Artepolisi i Gëzim Aliut

Romani «Gosti në natën e parë të vjeshtës» (Parnas, 2017. Prishtinë) i Gëzim Aliut është ligjërim nga brendia, epiqendra e rrënojave të një kategorie në apostazi totale – ai rrëfen për ata që në emër të besimit në Art ekzekutojnë atë. Një rrëfim i «shkatërruar brutalisht po si jeta e atyre» që brenda romanit e përtej sikur festojnë famën e tyre, e  të cilët në çdo kthinë të mentalitetit në modë perceptohen të gjallë, vetëm atëherë kur në vend të dorëshkrimeve u digjen shtëpitë.

Romani përbëhet nga një metarrëfim dhe mbi 12 tregime. Ndodhia kryesore, Gostia është epiqendra nga ku rrëfehet, interpretohet, reflektohet bota ashtu siç i shfaqet autorit fushave semantike të saja. Rrëfyesit janë dhjetëra figura profilesh të ndryshme. Ky polispektralitet është edhe determinuesi sistemor i romanit. Metarrëfimi ndërsa është morfogjeneza, garanti i koherencës, fabrika e inferencave perceptive, evituesi i defiguarcioneve, rrjetëzuesi kausal i dimensioneve kohore, kulturore, historike, sociale që zhvillohen në mënyrë fare autonome fabulave si «Ujku dhe lufta» [76], «Pëllumbat e luftës» [80-88] dhe tjerat.
Nga këndi i optikës së një arkitekti romani u përngjanë atyre poliseve, qytet-shteteve, që ishin forma e organizimit shoqëror të hominidëve që nga epoka mesapotamike e deri në mesjetën e vonshme: ekzistenca e njësive, bota përbërëse e polisit, varret nga siguria që ofron fortesa rrethuese, e cila pa brendinë dinamike, jetën, synimet, idealet e interiorëve nuk prodhon asnjë kuptim se pse duhej të ishte; dhe anasjelltas e gjitha bota brenda mund të shuhej me të parin sulm të ndonjë hordhie vandale nga jashtë.
Qysh ky afrim pragor, para thellimit në veprën së Gëzim Aliut, na përball me një cezurë që duhet vlerësuar: romani i ri shqiptar (2000 e këndej mer përjashtime minimale) vuan nga pabotshmëria e tij. Si i pabotë ai ka devalvuar integritetin e romanit brenda letërsisë shqipe po aq keq siç e ka pësuar poezia para tij dhe që me paradën e parë të vjershëtarëve bukoliko-socrealistë kah mesi i shekullit të kaluar (= se pse dhe si ndodhë kjo është temë tjetër). Gëzim Aliu me «Gosti në natën e parë të vjeshtës» ia del të rikthejë dinjitetin e romanit, peshën e tij dhe fuqinë ngase nuk fiksohet në një lajtmotiv singular siç bëjnë shumica e autorëve aktualë, konkretisht: ata diskreditojnë, kufizojnë rrëfimin e tyre për arsye se herë tentojnë ta implantojnë një maskimë që u duket e shejntë, herë donë ta sakralizojnë një figurë reale me metafora që s’janë të tilla, mbrojnë një ideologji të veçanë pa e njohur as vetë sa duhet ose gazetarojnë teskstin në pamflet urrjetjeje, difamimi të një kategorie të caktuar dhe kështu deri në pafundësi. Kjo formë rrëfimi nuk lejon botë, me çka ne kuptojmë përfshirjen e qenies brenda dimensioneve qendrore të ekszistencës së tij (natyra, metafizika, shoqëria, individuliteti etj.).
Aspekti tjetër që e bën romanin të veçantë është nxitja e inferencës intensive që e shkakton leximi tek lexuesi. Përpos lumit asociues që t’i shkakton romani duke të përplasur parasyve filma, piktura dhe me zhanre tjera të artefamiljes, ai nëpërmjet konstatimeve herë me vargje e herë me stenteca të detyron ta rireflektosh «njeriun njëdimensional», «kritikën e arsyes e instrumentalizuar», Qenien si Hiç dhe të përhumbur Kohëve, për të mësuar antropologjinë reale të shoqërisë që kritikon autori. Romani është kritikë aq therrëse sa që dhemb.
Ekspozeja përmbajtjes së romanit na tradhton sistemin se si Gëzim Aliu ndërtoi këtë botë.

