Falsiteti patetik i primaterisë së një «kryeqyteti»

Në letërsi ekziston koncepti «pathetic fallacy» i Ruskinit. Edhe në politologji ka koncepte të tilla, por jo si ky që me aq mprehtësi objektive përshkruan politikën e sidomos luftën aktuale të partive për të marrë apo pasur primatin mbi kryeqytetin-ende-katund të Prishtinës. Një ese që u nis për diçka tjetër dhe devijoji pamflet kundër politikës.

«Pathetic fallacy» është koncept i poetit, kritikut dhe socioteorikut anglez të epokës viktoriane John Ruskin (1819-1900). Nëpërmjet kësaj formule të «falsitetit patetik» Ruskin kritikonte sidomos prozatorët dhe piktorët e kohës së tij, të cilët i konsideronte morfotjetërsues të realitetit natyror. T’i përshkruash apo vizatosh mjegullat duke qarë, drunjtë duke folur, lulet duke u shkri së qeshuri, sipas konceptit të Ruskinit, nuk qenka hiçgjë tjetër përveçse dëshmi për autorë emocionalisht të shkapërdarë kozmosit për të ikur nga vetja. Prandaj viktoriani që për koincidencë vdiq vetë nga kolapset neurotike, shkruante se aksionet e tilla irracionale nuk përdoreshin ashtu si bërthama e gjithë opusit krijues nga magnatë seriozë të artit si Shekspiri, Homeri, Dante, por vetëm nga autorë të rangut të dytë si Keats, Tenyson, Bronte, të cilët i fajësonte të jenë falsifikator të «perceptimeve të natyrshme, normale, objektive kolektive», destruktorë pra të njohjeve të shëndosha të realitetit siç ishte.
Art pa hiperbolizim, me ndjenja të lidhura me kapistër për gjërave, dukurive dhe specieve ashtu siç duken dhe s’ka ndryshe? Nietzsche e kërkonte, me të drejtë, pikërisht këtë që mallkon Ruskin: mbijetimin e realitetit të egër, të padurueshëm nëpërmjet teprimit, tjetërsimit, fantazisë, pse jo edhe nëpërmjet hominimit të lopës, drurit, derrit.
Ruskin ia huqi keq sepse artin e kuptonte vetëm si nemesis dhe memesis, shërbëtore të denjë të realitetit brutal dhe jo më shumë.
Edhe më antagonist bëhet ky deplacim aglorial kur kemi parasysh habitusin interdisciplinar të filozofit social, poetit dhe kulturologut Ruskin. Respektivisht pyetja: pse nuk e spostoi këtë koncept në shkencat politike dhe nëmos për gjë tjetër do të bëhej një referencë plus (dhe jashtëzakonisht me ndikim) për të evituar eskapadat dandeske, qesharake, postmoderne të «postfaktizmave» a la Ralph Keyes [The Post-Truth Era: 2004] e shoqëri? Në cilën epokë është bërë politika ndryshe? Nëse njohim historinë dhe lexojmë që nga fjalimet e senatorëve romakë e deri tek këto fjalimet e primatëve shqiptarë sot (krahasimi jo për nga përmbajtja por për nga dukuria), atëherë e dimë se asnjëherë. Dukuria ekziston qe sa ekziston (regjistruar) zanati i politikbërjes.
Prandaj koncepti i Ruskin-it i «pathetic fallacy» do të ishte është çelësi fenomenal për ta kuptuar politikën kudo në botë saherë ajo është demagogjike, manipuluese, njëdimensionale, formëtjetërsuese pra e realiteteve shoqërore, njerëzore e të llojit. Kështu shkakuse: a nuk është bërthama e politikës siç është edhe në shekullin 21, arti i falsifikimit të njohjeve kolektive në favor të liderëve, partive, shtetit? Diku më pak e diku më shumë, por gjithandej po. E sidomos në shoqëritë pa shtete të konsoliduara ligjore politika bëhet vetëm kështu, me falsitet patetik e askurrë ndryshe. Kulturozona shqiptare i përkon poashtu kësaj pjese.

