Kulturosfera shqiptare në duart të imamëve

    Po të mos ishin hoxhallarët, kultura shqiptare do të përmbysej edhe më gropshëm. Kjo kategori, le ta quajmë teopate, e shoqëruar me pseudo-imamatin e publicistikës, kujdeset për regjenerimin e kulturës kur mungon shteti, kur institucionet e arsimit gjenden para shuarjes dhe kur mungojnë elitat në çdo fushë vitale të shoqërive shqiptare.

    1.
    Një mik, që është merimanguar keq skutave të pushtetit dhe klaneve politike më shkroi e pyeti në mos kam ndonjë projekt-skicë në tru se si mund t’i ndalim, urtësojmë këta imamët, erdofilët, euroturbot, varreopatët dhe nxitësit tjerë pasi lodhkan mentalitetin si ashtu të bërë tenxhere zhurmore që s’ndalet dot së rrokullisuri shkallëve të injorancës.
    Gati sa nuk ma nxiti infarktin ideja.
    Në asnjë mënyrë! I bërtita vetes para se ta qortoj me shkronja idekeqin, i cili si duket sapo kishte mbaruar së shikuari ndonjë nga ato emisionet televizive, ku fyhej e batakosej Konica, Fishta, Skënderbeu dhe gjitha ato figura me të cilat tash e ca vite krenohet serish e nga fillimi «raca» plisore ballkanike.
    Në asnjë mënyrë pra nuk duhet t’i mbyllet goja asaj kategorie që flet e bënë hatanë ashtu siç vepron tash e gjysmë dekade. Ky qëndrim imi, për shkak të së drejtës sublime të individit për tu shprehur i lirë? Jo, aspak, ngase e drejta e shprehjes nuk duhet të kuptohet automatikisht si fabrika e veprimeve të papenalizueshme. E drejta ime e shprehjes nuk duhej të më mbrojë mua nga ligji kur fyej, nxisë, mbrojë apo asistojë kriminalitetin.
    Për diçka tjetër nuk bën të tërhiqet kjo kategori nga ofensiva e saj e fyerjes së pakicave e shumicave brenda demosit. Duhet – kështu mendova mbrëmë – duhet bërë edhe unë ca shkrimeve me motivin e qartë për t’i përdhosur ata edhe më shumë. Dhe kjo ide e imja nuk u ndal vetëm me kaq, ajo ka nisur të marrë madje përmasa futuriste; dikur kur të pajtohemi ndërmjet vete, pasi s’kemi ku i ikim njeri tjetrit ngase «një gjuhë nëne e kemi», do t’i propozojë publikisht për medalje presidenciale si heronj të shpëtimit të kultursoferës shqiptare. Pse? Si ore pse. Ja për ç’arsye!

    2.
    Ta sqarojmë paraprakisht termin shtyllor që përshkon gjarpshëm këtë kollumne: me Teopatë kategorizoj unë këtu, ekskluzivisht në këtë tekst, gjithë ata që në emër të cilësdo fe e ideologji luftojnë apo mbrojnë me synim, motiv e qëllim vlerat e kulturës, gjuhës dhe historisë shqiptare duke u bazuar kryesisht në «kontemplacionet» e tyre irracionale.
    Të atillët pra e që nuk përfillin faktografinë; as kërkesat «reale» të shumicave; as politikat konkrete e deklarative të pushteteve, asgjë pra përveç asaj që besojnë se e dinë, iu duket sikur e ndjejnë; pa lexuar e punuar fare bëjnë dekonstruksione, pa përfillur vetëqenien siç janë flasin për vullnetin e tjerëve e kështu deri në pafundësi.
    Teopatë u themi domethënë atyre që besojnë të jenë gypat absolut të së vërtetës njëshe që lidh tokën me zonat tjera të universit. Në këtë kategori nuk i aludojmë vetëm tipat si ai Eustashi i Bolonjës – kemi fjalën për atë piratin e mesjetës të mbiquajtur «Murgu i Zi» që portretohet pa një dorë dhe pa një sy. As vetëm ata hoxhallarët pa një krah e që mjekrat u duken si pluhurthithëse shkretëtirash të Afro-Azisë nuk i kemi ekskluzivisht në shënjestër.
    Në kafazin e këtij termi, të teopatit, ashtu siç donte Bataille (G. Bataille. Exp. Int. 1943: 86) e fus gjithë atë divizion fakefabrikantësh, gjithë ata që «argumentojnë» me mite, legjenda, stereotipe duke besuar se gjitha ato çka bëjnë i kryejnë ritualshëm në shërbim të Zotit të tyre e që në fakt i shërbejnë një tjetri, të cilin ata nuk e njohin si duket – asnjërin nuk e njohin. Cilit?
    Përafërsisht e thamë tashmë, por ja e përsërisim: Ata i shërbejnë atij Zoti që është për mbijetimin e gjuhëve dhe kulturave siç është edhe kjo shqiptarja.

