Shqiptarët drejt statusit shtetformues

Zijadin Sela dhe Ali Ahmeti nga tash e tutje janë përgjegjësit kryesor dhe historik se a do të bëhen shqiptarët me gjuhë dhe shtetformues në Maqedoni, apo jo. Kështu është ngase kjo nuk varet më as nga Gruevski e as nga Zaevi, por nga partitë shqiptare. Ky pozicion i tyre i ri nuk është produkt i strategjive të tyre të mençura por i masave, të cilat me votën dhe sjelljen e tyre e detyruan këtë gjendje. Veprimi i një mase tejet inteligjente.

Në shoqëritë ku sundon etnokracia, aty ku një etni shtyp tjetrën, lufta bëhet ndërmjet dy poleve kryesore, është apriori paranacionaliste, identitare dhe jo në baza qytetare. Varësisht nga perspektiva, kjo lloj lufte nga disa konsiderohet refraktare nga tjerë progresive. Për shqiptarët, mirëpo, pavarësisht perceptimit e kualifikimit të formës së kësaj politikbërjeje, ajo është jetike, modeli kultuiralist, identitar. Pa fituar të drejtat e tyre kulturore kombëtare shqiptarët aty s’mund të shpresojnë asnjëherë se do të trajtohen dikur si qytetarë të barabartë.
Kështu është ngase Ballkani gjendet ende larg atij modusi ku postet politike ndahen në sajë të aftësive e jo në bazë të origjinës, gjenit e gjakut.
Nga këto zgjedhje mirëpo Maqedonia jep shpresa të mëdha se do të ikë nga kjo psikopolitikë. Kjo, dje e bëri një hap të madh para. Dhe jo kampi joshqiptar e bëri këtë kërcim barriere, por votuesit e mençur shqiptarë, të cilët më pak dëgjojnë partitë e më shumë intuitën e tyre. Të fundit i imponuan Maqedonisë në mënyrë jashtëzakonisht inteligjente kushtin e tyre që de facto është porta e vetme drejt fitimit të statusit të popullit shtetformues.
Çka bënë ata?
Ata i imponuan bllokut «maqedonas» ndarjen përfundimtare nga politikëbërja në baza ultranacionaliste, etnokratike. Ata me sjelljen e tyre e pensionuan përfundimisht Gruevskin bashkë me statujat e tij.
Si e bënë këtë?
Ata këtë e bënë duke sulmuar e luftuar pro forma në të njëjtën mënyrë Zaevin poaq sa Gruevskin. I përkrahën të dytë aq sa për t’i denoncuar tek të tyret si demagogë. Por më shumë e shkatërruan Gruevskin duke ia bërë krah madje një parti si organizatën «Besa», e cila mbështetet vetëm nga pakica e amalgamuar me turkofilë dhe fundamentalistë që shpresojnë rikthimin e ndonjë perandorie mesjetare, d.m.th. jo vetëm se është politikisht joautoktone, e huaj, por edhe antidemokratike, primitive, e cila nuk i vyen asnjë pale, askujt. Sikur as kjo mos të mjaftonte demagogjia E Gruevskit kërkonte edhe një majë, edhe një Muhamet a Milikije krahas Hristijanit me Pilatin në mes, ashtu siç i ka tashmë moti LSDM.
Kjo sjellje e shqiptarëve bëri që VMRO të tkurret tmerrësisht tek blloku joshqiptar. VMRO së paku dy mandate nuk do ta marr më veten për të fituar kampin ku prinë ende, në atë nacional. Ajo do të përçahet. E njëjta do t’i ndodhë edhe LSDM-së, pas fitoreve shqiptare në kauzat e tyre, por minimalisht. Ajo do të përforcohet pas dy tri viteve, nëse ia del bashkë me shqiptarët të instalojë shtetin qytetar dhe barazinë politike e sociale. Në dy legjislacionet e ardhshme do të kemi dy parti «maqedonase» ku favorit mbetet LSDM dhe dy parti shqiptare ku favorit mund të ndodhë që të jetë ASH – me kushtin nëse e fundit nuk i shton gabimet dhe lidhë ndonjë aleancë me satelitin e VMRO dhe Erdoganit «Besa». Dhënia atyre një komunë, duke i legalizuar si qeverisës, do t’ia humbte ASH-së promotorët më me ndikim të saj. Edhe për BDI -në vlen, nëse nuk arrin të regjenerohet, sidomos në aspektin kadrovik atë do ta zëvendësojë në forcë totalisht e re – më se e nevojshme në rast të dështimit ASH-së.