METARRËFIMI
Anita është organizatorja e «Gostisë kulturore» në shtëpinë e Berishajve, në qytetin P’rsh. I shoqi i saj Ceni e përjeton ahengun si karneval mediokrish, ku fantazmat e pseudokulturës bëjnë pauzën e tyre «intelektuale» [9-13]. Ata puthen yndyrshëm e hatashëm cepave të buzëve, ulurijnë, politizojnë, përjargen si Pitbull-ët pas një vrapimi të gjatë; sa më shumë të erret dhe pushtetin marrin dritat e neonta, aq më të traumatizuara duke fytyrat aty, si kufoma mobile duken. Vërtet është kjo pamja e protagonistëve apo kështu e sheh botën Ceni, shkrimtari dhe skenaristi, që brenda asaj skenerie e shoqërie ka vetëm një ideal; ta djeg dorëshkrimin e tij!
Gostia e juristes dhe artistes Anita Berisha bëhet si parapërgatitje për «Festivalin e madh të Arteve», që ajo e organizon tradicionalisht me fonde OJQ-shë politiko-kulturoro-liberale të huaja dhe të shtetit bujar [10] hiperkulturor. Prandaj në gosti të marrin më eminentët e elitave të shumta të vendit si Muja, shkrimtari që krahason veten me Servantesin dhe pak më shumë se ai; Muharremi, autori me fytyrën e njëjtë si të Anton Pashkut të ndjerë dhe që ka dhënë fjalën, besën, me gisht e nënshkrim ta vrasë lexuesin; Dalipi, këngëtari i famshëm që banon në lagjen matanë; Sazani alias Sanzi, piktori i famshëm që dëgjon intepretimin e Anitës mbi një vizatim të tij në mur, një tablo sfondzverdhur me dy objekte formëveze të cilat i shtet si dy universe paralele, dy botët e kundërta, njërën këndej e tjetrën andej. Picassoja në Pr’sh; Sevdaiu është poashtu aty, poeti; Demë karikatursti zbërthen një punim të fundit të tij, plotë plisa me përmbi një kryq e mbi të një gjysmëhëne me yll; Bajram alias Festim shkenctari duket serioz, ende nuk e ka zbrazur ndoshta gotën e parë; Si gjarpër ndër të pranishmit ecjejaket Politikani i Ri, ndonjë zëvendësministër me siguri që si hije e ndjek Xhevdet-Evi, gazetari me nam e nishan dhe ja më në fund e gjetëm, e zbuluam ndër ta edhe Letën, po, pikërisht ajo Leta, poetja e shquar, më e sinqerta dhe më seksbomba aty e përtej, që pa seks oreçast leckë i duket vetja, pa kuptim si në gosti ashtu në gjithësi.
Shumica e shkrimtarëve që radhitëm këtu kanë mjekrra të krehura mirë. Ata që nuk i kanë nuk kanë ku ta lëshojnë. Psikogramet që ua bën rrëfyesi – jo autori – na shpërfaqin përfaqësues kategorish të ndryshme shoqërore që dionisiadat i kanë keqkuptuar të jenë orgji anti-apollonike ku trajtohen pozicionet e mundshme seksuale të Adamit dhe Evës dhe gjithë pellazgëve pas tyre; gostia për arte dhe festivale varrësisht nga referuesi shndrrohet në alltar nga flet prifti ose imami, pastaj narcisti, pas tij manjaku seksual, ndërpritet nga histeriku historik, që të gjithë kur shenjohen vrershëm nga syri i politikanit të ri heshtin të gjithë.

