Islamist apo mysliman shqiptar?

    Kim Mehmeti thotë të jetë „islamist i pandreqshëm” ngase qenka “mysliman shqiptar“ dhe „proturk ngase atje jetojnë shqiptarë“. E drejtë e tij personale që ta arnojë identitetin e tij si të dojë. Skizokontradiktat e një habitusi publik që vetë nuk është islamist por fabrika e tij!Ç’zotësie hermeneutike na nevojitet për të dekoduar sa më pa spekulueshëm këtë status: “Miq të kësaj faqeje më pyesin pse nuk u përgjigjem ‘kalemxhinjve’ që më shajnë e ofendojnë, që merren me islamizmin dhe proturqizmin tim! Po unë edhe jam islamist i pandreqshëm, ngaqë si shqiptar mysliman mburrem me çdo gjë që është pjesë e identiteti tim! Njësoj siç jam e do mbetem ‘proturk’ i përbetuar, ngaqë në Turqi jetojnë familjarë të mi dhe me miliona shqiptarë të tjerë! Pastaj unë jetoj sipas parimit se njeriu duhet të kujdeset për pastërtinë e tij njerëzore dhe nuk duhet të zhytet nëpër gropat septike të urrejtjes ndërfetare, e ku janë zhytur këta anti-islamistë të neveritshëm. Dhe e di se bajgën mund ta shkelësh e ta bësh copa, por gjithashtu e di se këpucët me të cilat e shkelë atë, do duhet vetë t’i pastrosh dhe se atyre gjatë kohë do u vijë era e qelbur! Andaj ja një këshillë: ‘varrezë’ publike për injorantët dhe ata që i urrejnë të tjetër, është injorimi ynë ndaj tyre!”?

    Këtë deklaratë e botoi shkrimtari nga Maqedonia Kim Mehmeti në murrin personal të tij në facebook. Pse e diskutojmë atë çka thotë një autor si ky i Maqedonisë? Sepse Abdylhaqim Mehmedi nga mediat e Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit nuk trajtohet vetëm si një autor rrëfimesh fiktive, por edhe si politolog, historian dhe jo rrallë plasohet edhe si babai frymor i asaj pjesë të kulturosferës shqipfolëse.

    Ai thotë „Po unë edhe jam islamist i pandreqshëm“. Po ç’është islamizmi siç perceptohet e përdoret letrarisë profesionale? Në shkencat sociale, që nga vitet e 70 e këtej, me islamizëm nënkuptohen: „ideologjitë dhe lëvizjet e ndryshme të islamit fundamentalist politik. E përbashkëta e gjithë këtyre rrymave është përpjekja për të realizuar një shtet religjioz në emër të Allahut dhe sipas sheriatit. Këto janë kundër ndarjes së shtetit nga feja, janë kundër parimeve të individualitetit, pluralizmit, sovranitetit kombëtar, të drejtave njerëzore dhe barazisë gjinore (…)“. Këtë përshkrim terminologjik e gjen në çdo fjalor profesional që nga arabishtja e deri tek zululishtja. Kim Mehmeti thotë se në këtë drejtim është i pandreqshëm, në kuptimin se nuk e ka ndërmend të ndërroj ndonjëherë nga kjo udhë. E drejtë e tij. Arsyeja se pse qenka i tillë është ngaqë: „si shqiptar mysliman mburrem me çdo gjë që është pjesë e identiteti tim!“. Domethënë Kim Mehmeti është islamist për arsye se është mysliman shqiptar. Po ç’është myslimani? „mysliman është ai që u nënshtrohet mësimeve të islamit, respektivisht mësimeve të profetit Muhamed“, ndërkaq çka është shqiptar besojmë ta dimë gjithë, përveç tij. Me këtë deklarim Kim Mehmeti përçon tek ithtarët e tij mesazhin se të jesh mysliman shqiptar do të thotë se automatikisht je islamist i pandreqshëm! Ashtu edhe e kuptojnë komentuesit e tij; drejtë! Shumica e komenteve – edhe pse rëndë ti kuptosh pavarësisht pseudogjuhës që përdorin – aplaudojnë me „Allahu është Një“, se do vijë dita kur islami do ta pushtojë botën e gjepura e floska të sojit. Dhe këtyre u bënë apel Kim Mehmeti që të mos reagojnë ndaj kritikave, të cilat i quan sharje dhe ofendime, kundër tij, duke i përheshtur sikur të ishin varri veti. Nëse asgjë tjetër nuk di Kim Mehmeti aq inteligjent është sa për të ditur pse i ikë polemikës.

