Çka ndodhi dje?

Me një aksion si klandestin, pa njoftuar paraprakisht opinionin, respektivisht duke e lajthitur atë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj tentuan ta rrëzojnë Ligjin për Gjykatën Speciale. Për ambasadorët e huaj, pjesë të shoqërisë civile si dhe mediat, operacioni i djeshëm në fakt ishte tendencë për „shkatërrimin e shtetit të Kosovës“. Për çka?

Në orët e hershme të mëngjesit, në infokanale të ndryshme zyrtare e private, u shpërnda informata me këtë përmbajtje: „Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, sot pasdite në parlament, do ta rrëzojnë gjykatën speciale“. Fake news apo jo? Zyra të ndryshme të jashtme nuk e konfirmonin dot, ngase nuk hapeshin telefonat e „komplotistëve potencialë“. Duke filluar nga ora 14.00 e pastaj zu zhvillua një komunikim intensiv ndërmjet informantëve vendorë dhe ambasadave të huaja në Prishtinë. Këto të fundit kontaktuan qendrat e tyre, mediat e jashtme dhe çdo instancë supranacionale që merret me Kosovën. Në të njëjtën kohë u ndezën edhe mediat vendore. Ndër të parat gazeta „Express“, e cila botoi tekstin me titull: „Të martën, tre komandantët pritet ta izolojnë Kosovën përfundimisht nga bota“ (Ora: 15:05).
Ambasadori amerikan Delawie nisi postimet një pas një, në twitter, duke apeluar kundër aksionit të trios së primatëve kosovarë. Të njëjtën e bënë edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, duke thënë se drama është më e rrezikshmja që pas luftës. Përfaqësuesja e BE-së në Prishtinë e quajti tmerr një mundësi të tillë. Ambasadorja gjermane reagoi poashtu dhe një pas një tjerët e shteteve të perëndimit. Reagime nuk pati nga boshti tjetër, ai joperëndimor. Gjykata e Hagës e konsideroi aksionin jotrazues, ngase sipas tyre, ata kanë urdhrin e tyre dhe se bëjnë punën pavarësisht çka ndodh në Prishtinë. Washington Post (16.24) botoi lajmin e parë për dramën në Prishtinë. Pasuan Reuters dhe kah mbrëmja shumica e mediave botërore.
Drejtori i gazetës Express Berat Buzhala ishte më aktivi në kampanjë kundër aksionit pushtetor. Ashtu si edhe autori i formatit televiziv „Rubikon“ Adriatik Kelmendi dhe disa të tjerë. Të njëjtët më vonë e bënë një apel publik kundër shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, të cilin e nënshkruan edhe figura prominente dhe poashtu me ndikim si Shkëlzen Maliqi, Flaka Surroi, Agron Bajrami, Arben Ahmeti dhe tjerë të rrethit dhe fisit.
Dikur portali „Express“ avancoi protagonistët e aksionit në „shkatërrues të shtetit„. U botuan 43 firmat e deputetëve pjesëmarrës në „komplot“. Të njejtët, opinionistët aktivë, postuan edhe thirrje për protesta qytetare për të shpëtuar Kosovën nga izolimi dhe rrezikimi i shtetësisë saj.
Ndërkohë u vunë në lëvizje dy partitë opozitare LDK dhe LVV, të cilët asistoheshin nga ambasadori Delawie.
Për fund: Pas dy thirrjeve për seanca të jashtëzakonshme u dorëzuan Qeveria dhe Kryetari i Kuvendit, duke kërkuar azil në zyrën e krye-organizatorit të supozuar të aksionit; Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi.
Çka tash matej dhe cili do të jetë aksioni i radhës? Dhe për çka drama?

