28 arsye kundër partive të kriminalizuara

“Populli ka mbretin që meriton” – thotë proverbi. Sidomos në demokracitë pluraliste, kjo mund të merret si aksiomë. Masat legalizojnë vetë kriminelët, me votën e tyre. Që pastaj katër vite të kenë për çka të ulërijnë, vajtojnë si ato shtrigat e Kretës së moçme? Pse e bëjnë këtë atëherë rishtas? Nuk u tregon askush se ecin edhe më thellë ferrit apo e dinë mirë këtë punë por ashtu iu konvenon? Nëse është e fundit; rrini pra aty se edhe ajo hapësirë ka nevojë për popullatë!

Poshtë do përpiqemi t’i radhisim arsyet pse njeriu i ndershëm – ai i pakorruptuari, i moralshmi, ai që ia donë të mirën, perspektivën, progresin popullatës së vetë, shtetit ku jeton, ai që është i drejtë dhe barazinë ka në frymë – nuk i zgjedh partitë si VMRO, LSDM, BESA dhe BDI. Në veçanti qytetari i origjinës shqiptare, pse nuk ka asnjë arsye as logjike as humane t’ua japë votën partive që bastisim këtu?

Prologu
– Sepse gjitha këto parti me veprimet e tyre, kanë humbur legjitimitetin e përfaqësimit të denjë të njerëzve, qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Republikën e Maqedonisë.
– Sepse me sjelljet e tyre edhe më shumë kanë shtuar konfliktet dhe urrejtjet ndëretnike se sa të kundërtën.
– Sepse Njeriun e asaj ane asnjëherë nuk e kanë trajtuar si Qenie me të drejta për mirëqenie dhe barazi por vetëm si Mjet, Send, Gjë që përpunohet, përvetësohet dhe mashtrohet lehtë për votë.
T’ia nisim nga kjo në pushtet.

LSDM
1. Gjatë sundimit të LSDM-së ndodhën trazirat e përgjakshme të Gostivarit, më 9 korrik të vitit 1997. Fillimisht u rrahën dhe burgosën qindra nxënës që kërkonin më shumë shkolla shqipe. Pastaj u vranë 3, u përgjakën dhe plagosën 100 njerëz gjatë protestave për flamur. Kryekomunarët u arrestuan, dënuan me vite (Me asistencën e PDSH-së së Arbër Xhaferrit dhe Menduh Thaçit) .
2. LSDM është trashëgimtare e LKM-së, e cila brutalisht ka shkatërruar shqiptarët sidomos pas viteve të 80-ta duke ua ndaluar gjuhën atyre edhe nëpër shkolla të mesme; duke ua rrëzuar muret ne shenjë provokimi e të tjera.
3. Është autore e qindra proceseve të montuara politike në të kaluarën e saj.
4. Kjo parti kurrë nuk ka kërkuar falje për diskriminimin, as ka rishikuar veprimtarinë e saj diskriminuese ndaj shqiptarëve për dekada të shumta. Përkundrazi krenohet si trashëguese e kastave të vjetra.
5. Partia e Zaevit pra kurrë nuk shqyrtoi të kaluarën e saj dhe me vetëdije ec si trashëguese e nomenklaturës komuniste antishqiptare.
6. Gjatë sundimit të saj ishte dhe është po aq e korruptuar, mashtruese, ordinere dhe antishqiptare edhe në tranzicion.
7. Është e njëjta ajo e cila dikur ndalonte gjuhën me brutalitet që sot me mjete më të sofistikuara mashtron për gjuhën.
8. Mbështet agjentura të jashtme që punojnë në tjetërsimin e identitetit kulturor të shqiptarëve drejt një hibridizimi të papërcaktueshëm ose autodestruktiv.
9. Ajo në dokumentet e saja dhe në diskursin e brendshëm dhe atë diplomatik trajton shqiptarët si klasë e dytë qytetarësh të prapambetur që s’mund të jenë asnjëherë shtetformues. Këtë e dëshmon edhe me sjelljen aktuale.

VMRO
10. Partia ultra-nacionaliste e VMRO-së së Gruevskit brutalizoi edhe më shumë proceset e montuara politike: Kjo në stilin e shërbimit sekret serb, krijoi raste si „Panda“e Pejës edhe në Maqedoni. Metoda është kjo: vra etni tjera dhe dëno ose ndiq shqiptarë për ato. Vra ish komandantë shqiptarë dhe le shqiptarët të akuzojnë e kërcënojnë njëri tjetrin për ato dhe të llojit.
11. Ushtroi politikë zhvillimi egërsisht selektive në baza etnike: ndërtoi vendbanimet ku nuk jetojnë shqiptarët e la si geto të përmbysura ato shqiptare. Natyrisht edhe në stilin; jepu vetëm atë që kërkojnë me zor.
12. Lejoi, mbështeti dhe bashkë-financoi qëllimisht agjentura të ndryshme të jashtme që punonin në tjetërsimin e identitetit kulturor shqiptar.
13. Qendrat kryesore të biznesit në kryeqytet e gjetiu qyteteve të mëdha janë pronë e familjes së ngushtë të Nikolla Gruevskit dhe tezakut të tij Sasho Mijallkov.
14. Partia është ndër më të korruptuarat e Ballkanit.
15. Është kundër gjuhës shqipe, kundër shqiptarëve si element shtetformues, dhe haptazi vepron sipas metodës: „ndihmoi vetëm aty sa për të mos na akuzuar nga jashtë“, përndryshe deformoi sa të mundesh.