TREGIMET
Në ekspozenë lartë mungojnë ato figura, për të cilët gostia është vetëm toposi prej ku ata reflektojnë njeriun, shoqërinë, luftën, emigrantin, historinë, krimin, mentalitetin, politikën, shtetin, pushtetin, njeriun e zakonshëm dhe atë të pazakonshmin – majmunin!
Regjisori Ibrahim TI (me asistentin Jasser si Arafati) detyron Cenin që të lexojë, rrëfejë vetë dhe dëgjoj tregime të ndryshme nga tjerët. Të dy, regjsori dhe shkrimtari janë duke bërë një film që do të përbhet nga disa episode të shkrutëra (për nga sistemi si romani) që do ta rrëfejnë luftën. Po në këtë projekt Ceni ka pasur aferën e dashurisë me skenaristen Jeta korrespondenca me të cilën gjendet në dorëshkrimin që donë ta eliminojë sa më parë. Ceni rrëfen ose korrigjon rrëfime, tek të cilat ka qenë vetë dëshmitar okular. Poashtu rrefen dokumentaristi Armend që korruptohet nga të gjitha palët politike që duan të përvetësojnë meritat e luftës dhe tjerë.
Ndër tregimet më dramatike janë:
-Pëllumbat e luftës» – ku një ushtar ish ushtar UÇK-së, me kallashnikov zë rob dhe pastaj pas disa tentimeve e vret një tufë pëllumbash për ta ushqyer jo vetëm veten, babain por gjithë fshatin e shkatrruar nga lufta.
-«Fati i Ali Seferajt» – plakut të mbetur vetëm në shtëpinë e tij të madhe dhe që strehon një grua me të bijën e saj, që enden pyjeve të vendit pa qëllim e orientim. Ali Seferajt i kërkohet ta presë lopën e tij të vetme për ta shpëtuar nga uria vajzën e gruas në moshë të mesme, ngase ajo nuk përdor dot podhimet ushqimore. Plaku me lidhje të mira me një oficer serb me fytyrë të njejtë si të Sabitit në Zvicër nuk pranon martirëzimin e lopës as pasi mysafirja e shkatërron me seks. Në fund dy gratë megjithatë thyerrin lopën dhe vrasin plakun me thikë.
Historia e Skenderbegut dhe Shehides» – Bëhet fjalë për dajën e Cenit, mbiquajturin Skënderbeg, i cili dashurohet dhe bën olimpiada seksuale me Shehiden, mirëpo nuk donë ta martojë. Vllai i Shehides, berberi Shemsedin, duke i prerë flokët ia vë briskun në fyt dhe me dëshmitarë e detyron të jap fjalën se do ta martojë motrën e tij. Skënderbegu ik në shtëpi, merr një thikë të madhe dhe niset me autobus drejt punëtorisë së berberit për ta vrarë. Fatkeqësisht autobusi kontrollohet nga policia serbe. Këta ia gjejnë thikë dhe e shkallmojnë duke rrahur. Pask kthimit në shtëpi Skënderbegu shpallet hero, patriot, marton Shehiden dhe ikë në perëndim nga ku ndihmon atdheun.
Dhe disa rrëfime si këto, drama, plotë poenta peripetike edhe më shkundulluese të tipit «Njeriu i zakonshëm», atij që vuan nga sëmundja e metamorfozimit të trupit në flori, të cilit çdo vizitor ja pret me sharrë dhe ia vjedh gjymtyrët e trupit; daja në Amerikë që me çdokusht donë të bëhet pjesë e filmit patriotik gjoja se ka çliruar vendin dhe të llojit.

SINTEZA
Pra se të ikë «narratori» nga ngjarja, rrëfyesi, i deleguari i autorit duke thënë «Unë duhet të ik! Puna ime mbaron këtu» [226], ai tregon megjithatë se çndodhë me Cenin dhe dorrëshkrimin e tij: Në ëndërr apo vërtet Ceni bën seks me Letën gjatë kohës së gostisë. Pasi që shuhet festa ai ikë në studoin lartë dhe don ta djeg dorëshkrimin. I bërtet vetes «mizantrop, të urrej» [225], në skarë i vë zjarrin dorëshkrimit për «Jetën». Skara i bie nga duart, prushi ndez perdet, përhapet flaka; digjet shtëpia, në të lumturia dhe piktura dyuniversëshe e Senzist; digjet gjithçka; edhe kujtesa për gostinë, palent për festivalin. Vetëm njëri shpëton i i nxirë, i lagur, i dredhuar, i thyer. Ai ishte prapë aty. Jo ceni, por dorëshkrimi – Arti nuk digjet!