2.
Të dalim jashtë laboratorit teorik rrugëve të realitetit kosovar për të parë se si dhe pse ndodhë gjithë kjo luftë e partive politike për t’i falsifikuar njohjet kolektive mbi realitetin në të cilin jetojnë me epoletat për vete apo thika për kundërshtarë. Parasë gjithash si ndodhë kjo?
Se sa i vyeshëm është koncepti i Ruskinit për politologjinë bindemi saherë reflektojmë mbi zgjedhjet shqiptare. Për ta provuar atë mirëpo me procese aktuale dhe për ta zënë llojin e politikës in flagranti le të përpiqemi të përshkruajmë garën ndërmjet taborëve për kryetar të kryeqytetit kosovar:
Prishtina nuk është kryeqytet, as metropol – dhe nuk bëhet saora. Çdo lagje periferike e qyteteve të mëdha perëndimore është më kryeqytet se ajo. Të korrigjohemi: asnjë lagje periferike dhe katund perëndimor nuk i ka ato probleme elementare siç i ka kryeqyteti kosovar; ujin, nxjemjen, bërllokun, gropat, transportin, dritën. Gjitha këto premtohen qe sa është Prishtina. Jo vetëm 20 vitet e fundit, katundi disurban është në këtë derexhe, por qëmoti, histori është kjo punë- dekadash. Se kryeqyteti është në këtë gjendje është meritë e Jugosllavive I, II, III, të majtëve, të djathtëve, banorëve, grave, burrave, pleqve, qenve dhe gjithëve që jetojnë në atë qiell. Natyrisht fajin më të madh e bartin politikat që nga ajo e shokut Tito e deri tek kjo e Shpend Ahmetit. Fushata mirëpo nuk zhvillohet nisur nga kjo gjendje reale, objektive, e cila sugjeron; jemi në lloç dhe si duhet të dalim, por ajo zhvillohet në modusin: kush gënjen më shumë për të shkuarën dhe kush premton më manipulueshëm të pamundurën! Pasi të dyja palët operojnë me shigjeta jo vetëm post, por edhe parafaktike (dokumente si akte, të cilave askush nuk ia dinë historinë reale, gropa njëqindvjeçare që i shfaqin si dje të hapura, ndërtime pa leje që sa është Prishtina e që janë dyfishuar brenda dy tri viteve të fundit, nepotizëm tradicional dhe të ri partiak dhe plotë të tjera). Qytetarët i njohin gropat, të moshuarit e dinë si ato me dekada janë aty, të rinjtë e dinë se ky i fundit nuk i mbylli dot; i papuni e dinë se cilës parti duhet t’i takojë për të gjetur punë në qytet; i pastrehu e di se s’ka gjasa pa ikur jashtë; shkrimtari shkruan më mirë në letër që mos ia vras vargun KEK-u e kështu deri në pafundësi – ky është realiteti objektiv. Ai që nuk e pranon realitetin – qoftë edhe vetë të jetë shkaku i tij – nuk e ka ndërmend ta ndryshojë atë – aksiomë kjo!

