Liria si huti kolektive

Shqiptarët duan demokraci kualitative, mirëqenie dhe shtet ligjor. Duan vetëm. Idetë e tyre të bukura për përparim, mirëpo i bllokojnë dhe shkelmojnë vetë; me veprimet e tyre konkrete aktuale, aktive, praktike. Ku është defekti që sjell këtë diskrepancë të rëndë ndërmjet dashjes dhe veprimit?

Po të mos e donin, dëshironin, ëndërronin paraprakisht e me dekada shqiptarët çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës a do të ndodhte ajo?
Në trilogjinë e tij për Wallenstein-in Schiller e ka një dyvargësh konstativ që thotë: «Hulumtova unë së pari bërthamën e Njeriut, kështu e di unë Dashjen dhe Veprimin e tij» [1796-99]. Në rrafshin e Psikologjisë Sociale dhe asaj të Masave, sidomos në bazë të faktografisë antropohistorike është bërë një punë kolosale në këtë drejtim, rezultate, të cilat na dokumentojnë udhën dhe finalen që nga lindja e «iluzionit», procesin e masivizimit të tij e deri tek formulimi si ideologji apo programatikë konkrete për realizim. Këtë, specialistët do ta formulonin ndoshta në këtë mënyrë: Ideja energjetizohet (en= brenda + ergon=vepron) deri në atë shkallë saqë bëhet frymë kolektive, fuqi e gjallë, akti dhe potenca, shtabi komandues i mendësisë së një gjenerate, e cila nëse nuk realizon vetë dëshirat e kolektivit i le ato trashëgimi.
Dhe kjo nuk donë më shumë filozofi. Ose u shpjegua bukur me vargun aq preciz të Schiller-it.
Masave u duhen ideale, synime të cilat ato i përkthejnë në dëshira, i materializojnë në programe, ideologji, traditë, të cilat kryesisht mund të jenë regresive apo progresive, por të domosdoshme për të mbetur potente (dynamis) në jetën e tyre. Natyrisht se edhe kjo lloj lufte brenda frymës dhe mentaliteteve ka konkurrencë prej fantazmave të shumësojshme akulturuese, fiksasione të fabrikuara gjatë përdhosjes së përnatshme të psikës e të llojit dhe nga plotë agjentë utopikë, të cilat lehtësojnë por edhe neglizhojnë realitetet ekzistuese, por gjitha këto janë të në përputhje me dinamikën e jetës humane. Diversiteti është vetëm kështu i mundshëm.

II.
Për shekuj, shqiptarët ishin të çliruar nga kjo konkurrencë e llojit. Jo se ishin të mençur apo njëdimensional, porse ishin të robëruar. Dhe është apodikt argumenti se tek qenia e paliri, rrugët, format e luftës janë sekondare, liria është primare. Veç pas “fitimit” të saj lindin problemet, sepse mungon tradita e menxhimit me të. Nuk mëson të sillet me fëmijë si prind pa i pasur ata. Shqiptarët janë ekspertë të mbijetimit por aspak të lirisë, kjo është duke u mësuar, po si?
Kur vjen kjo e fundit, liria pra, prandaj edhe nis hutia e madhe, ngase fryma e lodhur aq gjatë hynë në stadin e pushimit, vegjetimit, vjen ajo situatë që Lucius Seneca ua atribuonte të vetëve kur nuk përparonin duke u thënë: «Mosdashja është arsyeja e jo pamundësia».
E para çka duan shqiptarët sot dhe e dyta sa mund t’i identifikojmë dëshirat e sotme shqiptare?
Qëkëtej le të bëhet gati Schiller se do t’ia tregojmë falsitetin e filozofemës së tij. Gjendja aktuale e frymës shqiptare demanton atë që thotë; hulumtova esencën e njeriut, di pra se çka donë ai dhe si do të veprojë. Sa më shumë të zhytemi në anatominë, fiziologjinë e dëshirave, dashjeve shqiptare aq më shumë bindemi se ato janë jo në favor të një veprimi realizues të tyre, por në luftë me to. Pra veprimet në luftë me ato që diagnostikohen si kërkesa, lutje, dëshira, synime, pse?

