Hannah Arendt ose enigma e një kampanje

Lajmi u shpërnda si rrufe: Hannah Arendt paska shkruar edhe një ese. Një që deri dje bota nuk e kishte parë. Trajtesa pa titull e datë hulumton lirinë. Saora u bë libër dhe u shpërnda në plotë gjuhë të botës. E famshmja «Der Spiegel» e shpalli bestseller. Një program i ri për lirinë? Jo. Për çka atëherë? E lexuam dhe u shokuam. Jo me autoren por me aktualizatorët e saj.

«Liria, për të qenë i lirë», «The Freedom to Be Free», kështu quhet eseja e porsazbuluar e filozofes Hannah Arendt, e cila bashkë me Simone de Beauvoir përbëjnë dyshen femërore, më të spikatur të shekullit njëzet. Vetëm ca ditë pas daljes në treg,  revista «Spiegel» e shpalli librin bestseller. Veçanërisht mediat gjermane fill e paralelisht e shndërruan botimin në spektakël, skandal dhe sensacion. Profesori dhe filozofi i Universitetit «Ludwig-Maximilian» të München-it, Thomas Meyer, në pasthënien e tij, rëndësinë e zbulimit e lidh me aktualitetin e përjetshëm që ka tema e «lirisë» në jetën e njeriut. Me theks të veçantë potencon ai degradimin që ky pasion human (liria) ka pësuar nisur nga agorat antike e deri sot. Është Arendt – sipas akademikut –  e vetmja që këmbëngul në këtë fakt prapa-ecës historik.  Domethënë kjo: sa më shumë zhvillim e ilumunim aq më pak liri!
Për ç’arsye zbulimin mund ta kritikojmë edhe si sensacion, spektakël dhe skandal, me një fjalë si një formë jo aq e denjë për të aktualizuar dy singularët tashmë historik si «liria» dhe Hannah Arendt?

Kopertina e librit të botuar në gjermanishte.

ORIGJINA E ESEUT DHE KRITIKA
Jerome Kohn nga «New York Institute of the Humanities», përndryshe ish komiliton dhe pastaj asistent i përjetësisht «Visiting Professor»-es Arendt zbuloi esenë e përmendur në «Library of Congress» të Washington-it. Teksti origjinal, të cilin ai prezantoi para mediave nuk mbante titull e as datë. Do ta ketë shkruar në vitin 1967? Kështu e situon zbuluesi datëlindjen e trajtesës. E nga erdhi titulli «The Freedom to Be Free»? Meyer ka të drejtë: titulli është citat i huazuar nga vepra e shkrimtarit dhe filozofit amerikan Henry David Thoreau.
Trajtesa 60 faqëshe mirëpo, as përafërsisht nuk manifeston atë kompletësi njohurish, atë integritet e koherencë, që e hasim në studimet e bëra më herët – nëse pranojmë moshën e tekstit sipas zbuluesit. Integritet, unikalitet dhe origjinalitet arendtian rreth lirisë, të cilin e recipojmë jo ne esenë e fundit, por në plotë tekste të mëhershme, të shkruara dekada më parë, siç është për shembull ai «Liria dhe politika» që fillimisht ligjërohet në vitin 1958 në kuadër të ciklit «Edukimi me lirinë» në «Institutin për Hulumtimin e Botës së Jashtme» në Zürich e që pastaj, i njëjti tekst, një vit më vonë botohet edhe në «Chicago Review» [Freedom and Politics: A Lecture, në: CHR 14, Fletorja 1, Spring 1960, F. 28-46]. Për këtë arsye nuk mund të qëndrojë hipoteza e dy aktualizatorëve të filozofes dhe esesë «Liria, për të qenë i lirë», shkrimi të jetë përplotësues i mendimeve të saja mbi lirinë që ajo i zhvillon ndërmjet veprave «On Revolution» [New York: 1963] dhe përmbledhjes së botuar postum «The Life of the Mind» [New York: 1978]. Jo pra sepse tezat i hasim qartë të formuluara qysh në veprat më të hershme mbi totalitarizmin, në «Vita activa», në «The human Condition» [1951-1960] dhe tjera. Teksti i fundit me sugjerimin e botuesve për tu perceptuar si sintezë apo përplotësues i teorisë së Arendt-it mbi Lirinë është eklatant. Ai devalvon konceptin en total të filozofes mbi lirinë. Eseja duket të jetë i një faze shumë më të hershme të autores, ndoshta e moshës 20-25 vjeçare, atëherë kur ajo reflekton mbi diktusin e Rousseau-së «njeriu të jetë gjithandej i pranguar»; asokohe kur ajo hulumton «skllavin dhe zotërinë» e Hegelit apo paradigmat e reja që sollën Heidegger, Jaspers. Linja e aporive që ajo tenton t’i hekuros në atë ese madje udhëtojnë që nga «Esenca e lirisë» së Schelling-ut të shekullit të 19, nëpërmjet zonave mentale të Augustinit mbi termin e dashurisë [Interpretimi i parë filozofik i Arendt: 1929] e deri në ditët e Sokratit platonik.
Ekspertët e Hannah Arendt-it e vërejnë pra shpejtë se libri «Liria, për të qenë i lirë», do të duhej të ekspozohej ndryshe nga seç e kanë bërë planin dy akademikët përndryshe meritueshëm të respektuar brenda diskursit publik perëndimor. Rikatualizimi i temës së «lirisë» me metoda të konsumerizimit agresiv është paradoks në vete. Apo ishte kjo pikërisht strategjia, plani i biznesit i menaxherëve këndej e përtej oqeanit; që nëpërmjet një aksioni banal e tejet enigmatik të rizgjojnë kureshtjen e mentaliteteve për temën e «lirisë». E tema në vete është e amshueshme, ashtu siç shkruante edhe Arendt vetë se «ajo nuk njeh të kaluar, tashmëri dhe ardhmëri».