3.
Prandaj militantët dhe partitë përdorin atë metodë që Ruskin e quan «pathetic fallacy», ngase siç thonë edhe Lorraine Daston dhe Peter Gallison në kryeveprën shkencore mbi Objektivitetin [2007], nëpërmjet titullit të kapitullit të parë: «Objektiviteti është shok, goditje», të cilën sidomos politika nuk e përdor dot se vret veten në thelbin e saj, kur ajo është demagogjike, vetëmashtruese dhe manipulative. Prandaj partitë hiperbolizojnë, sakralizojnë të vetët si të pagabueshëm, si bërës metropolesh me shkop magjik (e pamundur kjo); për këtë arsye militantët çdo dështim të primatit të tyre e interpretojnë si dëshirë të Zotit, faj të demonëve e asnjëherë mospërmbushje premtimi të ndikuar nga mungesa e kapaciteteve;  veprojnë kështu se në këtë mënyrë ato besojnë në fuqinë e irracionalitetit që me pafuqi e lufton Ruskin dhe që në rrethanat shqiptare duket kështu: nëse ka aq njerëz që besojnë se edhe lopa mund të bëj bakllava; se edhe druri flet e lulja qesh, pse të mos ketë plotë të atillë që do të besojnë se lideri ynë bën llaf me profetë dhe vetë zotin dhe e din se si do të funksionojë e nesërmja sipas regjisë së tij?
Kulminacionet e këtij irracionaliteti i përjetojmë me llafosjen e politikanëve me të vdekurit; me mungesën absolute të autokritikës dhe inekzistencën fraksioneve interpartiake; me premtimet për metropole fshatrave pa dritë e ujë; i dëgjojnë për çdo ditë gjatë fushatave elektorale, të njëjtat, si mostra të përjetshme retorike, sikur të ishin përrallat hyjnore dhe megjithatë aq pak njerëz i bien tavolinës me grusht dhe sabotojnë totalisht këtë falsitet patetik të politikës me të cilën vazhdon t’i marrë votat kryesore për të vazhduar apo ardhur në pushtet, tash e përjetë.
Realiteti në kryeqytetin kosovar është tmerr – në krahasim me kryeqytete tjera ballkanike – dhe kjo nuk ndryshon aq lehtë. Ky është realiteti.

4.
Është lehtë tu shkruash njerëzve si është. Tu përshkruash të mjerëve me përpikëri elementet e ferrit para të cilave ata qëllimisht mbyllin sytë se tjetërsoj s’mbijetojnë dot – qoftë edhe në mizërie. Pse mos kanë ndonjë alternativë, sidomos kur ne u themi se jo vetëm njëra, por të gjitha i gënjejnë, përdhunojnë, i keqpërdorin me falsitete patetike, për t’i mbajtur ashtu lidhur sikur Virgjili të mbante për fyti Kerebreun që ai mos t’ia kafshojë banorët e ferrit? Në këtë pikë edhe dështon çdo analist, tribun, populist, filozof e profet ngase nuk di t’ua vizatojë masave një recetë që do të mundej atyre t’u shërbejë si portë për t’i ikur mjerimit të keqpërdorimit njëherë e përgjithmonë. Edhe po të mundej ta bënte dikush këtë do quhej; totalitar!
E vetmja gjë që i mbetet rezistuesit, e vetmja mundësi, shenjë revolte që i mbetet racionalit që s‘ donë të mbetet në ferr është mosnënshkrimi i atij fati – ngase vota është nënshkrim, pajtim me atë që ta ofron tjetri ose me botën ku je. Ku ta dimë: ndoshta bojkotimi sa më masiv i kësaj lloj politike do ta bëjë atë të ikë vetë. Fuqi inteligjencie, shkolla, media që do të punonin ne këtë drejtim dhe në favor të objektivitetit të pa-kushte nuk ka. As njësha madje që do ulërinin me sinqeritetin e Migjenit duke kërcënuar me grusht ndonjërin mal qoftë ai oligark, nepotist, injorant nuk shohim, nuk ka. Prandaj individi, qytetari mbetet të mëshirën e vetëm vetes. Ndoshta kjo është e mira e gjithë fatkeqësisë. Racionalizimi pa ndihmën e atyre që hanë në emër të institucioneve publike dhe çlirimi i përnjëhershëm prej të gjithëve për njëherë, prej gjitha zinxhirëve pushtetore. Ndoshta është ky kushti për të lindur shqiptari i shekullit 21, ndryshe se ç’ishte deri më tani: mjet i lehtë për falsifikatorët patetikë të realiteteve?

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.