III.
Ja le të lëshohemi në terrenin praktik: nëse lexojmë mediat, veprat portestëpërmbajtëse të arteve aktuale, shkrimet e autorëve të lexueshëm, librat, manifestimet publike (a)politike duket sikur ideja dëshirë për një shtet ligjor, demokraci kualitative, mirëqenie është po aq e kristaltë siç ishte liria dikur. Bindemi pra se kjo është dashja supreme e fraksionit më të madh brenda frymës shqiptare.
Këtë e lokalizuam.
Tash le ta çajmë veprimin për t’ia ekzaminuar organet se sa është konform kësaj dashjeje kolektive.
Kush do të bëhet kryeministër? Albin Kurti apo Ramush Haradinaj? Kjo është pyetja më akute, elektrizuese, ndarëse, përçarëse, zbavitëse dhe tragjikomike e mediave, elitave dhe të gjithëve. Duan shtet ligjor, demokraci kualitative, përparim por mundësisht me një kusht: gjitha këto të bëhen nga Kulti i preferuar, i cili në këtë e atë botë vetë si qenie është kundërshtia e gjithë atyre dëshirave lartë, ngase i pengon, kushtëzon ato me një subjekt, e cili edhe po të ishte perëndia vetë nuk i bën dot. Lere më se kemi të bëjmë nga njëra anë me praktikuesin e një ideologjie të një bagazhi dyqindvjet të dështuar e antihumane dhe nga ana tjetër me një pa ideologji fare e që varret nga këshilltarët e tij mediokër.
Frymës konstruktive për ato dëshira të listuara më lartë nuk i interesojnë figurat apriori – sidomos kur nuk dallojnë shumë – por u intereson ndikimi i tyre për t’i detyruar që t’ua realizojnë synimet për të cilat i delegojnë. Dakord jemi me hipotezën; po të ishte fryma konstruktive me veten nuk do përfaqësohej nga ata që i shan me vite pastaj – në trajtën e një vetëdënimi për truzbrazëtinë?
Edhe më keq: duan shtet ligjor, demokraci kualitative, mirëqenie duke u strehuar madje edhe në fantazma akulturore që konfirmojnë Horacin që thoshte: «Kush donë diçka është i detyruar të dojë edhe mjetet e saja», mjete mirëpo që janë totalisht e kundërta e atyre që prodhojnë demokracia, barazia, shteti ligjor postmodern e të vijës. Nuk mund të duash paqe koekzistenciale me thika e bomba në gjoks.
Edhe më banalisht: Dua shtet ligjor – t’i jap 200 euro ma sjell pasaportën sot. Duam mirëqenie – më jep rrogë pa punuar fare. Duam demokraci kualitative – nuk qeverisim me këta apo ata 20%. Duam ambient sipas standardeve ekologjike – hidhi qyta pampersat se nuk shkohet deri tek kontejnerët e deri në pafundësi.

IV.
Nga vjen kjo diskrepancë shqiptare ndërmjet dëshirave të masave dhe veprimit të tyre komplet kundër atyre që deklamojnë si të tilla? Ky është afekti i masave të paorientuara. Është statusi i një frymë të lënë bosh ose që injektohet me bakterie virale që shpërndahen në formë tekstesh e opinionesh nga ata që as vetë nuk e kanë ëndërruar e dëshiruar veten dhe lirinë e tyre deri në fund. Kur unë dua me çdo kusht mirëqenien përpiqem ta ëndërrojë zgjuar atë që nga aksioni i parë e deri tek blerja e lojërave për fëmijët me paret e mia. Është princip ky që duket i natyrës individuale, poqë vlen në çdo kategori e volum. Njerëzit kapen për personave, idoleve dhe kushtëzojnë gjithë sistemin me to kur dashja, dëshirat e tyre janë vetëm ide të bukura, formë-iluzioni por jo të mbushura e materializuara me dije, informim të drejtë se si arrihen ato.
Ku gjendet defekti që ka sjellë shqiptarin në këtë kontradiktë kaq të thellë e depresive që ta sjell aq gjallë portretin e atij rebelit të Charles Baudelaire-it parasysh: „Engjëlli edukon siç donë më së shtrenjti/dhe detyron rebelin me grushte të mëdha; I mallkuari mirëpo thotë: „Nuk dua“.
Nuk donë vetëm ashtu për qejf shqiptari të realizojë dashjet e tij? Jo. E thamë lartë. Ai nuk donë për arsye se nuk dinë se si dashja e tij të shndërrohet në veprim konkret, konstruktiv dhe efektiv të atyre që synon. Nga padija veprimet e tij janë pikërisht pengesat dhe bllokada që ia thyejnë çdo urë për ta kaluar lumin e dështimeve të tij. Nuk ka kush ia tregon. Në këtë drejtim ka dështuar arsimi, shteti, mediat, intelektuali, artisti dhe të gjithë së bashku. E se partive iu konvenoin një frymë e këtillë s’kemi nevojë për studime më të thelluara.

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Në moshën 18 vjeçare dënohet me 6 vjet burg nga Jugosllavia e atëherëshme për kundërrevolucion dhe separatizëm. Shkollën e mesme e mbaron në Gostivar dhe Tetovë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Jeton në Bernë. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.