Imperativi mamoniak i postmodernës

Kush flet për “vlera europiane”, eksponohet si ai klouni i Heinrich Böllit, i cili përfundoi shkallëve të “Bahnhofit” të Bonn-it, duke keqkënduar kundër Papës. Konflikti rreth Iranit dëshmon se as BE e as SHBA nuk çajnë kokën për vlera universale apo morale por vetëm për të shumuar sa më shumë kapitalin!

Në bazë të të cilave vlera, parime apo interesa u kundërvihen shtetet europiane SHBA-ve në kontestin me epiqendrën shiite të ajatollahëve?
Ose le ta formulojmë paradoksin edhe më afër lëkurës së sferës, në gjuhën e së cilës shkruajmë: Bashkimi Europian, para se të nis negociatat me kandidatët potencialë, kërkon që t’i pranojnë e implementojnë një mori kushtesh që në sintezë, ata, primatët e klubit i mbiquajnë si «vlera europiane». Me vlera europiane, Brukseli nënkupton ato shtyllat kryesore të «Kartës të së drejtave themelore të Bashkësisë Europiane» (2000/C 364/01), të cilat janë edhe vetë kapitujt e dokumentit në fjalë: 1. Dinjiteti i Njeriut 2. Liritë 3. Barazia 4. Solidariteti 5. Të drejtat qytetare dhe 6.Të drejtat justiciale.
Titulluar ndryshe dhe në përputhje më të plotë me përmbajtjen e tekstit bazë, atëherë këto parime mund ti quajmë ashtu si të popullarizuara, bëhet fjalë pra për: të Drejtat e Njeriut, Demokracinë liberale e libertine, Lirinë e shtypit dhe të shprehjes, Shtetin ligjor sekular – ku religjioni është i ndarë nga shteti – sekularitetin dhe racionalizmin humanist.
Janë këto vlera identitare europiane që e detyrojnë Brukselin të prishet me SHBA-të – pikërisht me ata pa zbarkimin e të cilëve në Normandinë e vitit 1944, as që do ishte kështu siç është – për të mbrojtur marrëveshjet me Iranin, Rusinë dhe tjerët e zonave tjera globale?
E qartë, madje edhe për ata që nuk i kanë punët mirë me PISA-n: Jo! s’janë këto vlera vektorët e sjelljes së europerëndimorëve karshi amerikanëve. Askush nuk çanë kokën për këto vlera përveç se kur recitohen pa asnjë kuptim gjatë ceremonisë kur shpërblehet presidenti filiz francez me ndonjë shpërblim gjerman.
Konflikti i ri, ndërmjet oksidentalëve të andej oqeanit me këta këndej, e ilustron më së bukuri se s’janë vlerat, pseudomoralet, kartat dhe dokumentet universale ato që determinojnë e konfigurojnë cirkun e radhës, por diçka tjetër. Objekti, shkaku i konfliktit ndërmjet këtyre dy copave të ndara nga oqeani është fizionomia e saktë e asaj që na mundëson të kuptojmë se për ç‘ vlerash përlahen të apostrofuarit: Irani është teokraci, me aksione të dëshmueshme ekspansioni konkret e destabilizimi në rajon e ku të mbërrijë; një vend ku ligjin bën sheriati në trajtën më agresive të tij dhe i cili është totalisht kundër vlerave tekstore të kartave universale në të cilat thirren apologjetët e tij.
Teza që thotë se as Amerika nuk është më e mirë se BE në këtë drejtim, ngase edhe vetë ka nënshkruar marrëveshje të tilla dhe bashkëpunon me diktatura poaq antihumane si Irani, qëndron dhe nuk anashkalohet dot. As SHBA-të nuk përfillin vlerat që ua lanë trashëgimi etërit e tyre të «Bill of Rights» (1789-1791).
Nëse bota nuk funksionon në bazë të akëcilave vlera atëherë çka e përcakton funksionimin e saj? Mammoni – e thamë në titull? Zoti i vetëm i kësaj bote, reaktori real i politikës globale, pusi nga han, pinë e jeton ajo «Global governance»-a që menaxhon e sundon planetin, është shenjtëria e tij dhe askush tjetër = Mammoni! Jo asaj «Global governance» sipas definimit që i bënë James N. Rosenau dhe Ernst‐Otto Czempiel me prapashtesën «without Government»-i (Cambridge. 1992: 294pp), por asaj formës tjetër ku qeveritë janë të inkuadruara në sistem, veprojnë njëjtë si koncernet globale me renditën si ideal
Cila teori e përshkruan më së miri politikën aktuale globale? Teoria më e saktë për të përshkruar këtë gjendje të funksionimit global koekzistiv do të ishte ajo e «mamonizmit». E cila mirëpo nuk ekziston. Për çka e kemi fjalën?

