Tangoja gadafiane e Gjakovës

Gjakova është njëri nga qytetet më të rëndësishëm të Kosovës. Në histori, sot dhe në prospektivë. Qyteti nuk do ta gjej kur prijësin e tij ideal, mirëpo me kulturën dhe traditën që ka ai duhet ta bëj një thyerje: ndarjen nga mendësia dhe forma e veprimit jugosllav dhe votimi kundër atyre që për karrierë dëmtojnë qytetin.

Nga Leonard KOMANI

EMRI DHE MBIEMRI / Vërtet kush e pagëzoi ashtu fshatin Kusar të Gjakovës. Duke kërkuar etimologjinë e fjalës zonave digjitale u detyruam të ecim gjeografisë së provincës Razavi Khorasan të Iranit ku gjetëm një fshat me të njëjtin emër dhe përfunduam tek fisi sunit Haussa i Nigerisë, në gjuhën e të cilit kusar donë të thotë mbyllje. Në shqipe fjala kusar (FGJSH) donë të thotë, për t’i rënë me shkurt hajdut me çizme; vjedhës; plaçkitës me dhunë. Fjala siç kuptohet shqipe nuk ka asnjë lidhje me gjuhët dhe vendet ku e gjejmë sot, sidomos jo me arabishten, persishten, turqishten ( në gjuhët përkatëse hajduti pa çizme quhet: las/qarsan/dozd/rahzan/korsan/soyguncu).
Ndërkaq Mimozës ia dinë kuptimin shumëkush. Vjen nga Mimosa pudica ajo lulja tropike që përkthyeshëm quhet edhe lulja plotëturp dhe tepër e ndjeshme.
As emri e as mbiemri nuk i shkojnë biografisë së Mimoza Kusarit. Ajo nuk është lule që ka turp nga diçka, as e ndjeshme nuk është sa për t’u duk, e për kusare, pra plaçkitëse me çizme nuk e ka dënuar ndonjë gjyq deri tani.
Dakord këtë e dimë se emri i njeriut nuk përcakton karakterin e njeriut. Vetëm se na doli ashtu në kërkim e sipër të rikandidates për kryetare të Gjakovës.

ORIGJINA / Mimoza Kusari është fëmijë e një familjeje të privilegjuar në kohën e ish – Jugosllavisë. Nga ato fonde familjare, si shumica e fëmijëve të ish funksionarëve jugosllav të Kosovës, ajo studjoi në Prishtinë dhe specializoi në SHBA si „Master of Business Administration“. Pikërisht ky formim, edukim ndoshta e lidhi edhe me politikanë me linja të forta me sistemin e kaluar siç është Behgjet Pacolli, i cili ngritjen e tij biznesore e nisi dhe forcoi nëpërmjet serbëve dhe rusëve, ku pajisej me oferta ndërtimi që i sollën shumat e para marramendëse dhe hyri në listën e milionerëve. Ikja e saj shumë më lehtë tek partia e akuzuar (padrejtësisht) si e post-titistëve të LDK-së interpretohet po-ashtu nga ky kontest.

KARRIERA / Pikërisht kjo lidhje thuhet se e detyroi atë në „gabime“ të ndryshme politike. Disa prej tyre që i përmenden më së shumti: Semistriptiz-Tangoja para ish diktatorit Gadafi; Pranimi si mysafir të parë pas zgjedhjes kryetare e qytetit të wahabistit të pandehur për nxitje dhe terrorizëm imamin kontrovers Shefqet Krasniqin; Ndarja e padëshirueshme dhe diskriminuese e varreve të gjakovarëve në myslimanë e krishterë; tentimi për ngritje vjedhurazi dhe kundër vullnetit të shumicës së gjakovarëve një përmendore për vasalin jugosllav me trastën plotë krime Drenicës e gjetiu Fadil Hoxhës, që ia rrëzoi pastaj Kuvendi Komunal.
Akuzat se ecë mbi kufoma, ndërron parti, aleanca e partnerët politikë saherë donë të ngjitet në ndonjë shkallë të re të karrierës qëndron. Por kjo nuk është asgjë e pazakonshme në politikë. Është fusha ku sidomos shqiptarët veprojnë aty të mos mbizotëroj asnjë parim e asnjë moral. Pse duhet Mimoza të bëjë ndryshe? Ose pse vetëm asaj i zihet kjo për të madhe? Ngase është femër? Assesi.
Megjithatë folur drejtë as për organizatat dhe të drejtat e gjinisë së diskriminuar Mimoza Kusari nuk bëri hatanë. Për Gjakovën edhe më hiç; as kur ishte ministre e as si kryetare. Ose çka bëri? Sa herë lulëzoi drita e Gjakovës mbi gjithë Kosovën me projektet e saja që duhej të merreshin si shembull? Asnjëherë?. Përkundrazi: Gjakova intensivisht zuri ballinat e medieve nacionale për shkak të të bëmave ekstravagante të krijimit të partive pub-eve të Prishtinës; për problemin me varret e myslimanëve dhe katolikëve dhe për bustin e Fadil Hoxhës. Prandaj me të drejtë disa thonë se po të ishte koha e ish-Jugosllavisë Kusari do të ishte pasuesja jo e Bakallit, por e Fadil Hoxhës. Njërit prej atyre që për të mbetur në pushtet ishte në gjendje ta çojë në pushkatim gjysmën e Kosovës.

VOTA / Gjakova duhet të vrasë dy miza me një të ramë këtyre zgjedhjeve për kryetar komune: 1. Të thyej „traditën“ e lidhjes me mendësinë jugosllave për të cilën pandehet oreçast (jo pa të drejtë se ishte e privilegjuar) dhe 2. Të votojë një që Gjakovën e jo karrierën personale e ka idealin sipëror.
Këto nuk i ka Mimoza Kusari. Jo se është kusare në kontekstin e ngushtë të fjalës, porse ashtu është e edukuar, individualiste me një egoizëm që për bashkësinë më shumë dëmton se sjell të mira.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.