Ese mbi epistemocidin

(Kjo histori e shkurtër mbi epistemocidin dhe gjenitë e martirizuar i kushtohet poetit martir kuksian Havzi Nela, i varur nga regjimi komunist shqiptar më 10 gusht të vitit 1988.Gjitha të drejtat tek revista „Illz“)

Përveç luftërave tjera ku ndeshen për ta vrarë njëri tjetrin popujt, shtetet e kulturat, ekziston edhe lufta historike e gjeniut kundër despotit dhe anasjelltas. I pari dijet dhe njohjet e fituara mbi botën, lirinë, njeriun dhe natyrën e tij i përhap formëfryme kohës e kujtesës. I dyti, tirani, që poashtu përdor përherë një doktrinë, filozofi, fé si mjet manipulimi për të mbajtur njeriun në psikokafaz, të pranguar këmbeduar brenda sistemit të tij, ka qenë historikisht, tash e tri mijë vjet të regjistruara nga kujtesa njerëzore, armiku i përbetuar i të parit. Gjersa gjeniu, i cili që nga iluminizmi e deri në postmodernë perceptohet si triumfatori, demiurgu i frymës së lirë, tirani është demoni, ati i së keqes absolute. Se pse është kështu e jo ndryshe – natyrisht me përjashtime – përpiqet të argumentohet në këtë ese. Dhe jo vetëm kaq. Në këtë tekst flitet nga një perspektivë aq e munguar në letrarinë globale – atë të epistemocidi![*]
Studimet e deritanishme në këtë drejtim përfolin e janë të përqendruara më shumë tek dëmet ndaj materialiave pa treguar kujdesin as minimal për njerëzit, bartësit e frymëve gjeniale që sot e në të ardhmen frekuentojnë si vektorë mentalitetesh, shkollash, filozofishë, kulturash, popujsh e paradigmash. Kjo lloj lufte ndërmjet frymës së lirë dhe atyre që duan të instrumentalizojnë për pushtet ose zhbëjnë vazhdon edhe sot – në forma tjera plus në modusin e saj klasik, si gjithmonë.

I.
Gjatë vapës provinca hinde Karnataka nuk dallon nga shkretëtira subtropike namibiane Kalahari. E vetmja simfoni që herë pas here shpon murin hermetik të megasaunës përvëluese është ajo e mizave në kor me mushkonjat, të cilat edhe pse pas veti lënë dissonanta veshacaruese, dëshmojnë megjithatë endejetën fshatrave të braktisura të subkontinentit aziatik. Më 30 gusht të vitit 2015, kjo «harmoni» monotone gati e përhershme, u çrregullua nga një motoçikletë që zhurmshëm çante mëngjesin e Dharwad-it, qendrës kulturore të provincës. Dy të rinj, të veshur në të zeza, parkojnë motoçikletën para shtëpisë së poetit, akademikut dhe kritikut 77 vjeçar M.M. Kalburgi. Njëri prej tyre i bie ziles. Uma Devi, e shoqja e poetit hapë portën. I riu thotë të jetë studenti i profesorit dhe se dëshiron të flas me të. Uma Devi instruon të riun kah duhet të ecë për në studion e poetit dhe niset kuzhinës për t’ia bërë çajin mysafirit. Dy krisma. Umas i përplasen enët në dysheme. Vrapthi e në histeri, sa mbërrin në dhomën e ndejës, gjunjkëputur bie mbi gjakun ende të ngrohtë që shpërndahet parketit si harta e një miti të ri. Aty, ajo gjen të shoqin e saj përdhé, të ekzekutuar, me dy plumba; njëri në ballë, tjetri në gjoks.

Zhurma e motoçikletës e suspendon nga ferri zonjën në moshë për ca sekonda, nga dritarja sheh të largohen dy të rinjtë me shpejtësi e zhurmë ashtu siç u shfaqën minuta më parë. Ata u larguan në drejtim të adresës, atje ku do të merrnin pastaj lëvdatat dhe paratë për krimin e kryer.

