Partitë e shpresës dhe dështimit

Askush nuk fitoi. Më së paku fituan ata që festojnë. Ata festojnë dështimin e tjerëve dhe jo frytet e punës së vetë. Kështu ngase fitorja e tyre nuk rezultoi nga puna, zgjuarsia dhe aftësia e tyre, por më shumë nga dështimi i paraprogramuar i tjetrit. Orgjitë para prushit ku digjen tjerët i bëjnë rëndom drunjtë e ardhshëm për zjarrin e dimrit tjetër

Rikthimi masiv i LDK-së nuk u diktua nga aftësia gjeniale e shtabeve të saja, as PDK nuk korrigjoj pozitën me forcat e veta, gjithçka rezultoi si përfitim nga gabimet e LVV-së, imazhit nëntokësisht të katapultuar dhe stafit me senzorë alienesk të PDK-së si dhe mungesës së kapaciteteve dhe ofertave nga AAK dhe tjerat. Këto janë arsyet e ngadhnjimit të LDK-së kësaj radhe. Lexohej qartë që para zgjedhjeve kjo.
Por jo, alter-parlantët (ata që më së paku ndikuan në fitoren e LDK-së nëpër komuna dhe që si zakonisht më shumë dëme i bëjnë) e këtij realiteti na sugjerojnë se gjithçka që ndodhi e kishin paracaktuar me matematikë, strategji, diktat. Sidomos ata të taborit fitues kanë ngjitur kollaret dhe pozojnë profetin, parashikuesin, demiurgun. Gjenitë në veprim? Jo. Është arrogancë snobeske, e padurueshme që tek njeriu objektiv, ai që drejtëpërjeton proceset dhe tek qytetari i sinqertë, me inteligjencë të pafyeshme, përjetohet si fryrje gjelash që kurrë sytë nuk ua kanë parë një pulë – hakmarrja pason në zgjedhjet e radhës.
Edhe dy gjera duket sikur më së tepërmi irritojnë shqiptarët deri ne aversion e refuzim: snoberinë e politikanëve dhe tendencën për t’i mashtruar në emër të fesë.
Po a nuk është e mundur që këta «strategë» të kishin paraparë se sjellja defektive dhe negative e tjerëve do t’u mbush konton atyre? Jo, nuk e parapanë këtë. As i madhërishmi nuk ua tha para se të dalin rezultatet e DnV-së.
Analiza e fituesve (e dokumentueshme) sugjeronte këtë: mëtkurrje të PDK-së, rritje të LVV-së edhe nëpër komuna dhe vendnumërim të LDK-së. Kështu del sinteza prognostike e fituesve dhe humbësve jashtë PDK-së (këta ende nuk i ka braktisur shoku halucinativ), nëse analizojmë deklaratat dhe sjelljet e tyre para rezultateve.
Tash flasin ndryshe. Natyrisht se u bë ndryshe ngase ç’profetizonin. U bë ashtu siç shpresonin me sekpsë fituesit dhe ashtu siç pandehnin në frikë humbësit se do të bëhet. U bë siç doli jo se dikush shpresonte apo frikohej, porse s’kishte si të dilte ndryshe rezultati. E këtë e dinin vetëm ata përtej partive, apartiakët dhe objektivët, të cilët më ndryshe analizojnë perceptimin dhe vullnetet e masave se sa të hendikepuarit me librezën apo fondet e partisë.
Ç’na thotë kjo situatë?
Kjo na kallëzon se pritjet e secilit shtab nuk bazoheshin në shkaqet proksimate, ultimative apo fondamentale të analizës dhe strategjisë që kishin bërë, porse dëshironin, shpresonin, i luteshin zotit që të fitojnë vota – mundësisht në kurriz të tjerëve. Pushteti mirëpo nuk fitohet me shpresë, por me punë, ai s’duhet të fitohet si prodhim konstelacionesh në disfavor të tjerëve por në sajë të aftësive dhe ofertave personale. Dhe me këtë fjali të fundit mbërritëm tek esenca e politikbërjes a la shqiptarçe; boshti, baza dhe finalja e luftës për pushtet e secilës parti politike shqiptare nuk është strategjia personale, idetë e reja për më shumë zhvillim, ndërtim të shtetit, demokracisë dhe ekonomisë, por ato varen nga dështimi i tjetrit. Kjo është e vetmja mundësi që t’ia zë vendin i pari të dytit dhe anasjelltas deri në pafundësi.

