Portalisti dhe diaspora

Shikuar nga aspekti i diskursit, komunikimi ndërmjet diasporës dhe vendeve të origjinës, ndodhë vetëm nëpërmjet portalistëve – atë kategori pra që kryeministri shqiptar e cilësoi si kazan. Një shembull i fundit e dëshmon se ai ndoshta kishte të drejtë!

Plus një lugat i ri shqit, shkokërron e përdhos trurin shqiptar: Portalisti!
Në shumës kjo kategori e re thirret: Portalistat! Bëhet fjalë për atë segment semilegal brenda zejes së masmedialitetit që lindi e perceptohet nga shumë si afekti ndër më të krupshmit që polli revolucioni digjital. Themi gjysmëlegal ngase në kushtet e gjuhozonës shqipe shumica e protaleve janë pa adresa e ata që i kanë ca emra si me zor aty, nuk janë pronarët e vërtetë të tyre. Një perëndi e di se kush financon ato. Çdokush, ndoshta, që ka interes të derivojë histeri apo «kauza e agjenda» publike pa guxuar ta tregojë fytyrën.
Termin e popullarizoi kryeministri shqiptar Edi Rama. I fundit këtë e përdori në kontekstin negativ. Karakteri pozitiv i këtij termi do të ishte parafytyrimi sikur të apostrofuarit të vepronin si vektorë të masave drejtë një botë të re mendimesh, informatash, dijesh, sferave të panjohura kozmike e botëshikimesh të shumta. Mirëpo jo, siç thamë, piktori politikan nga Tirana i diskualifikoi si miniporta të paafta për të kapur e perceptuar objektet dhe dukuritë në trajtën komplete të tyre. I denoncoi ashtu sikur të jenë qenie që nuk mund të shohin përtej zonës së radarit metrakatrorësh, aq sa edhe është hija e fizikut të tyre – thënë troç e pa bërë oportunistin, ai i cilësoi të kategorisë si kazan ku hidhen aq shumë elemente organike e anorganike, floro e faunike (fake news) saqë kuzhinieri as që ka gjasën minimale ta dijë se ç’gjellë është ajo që zien.
Ky është imazh tepër i zi, negativ, radikal për portalistat shqiptarë.
Si do që të jetë ia vlen të verifikohet ky diskualifikim. Një arsye, shkas, shembull na e jep drejtori i njërit nga portalet kosovare «Gazetametro» me emrin Valon Syla , i cili shkroi disa statuse me këtë përmbajtje, citojmë:

POSTIMET:
«Votimi i diasporës ne zgjedhje lokale është marri e madhe. Ata që 30 vjet s’ishin këtu, te dielën vendosin për mahallat tona. Dihet, për nivelin e naltë intelektual dhe edukativ të tyre, sidomos kur mendojnë të ulur në shilte, diku midis Evrope /Fjalën e kam për ata që rrinë në FB, e jetojnë me social të shtetit. #banhof #baushtell me #VW me #DVD».
«Diaspora, ngutnu votoni për mahallat tona. Qelna sytë neve këtu, se s’po dimë. Mos na e merrni inati që edhe na kemi bo xhipa, e pare, e kemi dalë në sheher / Nime, tash s’jeni mo interesant, si përpara/ Fjala është për diasporën që rrin në FB me social të shtetit. #diaspora #voton me #gisht»
«Diaspora, a dini me mush flet votimin? Apo ja u mushin fëmija. Që keni nevojë për ndihmë, këtu jam unë / Qelnani sytë për mahallat tona./Fjala është për diasporën që rrinë në FB e jetojnë me socail të shtetit.
«Mu paska gjujt diaspora e VV nërpër webfaqe të hajmeve kundër meje, se kam kritiku votimin e tyre për komunat tona.»

