Subversionet antiballkanike

Rusia dhe Turqia bëjnë subervsione në Ballkan për interesa të veta. BE poashtu tradhton idealet e saja për ta ruajtur „bërthamën“ e saj larg ndikimeve aziatike dhe atyre islame. Shqiptarët subversionojnë veten se kanë primatë që edhe me Hitlerin kishin shkuar për interesa personale. Ashtu siç edhe kanë dëshmuar.

Ditëve të fundit: Johannes Hahn, komisari për zgjerim dhe i fqinjësisë së mirë tha se Serbia dhe Mali i Zi mund të llogarisin me integrim në BE, vendet tjera gjenden shumë larg asaj dite. Populisti austriak, ministër i jashtëm dhe mik i ngushtë i Gruevskit Sebastian Kurz kërkoi në Triestë që të futet nën kontroll sa më shpejtë Ballkani, ngase ai, aktualisht qenka rreziku më i madh nga ku mund të shpërndahen rrymat terroriste dhe radikale të vijës së ISIS.
Shumica e figurave kryesore të BE-së flasin, kohëve të fundit më pak për rrezikun rus e më shpesh për atë turk dhe islamik.
U hoq rreziku rus? U shtua edhe më shumë ai turk?
Jo. As njëra e as tjetra. Rusët dhe turqit, të bashkuar si shpesh në histori, vazhdojnë ta luftojnë BE-në, NATO-n nëpërmjet shteteve satelite të tyre të Ballkanit. Nuk është problemi se rusët dhe turqit janë tërhequr pra, porse se ngadalë BE i afrohet vijës së saj kulturore habsburgiane që i bie përmes jugut të Kroacisë dhe nuk donë të rrezikojë më poshtë. Ose maksimalisht për shkaqe stabiliteti dhe ndërhyrjeje kundër zonës oriantalo-islame do të lidh Serbinë dhe Malin e Zi për vete – se megjithatë jo e sunduar nga shumicat myslimane proturke. Konkretisht: BE me gjuhën e Hahn-it, Kurz trojet shqiptare ngadalë ka nisur t’ia llogaris sferës së Europës orientale.
Teori e vjetër kjo që dita ditës zë vend sërish kancelarive evropiane.
E meritojnë shqiptarët këtë shtyrje brenda kulturozonës që ata me asnjë segment të identitetit të tyre nuk i takojnë, përpos se kabllot e tyre transcendentale me Zotin i kanë të njëjta me Turqinë dhe vendet përtej?
E meritojnë. Shqiptarët janë instrumenti më i vyeshëm i Erdoganit në luftën e tij kundër BE-së. Ata janë pikërisht palni B i tij, se C është të ikë nga pushteti.

II.
Në Kukës hiqen bustet e Skënderbeut ngase një arab me gërdi ndaj heroit kombëtar shqiptar ndërton aty një aeroport. Atij Gjergj Kastriotit, me arkivin më të pasur në Vjenën e Kurz-it, ngase konsiderohet mbrojtësi i Europës, ai para që mbrojti perëndimin që të mos gëlltitet nga shpatat e gjyshërve të Erdoganit (edhe për nga ideologjia). Atij pra që nuk i la sulltanët ta pushtojnë perëndimin e që sot ministria e Kosovës i quan dëshmorë. Rama ndjek Hashim Thaçin, atë që ia dha Turqisë gjitha pikat më nevralgjike të ekonomisë kosovare farefisit të autokratit të Bosforit.
Sot në gjitha xhamit shqiptare të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë Bashkësitë Islame kanë urdhëruar të lexohet hytbe për nder të atyre që sollën në pushtet Erdoganin. Atyre që i ndihmuan në pseudopuçin e fundit. Dhe jo vetëm kaq: ambasadat turke kanë punuar me muaj e me javë – ashtu edhe e kanë instrumentalizuar para evropianëve dhe amerikanëve – për të demonstruar jo respektin ndaj viktimave, por për tu treguar perëndimorëve se këto vende janë të tyre.
Ministritë e Jashtme dhe qeveritë e këtyre vendeve si duket u kanë asistuar, ndihmuar, ngase as që reagojnë duke qortuar ambasadat turke të mos keqpërdorin bashkësitë e tyre fetare, shoqëritë e tyre për politikat e tyre të brendshme, ngase ky veprim bie ndesh me kodin e sjelljes diplomatike dhe është keqpërdorim eklatant, skandaloz i shteteve mikpritëse.
Askush nuk reagon.
Kjo listë vetmë sa për ilustrim sipërfaqësor për të mos përmendur gjithë atë histori të gjatë të vënies së Kosovës dhe Shqipërisë në favor të Turqisë së Erdoganit dhe radikalizmit.

III.
BE shpejton me këto kalkulime. Ajo nuk duhet të refuzojë shqiptarët se po i shkuan ata me Turqinë, sllavët janë me Rusinë dhe kjo s’ka ç’kërkon përtej Vjenës. Ajo shpejton edhe për diçka tjetër, ngase shqiptarët e sotëm nuk janë ata të kohës së perandorisë osmane: nëse këta duan me çdo kusht BE as Kurz e as Hahn nuk i ndal dot. Europa nuk është pronë e këtyre dy. Kontinenti ka qenë para tyre ku është dhe shqiptarët poashtu, para tyre dhe sllavëve.
Në finale pra nuk varret se çka kalkulojnë korridoreve të Brukselit. Në finale varret se çka bëjnë shqiptarët dhe ç’qeverish kanë. Nëse duan të ikin drejt Azisë le ta thonë. Nëse jo duhet të heqin qafe tipa si Rama, Thaçi dhe kopukë subversiv tjerë që për interesa personale kanë dëshmuar se jo me Erdoganin por edhe Duçen a Hitlerin do shkonin po të ngjallej.

Politika shqiptare më shumë se kurrë ka nevojë për sqarim të qartë në këtë drejtim, qoftë edhe për të mos shkallmuar shoqëritë me luftëra ndër veti. Nëse don drejt perëndimit ajo duhet të fus religjionet nën kontroll që mos shërbejnë si filiale shtetesh të huaja. Nëse don drejt BE-së ajo duhet të ndërtojë shtete ligjore e jo sulltanate mesjetare vetëm për do aeroporte. Instrumentalizimi i popujve për interesa të një fashisti është krim historik dhe këtë duhet ta dinë qeveritë shqiptare.

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.