    Është vërtetë Kim Mehmeti një islamist (fundamentalist) i pandreqshëm? Nëse analizojmë mënyrën se si jeton, si shkruan dhe si flet; assesi! 90% e retorikës së tij është ultranacionaliste, shpesh shoviniste, sidomos kur ligjëron mbi shqiptarin e shqiptarësinë – se nacionalizmi me islamin shkon bashkë vetëm në zhargonin e Erdoganit dhe mësuesve të tij e di çdo lexues i vëmendshëm i gazetave -; ai jeton si gjithë sekularët tjerë dhe përveç llafeve religjioze për ta mbajtur të ndezur kopenë e tij është larg praktikimit të ndonjë lloj ortodoksie fetare. Nëse nuk është islamist atëherë çka? Nuk është politolog, as historian, as sociolog, as teolog, është një njeri i padijshëm që ngatërron definicionet, i përdor pa i njohur fare. E bënë këtë për t’i shërbyer dikujt, kujt? Për këtë le të absorbojmë informata nga një element tjetër i kësaj deklarate, asaj ku shkruan: „Njësoj siç jam e do mbetem ‘proturk’ i përbetuar, ngaqë në Turqi jetojnë familjarë të mi dhe me miliona shqiptarë të tjerë!“. Kim Mehmeti është proturk për shkak të shqiptarëve që jetojnë atje. Domethënë është pro shqiptarëve që jetojnë në Turqi? Lufton në ndryshimin e kushtetutës turke që nga Ataturku e deri sot që ndalon çdo identitet tjetër përveç atij turkut dhe aktivitete të llojit? Angazhohet që edhe në Turqi njerëzit të munden që si ky në Maqedoni të jetë nacionalistoshqiptar islamist proturk i lirë dhe i paprekshëm e madje edhe më tepër duke bërë liderin e një cope të kulturosferës shqiptare? I vëreni paradokset aq të egërta, të cilat psikanalistët e diagnostikojnë si më të thellën skizofreni?

    Ndaj një sjellje të këtillë duhet të reagojë dhe kritikojë çdo shqiptar mysliman i shkolluar, ngase e difamon myslimanin dhe atë në mënyrën më brutale, duke e barazuar me islamistin fundamentalist të llojit erdoganist. Për këtë arsye edhe janë kritikat serioze ndaj këtij shkrimtari. Është njeri publik dhe ka ndikimin e tij. Deshëm ta pranojmë këtë apo jo. Në këtë status që cituam lartë, deri në çastin e dokumentimit nga ne, kanë reaguar 41.556 persona, duke shikuar videon ku bën shqiptaromadhin par exellance. Dashuria e verbët vret njëqindfish më shumë se çdo urrejtje. Dikush që e ka mik Kim Mehmetin duhet të flas me të që të ndalë paradat e tij mediale infektive, psikotoksike për arsye se shkakton dëme të mëdha në njerëzit që e ndjekin, ndër të cilët rrallë e has ndonjë me shkollë apo ndonjë politolog përkrahës që vërtet mendon siç shkruan Mehmeti mirëpo me bindje e jo nga skiza. Kjo ka rëndësi – të këshillohet duke e bindur se nuk është në interesin publik kur të padijshmit kullosin andej e atje ku nuk kanë kompetenca.

    Efektin destruktiv në masa e institucione të demagogëve të këtillë, e ka sinjalizuar bukur edhe filozofi amerikan John Dewey (1939:a) kur shkruante se: „Rreziku i vërtetë për demokracinë tonë nuk janë ekzistenca e shteteve të huaja totalitare. Rreziku ynë vjen nga qëndrimet tona personale dhe ato të institucioneve tona ku mbizotërojnë kushte (ku bëjnë pjesë edhe mediat me protagonistët e tyre), nëpërmjet të cilave bartet efekti i ndonjë autoriteti të jashtëm, disiplinës dhe uniformitetit, pra krijohen varësi ndaj atij diktatori-i totalitar, kështu duke u ndihmuar që të triumfojnë edhe tek ne tipa të tillë – kjo është fushëbeteja jonë – tek ne vetë dhe tek institucionet tona“. Ia kap radaka këtë Mehmetit kur thotë se ne nuk duhet të na interesojnë konceptet e Erdoganit se çka do me ne, në të njëjtën kohë kur thotë jam proturk, lavdëron e mbron Erdoganin paralelisht duke u zotuar se qenka për shqiptarët e asimiluar atje, pikërisht në atë vend ku shumica e kolegëve të tij janë burgjeve, të vrarë apo proceseve gjyqësore duke u pështyrë nateditë në fytyrë?

    Ata që e kritikojnë Mehmetin dhe ithtarët e tij nuk janë islamofob, por janë shqiptarë që myslimanin e tyre nuk e duan skizofren, erdoganist, proturk, prorus, proiranian, të padijshëm dhe injorant, nuk e duan atë si islamist të gatshëm për t’ia mësyrë aradheve talibane në Lindje apo perëndim. Kritikët e duan një shqiptar që nuk urren askënd, një që nuk i ofrohet asnjë manipulimi pro-dikujt për një rrogë skllevërish. Ata që kritikojnë shkrimtarin nga Maqedonia s’bëjnë asgjë tjetër përveç se demaskojnë demagogjinë e tij që donë ta shes si luftë kundër „Islamofobisë“. Asnjë fobi nuk luftohet me pati. Islamopatët dhe islamistët e pavetëdijshëm janë kategoria e fundit që duhet marrë seriozisht e dëgjuar në ndonjë kampanjë antidiskriminuese. Kjo është arsyeja se pse Kim Mehmeti u bën apel ithtarëve të tij që ta injorojnë kritikën, ngase është injorant në shkencat ku duhet të jesh i përgatitur para se të merresh me terma e tema si islamizmi, religjionet, politika, nacionalizmi, kulturat e njeriu. Gjitha këto që i mungojnë tregimtarit nga Shkupi. Gjë që shihet saherë që nëpërdhëmbë definicionet aq të përhapura e diskutuara të kohës e diskurseve tona.

    Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.