1.
Fjala «Mammon» buron nga arameishtja dhe donë të thotë «fitim i rezultuar nga sjellje të dyshimta». Me një kuptim më të zgjeruar fjala përdoret në gjuhët tjera semite dhe ato ballkanike dhe donë të thotë: «Maksimë jetëpërcaktuese, e cila fitimin e pandershëm material e ka parimin suprem». Për këtë arsye Mateu në Bibël (6.24) shkruan: «Askush nuk mund t’iu shërbejë dy zotërinjve: ai ose do ta dojë njërin dhe do ta urrej tjetrin ose do të jetë ithtar i njërit dhe do ta përbuz tjetrin. Ju nuk i shërbeni dot njëkohësisht edhe Zotit edhe Mammon-it». Martin Luther nuk e përkthen fare fjalën mammon në gjermanishte por e le ashtu, siç e sjellin gjuhët e vjetra burimore. Në art koncepti është i materializuar bukur në pikturat  «Lutjet Mammon-it»- të  Evelyn De Morgan (1909) dhe ajo «Mammoni dhe skllavi i tij» të Sascha Schneider (1896), Steve Jackson Games, John Milton, Todd McFarlane dhe dhjetëra autor të sotëm e kanë materializuar këtë lēmma, në film, letërsi, grafikë e të ngjashme bashkë me konceptin e saj etimologjik.
Politikat që për parim suprem kanë këtë maksimë mund të ndahen në dy kategori: a) të zgjuarat që me perfiditet instrumentalizojnë vlerat, moralet, ideologjitë tjera në favor të kësaj maksime dhe b) injorantet, të cilat nuk ia dalin dhe zhvishen shpejtë, duke u denoncuar radikalisht e shpejtë si hajdute, korruptive, antidemokratike.
Ato të kategorisë a sundojnë mbi të dytat dhe u imponojnë rregulla jo se veprojnë sipas ndonjë doktrine ndryshe politike, porse si koncerne më inteligjente kanë akumuluar dijet, pasuritë para të dytave. Këtu më mirë se diku tjetër vlen: Kush ka Mammon-in ka edhe pushtetin – fare thjeshtë. Në thelb janë të një mendësie. A janë perëndimorët B janë gjithë dudat tjerë të kësaj bote.
Donë të thotë se iluminizmi, humanizmi, kartat dhe të drejtat universale janë të gjitha farsë dhe se çdo progres i humanitetit në këtë drejtim ka dështuar? Le t’i shikojmë edhe më thellë krizat aktuale para se ta japim po-në që kemi ndërmend!