KONCEPTI I LIRISË TEK ARENDT
«Kuptimi i politikës është liria» shkruan Arendt. Ajo ishte e bindur se pikërisht këtë maksimë të saj nuk do ta kuptojnë asnjëherë masat, të cilat veprojnë sipas një dinamike që ua ka implantuar përvoja konkrete e ushqyer nga parimi krejtësisht ndryshe kuazi-aksiomatik që formulohet në «Liria fillon pikërisht nga aty ku përfundon politika». Këtë mendësi e kritikon Arendt si produkt të utopive që kanë prodhuar filozofitë oksidentale dhe religjionet abrahamite. Këto botëkuptime – thotë ajo – e kanë trajnuar Subjektin për shekuj politikën ta kuptojë ekskluzivisht si «liberum arbitrium», si aftësi për zgjedhur në bazë të vullnetit të lirë, si mundësi për të dashur, dëshiruar, synuar (mentalisht), si mundësi për të zgjedhur ndërmjet të së Keqes dhe së Mirës. Por kjo nuk është aspak politika. Ndodhë e kundërta: ky qëndrim përjashton apriori Subjektin nga politika dhe detyron atë në jetë pasive, vegjetuese dhe afaktorizuese. «Parimi i shpresës» (siç sugjeronin marksistët e tipit Ernst Bloch që duke fjetur të ëndërrohet shoqëria parajsore e komunizmit) është për Arendt burgosja e njeriut në modusin jo-aktiv të vërdalljes maleve të kotësisë duke pëshpëritur «Unë besoj, unë dua». Jo «unë dua», por «unë mundem» atrakton njeriun të veprojë në favor të lirisë së tij. Natyrisht se pa dashur e vullnetëzuar diçka nuk vepron dot, por ku e marrim vesh se çka donë njeriu i shkyçur nga mundësia e shprehjes si në agorat antike të Polis-it ku agonaliteti (konkurrenca dhe gara në mendime publike) i jepte mundësi çdo qytetari të propozojë sipas vullnetit të tij, si në res publica-t romake dhe format tjera të participimit total që në komunizëm dhe neoliberalizëm u bënë të pamundshme nëpërmjet fintës, blofit të përfaqësimit parlamentaresk që të lejon vetëm të thuash «unë dua» të jetë ky apo përfaqësuesi im dhe këtu përfundon gjithçka.
Për Hannah Arendt – akumulueshëm thënë – liri nuk është mundësia për të zgjedhur, votuar ndërmjet disa opsioneve të paradhëna, por për të vepruar e krijuar vetë si subjekt!
Ku të veprojë subjekti nëse ai është peng i lirisë negative, konkretisht; nëse atij nuk i jepet liria për të vepruar për diçka, brenda një strukture, shoqërie, organizimi?

DEFEKTET E KONCEPTIT ARENDTIAN
Sipas kësaj diagnoze dhe konceptimi të lirisë nga Arendt del sikur politika të jetë e vetmja rrugë nëpërmjet së cilës njeriu mund ta fitojë lirinë e tij – kjo sipas saj do të jetë gjithmonë kështu deri sa njeriu të jetojë në bashkësi. Kjo është e qartë edhe para regjistrimit filozofik që i bën dukurisë filozofja Arendt. Ajo që mbetet për tu pasqaruar është Si-ja? Duke vepruar! – thotë asketja e vita activa-s? Ky është imperativi i Hannah Arendt. Hyrja në aksion, nisja e luftës individuale për të siguruar sa më shumë liri.