    3.
    Ç’u bë me Vitin e Skënderbeut? Ndoshta do ta kuptojmë më së voni në tjetrin vit. Në atë të Haxhi Qamilit. Kulturat nuk kultivohen, hapen e dinamizohen me chunk-fluska postsovjetike si ato të Edi Ramës apo edhe me ato arkaiket e më nënrriporet e Ramushit. Rama si duket tërë jetën ka mësuar vetëm floska përmendsh për t’u bërë arrogant me tjerët, për t’i nënçmuar ata që i dalin përballë e jo për të mësuar diçka esencialisht. Kështu na doli kohëve të fundit, kokëbosh, joserioz dhe hiç artist (Kultura është edhe pallat artesh).
    Me këtë paragraf sipër nuk desha të vë në dukje vetëm arrogancën e zotëri Edi Ramës, por edhe joseriozitetin e shteteve shqiptare, papërgjegjësinë e tyre karshi kulturës.
    E dini se tjetërsimi kulturor më masiv në historinë më të re shqiptare ndodhi pas rënies së monizmit në Shqipëri? Nga mbi 400 mijë shqiptarët që ikën në Greqi më shumë se gjysma e tyre e ndërroi kombësinë. Në perëndim ishte tendenca e njëjtë por – fatmirësisht- vendet perëndimore këndej nuk kanë fabrika për prodhimin masiv të shtetasve, siç i kanë grekët, turqit, arabët e disa tjerë.
    E dini se kjo dukuri ishte pasojë e një frymë që ishte kundër çdo gjëje shqiptare që atëbotë në Shqipëri e shkruanin në tonelata letër «elitat» e saja që sot janë reduktuar vetëm në fizikun e ca tipave mobilë që enden herë këndej e herë përtej detit e që mund ti shembullosh me Induktivin Fatos Lubonja.
    Pas «zgjedhjes së çështjes së Kosovës» e njëjta dramë pritej edhe në zonat përtej «londinisë», kësaj terra fatale me Londrën aq larg po sa është edhe distanca ndërmjet tokës dhe diellit. Drama ndodhi, por megjithatë jo në përmasat e shembujve të mëhershëm (më gjerësisht rreth kësaj teme lexo: Traktat për kulturosferën shqiptare). Ajo madje ka nisur të stopohet me sukses – tëhuajësimi kulturor i shqiptarëve në favor të identiteteve tjera. Madje edhe në këto kushte kur shtetet e sforcojnë atë, që të ndodhë. Se a e bëjnë nga padija apo ëndrra e sëmurë për sa më shumë para, do ta dëshmojnë vettingjet më vonë, ato tashmë kanë përlarë Ballkanin.
    Nëse shtetet dhe shoqëritë shqiptare nuk ishin të afta t’u dalin para këtyre proceseve zhbërëse të kulturës shqiptare, atëherë kush e bërë këtë stopim pra? Hoxhallarët!
    Këta të shoqëruar nga pseudo-nihilistët (këta nuk mohojnë vlera por i shajnë ato duke mos i njohur ose nga motive hakmarrjeje ndaj vetes) ishin fati brenda letalitetit të kulturës shqiptare.

    4.

    Janë teopatët që shpëtuan kultursoferën nga përmbysja e saj edhe më tragjike. Ligjërimet e tyre banale kundër ujit të nxehtë, demonimit të puthjes ndër lisa, propagimin e tyre pro incestit si seks normal e legal, apelet e tyre për ta bojkotuar detin, për t’i rreh gratë si mushka para përdhunimit seksual iu dëshmuan masave se sa e vlershme është kultura shqiptare, traditat dhe njerëzit e saj si Skënderbeu e sidomos Konica, Fishta, Çajupi; se sa e madhe ishte Gonxhe Bojaxhiu që doli nga ajo kulturë.
    Mos të ishin këta që ta nxisin kujtesën shqiptare të rireflektojë këto vlera që e sollën më në fund në pozitën me dy shtete pa e pasur asnjë, shqiptarë do kishte sot vetëm në Amerikë, Zvicër dhe Ukrainë por jo aq shumë në viset e tyre autoktone. Sa për qeveritë dhe politikat e tyre etnozonat shqiptare do ta hynin në librin e Ginisit si të parat që realizuan romanin «Brave New World» të Aldous Leonard Huxley-t, në praktikë. Do ishte më mirë kjo a më keq nuk dimë – ndoshta?
    Mos të ishte kështu siç thotë kjo teza jonë, sot Gëzimi nuk do t’i kishte 0% anëtarë, Fuadi do ishte ende Lisbë dhe Diyaneti osman nuk do i kishte nën sundim vetëm ata që ia shesin pronat e tyre gjysma-gjysma (një pjesë për xhepin e tjetrën për xhepin) dhe ata që ende nuk kanë folur me veten për ta konstatuar se në ç’gjuhë flasin realisht dhe se me atë më mirë iu del të duan se të shajnë.
    Siç na del nga ky argumentim a fortiori imamët gojëkëqij, aktivistët e agjenturave të ndryshme ekspansioniste e plotë mohues tjerë të shtyllave të identitetit shqiptar ishin dhe mbeten bakteret kryesore efektive për mbijetimin, regjenerimin e sistemit imunitar të kulturës shqiptare.
    Sot pa hamendje mund të themi se më shumë falë tyre, kësaj kategorie, egërsisë dhe banalitetit të saj, patriotizmi konstruktiv në etnosferën shqiptare është shumë më alive and kicking se në kohët kur kjo sferë gjendej nën sundimet e saja.

    5.
    Prandaj këtë kategori nuk duhet luftuar. Por herë pas herë duhet provokuar që të ndizet edhe më shumë, ngase përtash janë e vetmja mburojë e kulturës shqiptare. Janë të vetmit që bëjnë punë të mirë për të – qoftë me fatin e keq e të qenurit pakicë që duhet ta bëjë luftë, ta mbajë atë në takt të sistemit imunor që mos dëmtohet edhe më shumë një kulturë që nuk e meriton deformimin total të saj.

    Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.