ALUDIMET:
Prandaj edhe kjo ndërlidhshmëri tematike portalista – diasporë! Një portalist, siç quhen së fundi të zejes sulmon diasporën si: me nivel edukate dhe intelektualiteti për tu tallur me ata; kategori e shtrirë mbi shilte mbi të cilat ata dergjen duke menduar për zgjedhjet mëhallëve të Kosovës; si kategori që gjithë kohën rrinë ne Facebook dhe jetojnë nga entet sociale dhe nëse jo kështu, atëherë punojnë bahnhofeve, baushtellave (ndërtimtari) dhe grahin Volkswagen me DVD që ua tregon rrugën; si analfabet që janë të detyruar fëmijët t’ua mbushin fletëvotimet ose të votojnë me gisht; si pjesë e kultursferës shqiptare për të cilët vendorët nuk kanë më nevojë si më parë, ngase kanë bërë vetë xhipa, pare dhe banojnë në shehër (qytet) […]  dhe në fund ankohet se sulmohet për këto që shkroi, aludoi, nga diaspora e VV-së dhe webfaqet e «heimeve»  [pa precizuar se e ka fjalën për shtëpitë, banesat e emigrantëve, për azilet për pleq, të sëmurë, ato të azilit apo e ka për jetimoret, ku nuk gjenden më fëmijë nga Kosova e me prind të vrarë atje, ngase janë rritur].

IMAZHI PORTALIST I DIASPORËS:
Ky është imazhi i drejtorit të portalit në fjalë Valon Syla për diasporën shqiptare. Burimi i mllefit është fare i lokalizueshëm: diaspora shqiptare që votuaka për LVV-në, të cilën ky e paska fabrikë aq të zjarrshme sa për ta urryer edhe gjithë botën e lere më diasporën. Përtej mllefit të autorit të kësaj parade kundër emigracionit kosovar, duhet të shohim se çka qëndron në këto imazhe, cilat prej tyre mund të ishin reale e cilat si konstrukte të shpifura të autorit?
Deri në fund të nëntëdhjetave të shekullit të kaluar, diaspora e re shqiptare (kjo ne perëndimin e ngushtë europian) ishte shëmbëlltyra e shoqërive nga ikën. Adaptimi ishte i rëndë, por jo aq i gjatë sa ai i italianëve, portugezëve dhe spanjollëve. Të fundit edhe sot e kësaj dite kanë probleme bazike të integrimit për shkak të krenarisë së tepruar nacionale që kanë si dhe lidhshmërisë kulturore që kultivojnë shtetet përkatëse me diasporat e tyre. Model i mësuar nga Izraeli. Shqiptarët jo më. Të flasim për Zvicrën si shembull ngase këtu jeton edhe autori.
Gjenerata e parë tashmë është kthyer, pensionuar ose shuar. Të ashtuquajturit secondo dhe gjenerata e mesme, e cila është integruar këtu, proporcionalisht dhe në krahasim me komunitetet tjera, është me vitalja e mundshme dhe nuk depërton vetëm aty ku diskriminohet (kryesi të partive politike, ojq-ve, politikën nacionale, redaksitë e mediave kryesore e të llojit), kur kemi parasysh se Zvicra është pioniere evropiane e partive ksenofobe që menjëherë pas LDB e deri sot, të cilët dominojnë edhe sot skenën politike. Zvicra ka ligjet ndër më të rreptat karshi të huajve. Dhe përkundër kësaj pjesa absolute e emigrantëve shqiptarë nuk janë më klasa punëtore që hapin tunele, që drobiten «baushtellave», por i gjen që nga posti i krye-analistëve ministrive më të ndjeshme të këtij vendi e deri në ato të administratorëve qeverive kantonale e komunale; i has më shumicë katedrave universitare; gjimnazeve e shkollave fillore si ligjërues, pedagogë, lektorë; i gjen gjithandej si funksionarë të lartë sindikatash, e ojq-shë, bankash, si pronarë ndërmarrjesh; i gjen poashtu edhe si shitës; jo vetëm se dihet që janë faktori më aktiv në ligat e para dhe të dyta të sporteve të ndryshme, por i gjen edhe si kuadro trajnuese…dhe natyrisht i gjen edhe si të papunë, si raste sociale të përkohshme, ngase sistemi zviceran nuk lejon më si dikur, gjatë kohë të mbetesh jashtë sistemit. Por kjo kategori e fundit sot kryesisht shoqërohet ose ndikohet nga probleme tjera si sëmundjet dhe problemet të natyrave të ndryshme dhe është aq simbolike që as diskutohet më qoftë edhe nga ksenofobët. Dhe po kjo kategori është ndër më të ngarkuarat e shoqërisë, ngase të marrish ndihmat sociale donë të thotë të këputesh programeve të rehabilitimit, të dëshmosh konkurrimin në tregun e punës dhe atë me mjetet financiare më minimale të mundshme. Ky është realiteti përtej atyre imazheve të portalistit.
Madje edhe po të ishte e vërtetë se LVV-në e voton vërtet diaspora, atëherë me një hulumtim fare sipërfaqësor drejtori i «Gazetametro» do ta zbulonte se ky segment, aktivistët (një numër fare simbolik këndej) e LVV-së nuk janë raste sociale por absolvent universitetesh, aktivistë në partitë e këtushme politike, funksionarë të lartë sindikatash, shumica e të cilëve edhe pse i përket shtresës së mesme ka mbetur idealiste dhe vuan nga iluzioni se edhe Kosovën mund ta detyrojnë të bëhet si Zvicra; pa korrupsion, nepotizëm, pa shkolla të rangut 999999 dhe pa një pjesë aq të madhe që diasporën e përdor si ent social. Njerëzit që i sulmon Syla, rastet sociale pra, nuk janë ata që ia prishin matematikën dhe mund ta ndihmojnë partinë e tij të urryer ta marrë pushtetin, por krejtësisht ndryshe.
Po portalisti do të thotë, dakord po ne nuk duam. Kush ju?