II.
Vërtetë si ia dolën shqiptarët atje ta rikonfigurojnë situatën duke ia krijuar vetes këtë pozitë? Edhe ma efektive se shtatë deklarata si ajo e gjuhës, ngase kushtëzon funksionalitetin e gjithë sistemit – të barabartë, qytetar, evropian ose fare!
Një gjë e sigurt: mençuria nuk erdhi nga shtabet partiake.
Ama e çdo propagande të mençur është taktika. E asnjëra prej tyre nuk e kishte atë. Ata nuk shërbeheshin me kundërshtarët e tyre; i cullakonin synimet me aq egërsi ofensive, të sinqertë saqë edhe kur flisnin të vërtetën dukej se i shpifje e rëndë. Parasëgjithash shihej se s’janë aspak kompatibël me kërkesat, hallet dhe synimet e shumicës së njerëzve atje. Koalicionet u bënë pa përfillur votën e bazave të tyre ishin dëshmia se partitë operojnë vetëm nga presioni dhe frika e jo me strategji konkrete për interesat shqiptar në groplan.
Kush pra ishte demiurgu i kësaj fitoreje shqiptare?
Ajo dora e padukshme e Adam Smith-it dhe Agambenit apo thjeshtë veprimi i një mase që e dinë fare mirë se çka donë dhe vepron ashtu jo siç duan partitë, analistët, grupet e interesit dhe media, por ashtu siç e ndjen se pa: pastrimin e politikës nga të korruptuarit në tru dhe në xhep nuk shkon, nuk lëvizin dot dhe pavarësisht se cila parti garon, kishin vendosur të zgjedhin njerëz e jo logot e partive.
Për këtë arsye humbën BESA, VMRO, PDSH, ngase shumica hierarkike e tyre është e korruptuara në çdo aspekt të qenies së tyre.

III.
Kjo strategji del përkryer mirëpo vetëm nëse aty ku prin ASH BDI ia dorëzon votat asaj dhe anasjelltas. Në Gostivar BDI duhet të heq dorë nga Nevzat Bejta. Le ti japë poste tjera sa për që të mos bëj dëm, por jo më kryetar komune. Njeriu e kreu misionin vetë. Dy partitë janë në koalicion si ashtu, atje ku do të vendosen të drejtat e shqiptarëve dhe do të zhvillohet shteti drejt aderimit në BE. «Besa» do të bënte mirë t’i rikthehet zanatit të vjetër të bamirësisë, mundësisht jo me financa të Halkbankës dhe provizioneve të shitjes së monumenteve shqiptare. Dhe po dha zori e Zoti e bëhet racionale shpartallohet krejt ose ndërron emrin konform aktivitetit të saj. Ka gjasa që brenda këtij procesi grupet e PDSH – së të aderojnë në ASH – ngase vërtet plotë njerëz të mirë humbin aty energji së koti.
Nëse dekodojnë si duhet vullnetin e masave nëpërmjet votës së fundit dy partitë shqiptare ASH dhe BDI do të vazhdojnë garën e tyre legjitime dhe në të mirë të vendit edhe gjatë kohë, natyrisht, nëse jo do ta përjetojnë atë që pësuan disa homologe të tyre.
Demosi si duket merr fatin në duart e tij. Demosi shqiptar. 🙂

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.