Vota ime për Prishtinën!

Prishtina është ndër kryeqytetet më rurale, të pazhvilluara të Gadishullit ballkanik. Imazhi i epiqendrës si brenda edhe më shumë jashtë është katastrofal. Prishtina ka nevojë për një kryetar që e bënë të pamundshmen. Ajo s’ka nevojë për të tillë që s’mund të bëjnë asgjë! Shikuar nga peshorja dhe ora ime zvicerane me plotë shpresë ja cilin e kisha votuar!

Epiqendra e një kombi, shteti është kryeqyteti i tij. Nëpërmjet tij të (para)gjykon, imagjinon dhe vlerëson bota vendin dhe banorët e saj. Nga njëra anë sepse ai është selia e qeverisë, parlamentit, kryegjykatave, shkencës, kulturës dhe nga ana tjetër sepse aty janë ambasadat, organizatat ndërkombëtare dhe është stacioni i parë i çdo turisti dhe medie botërore.
Kryeqyteti është determinuesi kryesor se si do të duket në sytë e botës shteti, kultura, politika, ekonomia, kosovari brenda dhe ai që del jashtë, botës si i tillë.
Cila është fytyra aktuale e tij, cili është «efekti i vendit» – siç e quan Pierre Bourdieu [et al: 1993]në një studim të tij ndikimin epiqendrave, vendeve që perceptohen si qendra të diçkaje, në konstruktimin e imazhit të Kosovës si shtet, vend dhe kulturë? Perceptohet kryeqyteti kosovar si «epiqendër e mjerimit botëror» apo si metropol në zhvillim e sipër? Këtë studim nuk e ka bërë deri sot kush – se si duket Prishtina në sytë popujve dhe shteteve tjera. Por nëse bazohemi në raportet e medieve të huaja, deklaratave të rezidentëve të huaj aty, në portretin që e bëjnë vetë mediat nga aty dhe vendorët, atëherë ky është portreti aktual i Prishtinës:

II.
Qyteti ku qentë endacakë të kafshuakan fëmijën mu në pikë të ditës. Qyteti, ku selinë ka një qeveri e korruptuar dhe kundër së cilës partia e perfektit të qytetit i përdor dhe dirigjon flash-mobet për të demoluar, shkatërruar, djegur pronën e kryeqytetit ku sundon; me gaz, molotov, gurrë. Vendi ku politikani rreh kundërshtarin e tij me grushte në debat televiziv. Aty është agora politike e një kombi, parlamenti ku seancat shpesh nisin në tym nga gazi i opozitës dhe mbarojnë në duar të sanitetit të qytetit që është poashtu në duar të opozitës, shkaktuesi i helmimit është përgjegjës edhe për bartjen e viktimave të helmuara për spital. Rrugët e lagjeve u përngjajnë atyre të Aleppos ku granatat dhe raketat kanë hapur gropa po aq të mëdha sa pishinat e politikanëve të korruptuar. Qenka vendi ku ekzistenca e një katedrale të pakicës katolike perceptohet si nxitje për hakmarrje me ndërtimin e të 999-ës xhami. Është kryeqyteti ku kërkohet përjashtimi i tempujve sekularë të dijes ne periferi për tu bërë vend manastireve fetare për të ndërtuar aty qendra tregtare ku do të shitet «mish hallall». Është kryeqyteti ku esenca e planit urban del të jetë kaosi, pra mungesa e tij, e cila manifestohet me pallate të egra si ato që ndërtonin dikur rusët gjithandej Malit të Zi për të shpëlarë paratë.
Nëse lexojmë pra vetëpërshkirmin dhe krahasojmë vlerësimin e tjerëve, pa i injoruar apologjitë e pushtetit të kryeqytetit,atëherë Prishtina më shumë i përngjanë «epiqendrës së mjerimit» se sa diçkaje tjetër.