BDI
16. Gjitha ato që bëri VMRO i realizoi me ndihmën e BDI.
17. BDI si pasojë e kësaj është bashkëpjesëmarrëse në krim, diskriminim dhe ndjekje të shqiptarëve.
18. Partia tradhtoi marrëveshjet e dala pas luftës. Tradhtoi luftën dhe UÇK-në.
19. Mosrealizimi i të drejtave fondamentale elementare si gjuha dëshmojnë se vazhdon të jetë jolegjitime dhe jokompatible me interesat e shqiptarëve aty. Inkompetente dosido.
20. Ajo tradhton edhe historinë e luftës shqiptare që nga 1968 – deri sot, ngase jo vetëm se nuk kërkon që Maqedonia të rehabilitohet por pa kushte serioze bashkëqeveris me të gjitha palët që urrejnë, diskriminojnë dhe vrasin shqiptarët. Kurrë nuk shpallën kushte kategorike për ë drejtat e shqiptarëve.
21. Njerëzit e saj kryesorë e në pushtet kanë përfituar shumë nga korrupsioni i VMRO-së.
22. Njerëzit e saj të hierarkisë përfitojnë shumë nga agjenturat që kanë synim deformimin kulturor të shqiptarëve.

BESA
23. Organizata e formuar kryesisht nga ish funksionarë dhe aktivistë të partisë BDI është shkaktarja e legalizimit të agjenturave të huaja brenda politikës shqiptare.
23. Ngritjen e saj BESA e bëri duke përdorur bazat që i krijoi paraprakisht vetë; radikalët fetarë; skamnorët e korruptuar nëpërmjet pseudondihmës sociale – bamirësisë së kushtëzuar dhe instrumentalizimit – përçarjes – të xhamive, të cilat në shumicën e fshatrave nuk komunikojnë ndërmjet vete.
24. Financimin e saj ajo e siguroi nëpërmjet paralarjes së bankave turke dhe të Katarit si „Hallkbank“ e të llojit; nga provizionet që mori me shitjen e selisë së „Vilajetit të Kosovës“;  nga përfitimet e 3 milionë ekzemplarëve të shitur të librave pan-osmane të SHB Logos A dhe TV Shenja; nga përfitimet e shkollave të Gülenit; nga përfitimet së fundi të shkollave dhe çerdheve turke me koordinim të TIKA. Aktualisht pas mashtrimit të të parave ka mbetur në duart të Turqisë së Erdoganit.
25. BESA si nga fiinancimi ashtu edhe për nga ideologjia e saj jotransparente, mashtruese, kryesisht antishqiptare është produkt i një korrupsioni ndërkombëtar që shkon në dëm të kulturës shqiptare dhe njerëzve aty.
26. Koalicionimi i saj më VMRO-në ekziston qysh para se partia BESA të dalë haptas me të; si gjatë nxitjes në parlament; gjatë kundërshtimit të kryeparlamentarit shqiptar; me provokimin e Shqipërisë për „letrën e shkruar nga Edi“ e me radhë. Ajo ka biografi bashkëpunimi me VMRO, respektivisht Sasho Mijallkov në gjithë veprimtarinë e lartpërmendur korruptive të saj që nga zanafilla e deri sot: Shenja, Logos A, shitje blerjet u bënë jo vetëm me lejen e pushtetit të Gruevskit por edhe me provizione konkrete – biznesi.
27. BESA nuk shkaktoi probleme marramendëse dhe regres vetëm në aspektin e të drejtave politike të shqiptarëve atje, por i dëmtoi rëndë ata edhe në besim, ekonomi dhe sidomos në stigmatizimin që u bëhet nga pjesët tjera të etnosferës shqiptare. Është parti që ka dalur nga korrupsioni dhe jo vetëm nga ato që kërkon pushtetin për të bërë korrupsion, por që ka edhe ka lindur si mall i korruptuar. Plus në ballë dhe frymë si synim ka korruptimin dhe tjetërsimin e shqiptarit në favor të identiteteve tjera.

PDSH
28. Vetëm edhe Menduh Thaçi ka mbetur që të hiqet dhe atëherë edhe për këtë parti sërish mund të flitet, rivlerësohet.

Epilogu
Prandaj shqiptari i ndershëm, i pakapur, i pakorruptuar, i drejtë, ai që kërkon barazinë qytetare, kulturore, religjioze nuk mund të ketë asnjë arsyetim për të votuar partitë që i radhitëm. Ai mund ta bëjë këtë vetëm atëherë, kur vetë është i korruptuar, i kapur, i privilegjuar nga krimi dhe padrejtësia. Kështu ngase pavarësisht shkallës së alfabetizimit çdo njeri e dinë se: korrupsioni, padrejtësia, pabarazia janë shkaktarët që ai vend s’ka progres, nuk përparon dhe rri në baltë. Secili që i dinë këto dhe voton këto parti – nga ana shqiptare – punon me vullnet që jo vetëm shqiptarët, por e gjithë shoqëria atje të mbetet ashtu siç është; ferri i krimit dhe joperspektivës.
Vlenë në këtë rast: Ma thuaj partinë që voton ta dijë se je tip krimineli apo njeri me moral dhe parime!
Kjo është matematika e fakteve reale. Këto janë argumentet që nuk i përgënjeshtron kush dot. Tjerat janë përralla dhe mashtrime elektorale. Ajo shoqëri atje, do të dal nga gjendja vetëm kur ta sigurojë një shumicë që nuk voton më kriminelë. Ndryshe vajin dhe dramën ku jetojnë – e meritojnë, nëse në zgjedhjet që vijnë sërish fitojnë të njëjtët që i përshkruam lartë edhe me vota shqiptare.

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.