2.
Më lartë pyetëm se në emër të cilave vlera mbron BE marrëveshjen me Iranin – si rast konkret dhe ilustrues? Vetëm disa ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes me Iranin u lidhën kontrata të shumave marramendëse ndërmjet firmave gjermane, franceze, britanike, zvicerane, italiane me Iranin: në sektorin e importit dihet se ç’mund të blihet nga qendra e shiitëve; karburante! Në segmentin e eksportit firmat perëndimore i shesin armë Iranit; megafirma nga Zürich-u, Londra, Berlini janë të angazhuara për modernizimin e infrastrukturës, qendrave të energjisë, atyre ushtarake, transportit ndërkombëtar dhe për eksportimin e shumicës së teknologjive të reja të komunikimit masiv. Gjitha këto firma të angazhuara nga Europa në Lindjen e Mesme, mirëpo si garant sigurie kanë SHBA-të. Për shkak të anashkalimit të ligjeve dhe problemeve eventuale me demokracitë e brendshme, bizneset këto vende i bëjnë nëpërmjet selive ose filialeve të tyre në New York, Washington e gjetiu. Edhe këtu vlen ai parimi që e përmendëm në atë kategorizimin a dhe b – europianët me marrëveshjen që ua nënshkroi Obama tejkaluan për nga zgjuarsia SHBA-të, ngase fitimin e marrin vetë ndërsa Amerikën e përdorin si urë në «situata krizash», sidomos në rast se Irani çon hundët ose qytetarët kërkojnë llogari nga primateria politike për biznes me “demonët”. Atë që e besonte Obama nuk e beson më Trump: të parit iu garantua se nga fitimet do t’u paguhen borxhet dhe do të rritet kontributi i tyre për NATO-n dhe organizatat tjera supranacionale, të cilat pa kontributin amerikan do kishin cofur moti.
Masat që i paralajmëruan në Sofje primatët e BE-së u bënë pra jo për arsye të mbrojtjes së vlerave, por nga frika se kollabon ekonomia e disa shteteve europiane, që tash ushqehen luksshëm nga kontratat në Lindjen e Mesme, Afrikë e gjetiu.
BE nuk e shtyn dot me amerikanët. Zhurmë kot bëjnë. Apo megjithatë mund të ndodhë diçka? Analistët eminentë janë të njëzëri: mund të ndodhë shpërbërja e BE-së më shpejtë se çdo union tjetër në histori!
Irelevante kjo megjithatë për këtë hyrje në problem që bëjmë këtu, në këtë tekstit.
Pse dështuan iluminizmi, humanizmi dhe gjithë izmat tjerë në këtë gjendje, që kjo epokë, e ashtuquajtura postmodernë, të bëhet madje edhe më brutale, shumë më e egër në realizimin e maksimës, imperativit mamoniak – siç e quaj unë – se ato parapraket që i konsideronim si ashtu më primitive se këto perfidet?