III.
Nuk paska asgjë pozitive kryeqyteti kosovar, por qenka vetëm ferri vetë? Me siguri që ka por është ashtu siç shkruan Makiaveli tek «Arti i Luftës»: «Fitorja bën që të harrohen gjitha masat e rrepta, ashtu siç bën humbja të harrohen gjitha përparësitë e krijuara më parë». Përkthyer kjo donë të thotë kështu: Po të kishte arritur Shpend Ahmeti qoftë edhe vetëm në një aspekt ta ndryshojë gjendjen e asaj Prishtine siç e përshkruam më lartë qytetari do t’i harronte të bëmat e partisë së tij që ia shkatërruan imazhin Kryeqytetit me dhunë, sjellje destruktive dhe eksese që ende trajtohen gjykatave dhe do ta rivotonte. Pasi kryetari i shkolluar në Ndërmarrësi dhe Public Policy në Blagoevgrad të Bullgarisë dhe Harvard, ku viti studentor kushton 52 mijë dollarë humbi luftën, dështoi pozitivitetet eventuale janë irelevante.
Nuk pati kohë? Natyrisht. Por po matëm projektet e 4 vjeçarit para tij kur u bënë ngrohja qendrore, fabrikat e ujit, unazave të komunikacionit, infrastrukturës dhe shesheve, atëherë, autobusët me shoferë që ua mbyllin dyert dhe ua nxinë hundët pensionistëve nuk mjaftojnë as 1%.
Një pjesë e analistëve thonë se këtë ia bëri partia që e dhunoi që në vend të kuadrove të specializuara punësoi qindra militantë të egër e të pakualifikuar nga gjithandej Kosova e tjerë thonë se e bllokoi qeveria. Aristoteli tek etika thotë se «i lirë është ai që veprimet i nxjerr nga vetja dhe i konsideron si shkakun e fundit, kryesor [të veprimit]». Nëse një personalitet nuk e organizon dot lirinë për të vepruar vetë, ai është i paaftë për postin e të parit të një kryeqyteti, mund të jetë ushtar i mirë i një lideri tjetër por jo më shumë. Ç’liri mund të¨sjell një njeri që s’mund as të veten ta sigurojë madje edhe me pushtet?
Shpend Ahmeti vërtetë doli i paaftë. Prishtina më shumë u dëmtua se përmirësua. Prishtina nuk ka nevojë për një perfekt që të vetmen gjë që bënë është të gjenerojë padrejtësi në tregun e punës dhe më shumë se gjysmën e kohës e kalon si tifoz arenave sportive ose duke u freskuar me Coca-cola jahteve të oligarkëve.
Ky është bilanci. Shpend Ahmeti nuk mund ta ndërtojë Prishtinën në Metropol prezantues pozitiv siç i duhet një shteti. Me këtë renditë as në kushte hipnoze nuk meriton votën!

Po konkurrenca e tij? Cilat janë kapacitetet. Menaxheri i depalcimit të objekteve? Selim Pacolli është figura më komike e këtyre zgjedhjeve. Jo për shkak se sajon filma të tipit të atij komediantit anglez Borat, porse politikisht, botëkuptimet dhe mësimet i ka nga një dimension që nuk i shkojnë jetës reale, fizike, problemeve praktike të Prishtinës. Vetëm menaxheria nuk i ndihmon dot, jo përballë të një të tilli të shkolluar në Harvard. U pa se shkolla dhe profesioni nuk e bëjnë njeriun apriori efikas për qeverisje – sidomos në politikë. Votë? Do t’ia japin ata fetarët sa për të dëmtuar Shpend Ahmetin, ngase atij ia dhanë herën e kaluar, më shumë s’ka.
Arbër Vllahiu ka përvojë në rrafshin nacional. Por pa gjasa. Është nga ata figurat që u shkojnë postet e këshilltarëve ngase oportunist dhe atë në kontekstin negativ të fjalës, më shumë jo. E siç shkruam lartë, nga kandidati pritet që të jetë i fortë dhe si sigurt ne vete, dinamik dhe parasëgjithash duhet ai që vendos vetë, përndryshe gjithçka që premton do t’i bllokohet nga oligarkët, pushteti qendror, partia e vetë apo tjerat dhe në fund do të dështojë si Shpend Ahmeti.
Është ai që do t’ia jepja votën Lirak Çelaj? Jo. Nga të gjitha profilet e studiuara ky më duket si më jo-afini, respektivisht si po aq i varuri nga partia sa edhe kryetari aktual Ahmeti. Përndryshe nuk ka biografi aktive personale, më shumë njihet nga skandalet dhe marionetizmit i pandehur se për diçka tjetër.
Vërtet do të ishte humbje kohe, parash dhe nervash që në Prishtinë të shkohet në balotazh, së paku jo kësaj radhe, ngase Shpend Ahmeti nuk e nxjerr dot Prishtinën nga balta, e dëshmoi. Selim Pacolli dhe Arbër Vllahiu janë votë e përkohshme dhe nuk do të ndezin. Prandaj qytetarët pragmatikë duhet të vendosin ndërmjet dy kandidatëve me shanset më të mëdha: Arban Abrashit dhe Shpend Ahmetit (ngase ky i dyti e ka një bazë të siguruar nëpërmjet strukturave të punësuara ne komunë dhe firmave që ka ndihmuar e jo se qytetarët kanë edhe ndonjë arsye tjetër ta votojnë.) dhe ta mbyllin këtë punë që në raundin e parë.
Prishtina kërkon një personalitet që do të sfidojë gjitha pengesat e mundshme, qeverinë dhe gjithkënd që në një mënyrë apo tjetër e mban të pranguar brenda atij imazhit që e vizatuam në hyrje të këtij teksti. Dhe për mua, nga perspektiva ime e orës dhe peshores zvicerane vetëm njërit ia kisha dhënë votën: Arban Abrashit! Dhe nga i vetmi motiv dhe interes: Dua që këndej kah jetoj imazhi i Prishtinës të më krenojë e jo të më falsifikoj nga turpërimi e të sillem sikur të mos kisha asnjë lidhje me atë vend – me të cilin jam shumë më i lidhur se me çdo qytet tjetër të origjinës sime. (Marrë nga faqja personale www.xhemal-ahmeti.com)

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.