Votë për teopatët apo pseudonacionalistët?

Partitë e majta nuk janë xhami, pse marrin vota në emër të fesë? Janë ato vërtet fetare dhe duan t’i bëjnë punët mirë me Zotat apo janë mashtruese ordinere që besojnë fetarët të jenë kategoria më injorante e shoqërisë? Partitë e djathta sigurojnë mbrojtjen e kombit nga ekstremistët e parë? Janë megapatriotë apo horrat e strehës së njohur? Si do që të jetë: gropat e rrugëve nuk mbushen me hajmali e as shqiptarët nuk i pranon kush si komb tjetër e as si kozmopolitë.

Qysh para zbulimit të bustit të perëndeshës «magna mater» shpellave shvabike [Venusi i shkëmbit shpellik:1977] dhe konstatimit korologjik, arkeologjik e stratigrafik, artefaktet të jenë rreth 40 mijë vjeçare të lashta, dihej edhe nga zbulimet të datuara si shumë më të vjetra, se religjioziteti i hominidit nuk fillon me cro-magnon-in, homo-sapiens-in që erdhi drejt Europës, por duket të jetë pjesë e tij që se është siç është- njeri.
Me këtë fakt duhet të bashkëjetojnë ateistët dhe gjithë tjerët që ëndërrojnë një botë pa fé. Teoria e disa prej tyre që thotë se sa më shumë të përparojë e iluminohet njeriu do të bëhet më e parëndësishme transcendentalja nuk ndez as për këtë epokë. Terry EageltonVdekja e Zotit dhe kriza e kulturës»: 2015] dhe Charles TaylorNjë epokë sekulare»: 2009] na ripërsërisin faktografinë antropohistorike në 1600 faqe saqë pas leximit i vdes ideali edhe optimistit më të madh ndër neoatesitët.
Shkencërisht më sot nuk vërdallet njeriu rreth pyetjes se i ta bëjmë njeriun pa fe, por si të sillemi me ato.
Është e njëjta histori pothuaj me atë që u ndodhi kozmopolitëve europianë që donin me zor ta shpallin kombin të vdekur. Ose ta modifikojnë atë në konstrukt imagjinar vetëm politik. Dhe të cilëve Aleida AssmanUdhës drejtë një kulture kujtese europiane»: 2009] me konstatimin e saj kombet të jenë «alive and kicking» ua nguli thikën mu në bërthamën e fantazisë, ngase ripotencoi faktin më logjik të mundshëm e të ditur të mos ekzistojë kombi shumëkombësh!
Teoria e saj kondenzueshëm e konkretisht mund të implikohet e sqarohet kështu: Kombi në kuptimin politik nuk ekziston. Ekzistojnë vetëm kontrata ndërmjet kombeve të ndryshme për një shtet të përbashkët. Kështu ngase kombi, pavarësisht si sqarohet e imagjinohet teorikisht, tek 98% e njerëzve perceptohet si bashkësi që i lidh gjuha, traditat, historia, ritet, etnogjeneza. Dhe e para, gjuha, ta prish çdo fantazi ngase të parën gjë që dy cro-magnonë i ka bërë bashkë ka qenë mundësia për ta kuptuar njëri tjetrin – kodet e përbashkëta të komunikimit; gjuha pra! Ky problem metahistorik, asgjësueses aq kontinual e natyror saqë është kanceri i teorisë së çdo konstruktivisti të fahut.
Prandaj lindin e vdesin, vijnë e shkuan perandoritë dhe gjitha këto i mbijetuan etnitë, kulturat e bazuara në gjuhë dhe që janë substrati i çdo kombi. Përndryshe BE qëmoti do të kishte ringjallur perandorinë romake, pax romanan, pax augustan dhe atë në trajtën më të përkryer të saj.

II.
Pra fetë nuk zhduken dot dhe kombi nuk mund të jetë shumëkombësh dhe as të shuhet aq lehtë nga ndonjë grup esktremistësh klounesk, pantollashkurtër, me mjekra pa to, me ferexhe apo cullak – kështu bindja jonë. Kulturat shikuar nga perspektiva e sotme nuk mund të zhduken më, por mund të përhumben temporalisht vetëm njerëzit e saj kthinave çoroditëse që u shkaktojnë depresione identitare.
Dhe partitë që nateditë ulërijnë t’ia duan të mirën „popujve“ të tyre janë pikërisht fabrikat më të mëdha të këtij depresioni identitar, frymor e human. Ato që i kërkojnë votat në emër të islamit dhe kombit.
Pikërisht me këto dy segmente pra – kombin dhe fenë – bëjnë politikat shqiptare problemet më të mëdha ngase i keqpërdorin në ato rrafshe ku ato s’kanë çka kërkojnë, ngase nuk janë probleme për t’u zgjidhur, por janë tipare natyrore ose antropohistorike qindravjeçare që duhet të pranohen si janë dhe të koekzistohet me ato pozitivisht e në mënyrë konstruktive e jo duke bërë luftë koti. Madje edhe tjetërsimi eventual i tyre bëhet vetëm duke i integruar, asimiluar, emancipuar e jo duke i instrumentalizuar,zhgënjyer dhe acaruar.
Luftën kundër ekstremizmave duhet ta bëjnë të gjithë; fetarët se kanceret janë në trupin e tyre dhe po nuk e operuan vdesin sa më shumë dhe sekularët se përveç fetarit u vdes edhe familjari, qytetari, njeriu, bashkëkombësi.
Paradoksalisht ndodhë e kundërta siç e shohim në Maqedoni dhe Kosovë; partitë politike shfrytëzojnë – se vetëm atë kanë – fundamentalistët për vota e jo të ashtuquajturit tradicionalë, pasi këta të fundit s’merren me politikë e më hiç nuk kanë probleme me kombin e tyre të gjuhës. Këta janë të iluminuar pasi e dinë që autobusët nuk blihen duke recituar ajete kuranore; nuk mbyllen gropat e rrugëve me hajmali e as me bekimin e priftit; se politika kombëtare dhe miqësitë nuk bëhen duke mallkuar shtete të huaja si Izraeli dhe duke bërë për idolë ata që vrasin popujt e tyre dhe kërkojnë ta tjetërsojnë edhe tëndin; me një fjalë: kombi është i dhënë dhe feja është kompetente për komunikimin e njeriut me zotin e tij. E ky i fundit ka kushtet e tij. Vetë religjiozët thonë se ai ua ka dhënë vullnetin e lirë; të vendosin vetë se duan të jenë kriminel apo të mirë! E kriminel apriori është ai i kontradiktës që nën 1 thotë Zoti i ka falë të gjithë popujt, gjuhët, kulturat natyrën e bukur, gjithësinë dhe nën 2 kërkon zhdukjen e gjithë atyre që ndonjë libër, program, ideologji i thotë t’i vrasë, t’i zhdukë se nuk qenkan si ai por me vullnet të lirë. Dhe me ta bashkë edhe natyrën po gjeti ndonjë bombë atomike.
A ka më irracionale, kontradiktore se kjo? Nëse po atëherë pse kaq shumë irracionalë të tipit në disa parti politike shqiptare?