E pikërisht në këtë gozhdë sharrës së humanitetit i thyhen kronikisht dhëmbët: para se njeriu të jetë aktiv politik; para se ai të futet në vepër, ai duhet të dijë çka donë. Në shoqëritë pa traditë agorash, pluralizmi, res public-ash, ku numri i atyre që lirinë nuk e konsiderojnë si përgjegjësi që duhet deleguar sa më shpejtë tek ndonjë përfaqësues është më pak se minimal. Vetëm Subjekti i shkolluar, ai që dinë të dallojë brenda vullnetit të vetë se çka është nevojë dhe dëshirë e tij e çka injeksion për ndonjë ideologji është i aftë të tejkalojë rubikonin e «unë dua» drejt veprimit konkret. Pastaj këtij veprimi i del edhe një murr shumë më i pakapërcyeshëm se gjitha tjerat që përmendëm: sigurimi i lirisë negative! Si të veprojë individi ta zëmë, të cilit nuk i jepet liria për të vepruar për diçka, brenda një strukture, shoqërie, organizimi?
«Liria, për të qenë i lirë» -folur me Isaiah Berlinin – është në praktikë si në sferën e demokracive të konsoliduara ashtu edhe në ato të tranzicionit e mos flasim për diktaturat ende në stadin paranegativ të saj. Lirinë për të qenë i lirë sipas vullnetit total personal e merr vetëm subjekti, ai që donë të dalë në xhungël ku s’ka ligje e norma, përndryshe liria e tij është përherë e instruktuar, e deleguar, e mundësuar apo ngushtuar nga shtetet, sundimet, ideologjitë në sajë të të cilave funksionojnë shtete.
Vetëm imperativi «vepro, bëhu aktiv brenda politikës», nuk mjafton. Ose mjafton aq sa për t’u bërë bazë për të ndërtuar doktrina retrorevolucionare si ato të Pierre Félix Bourdieu-s, Hardt & Negri apo të shërbejë si motivim për ndonjë kampanjë sensibilizuese si ajo e veteranit francez Stéphane Hessel me titullin bombastik «Indignez-vous!». «Indinjohuni» pra sa të doni, por edhe kjo është «gjendje pasive frymore» si ajo «unë dua», pasi vetëm urdhri nuk mjafton për të vënë në lëvizje mentalitetet e kulturat drejt lirisë – se cilës është histori madje edhe shumë më e komplikuar.
Arendt nuk mësoi nga Kant që imperativin e saj lirisë ta shoqëroj me një program konkret. Një program që sot do t’ia vlente shumë të aktualizohet nëse u jepte përgjigje atyre utopive postmoderne që i shfaqi së pari Joe Bailey (Pesimism. 1988: 573-576) dhe që kanë të bëjnë me çlirimin e njeriut të sotëm jo nga papjekuria e vetëshkaktuar kantike, pro nga vetëskllavërimi «vullnetar» i Subjektit të sotëm nga psikopolitka gllabëruese neoliberale e konsumomanisë, vetoptimimit brutal në favor të renditës materiale, karrierës dehe dukurive tjera. Arendt përveç se nuk ka koncept të lirisë fare, ajo as me teoritë tjera të mrekullueshme rreth anatomisë së totalitarizmave nuk ndihmon sot dot, ngase këto, «diktaturat» e reja janë perfide dhe poashtu kanë mësuar nga homologet e tyre historike se si të veprojnë pa u perceptuar si të tilla nga shumica absolute e viktimave të tyre.

ENIGMA E NJË KAMPANJE
Hannah Arendt është një filozofe që ka depërtuar si rrallëkush në anatominë e totalitarizmave që eskaluan në luftën e dytë botërore. Plus edhe duke qenë hebreje vetë i dha botës një shembull se si shkencëtari qoftë edhe vetë viktimë e holokaustit ka fuqinë t’i mbetet besnik objektivitetit. Me të drejtë ajo është lekturë akademive filozofike. Tendenca mirëpo për ta riaktualizuar atë me çdo kusht, nëpërmjet një eseje nga faza e adoleshencës intelektuale të saj mbi temën e lirisë – më shumë e dëmton se saqë nxit ndonjë debat apo rritje të simpatisë për ta studiuar edhe më shumë se ç’është bërë deri tani. Në fund enigma mbetet: ç’deshën në të vërtetë të shkaktojnë dy akademikët që ndezën mediat botërore me esenë pa titull e pa datë të Hannah Arendt mbi lirinë?
Si do që të të jetë, edhe një herë bëhet e qartë se: Liria është temë përtepër komplekse dhe është absurd të tentosh ta mbyllësh atë brenda një imperativi pa përmbajtje.

 

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.