbesimit”, e trashëguar, i  rezistoi ndryshimit.” Autori vëren një rezistencë ndaj procesit, e cila lidhet me mendësinë. Por jo vetëm: në sturukturimin e komunikimit ndodh problemi, pasi detyrat shtetërore nuk kuptohen si vende- strukturë- funksioni, por si ushtrim i interesit vetjak. Problemi kryesor shfaqet haptas te drejtësia: “Një arsye për këtë është se jetojmë në një shoqëri ku dhënia e drejtësisë është në kuotat më të forta të pabesueshmërisë për publikun, ku kapja e institucioneve është mëse evidente dhe ku politizimi i institucioneve dhe administratës, në të gjitha nivelet, është shumë i përhapur. Në këtë situatë do të duhej që strukturat e shoqërisë civile të ishin në rolin e tyre më aktiv të mundshëm. Por për fat të keq kjo nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh ende. Shoqëria civile është me një zë të dobët, e pamotivuar dhe që konsumon energji për çështje të dorës së tretë dhe të katërt.” Duke cituar një autor shqiptar bashkëkohës, Tonin Gjuraj thotë më tej: “ Në librin e tij Politika dhe qytetari, Gëzim Tusha shkruan se nga mënyra sesi po zhvillohet politika shqiptare militantiste, me militantin e favorizuar artificialisht në qendër të saj, krijohen kushte antiqytetare, në të cilat duket se ka gjithmonë e më pak vend për qytetarët pa parti, ndaj është gjithmonë e më pak i pranishëm roli  i natyrshëm i qytetarit në politikën tonë”.

Vemë re një shtresëzim të kujdesshëm të problemit, me një ndërlidhje midis psikologjisë së deformuar, mungesave të strukturave sociale (shoqërisë civile), elementeve të abuzimit, mungesës së drejtësisë që shkaktohet pikërisht nga avantazhi politik prej zonave boshe, me një fjalë një rreth pa dalje. Eshtë normale pastaj që meritokracia të zëvendësohet nga militantizmi siç edhe ndodh, por le të ndjekim pikëpamjen e autorit në efektet që kjo sjell e gjitha në lidhje me realizimin e legacisë (kohezionit): “Distanca e natyrshme midis këtyre dy entiteteve të veçanta si politikani dhe qytetari, ka tendencë thellimi deri në pikën e humbjes së lidhjes së natyrshme, reciprokisht të dobishme midis tyre…Në shoqërinë tonë po duken dy tendenca negative, që ndikojnë në deformimin e mëtejshëm dhe të pajustifikuar të këtij raporti. Politika shqiptare, në dukje populiste, po tenton gjithnjë e më shumë që të bëhet një “entitet më vete”, i mbyllur, i distancuar nga qytetari. Nga ana tjetër, edhe njerëzit e mërzitur me demagogjinë, dyfaqësinë dhe karakterin e cenuar të qëndrimit të politikës, kanë filluar edhe vetë të distancohen nga “e drejta politike”, të bëhen gjithmonë e më shumë indiferente me të”. Pavarësisht perceptimit që e gjej absolutisht të vërtetë do të doja të reflektoja pak këtu  është e mundshme që kjo distancë e politikës nga politika, e bën atë një sektor midis sektorësh tashmë të jetës sociale dhe ekonomike të vendit, dhe jo një qendër si dikur, pasi vetë qendra e saj ndodhet dukshëm në ndërsistem; por ajo që e vështirëson këtë pohim është se në përgjithësi të gjithë sektorët e tjerë e ndjejnë peshën e politikës, që tregon se globalizimi dhe lokalizmi kanë një friksion të zhurmshëm në marrëdhënie, që ngadonjëherë duket se rrezikon atë, dhe që në brendësi të cirkumferencës lokale shfaq nivelin dhe rrethin mundësive të realizueshme të mënyrës operacionale që tenton shtrirje brenda kulturave (edhe sonës) si dhe të lëvizjeve demografike, asimetrike me to, por të domosdoshme. Siç thotë autori, duke iu shmangur qytetari të drejtës politike, ai hidhet në vendimmarrje si emigrimi, sepse  është bërë më i ndjeshëm ndaj të drejtës ekonomike e vendimmarrjes personale për mirëqenien materiale. Nga ana tjetër ata bëhen qytetarë të botës së madhe, mund të shtonim, të një tjetri dimension social-kulturor, nëse mund të rroket brenda një jete njeriu me konvertimin. Me shumë interes është analiza që autori i bën vullneti të elitës pushtetare dhe produktit të marrëdhënieve të saj: “…përvoja shqiptare ofroi në tërësi një sjellje të pamatur politike, veçanërisht të elitës pushtetare. Kjo elitë u karakterizua mbi të gjitha, nga mungesa e theksuar e një pamshmërie të qartë demokratike, e mishëruar ndër të tjera edhe në një process përzgjedhor përjashtues ndaj individëve apo grupeve të ndryshme…Mënyra e të sjellurit politik me gjithë retorikën bashkëpunuese të palëve, ruajti konfliktin politik në këmbë dhe të painstitucionalizuar, ndërsa nuk u respektuan rregullat minimaliste të lojës demografike dhe të ndërveprimit politik”.

Autori konsideron ekzekutivin  si pushtetin më të fortë dhe të vetëfavorshëm, por aty për aty, shton se “..legjislativi, në vend që ta kufizojë pushtetin ekzekutiv, paradoksalisht e përforcon atë. Ai ve në dukje se elita politike nuk ia bëri të mundur shpjegimin qytetarit se demokracia është një proces i gjatë detyrash e bashkëpunimi; madje kjo elitë siç, thotë ai, nuk qe në gjendje as të ndajë partinë nga shteti, u krijua në fragmentarizëm dhe përçoi fragmentarizëm, dhe pothuajse s´iu nda partitokracisë.  Duke dashur të bëjë zë në sensin vetëkritik të klasës politike shqiptare, për një ecuri pa verbëri, autori thotë; “ Mbetet pra në dorën e elitës politike shqiptare të korrigjojë gabimet e së shkuarës, për të kaluar në një fazë tjetër të kulturës demokratike, ku të predominojnë shprehitë demokratike të dialogut politik, konsensusit dhe kompromisit, për çështje themelore demokratike”.  Libri me ese dhe ide i autorit Tonin Gjuraj, me titullin Nova Demokratia, paraqet një kuotient reflektimi deri në vitet 2015. Por me gjithë zhvillimet në rrugën e integrimit përgjatë dy viteve të fundit, aktualiteti i përmbajtjes është i plotë, më i perceptueshëm se më parë nga pala qytetare, e cila gjithmonë e më tepër po redukton qëndrimin pritës ndaj diçkaje që bën zgjidhje pa pjesëmarrjen e saj.

(Marrë nga Mapo)

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Në moshën 18 vjeçare dënohet me 6 vjet burg nga Jugosllavia e atëherëshme për kundërrevolucion dhe separatizëm. Shkollën e mesme e mbaron në Gostivar dhe Tetovë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Jeton në Bernë. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.