Mpirja e trurit dhe vëllazëria dobiçe

Shkruan: Shaip BEQIRI / Teksti i mëposhtëm është si formë përgjigje gjatë një debati me një mik të tij. Pasi bëhet fjalë se autor i tyre është njëri nga poetët më të rëndësishëm të postmodernës shqiptare e publikojmë formë-artikulli këtu!

Edhe sot paska vazhduar „diskutimi“ për Perandorinë e Shkretimit!
Ndiej një detyrim qytetar ta mbyll këtë „polemikë“ të palavdishme duke iu drejtuar një miku të hershëm dhe jo vetëm atij, me shpresën se do të mund të jetojmë e komunikojmë edhe me mospajtimin tonë për gjëra e tema të caktuara!
I dashur Sami,
ke shkuar tepër larg në këto „observime“ tuat! Pikënisje ishte një mendim i Hasan Prishtinës për atë Perandori që unë e quaj të Territ e të Mykut, por edhe të Gjakut e të Helmit! Pse ndenji 500 vjet ajo Perandori si shtypëse e lirive të popujve, midis të cilëve sidomos të ne shqiptarëve, edhe kjo është ndër tragjeditë tona të stërmëdha të historisë, pasojat e së cilës po i vuajmë ende; poende edhe pas shtypjeve të tjera në vazhdim nga serbët e pushtues të tjerë! Nuk di çfarë kërkoni ju dhe këta udhëheqës tanë, që në të vërtetë janë vëllezër dobiçë turqsh e serbësh, me pasionin kaq të zjarrtë në mbrojtje të një pushtuesi tonë të dikurshëm, nëse nuk keni idenë e gjakimit për ta rikthyer atë që shkumboi gjithë tokat shqiptare dhe i braktisi duke i lënë të copëtuara në gojë të gjithë fqinjëve tanë gjakatarë!? Sigurisht që turqtë e as amerikanët e të tjerët në Serbi nuk investojnë për kisha e xhami, por për gjëra të tjera jetike për zhvillimin e një shoqërie të caktuar! Kjo është një temë tjetër, të cilën unë këtu po e artikuloj krejt shkaras, duke prekur sall thelbin e saj. Pra, janë udhëheqësit tanë, ata që i mbiquajta vëllezër dobiçë turqsh e serbësh, që i orinetojnë investimet dhe gjithë zhvillimin e shoqërisë shqipatare gjithandej pikërisht duke u hapur udhë të gjitha drogave që janë zbuluar deri sot në këtë botë, që nga mpirja e trurit të njerëzve e deri tek tempujt ku ajo mpirje manifestohet në trajtat më tragjike që njeh historia e njerëzimit! Pothuaj të gjithë ata të ashtuquajtur udhëheqës të politikës shqiptare, sot dhe në të kaluarën në qark të gjerë kohor, gati përherë kanë vënë veten në kurtha mashtrimi e tradhtie nga lakmia për pushtet, të cilin e kanë shpërdorur në mënyrat më të shëmtuara gjithë deri sot! Këtë gjë ata nuk e kanë bërë kaq lehtësisht për shkakun që kanë qenë aq të mençur e të fuqishëm, por për një kryeshkak madhor: që ne kemi qenë më të ligë dhe më të këqij se ata! Përsa i përket mbijetesës së gjuhës shqipe dhe të identitetit kombëtar të kulturës sonë, ndonëse janë goditur, janë ndaluar dhe janë ndëshkuar më rëndë se edhe vetë shqiptarët pikërisht nga turqtë e serbët, ato kanë ngadhënjyer duke mos qenë nga natyra „investime“ të armiqve tanë e as të vëllezërve kopilë të tyre!

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.