Kur „poetët“ sfidojnë shtetet

Edi Rama e pati një ide – shpalli vitin 2018 të Gjergj Kastriotit alias Skënderbeut. Ç’u bë me idenë? Deri sa ta marrim vesh se për ç’e pati kryeprimati politik shqiptar, ndërkohe le ta sigurojmë patjetër revistën „Illz“ e cila nga ideja na dhuron në praktikë një monografi faktike, fizike që rëndom në perëndim realizohet nga dhjetëra institucione me buxhetin dhe nën pratronazhin e shtetit. Përulje, respekt dhe mirënjohje për bërësit e saj!

Revista Ilz e Tiranës

Edi Rama shpalli këtë vit të „Gjergj Kastriotit“. Është 550 vjetori i shuarjes së figurës nga e cila edhe sot çdo shqiptar e percepton si gurrthemelin ontik të identitetit të tij. Ideja e kryeministrit shqiptar u ceremonializua fanfarshëm veçanërisht nga manistët, pastaj edhe nga çdokushtjetër që lidh veten me Titanin e Krujës së shekullit të 15-të. Po ja që idenë, kryeprimati shqiptar e “konceptuaka” platonçe – mjafton të duket e bukur dhe të perceptohet si shigjetë e ardhur nga përtejësia dhe kaq. Punë transcendentaliash kjo? Ose më shumë i përngjan asaj sarkazmës së Charles-Louis de Montesquieu-s që thoshte: “Kur shfaqet një ide në një kokë të zbrazët e mbushë atë totalisht – kështu pasiqë s’ka tjetër aty për t’ia kushtëzuar rangun”.
Në Jubile të ngjashme si këto e “Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, Zvicra ta zëmë, respektivisht Qeveria e saj u shpërndan një ofertë gjitha universiteteve, akademive, shoqatave si dhe firmave për organizimin e manifestimeve zbavitëse në favor të kujtesës së kulturave e identiteteve që mbajnë lidhur e koherente shoqërinë, që ato të bëjnë monografitë, revistat, studimet dhe të propozojnë spektaklet promovuese të jubileut. Shteti i përfaqësuar nga ministritë e kulturës, arsimit e të llojit financon dhe menaxhon patronazhin.
Ç’bënë shtetet shqiptare në këtë drejtim deri tash?
U bën tri muaj. Ndodhi gjë? Po. Për çdo ditë kapen banda droge dhe debatohet se si të mbrohen ministra të korruptuar që mos dergjen burgjeve. Nuk ishin të rrallë ata që me të shpallur idenë Rama na prishën dasmën duke na recituar atë maksimën e filozofit dhe poetit anglez Samuel Coleridge që thotë se vetëm të urtit paskan mundësinë të disponojnë me ide dhe se shumica e njerëzve vetëm se janë të obsesionuar nga ato. Si Rama dhe ministrat e tij që restaurojnë vetëm xhami dhe asgjë tjetër- ngase vetëm për ato mjelin turkun, këtë neosmanin që edhe sot e kësaj dite ëndërron se një dit do mundet ta vrasë Skënderbenë, qoftë edhe atje në Afrin, Siri, ku për katër shekuj histori asnjë Sulltani nuk i qeshi fati të futet në thellësi e u hapën varrin vetes që në kodrën e parë- si sot? Pyetni Orhan Pamukun se ai më së bukur e këndon këtë histori.
Platoni s’kishte as koncept e as mësime mbi eidos-in – idenë. Ia atribuoi falsifikueshëm Patristika mesjetare për ta bërë filozofinë striptizerkë të teologjisë. Kështu do të jetë edhe me zotëri Ramën – foli diçka që e shpalli si ide e tjerët ia pranuan si të tillë pa ia tërhequr vërejtjen me gojën e Mark Twain-it se “njerëzit me ide të reja konsiderohen të çmendur, deri sa çështja të jetë realizuar në praktikë”.
Eh po të prisnin shqiptarët nga shtetet dhe politikanët e tyre moti do i kishte marrë lumi e drejt në asgjësi.
Po deshi Rama dhe qeveritë shqiptare të mësojnë se si shpallet, materializohet e realizohet ideja mund të mësojnë nga “Klubi i Poezisë së Tiranës”, të cilët me numrin e tyre special për “Gjergj Kastriotin – Skënderbeun” bënë diçka që, siç thamë, këndej perëndimit e ashtu mirë bëhet vetëm me një vit organizim, buxhet shtetesh e bashkëpunim institucionesh të shumta e të thirrura për t’i dhënë përmbajtjen jubileut. Hiç më shumë se tri veta si Flamur Hoxha, Izet Duraku dhe Rexhep Shahu e plasuan idenë për një monografi të tillë dhe tubuan rreth vetes një numër të madh intelektualësh, përkthimesh, autorësh, dokumentesh dhe sajuan kryeveprën e 550-vjetorit të Skënderbeut – edicion që i nevojitet në bibliotekë jo vetëm çdo shqiptari, por edhe çdo të interesuari shkencor, kulturor e intelektual pavarësisht habituesit dhe orientimeve të tij.
Mirënjohje të thellë, përulje gjithë atyre që e dhuruan një vepër të tillë.
Kësaj radhe lirisht mund të flasim për precedentin kur poetët sfiduan dy shtete – kështu me siguri deshi fryma e atij që përkujtohet. Të mëdhenjtë të mëdhenj inspirojnë për histori e të vegjëlit nuk mbesin as si ide – ose si figurina brenda kronikës së dështimeve ahistorike.

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet në Filozofi dhe Histori dhe poststudimet në Filozofi dhe Teologji (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Aktualisht merret me studimin e Religjioneve dhe Rendeve Politike në të ashtuqujaturin Global South. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Ka ligjëruar në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermanishte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.