Për legalizimin e izotopit shtet-korrupsion

Nga vetëdemonizimi në bashkëjetesë, me synimin e përbashkët për t’u bërë të barabartë në mirëqenie. Kështu duhet të flasin në korr qeveritë dhe të korruptuarit nëse vërtet duan të dalin në një stad më të përparuar e human se ky tash!

Gaius Verres, një administrues i korruptuar i Sicilisë në kohën e Republikës Romake, nuk ua plaçkiste statujat e bronzta dhe të shtrenjta vetëm koleksionarëve privatë, por edhe qyteteve ua shëmtonte sheshet. Kush merrte guximin e i kundërvihej përballej me padi në gjykatat e Senatit për „tradhti të lartë“; vulosej si bashkëpunues i armiqve dhe shkatërrohej si subjekt.
Për t’i realizuar këto maskarallëqe, në krah, banditi kishte avokatin më të aftë të perandorisë, Hortensiusin legjendar – që de fakto ishte republika vetë.
Që nga ajo kohë e deri sot ka mbetur si aksiomë: korrupsioni masiv është i pamundur pa asistimin e shtetit ose fragmenteve të Republikës që punojnë për Verres-ët, këta, soji, i të cilëve duket të jetë më konstanti i historisë. Kur mendojmë e kalkulojmë kështu patjetër t’i gjunjëzohemi fatit: nuk paska asnjë gjasë që kjo kategori të zhduket ndonjëherë, prandaj për çka të shtyjmë me shpinë shkëmbin drejt malit? Që të na rrokulliset sërish deri sa njëherë të na shtyp e lë pas si fletë blete?
Prandaj kur ndonjë pesimist e shkruan diagnozën si ky citati që vjen është i mendësisë së kësaj aporie: „Ta ushqesh iluzionin se ndonjëherë do ketë ndonjë shtet pa korrupsion fare, do të thotë të kthehesh infantliçe apo në hipnozë tek utopia e Augustinit të Hippos së shekullit 5, në atë kohë kur s’përqesheshe nëse besoje se së shpejti do të instalohet „De civitate dei“ me Mesian në krye – apo që mos i nervozojmë kopjuesit e tij të mëvonshëm – ose në fron ulën kalifët„.
*
Nëse zhdukja e Verres-ëve qenka e pamundur, iluzion, vetëmashtrim dhe shteti përherë do jetë i kapshëm dhe i korruptueshëm, pse nuk punojmë atëherë të jetojmë prej tyre duke përfituar edhe vetë sa më shumë dhe ja po deshën perënditë, bëhemi edhe ne Verresë – me iphonë, vetura luksoze, firma, me fëmijët në Oksford a Hollywood dhe udhëtime nga një cep tek më i largëti i Globit?
Pse nuk sillemi ashtu siç veproi Ciceroni, i cili shkatërroi Verres-in, rrëzoi Hortensiusin nga froni i avokatit të parë të perandorisë dhe ia zuri vendin?
Bashkëpunimi në këtë modus do të ishte madje shumë më i sinqertë dhe më efektiv në pista afatgjata se sa mënyrat tjera jo-ciceroniane. Kjo donë të thotë paraprakisht të pajtohemi me të vërtetat e trios antropo-apokaliptike Shopenhauer-Cioran-Nitzsche që në sintezë thonë: njeriu është natyrë e papërmirësueshme, specie që vetëm kur merr pushtetin ndihet e realizuar (djallshëm posepo) dhe veç atëherë mund të shpresojmë në lindjen e Mbinjeriut, ngase veç pas realizimit të njërit „iluzion“, kjo qenie automatikisht vihet në kërkim pas tjetrit. E ku ta dimë, donë Zarathustra, dhe iluzioni i radhës është më human se ai parapraku?
Po të pranonim këtë realitet besoj se do të mbërrinim më shpejtë në „iluzionin“ tjetër – atë të ndërtimit të republikave ligjore. Kjo do më bënte mua të lirë që të mundem ta synoj pushtetin pa karnaval, pa intriga dhe pa fshehur kapitalin; pa tallur masat duke bërë „idealistin“ në televizor, atë pra që shet moral për drejtësinë e sapo ta zë një vend në pushtet, parti, oligarki t’i shkoq tenderët për mua, dhëndrin, motrën, dajën, tezen dhe dashnoret ose bëhem kopje e neveritshme e atij që deri dje ia përdhunoja dinjitetin.
*
Kështu do të ndihmohej zhvillimi i transparencës, e cila do të sillte një botë në të cilën opinionisti, mediabërësi, politikani, analisti, akademiku, analfabeti ashtu si tregtari, oligarki, demagogu, zhvatësi do të pranonin se lufta e tyre ka për synim final e ideal pushtetin dhe nuk do premtonin gjë dot para se të kënaqeshin njëherë aty.
Nuk besoj ta gjejmë ndonjë budalla që gjendet në strukturat e shteteve shqiptare, i cili pas hyrjes filalave të pushtetit të ketë mbetur i pakorruptuar dhe atë jo vetëm imaterialisht. Mund ta gjejmë ndonjë që di të maskojë më mirë se tjerët privilegjet, por „idealistë“ për drejtësi dhe në pushtet hë për hë as nuk duhet të parafytyrojmë.
Ose së paku unë s’njoh dikë.
*
Ky model, kjo udhë do të na shpiente edhe më shpejt drejt republikave të tilla ligjore ku korrupsioni do të ishte nën kontroll edhe për shkak të horizontalizimit sa më të gjerë të kapitalit dhe konkurrencës masive ndërmjet së ciceronëve. A nuk është ky edhe ideali utilitarist që thotë: sa më shumë të lumtur (që nënkupton në mirëqenie) aq më shumë paqe ndër njerëz?
Le t’i pranojmë pra hapur të korruptuarit si idhujt tanë të kësaj epoke. Këtë e bëjmë si ashtu në vepër. Me votë. Le ta bëjmë edhe hapur – moralet? Këto vetë i kemi konstruktuar vetë i suspendojmë. Me tru nuk ia dalim dot se s’i kemi të populluara aq sa duhet me dije e dinjitet për t’ia futur mashtrimit dhe intrigës, le t’i përdorim këto të fundit së paku në interesin tonë, se vetëm kështu mundemi të mbajmë gjallë iluzionet për utopitë tona. E ku ta dimë, ndoshta një ditë do Anu, Ishtarja, Zarathustra, Zeusi apo ndonjëri prej këtyre zotave pas tyre dhe na detyron të bëhemi njerëz për njerëzit e jo për pushtetin mbi tjerët!

 

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.