KONCEPTI
Ashtu si Charles Bukowski që dërgoi alter-egon e tij Henry Chinasky në filmin «Barfly» [1987] për ta rrëfyer jetën e tij, po në të njejtën mënyrë delegon edhe Gëzim Aliu zëvendësin e tij, narratorin anonim, jo vetëm si protokollues se ç’ndodhë brenda kategorisë, por edhe si konstruktor skenash (eksplimi nis nga faqja 21 me fjaline: «mendimet…i nxjirrja nga depotë e mëdha të kujtesës së krijuesit tim»). Ç’donë të thotë ky distancim i autorit gjashtë librash, shkrimtarit, albanologut, qytetarit Gëzim Aliu nga skena, së cilës edhe vetë i takon? Është ai ndër ata mohikanët e fundit «intelektualë» që i rrezistojnë asaj skene të shthurrur pseudoelitash, që ka përlarë çdo shtresë të shoqërisë? Asnjëra prej këtyre. Aliu është realist si gjurmëve të Stendalit, Balzakut dhe ndonjë tjetri, i atyre me mantran për ta vizatuar botën jo duke e gjykuar, por duke e rrëfyer dhe atë jo me zërin e vetë, por me të atyre që përbëjnë gostinë dhe përditshmërinë, jetën e romanit «Gosti në natën e parë të vjeshtës». Për këtë arsye edhe shpërthimet vulgare, pornografike qoftë si skenë e qoftë si tekst [32, 33, 94,  126, 170, 176… ] nuk recipohen si «krim makabër» ndaj moraleve aq të shumta që po të mundeshin, ia kishin detyruar romanit ne ballinë siglën 18+, pasi ai është vetë sociolekti i figurave fiktive e reale të kastave që zhvesh shkrimtari. Autori flet me gjuhën e tyre. Ndryshe vërtet do të na bëhej siç e thotë në një vend rrëfyesi i deleguar i tij: «Gomari më i mirë i letërsisë». Të njejtën status si pornografia në roman e ka edhe vulgariteti politik brenda ligjeratave mbi teorinë e «Tahirit mbi perandorinë e joshjes – BE-në».
Ekspozeja e figurave në hyrje të romanit, për nga vizualiteti funksionon si valenca estetike drejt pikturës «Primavera» [1478] të Sandro Botticcelli-t: aty ku Zefiri, stuhia perëndimore ia ngjet për beli nimfës Kloris dhe e transformon atë në perëndeshën Flora; aty ku Venusi është shtangur në statujë dhe pret shpresëshuar ndonjë shigjetë nga Amori sylidhur që i fluturon mbi kokë pa ditur drejtimin ku është nisur; anash aty ku snoberojnë tri graciat përreth Merkurit gjysmëlakuriq që ua ka kthyer shpinë – figura këto pra që krijojnë efektin optik të tejdukshmërisë, sikur materia substanca e tyre e vetme të ishte prej yndyre, prej atij vaji të gërditshëm që i rrjedh buzëve e mjekrës Mujës saherë puth faqen plotë pudër të Anitës apo Ceni gjoksit ato të Letës.
Po siç vepron tek «Mjeshtri dhe Margarita» (1966) Michail Bulgakow, duke konfrontuar individin me hipokrizinë, fyerjen, arbitratriratetin, mediokritetin dhe marrëzinë ashtu edhe Gëzim Aliu, në kohë e rrethana tjera, konfronton lexuesin e Cenit me gjitha të plagët e njëjta të shoqërive të sotme. Qëllimi i të dy këtyre autorëve është i qartë: Pushteti i Artit dhe pafuqia e artistit. Temë qendrore kanë demaskimin e gënjeshtrës, vetëmashtrimit si në Art ashtu edhe në Jetë.
Prandaj romani duket si një projekt për çestetizimin e jetës me instrumenet e vetë Estetikës. Në fakt mirëpo ndodhë diçka që në thelb është para-estetike: Gëzim Aliu çmonton fasadat kuazi-estetike që kategroi të caktuara ia kanë bërë dekorin për të maskuar veten për tu proklamuar si poetë, kritikë, gazetarë, shkrimtarë e që në të vërtetë janë qenie të mjera që finalisht edhe më i mir prej tyre djeg veten e s’dëmton artin dot.
Didier Daeninckx, njëri nga përfaqësuesit më prominent të «Romanit të Zi» francez e formulon kështu përgjigjen ndaj pandehjes të shoh botën vetëm zi: «Bëhet fjalë për ngacmimin të palgëve; është aksion i qëllimshëm për të thyer tabutë, të cilat e bëjnë një komb (kulturë) të sëmurë dhe sëmurëse nëpërmjet mallkimit dhe ndrdhjes, shtypjes që u bënë atyre», poblemeve më esenciale siç janë elitat – ato që duhet të kujdese për frymën e shëndoshë të asaj shoqërie. Pikërisht këtë e bënë Gëzim Aliu në mënyrë të mrekullueshme me romanin e tij më të ri «Gosti në natën e parë të vjeshtës». Një roman që duke e lexuar ta dhuron iluzionin sikur je duke e shkruar vetë biografinë e një race të re njerëzish prej yndyre.

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.