II.
Shteti nuk ndërtohet duke pritur, shpresuar dështimin e tjetrit, ngase pas katër viteve do të dështosh edhe ti: kjo është «profeci» e garantuar. Shpresa madje – nëse ua pranojmë tezën Descartes-it, Hume-it dhe Bloch-ut – si afekt i ndjenjës që është, domosdoshmërisht del të jetë fabrika kryesore e pritjeve iluzore, ngase pengon atë «veprimin aktiv» për të ndryshuar gjendjet pa ndihmën e fuqive të padukshme dhe rënien në gropë të tjerëve. Efekti maksimal i shpresës mund të jetë, siç thoshte John Locke, lumturi (kohëshkurtër) e frymës, me të cilën nuk ndryshon hiçgjë pa u vënë në veprim konkret. Shpresa nuk është program për botën e këtejshme, por vetëm ndjenjë që shpëton çarjen skizofrenike të njeriut ndërmjet pesimizmit dhe optimizmit, pra ai emocioni i natyrshëm që kthjellon, siç thoshte Gramsci, për t’i fuzionuar të dyja në bashkëveprim; «pesimizmin e arsyes me optimizmin e vullnetit» në favor të një strategjie konkrete veprimi.
Gjyshi frymor i plotë politikanëve kosovar Lenini (ta citojmë atë që e njohin primatët atje, jo se më konstruktivi) e dinte këtë kur i diktonte Clara Zetkin-it dhe të vetëve këtë: «Ne komunistët nuk mund të presim e rrimë krahëhapur që kaosi të përfundojë në një X-drejtim të mundshëm. Ne duhet ta drejtojmë procesin me plan dhe të diktojmë rezultatet e tij».
Asnjëra parti në Kosovë, këtyre dhe zgjedhjeve të kaluara, nuk ofroi as kapacitetet minimale që nisur nga vetvetja, nga veprimi i vetë të ndikojë në rezultatet. Të gjitha punuan natë e ditë – edhe ish të burgosurit e Goli Otokut që thyenin nateditë gurrë punonin – por nuk dinin se çka do të ndodhë ngase të vetëdijshëm se jo puna dhe aftësia e tyre do të vendosë, por totalisht faktorë tjerë. Jetojnë sipas maksimës proverbiale të Anatole France që thoshte: «Puna është diçka e panatyrshme, dembelia është hyjnore»? E paskan keqkuptuar se maksima ka një thellësi ndryshe se ç’manifeston dimensioni grafik i shenjave.

III.
Tezën që e përsërisim që nga zgjedhjet lokale të vitit 2013 mbetet në fuqi: Partitë asnjëherë nuk e marrin seriozisht mesazhin e votës së demosit, nuk e kuptojnë arsyen pse i favorizojnë ose ndëshkojnë. Përkundrazi e falsifikojnë atë, çka detyrimisht çon në rënie-ngritjet aq të shpeshta të partive.
Ato poashtu nuk veprojnë sipas asaj çka dëgjojnë nga bazat, por në bazë të asaj çka mendojnë vetë se qenka më mirë për bazat. Ato shkojnë te masat dhe u mbajnë ligjërata atyre se sa i mirë është Zoti, lideri, mirëqenia dhe kur janë pyetje përgjigjet zgërdhihen me arrogancë ose i zë gjumi, ngase nuk dëgjojnë. E pa ditur, njohur problemet e terrenit nuk vepron dot sipas kërkesave të tij, por sipas fiksacioneve dhe iluzioneve tua dhe shpreson të të ndez, ashtu siç të shushuritin në vesh këshilltarët dhe militantët, të cilët po si ai Pangllosi i Volterit vetëm pozitivisht dinë të mendojnë e reflektojnë për veten – natyrisht me ndihmën e Zotit se gjithçka tjetër është e mundimshme e temperamenti ballkanas nuk pret dot ngjitje stabile dhe afatgjatë por preferon më lehtë rënie ngritje deri në përplasje.
Rezultati i fundit i zgjedhjeve pra nuk është prodhim i kualitetit të kësaj apo asaj partie, por pasqyra reale e dështimit të të gjitha partive. Fituan nga dështimi i tjetrit ose dështuan se fitoi kësaj radhe tjetri. Jo më shumë. Votat mbesin, partitë, ato sapo të dalë njëra parti me strategji të mençur, dinjitoze dhe e punës do t’i margjinalizojë përfundimisht. Ose numri i votuesve do të vazhdojë të pakësohet dhe kur të mos dalin më as 30% në zgjedhje demokracia si sistem do të ikë out. Dikur edhe votuesi do të nis të shpresojë se megjithatë ndihma ardhka vetëm si mrekulli e Zotit dhe jo ndryshe dhe teokratët, oligarkët dhe minitiranët mezi presin.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.