Një vend pune për Petritin

    «Më fal babë, që nga nesër nuk të vizitoj e të sjell dot më mbi varr lule të freskëta». I biri i vrarë përsëgjalli, atë që shteti e pushteti e detyrojnë botës si emigrant i kërkon ndjesë mbi varr të rënit, ngase do ta braktis vendin për të cilin i shtrirë në varr rra dëshmor.

    Cili prej këtyre dy gëzonte apo cili jeton vërtet lirinë? Ai që me vullnetin e lirë i hapi luftën mohuesit të lirisë së tij, apo ky që i përgjunjur, sypërlotur, i thyer kumton se do të ikë botës për t’ia siguruar ekzistencën minimale familjes.
    Pa dilemën më të vogël: Daut Dervishi, i rëni ishte më i liri, i biri është i vdekuri përsëgjalli. Çdo liri nisi nga Njëshi. Kur i fundit ik, heshtë, nënshtrohet, asgjësohet, nis formimi i shumicave skllave. Nis jeta e robërive. Kur njëshi bie dëshmor, ngase është e pamundur t’i vrasësh gjithë njëshat, nga varri, nga andej, fryma e tij pushton sa më shumë njësha që të gjallë krijojnë shumicën e lirë. Kështu duhej të ishte, por nuk ndodhi si në gjithë botën, edhe në Kosovë.
    Edhe në varr duhet Daut Dervishi të qajë për djalin e tij, për nipin ende foshnjë, i cili për shkak të kësaj palirie duhet të rritet gjysmë-jetim, me babë diku nën-urave metropoleve të Hungarisë ksenofobe apo edhe më keq.
    Ja le ta provojmë sikur të flasin e ndiejnë edhe të vdekurit. Çka vallë ndiente dëshmori Daut Dervishi pas ligjërimit të të birit mbi kokën e tij: U krenua të ketë rënë dëshmor për këtë Republikë të Kosovës, për këtë shtet e pushtet? I tha Petritit: «O im bir më përqafo komandantët e mi lapidar Ramushin me shoqëri, Fatmirin, Kadriun për të të shenjtën liri»? Apo Dauti në varr e lëshon një ofkamë pendese bashkë me një mallkim të rëndë që mund të formulohej kështu: mos shpresoni kur të vdisni se ju bëjmë vend këtu ndër ne! Andej, atje në mëhallën e atyre vrasësve tanë keni përfunduar, në ferr.

    *
    Kjo hyrje ndoshta është emocioanlitet i tepruar i autorit që nuk ia doli dot pa lot ta lexojë rrëfimin e Petrit Dervishit. I biri i emnakut të vëllait të kryeministrit aktual mirëpo nuk është i vetmi. Janë mijëra. Kronisti objektiv e dinë se shteti i Kosovës ende nuk ka marrë këmbë dhe se të papunë ka edhe në vendin ku ai, autori i kësaj shkrese, ka gjetur atdheun e tij të dytë. I njëjti mirëpo e di gjithashtu se Petriti nuk është viktimë e këtij fati të vonuar shqiptar, por më tepër i nepotizmit të rëndë, punësimit të grave, dashnoreve, hamshorëve të djemve e të çikave, të paaftëve, punësimit të akrabasë që prej Mollës së Kuqe e deri në Gjevgjeli nga edhe u vijnë gratë; është viktimë e pasurimit kriminel të kastave të ngushta të ish «komandantëve» të Dautit; Petritët janë viktima pushtetesh injorante që për pare kanë shitur besë, gjuhë, kulturë, nder e lere më të vdekur e të gjallë. Kjo të bën të shpërthesh. Ky realitet të çmend e jo ndonjë emocionalitet që mund të rezultonte nga ndonjë gotë whisky para iMac-it apo iPad-it ku i prekuri lexon portale shqipe.

    *
    Gjersa në kushte të robërisë, ata që iknin e mërgonin, pasi të vetmuar e të izoluar në luftën e tyre dhe iknin më shumë nga të «vetët», ishin të rrallë, sot gjithë ikin, pa përjashtim, jo nga të huajt, por nga kriminaliteti i të vetëve, pamoralësia dhe shkelja antihumane e atyre që ngulin këmbë të kenë qenë krah Dautit e sot Petritit – që të dy të vrarë!

    Ky është një realitet që nuk i shpëton asnjë kronisti lapsëgjallë të kohës. Përveç atyre që vetë hanë pangopshëm nga pushteti aktual, askush tjetër nuk i do dhe lavdëron politikat jonjerëzore aktuale. Vetëm kjo kategori që jeton si oportuniste në çdo sistem i lavdëron këto qeveri – tjetëkush me sado me pak moral të jetë, jo!

    *
    Petriti s’duhet të ikë. Duhet një solidaritet si atëherë kur shqiptarët nuk kishin shtet e më hiç pushtet. Duhet të dalin qoftë edhe nga toka njerëz që punësojnë Petritin, punësojnë ata që duan e munden të punojnë por që aty ku është shteti nuk munden, ngase vendet i kanë zënë parazitët e familjeve, dashnoret me baballarët, xhaxhallarët, xhymretët virusal të çdo pushteti kriminel, siç janë aktualisht këto shqiptaret – jo vetëm administratës publike por edhe në çdo ndërmarrje private, ku kanë brenda qoftë edhe majën e gishtit pushtetarët. Këta pra – Vrasësit e vërtetë të Dautit, Petritit dhe mbi të gjitha të lirisë për të cilën luftuan gjithë të rënët.

    (Rrëfimi në GazetaBLIC)

    Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.