3.
Që nga Bertrand Russell e këndej elitat perëndimore braktisën traditën e sistemeve filozofike të vijës Ockham-Hegel-Kant e kompani dhe u fiksuan në të vërtetën «absolute» aq shkundulluese, mendjeyllëzuese të austriakut shëndetlig Wittgenstein se: «Imazhet tona mentale dhe ato gjuhësore mbi objektet dallojnë nga esenca e tyre reale». Domethënë: Druri nuk është vërtetë ashtu siç e parafytyrojmë imagjinueshëm e as si e kodojmë gjuhësisht ne, por ndryshe. Haleluja. Derridianët nisën dekonstruksionin e çdo fjale që del nga goja e Henryt, Hysenit, Hitës, John-it dhe Gjylës për ta bërë shkencë këtë zbulim aq hyjnor. Dhe nga druri dolën tek ajri, hëna, dielli, zoti për të përfunduar tek nënat e tyre me pyetjen: i quajmë vërtet ashtu siç i ndeshim në përditshmëri apo Freud-i me Lacan-in kishin të drejt me libidon dhe Edipin? Pas dekonstruksionit metaretorik të retorikave politike të kohës John Gray bërtet nga Londra: «Kjo është politikë apokaliptike». Ian Morris me një vepër 700 faqesh pyetet «Kush qeveris me botën», për të thënë në fund, ja eureka: Perëndimi. Natyrisht pa treguar pse dhe si. Amartya Sen e ka një ide se si ta shpëtojë botën: «Drejtësinë», e cila pranon hibridietin e botës – tautologji fenomenale për ata që harrojnë shpejt çka shohin përtej dritares. Martha C. Nussbaum ia kthen duke i thënë se çdo «Drejtësi ka kufij». Cila drejtësi, cilat kufij, ku? Literaturë me vagonë. Përshkrime aq detajore saqë s’ke nevojë të vësh në përdorim dylbitë e dekonstruksionit as të Derridës; as të optikut Spinoza për ta shikuar si Reality Show këtë botë më të mirën të mundshmen e Leibniz-it dhe paraprakut të tij Augustinit; as se me ç’imperativ funksionojnë kombet e pasura dhe ato të varfra. Krejt si në vitrinë është: jo nëpërmjet të këmbimit të vlerave funksionojnë kombet, por valutës, interesit reciprok, i cili fatkeqësisht është kundër dinjitetit, lirive dhe shumicave sidomos të atyre që u zhvaten resurset dhe nuk kushtëzohen me asnjë vlerë që do tu përmirësonte jetën njerëzve të skllavëruar aty.
Pra mendimi, filozofia, elitat botërore të postmodernës nuk ia dolën, nuk ofruan asnjë formulë që edhe në këtë epokë të vazhdohej me idealin e mirëqenies dhe lirisë së barabartë për të gjithë. Një teori që do të çlirohej nga eurocentrizmi dhe centrizmat tjerë dhe do të zhvillonte në vetëdije universale perspektivën empatike të Jeremy Rifkin – parasëgjithash për popujt e skllavëruar nga ku thithin gazin, energjitë dhe ku sheshin produktet e tyre asgjësuese. Mungesa e një iluminizmi 2.0 që ishte detyrë e mendjeve të kësaj epoke, vazhdon të mbulohet me epidemitë, shpërnguljet, migracionet, luftërat dhe padrejtësitë në të njëjtin modus si më parë, veçse me këste të kohëzgjatjes më zemërgjerë.
Dështim total intelektual i epokës.

4.
SHBA-të dhe BE mund të flisnin për vlera, në rast se ato, kartat Universale që i proklamojnë, të drejtat dhe liritë i bënin si parakusht hyrjeje në çdo marrëveshje për import dhe eksport ekonomik. Jo kulturor dhe social. Kjo donë të thotë ato do ishin të detyruara që të kultivojnë modusin e një “diplomacie dhe biznesi të distancuar” – me këtë term unë nënkuptoj koekzistencën në paqe dhe këmbimin politik vetëm në nivel të shërbimit të qytetarëve rezident në dyja vendet dhe tregti fair play pa varësim nga njëri tjetri– por jo më tepër, ngase infektimi drejt negatives nga njëra tek tjetra shoqëri historikisht është dëshmuar si eklatant.
Siç shohim as BE as tjerët, asnjëri komb aktual nuk mbron vlera të caktuara, përveç maksimës së përfitimit të pakufi të kastave në pushtet.
Si funksionojnë shtetet ballkanike, respektivisht ato shqiptare brenda këtij «imperativi mamoniak» dhe cilat janë pasojat konkrete? Si manifestohet kjo në politikë, media, biznese? Me ç’doktrinë mund t’i shpëtonin kësaj gare të egër ndërmjet superfuqive, suprancionalizmave, tendencave ekspansioniste të lloj lloj iluzionistëve të dalë nga bodrumet e historisë – me trajtimin e këtyre pyetjeve vazhdojmë herën tjetër!

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet në Filozofi dhe Histori dhe poststudimet në Filozofi dhe Teologji (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Aktualisht merret me studimin e Religjioneve dhe Rendeve Politike në të ashtuqujaturin Global South. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Ka ligjëruar në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermanishte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.