Në monarkinë e defektëve

I pari: tri tjerët janë kriminelë! I dyti: I pari dhe dy tjerët janë idiotë! I treti: I pari, i dyti dhe i katërti janë tradhtarë. I katërti: tri të parët janë defekta, të paaftë dhe të korruptuar! Mediat bëjnë sintezën: jetojmë në ferr! Kjo është ideologjia, programi, fryma se si funksionon politika në Kosovë. Ata që nuk e konsiderojnë veten brenda këtyre kategorive çka të bëjnë? Të ikin nga vendi?

Qenia e revoltuar me faktin se njëherë ka lindur, qoftë për arsye se nuk ia kupton psenë prezencës së saj në botë e qoftë se nuk e kap kuptimin e jetës, ka problem me çdo fillim, me çdo lindje dhe çdo nisje. Patjetër se luan rolin e betlehemitit të kohës së Herodesit të Madh ndaj edhe çdo paralajmërimi se ja lind, vjen diçka – mentalisht natyrisht në kontekstin që tematizojmë.
Ky tip njeriu, ngase nuk korrigjon dot natyrën për vete, kurdoherë që i bie ndërmend se është defekt, tepricë e parëndësishme në teatrin e thithorëve, del megjithatë e paradoksalisht egoisti, narcisi me brina. Nga instinktet e forta të mbijetimit ai nuk e shuan veten, as botën e tij e as kërkon ndihmë tek psikiatria. Përkundrazi fatin e tij (të vetëprodhuar) e bënë kuptim dhe mision të jetës; lufta pra për të përmbysur çdo embrion që do ta riprodhonte edhe një si ai, një sjellje që de facto dhe në esencë sjell maninë e homo sapiensit për pushtet, është programi i tij funksionues – në stilin; edhe si defekt vetëm unë meritoj pushtet, ngase vetëm unë mund ta shpëtojë botën nga pasardhësit e mi, vetëm unë i njoh ata ende pa lindur si janë!

2.
Interesant se ky paragrafi lartë më doli pa e iniciuar mendërisht, pra pa dashur që të merrem me borderline çrregullimet në modë tek njeriu i hutuar postmodern. Jo. Shkronjat dhe mendimet rezultuan duke tentuar t’u përgjigjem pyetjeve që ia parashtrova vetes si katalog me synimin për të kuptuar dështimet e supozuara kronike të shtetit kosovar deri tek bërja e qeverisë së fundit dje. Dhe ja cilat pyetje:

Cila nga qeveritë kosovare deri sot nuk u vulos si e dështuar që në shpalljen e saj?
A do të kishte pasur mundësi LDK në vend të AKR t’ia marrë ministritë kyçe PAN-it kështu duke ndërtuar shtetin sipas programit të saj dhe atë pikërisht aty ku është më se e nevojshme?
A do të kishte pasur mundësi LVV t’ia marrë ministritë kyçe PAN-it kështu duke ndërtuar shtetin sipas programit të saj dhe atë pikërisht aty ku ajo mendon se qëndrojnë problemet më të mëdha?
A ka të drejtë dikush të akuzojë qeverinë aktuale si të paaftë pasi refuzon të bëhet pjesë e saj për shkak të kryepostit dhe hakmarrjes infantile të tipit „na futën tash ua futim“, sikur politika të ishte fusha ku luajnë tenis hyjnorët dhe profetët ndër veti.
Hiperfaktorizimi i „Listës Serbe“ dhe Vuçiçit a nuk është rezultat më shumë i atyre që nuk donin të hyjnë në pushtet me dikë se sa i atyre që lusnin?
A do të kishin integruar – sipas kërkesave të ndërkombëtarëve – edhe këto tjerat „Listën Serbe“ në qeveri?
A do të kishin vepruar edhe partitë e PAN siç vepruan dy tjerat po të ishin në anën e humbësve?

3.
Padyshim se po. Do të kishin vepruar njëjtë. Prandaj erdhi e paftuar ajo përgjigja në fillim të këtij teksti. Asnjëra parti nuk i gëzohet lindjes së një qeverie që nuk e bën vetë. Kjo është e natyrshme, por le të jetë transparente: nuk ka të bëjë aq shumë me faktin se është ajo e aftë apo paaftë, e kriminalizuar apo jolegjitime se sa ka të bëjë me mentalitetin e klasës politike, e cila mallkon çdo lindje që ajo nuk e parandalon ose fut nën kontroll të vetin sapo të bëhet formë. Nuk është as lojë korrekte politike siç jemi mësuar t’i përjetojmë në demokracitë e konsoliduara: fitoi tjetri pushtetin, vazhdoj të luftojë për të deri në zgjedhjet e ardhshme, por as si opozitë nuk vë në rrezik interesat e shtetit, shoqërisë së ardhmes së vendit. Jo, politika shqiptare është larg kësaj kulture. Ajo është hasmëri primitive primatësh që veprojnë si tipi i qenies që na doli në fillim të këtij teksti: destruktor që përpiqet të sabotojë në fazën paranatale dhe kur s’ia del bën çmos ta mallkojë e urrejë kopjen e vetë me pushtet.

4.
Me këtë frymë, me këtë mentalitet qytetari kosovar është i paradënuar përjetësisht të mos shpresojë se ndonjëherë, në këtë apo shekullin tjetër do të ketë një qeveri të suksesshme. Kushdo që të vijë në pushtet. Shteti – brenda kësaj sjelljeje – nuk është objektiv për ta ndërtuar, zhvilluar por mjet për pushtet ndaj tjerëve, atyre defektëve që vetëm „unë mund t’i drejtoj se vetëm unë i njoh sa të këqij janë për arsye se jam si ata“. Kjo është logjika e pashprehur por e kristaltë pas çdo analizë sado sipërfaqësore të jetë ajo.
Klasa politike aktuale në Kosovë, as ajo masmediale, partitë dhe shoqëria civile nuk disponojnë me intelektualë, njerëz të mendjes që ideal do kishin mirëqenien e të gjithëve, forcimin e shtetit ligjor, barazinë sociale dhe ruajtjen e shtetit sekular, lirinë dhe pavarësinë, aspak, çka gjithë këto shtresa kanë janë akrobatë pseudoteorish parapolitike, metodash të ndryshkura refraktare të cilat përdoren po në atë mënyrë siç mund t’i përdorë qenia e cila beson më shumë se çdo religjion tjetër të jetë defekt që duhet t’i qortojë defektët tjerë pse nuk e bënë primat.

Kjo do të jetë arsyeja se pse është e pamundshme prova që njëherë gjithë këta të kërkojnë tek tjetri diçka që mund të ishte pozitive. Ku ta dish zbulonin diçka tek secili, që pastaj mund t’i bënin bashkë për ta bërë Republikën e Kosovës, njerëzit e sajë ashtu siç meritojnë?

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Në moshën 18 vjeçare dënohet me 6 vjet burg nga Jugosllavia e atëherëshme për kundërrevolucion dhe separatizëm. Shkollën e mesme e mbaron në Gostivar dhe Tetovë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Jeton në Bernë. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.