Shkollat që çmendin fëmijë

Gratë prishin familjet për të bërë karrierë, prandaj duhet të trusin në shtëpi. Kompjuteri, televizori janë mjetet e dreqit që duan të shkatërrojnë socialitetin tradicional shqiptar. Kosova nuk është përnjëmend shtet. Jemi ende në vitin 2007. Napoleoni ka qenë transvestit, ndoshta? Mizogjini, shkelje të ligjeve e kushtetutës, ideologji parapolitike teokratik, luddizëm, mizantropi – këto kanë brenda tekstet shkollore në Kosovë. Dhe jo vetëm.

«Kosova ende nuk është e pavarur. Gjendemi para vitit 2008. Gruaja është e predestinuar të qëndroj në shtëpi. Po ndodhi ndryshe nuk ka stabilitet familjar, por divorce, jetimëri, shthurje. Ky degradim natyrisht çuaka në zombizimin e fëmijëve para aparateve elektronike dhe i bëka ata të varur nga kompjuteri, televizori, gjë që shkatërruaka strukturën tradicionale të familjes shqiptare. Magelani të del gambez; Napoleoni sirian; kryeqyteti i Japonisë Pekingu… ». Kjo është natyra e problemeve që janë radhitur sipërfaqësisht mbi përmbajtjet e teksteve të shkollave kosovare, të cilat u kritikuan ditëve të fundit nga mediat dhe sidomos rrjeteve sociale.
Gjithë ata që kanë bastisur librat mësimor të shkollave kosovare që nga fillorja e deri tek shkencat e ndryshme që ofrohen universiteteve e dinë mirëpo se kjo kritikë të duket triviale kur ke parasysh problemet e rënda në këtë drejtim: shumica e materialit ligjërues ende është nga koha e monizmit; studimet e përkthyera janë ato që në perëndim, në këtë formë siç bëhet atje, trajtoheshin seminareve deri kah fundi i viteve të 60-ta e pastaj jo më ose si ad fontes ilustrative për gjetjet e njohuritë më të reja; profesorët e dalë nga ky sistem imponojnë librat e tyre, të cilat as si referencë nuk guxon t’i përdorësh diku jashtë ngase shkencërisht as si punim seminari brenda programit bachelor nuk kalojnë dot; në gjimnaze e shkolla të mesme operohet me biologjitë, gjeografitë, historitë e stadit para katër dekadësh ose edhe më keq se as atë nivel nuk e sjellin pa gabime të rënda formale, teknike.
Përmbledhtazi: çdokush që ka analizuar tekstet shkollore, sistemin arsimor dhe nivelin e personelit të atjeshëm e ka vetëm një kualifikim: katastrofë!
Jo që nuk ka pasur analizë dhe kritikë të këtyre teksteve shkollore. Ata që i kanë lexuar këto analiza mirëpo e dinë se ato janë shëmbëlltyra e kësaj krize, këtij kualiteti, janë po aq hon i dijes sa edhe vetë lënda që trajtojnë. I formuari brenda atij sistemi nuk disponon me dijen dhe metodat e nevojshme për ta bërë analizën e nevojshme dhe kështu kritikën e formulon në trajtën më parapoetike të mundshme (gjuhë e palejueshme në tekstin shkencor se përdhunon objektivitetin dhe neutralitetin e hulumtuesit) duke vajtuar se gjatë përshkrimit të Kuranit paskan harruar ta përmendin shehadetin aq të rëndësishëm dhe se në Wikipedia qëndron data e lindjes së Hanibal Barkës e në librat shkollorë jo.
Për të konstatuar vërtet përmasat e kësaj krize nuk mjafton asnjë kritikë e llojit si kjo, më hiç analiza joserioze, të nxitura nga tenderët, të sponsorizuara nga të njëjtat ministri si konservuese të kësaj gjendjeje apo nga OJQ-të që veçse nuk eksplodojnë nga varësia po prej atyre ideologjive, ministrive, qendrave dhe asaj padijeje që janë vetë bërthama e problemit.