TË DREJTAT LEGJITIME TË DIASPORËS:
Ne jetojmë sot, që siç e quajtën sociologët, historianët e filozofët Bhaba, Bauman, Sasken, Judt, Spivak, Mignolo, Liska (Forumi Bruno-Kreisky për dialog ndërkombëtar: 2007) e tjerë, në një epokë të demokracisë transnacionale, atë të nomadit modern, atë ku diaspora është modeli që mund të shpëtojë globalizimin nga afekti i tij drejt shthurjes së kulturave dhe identiteteve, pra që mobiliteti intensiv të mos bëhet udhëtim drejt kaosit, porqë nëpërmjet diasporës përveç interkulturalitetit të sforcohet edhe shpërndarja më solidare e kapitalit edhe drejtë vendeve në krizë. Kjo ndodhë në Kosovë. Mbi 500 milionë franga për vit hyjnë në Kosovë nga diaspora shqiptare e Zvicrës. E fundit nuk e bën vetëm për çështje patriotizmi pellazgjik, por këtë ia mundëson mobiliteti dhe mundësia e investimit dhe garancive të kapitalit në baza globale: ai mund të jetojë 50% të kohës në Zvicër e po aq në vendin e tij të origjinës. Ai mund t’i ketë dy pasaporta dhe të votojë në të dyja vendet ku paguan tatimin dhe është qytetar. Edhe po erdhi tri apo një herë në vit atje, kjo s’ka rëndësi nëse atje ka pronën e tij, familjen e tij, me këtë edhe të drejtat e tij politike, të drejtën që qoftë edhe për katër javë sa rrin atje të ketë rrymë, ujë në shtëpinë e TIJ!
E kap dot së paku këtë portalisti?

KËSHTU E KA DËSHTAKU
Po nuk është këtu problemi vetëm i portalistëve. Ai është i psikologjisë së thellësive? Është në natyrën e çdo dështaku që fajin për mosrealizimin e tij ta kërkojë gjithmonë në Drenicë, Diasporë, Rusi, Kalamegdan apo diku tjetër. Kështu për arsye se gjitha ato imazhe të rrejshme që i pjell mllefi i portalistëve janë shpifje e kulluar në çdo aspekt të temës. Janë imazhi i shilteve që si duket plotëve u ka mbet si paranojë nga koha kur u strehuan këndej „heimeve“ duke ikur nga lufta e fundit kosovare.
Ka mundësi që Edi Rama mos të ketë të drejtë për shumë njerëz që punojnë portaleve, për këta të këtij lloji mirëpo ka drejtë se janë vërtet kazan. Ka të drejtë ngase portali i këtyre është aq i grilëzuar nga mllefi kundër tjerëve saqë sytë as diellin nuk ua shohin dot. Janë menaxherë linqesh eksterne, të mbledhura, huazuara pa pyetur e konfirmuar zonave anonime për të shtupuar padijen e vetë me besimin iluzor se këtë e bëjnë për masat që i lexojnë.
Diaspora duhet të bëjë natyrisht diçka që mos ta lënë imazhin dhe fuqinë e saj në duar të portalistëve të këndejshëm dhe atjeshëm ta determinojnë relacionin e tyre me vendet e tyre të origjinës.
Me një komunikim edhe me konstruktiv ndërmjet këtyre dy sferave do të ndryshonte shumë gjendja dhe Portalisti i tipit do të mbetej vetëm një lugat që sapo të dalë hëna ia mësynë katakombeve të zonave virtuale me profil tjetër dhe asgjë më shumë.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.