III.
Pse partitë politike gjejnë elementin më destruktiv shoqëror si atraksion për fitim votash? Të majtët e bëjnë ngase janë të bindur se vetëm me këtë kategori do ta bëjnë sërish proletariatin e revolucionit të Tetorit të 1917-ës. Në shekullin 21 për shkak të ilumunimit numri i budallenjve që vdesin për utopi koti është tkurrur keq madje edhe në shoqëritë ku megjithatë fitojnë me të madhe partitë e llojit. Prandaj këta u janë vërsulur fetarëve. Dhe gjersa intelektualët religjiozë të heshtin dhe të rrejnë poaq sa të majtët dhe revolucët tjerë gjendja do të vazhdojë kështu. Nuk ka rëndësi se në cilën ideologji besojnë njerëzit, interesimi është tek intensiteti i gatishmërisë së tij për dhunë dhe përmbysje – kjo është deviza e postmarksistit prostalinist.
Ndërsa të djathtët kanë bërë monopol kombin. Jo për ta mbrojtur si kulturë, por poashtu si të majtët për ta përdhunuar për vota. Elektorati ku garojnë është gati 100% shqiptar. Të vetmen temë atraktive që mund t’ua ofrojnë është: ta mbrojmë popullin shqiptarë nga ekstremistët e grupit të parë se vetëm kështu mund ta bëjmë bashkimin kombëtar. Votuesi dridhet para tij nga ftohti, pamundësia për shkollim; nga skamja dhe të vetmen gjë që ka është identiteti i tij të jetë shqiptarë, hiçgjë tjetër s’ka. Do të çohen lugat Bajram Curri dhe Hasan Prishtina t’i presin drunj për dimër atij? Po si i tillë me çka ta luftojë ekstremistin e grupit të parë?
Siç shohim grupi i parë prodhon politikën e grupit të dytë. Dhe që konfuzioni ta çmend shqiptarin e ngratë; shumica e partive përdorin të dyja këto metoda ndaj të njëjtit njeri dhe ky, ky i fundit kur hynë në ndonjë kafene dhe ia fut grushta ndonjë gazetari, kamerieri apo polici civil pa asnjë arsye apo sa del nga ndonjë tubim elektoral, çohen të dyja palët dhe kërkojnë arrestimin e tij, bëjnë protesta dhe bëjnë lynchmob legal sikur të jetonin në shtet pa ligj, pa barazi qytetare dhe me gazetari profesionale – që dikur ia nisi e sot është bërë vetë shakatarja e lynchmobeve. Partitë që rrihen ndër vete, rrahin edhe gazetarët e njëra tjetrës – krejt (ab)normale!

IV.
Pra partitë politike nuk kërkojnë votat për të zgjedhur problemet religjioze dhe kombëtare – as janë në kompetencën e tyre e as që munden – atëherë pse i votojnë plotë njerëz pikërisht të motivuar nga ky aspekt. Ç’kërkojnë gjithë ata radikalë në LVV, ARK, ç’kërkon PDK dhe LDK nga organizatat fetare dhe xhamitë që i lënë të funksionojnë si shtete satelite në vete të Turqisë, Serbisë apo dikujt tjetër? Duan të zgjedhin me ata paradigmat se kombi është para fesë apo anasjelltas? Jo. As që u interesojnë këto tema. Besojmë as radaka nuk ua kapë qoftë edhe si definicione. I përdorin si instrumente mashtrimi të masave. Këtë nuk e kundërshton asnjë njeri normal apo? Edhe pse është instrumentalizimi ma injorant i mundshëm. Është tallje dhe fyerje e njeriut nëpërmjet fesë, kombit, respektivisht me tema asgjëthënëse që janë domen i shkencave, të cilat për çdo vit hyjnë sa më thellë zanafillës së qytetërimeve njerëzore, aq thellë deri atje kur s’kishte as komb, as fe e as njeri, e më së bukuri as parti politike.
Partitë politike që mbajnë ders si imamë apo meshë si priftërinj nuk i voton njeriu normal. Fetari edhe më hiç. Ngase ky e dinë ku janë xhamitë dhe kompetentët. Njeriu sekular ia jep votën atij, asaj, pikërisht atij/asaj që nuk tenton ta manipulojë me këto dy tema, ngase janë peshkuese për injorantë, por jo për njerëz të pjekur.
A votohet ai që të merr për injorant pa të njohur fare?

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.