SI T’I LEXOJMË FAKTET E KSPOZUARA ? – Le të përpiqemi të depërtojmë në problemet siç mund të ndikojnë në përditshmërinë e njerëzve të rëndomtë:
Kosova nuk është e pavarur! Gjitha perceptimet janë të mundshme. E ka shkruar ndonjë që nuk pranon Kosovën si shtet? E ka shkruar ndonjë ksenofob që ka probleme me ndikimin e të huajve në vend apo teksti është shkruar në kohën para shpalljes së pavarësisë dhe nuk është reviduar kurrë më. E ku ta dijë këtë qenia në moshën e papjekurisë? Ai e lexon dhe mëson ashtu siç e sheh bardh e zi dhe del jashtë me besimin Kosova të mos jetë shtet. Kalon rrugën pa përfillur semaforin dhe polici i shtetit ia pret rrugën dhe e qorton. Në emër të të cilit shtet e ligji e bën polici qortimin? Prindi i thotë atë të Kosovës. Kush gënjen tash? Libri, mësuesi, polici apo prindi? Të rriturit janë kategorik në qëndrimet e tyre se e “dinë të vërtetën postfaktike”, ndërsa fëmija përshëndet skizofreninë.
I uritur, sapo mbërrin nga shkolla në shtëpi i njëjti bërtet “mami dua bukë”! Ajo është në punë. I ati pi makiato tek «Swiss diamondi» i Pacollëve dhe bën llaf për politikë ose ndanë postera për parti. I mllefosur fëmija e dinë se kush është shkaktare për urinë e tij, nervozen dhe marrjen me politikë të të atit,  nervozen e e përhershme të këtij dhe gjitha problemet tjera: Nëna! Ajo që për arsye se punon, i papjekuri vuan uri, s’ka babain në shtëpi apo në punë dhe kërcënon përmbysjen e familjes – ashtu siç lexoi paradite në librin shkollor të tij. Lindi ushtari për mizogjini!
Me muzikën e padurueshme të zorrëve, inatin për mungesën e nënës dhe fatin e natyrshëm të babait se është burrë kap konsolën dhe fut në të videolojën «Bullestorm», pastaj «Mad World»  dhe si desert atë «Modern Warfare», lojëra këto që psikologët i konsiderojnë si më brutalet dhe që në perëndim janë të ndaluara e në Kosovë jo.
Protoskizofreni paramizogjin tash duhet vetëm të gjej mundësinë e parë për ta shkarkuar agresionin e tij.

ANALIZA – I urituri, i braktisuri, agresivi – gjendje gjitha këto të brendshme – e kanë një rrëfim të jashtëm pra që ua jep kuptimin e ekzistencës së problemeve të tij dhe saga si doktrinë ka mesazhin e qartë për gjendjen, ka fajtorët dhe ata janë: Nëna; teknologjia e «shejtanit» që e bën agresiv; shteti që u sforcon të dy të parët e që de fakto nuk ekziston.
Dhe tani të pyesim edhe pse e tepërt: ku mund ta gjej ilaçin ky parasubjekt i lënë në baltë vallë? Atje në ato ideologjira që përputhen me të tija; tek ato që i thonë se femra është djalli vetë, shteti nuk ekziston dhe gjithçka në këtë botë është gënjeshtër nëse ajo është pa zot?

REFORMA – Ka mundësi që ekskursioni ynë lartë të jetë parapoetik dhe qëllimisht i hiperbolizuar. Ne na lejohet se bëjmë artikull për të sensibilizuar. Kështu nuk u lejohet trajtimi i këtyre temave atyre studimeve kosovare mbi arsimin, të cilat me ofkama e psherëtima për fe e atdhe poashtu kanë dështuar që të alarmojnë sa duhet institucionet dhe shoqërinë ngase me joseriozitetin konfirmojnë domosdonë e gënjeshtrës si alternativë megjithatë më të durueshme se sa sugjerimet e të parëve.
Kosova, Shqipëria kanë nevojë urgjente për reformë bazike në arsim dhe atë me postulate kryesore si objektiviteti, dezinfektimi nga ideologjitë refraktare, çlirimi nga eurocentrizmi, shovenizmi nacional, gjinor, semifedual, thjeshtë ngritja e kualitetit ashtu siç është në disa vende të perëndimit dhe të cilat në formë permanente zhvillojnë reformën – ngase si integron njohjet e reja sidomos në shkenca?
Këtë e ka shteti edhe për detyrë. Për ta mbrojtur edhe veten e jo vetëm qytetarët e tij. Është paradoks të thuash ke kushtetutë laike kur në shkollat përdhosen mësuesit se pse libra bërësit paskan harruar ta cekin shehadetin, ky është standard i paprekshëm në shtetet e sheriatit por jo në ato sekulare. Është absurd ta bindësh dikë se je shtet kur edhe fëmijët të konsiderojnë si fantom që ia pret udhën, jo si ligjvënës por si agresor pasi për të nuk ekziston. Është krim kapital ta kriminalizosh nënën në sytë e fëmijës së saj. Është honi, hadesi, xhehenemi, ferri vetë ajo shoqëri që ka mijëra mësues e asnjë protestë para ministrisë për heqjen e këtyre teksteve shkollore aq primitive, brutale, paramesjetare dhe katastrofale.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.