*
Aksioni ishte klandestin në fazën e tendencës për ta finalizuar atë. Ndërkaq organizimi i tij nisi qysh javë më parë, kur OVL e UÇK-së plasoi peticionin me arsyetimin: „Nuk jemi kundër Gjykatës speciale por jemi kundër formatimit të saj të njëanshëm, mono-etnik„. Hysni Gucati tha në media se veteranët „ndihen të fyer nga Presidenti dhe çdo deputet që e kanë nënshkruar atë„. Përkundër këtyre floskave me „presidentin“ veç dje u dëshmua se presidenti, dora vetë, doli edhe organizatori i gjithë aksionit. Nënshkrimet dhe teksti i peticionit sapo hynë korridoreve të Parlamentit ndryshuan karakterin nga postulati kundër njëanshmërisë në ultimatumin „të rrëzohet Ligji për Gjykatën Speciale„. Ky është falsifikim eklatant dhe kundërligjor i nënshkrimeve të marra me një arsyetim tjetër. Sipas ekspertëve të ndryshëm një votim i tillë do të ishte madje edhe antikushtetues, ngase nuk ndryshohej dot pa prekur dokumentin kryesor të shtetit – kushtetutën.
Nëse këto pandehje qëndrojnë atëherë edhe akuza që thotë se: „Thaçi, Haradinaj dhe Veseli tentuan t’i bëjnë puç shtetit, Republikës së Kosovës, duke shkelur kushtetutën dhe ligjet, duke rrezikuar izolimin madje edhe shkatërrimin e tij“ është e materializuar mjaftueshëm.
Apologjia e palës tjetër, e cila këmbëngul treshja të ketë të drejtë dhe se e gjithë kjo dramë bëhet nga post-titistët që në këtë skandal shohin shansin e tyre për ta shporrur UÇK-në dhe ta rimarrin pushtetin, del e zbehtë, sidomos për shkak mesazhit që përcolli kjo dramë botës: Dikush ka aq frikë të tmerrshme nga Gjykata Speciale saqë donë të prishet me gjithë perëndimin. E frikë nuk kanë ata që e dinë se janë të pastër. Kështu u interpretua ky aksion i treshes relacioneve publike e jopublike të botës.
Sido që të dal pas ndonjë ekzaminimi hetues gjithçka flet se aksioni nuk ishte në rregull, ishte klandestin, tinëzar, pasi apriori suspendoi të drejtën e demosit që të dijë se për çka në të vërtetë bëhet fjalë. Enigmatike del edhe nënshkrimi i disa deputetëve në listë, të cilët si zakonisht sillen pragmatikë e properëndimor. Kanë qenë të kërcënuar, kushtëzuar? Gjitha këto janë çështje të një hetimi të domosdoshëm.
Por cili ishte motivi nxitës për t’i hyrë treshja një aksioni kundër SHBA-ve, BE-së dhe gjithë aleatëve të mundshëm perëndimorë e natyrisht në favor të atyre që mezi presin ta ripushtojnë Kosovën nëpërmjet Rezolutës së OKB-së?

*
Spekulimet janë të shumta. Njëra palë thotë se veç tash Thaçi dhe Veseli paskan kuptuar se nuk e kanë vërtet imunitetin siç iu paska premtuar dikush, se nuk janë të paprekshëm nga Gjykata Speciale si të akuzuarit kryesor në raportin famëkeq të Marty-t. Haradinaj paska përkrahur aksionin, thonë, gjoja për shkak të vëllait të tij Daut Haradinajt, i cili poashtu qenka në krye të listave. E fundit mirëpo do të ishte tepër kontradiktore për një njeri që „gjysmën e jetës“ e kaloi qelive të Hagës për të dëshmuar pastërtinë e luftës kosovare. Një version tjetër thotë se Haradinaj do të jetë kushtëzuar me diçka tjetër nga dyshja Veseli, Thaçi, kështu duke mbaruar karrierën e tij në mënyrë të palavdishme, ngase pas kësaj sjelljeje, kjo qeveri nuk ka asnjë kuptim të zgjasë më. Papërgjegjësia e kësaj qeveria qenka poaq e rrezikshme për Kosovën sa vetë Serbia bashkë me Rusinë. Akuza të rënda këto, por të vetëshkaktuara nga treshja në fjalë.

*
U bë pra gjithë kjo dramë se primatët e caktuar panë emrat e tyre në listë apo veç tash janë bindur se Gjykata Speciale është padrejtësia më e rëndë e re që iu bë Kosovës nga jashtë, miqtë dhe armiqtë? Të rrallë janë ata nostalgjikë post-titistë e pro-serb, apo të dëmtuar lëkurshëm e familjarisht nga UÇK që mendojnë kështu, d.m.th. se Gjykata qenka e drejtë. Asnjëri, qoftë edhe reaguesi më agresiv i djeshëm nuk është pro gjykatës speciale. Ata nuk protestojnë se janë pro saj, reagojnë ngase janë kundër thyerjes së shtetit të tyre me BE-në, SHBA-të, Britaninë e Madhe dhe perëndimin. Ata nuk e parafytyrojnë dot që edhe njëherë në jetën e tyre të varen nga agresionet serbe, ruse apo nga klubi afektiv i OKB-së, prej të cilit nuk shkon gjatë dhe do të ikë edhe vetë perëndimi.
Alarmantët, reaguesit, protestuesit janë de facto patriotët e shtetit të ri të Kosovës. Ata që dikur asistuan e votuan vetë Ligjin për Specialen, kur protestuesit e sotëm shumica ishin kundër e sot duan ta shlyejnë për shkaqe personale – s’ka tjetër arsye që mund të bind ndryshe – janë kategoria që po pati ndërgjegje ikë nga pushteti, që do të thotë Hashimi Thaçi, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj të japin dorëheqje dhe t’u hapin udhë partive të tyre që të lidhin koalicione tjera, për një qeveri e president që nuk përsërit më ditë aq dramatike e të rrezikshme si ajo e djeshmja dhe nëse ishte vetëm për shkaqe egocentrike duhet dhënë përgjegjësi.

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.