Ende pa mbërritur organet e rendit në shtëpinë e intelektualit kritik, partia e kryeministrit aktual Narendra Modi, «Bharatiya Janata Party» (BJP) e lëshon një komunikatë ku thuhet se «njëri nga intelektualët më me ndikim të vendit u vra për shkak të një grindjeje familjare». Bëhet fjalë për atë parti dhe për atë Narendra Modi për të cilin dihet se ishte arkitekti, menaxheri dhe ekzekutori i krimit masiv të vitit 2002 në Gujarat, atij konflikti ku u vranë 254 hindusë, 790 myslimanë dhe edhe sot e kësaj dite dëbohen johindutë drejtimeve të panjohura të kësaj e asaj bote. «Vrasja», thotë shkrimtari ende i mbetur gjallë Uday Prakash «ishte ekzekutimi për shkak të kritikave që Kalburg-i ushtronte tash e sa vite me vepra e artikuj kundër hindu-nacionalizmit tashmë aq fashist e të padurueshëm». Ishte pra një exemplum facere, statuim i një shembulli që duhej të paralajmëronte ata me privilegun ende të jenë gjallë? Si dy ekzekutimet paraprake, të kryera poashtu nga dy të rinj, të veshur njëjtë në të zeza dhe po me një motoçikletë që u bënë ndaj dy poetëve tjerë Narendra Dabholkar (i vrarë dy vite më parë poashtu në Gusht) dhe Govind Pansare (i vrarë pesë muaj para të fundit).[1] Në të njëjtën formë dikur dhe nga e njëjta rrymë u ekzekutua edhe asketi, pacifisti, i shumë famshmi Mahatma Gandi.

II.
Historia e humanitetit paralelisht është edhe faktografi e terrorit kundër dijes, dóxa-pluralitetit, vizioneve, librit dhe çdo mediumi a subjekti tjetër, i cili nxiste të vërteta ndryshe nga master-narrativa e despotit në sundim e sipër. Çdo despoti e deritanishme shumimin e bedelëve, abandonëve – të quajtur sot modernisht partiakë – e siguronte në sajë të libidos së imitimit, klounimit dhe multiplikimit të vetes. Dhe pasi as edhe perandori më agresiv e më i inteligjent i historise nuk ia doli të krijonte ndonjëherë monarkinë e tij absolute, njëdimensionale, hermetikisht imune karshi viruseve të konkurrencës që poashtu bënin luftë për pushtet, çdoherë, çdo tiran vritej, helmohej nëse jo nga fëmijët, nga gruaja atëherë nga kundërshtarët e tij. Andaj çdo epokë nga njëra anë ka kalorësit apokaliptikë, cezarët, stalinët e hitlerët e saj e nga ana tjetër kontrahentët e tyre, të cilët si rëndom janë të së njëjtës kategori – tiranët e ardhshëm në luftë me tiranët e aktual.
Matanë këtij mulliri specie- e planetshkatërrues, ishte vetëm kategoria e liberove**, që paguante haraçin pa marrë pjesë fare në arenën e ngushtë brenda paralelogramit vetëdegjenerues të kandidatëve të sëmurë për pushtet! Këta ishin, poetët, artistët, intelektualët – gjenitë, të cilët u vranë përherë kryesisht ngase frymonin, mendonin dhe besonin ndryshe se ç ‘donin despotët me «popujt» e tyre. Luftë paranojake njëshash të përlarë nga demonët e pushtetit kjo, atyre kundër dijes së personifikuar në subjektin e tjetrit. Kjo garë e përjetshme ndërmjet së Mirës dhe së Keqes, nuk shpjegohet pa e rrëfyer paralelisht edhe historinë e despotit, ideologjisë dhe atyre demonëve që mobilizonin aq shpejtë gjithë akterët malinjë për të zbrazur e akumuluar tërë arsenalin timotik të masave në formën e zjarrit, plumbit apo në trajtën e litarit siç preferonin dikur ata që në fytyrë mbanin «maskën e mortit të kuq» të Edgar Allan Poe-s.
Vetëkuptohet se për despotët kjo kategori ishte ajo më fragjilja, më e lëndueshmja se sa që mund të ishte çdo armik tjetër politik apo militarist. Nga ana tjetër mirëpo, pikërisht ishte kjo përparësia e liberove përballë edhe diktaturës sa do të egër. Me armiqtë bën luftë me shpata, topa e raketa, ndërkaq në betejë me gjenitë nuk të vyejnë ato fare. Nuk janë ushtri së cilës mund t’ia dërgosh gjeneralët apokaliptikë që t’i asgjësojnë në fushëbetejë, por individë të veçantë me fuqinë karizmatike që jo me plumba e bomba por me fjalë e shkronja hapnin vrima të mëdha edhe në murrin më të trashë, plot e beton e çelik të çdo diktature të mundshme. Për këtë arsye çdo vrasje gjeniu konsiderohet edhe si luftë interpersonale ndërmjet diktatorit dhe gjeniut, edhe pse kjo përplasje shekujsh prodhoi singularin tashmë aq në numër sa një subkontinent në vete: atë të martirëve të dijes, arteve, atë të lirisë. Martirë që në asnjë mënyrë nuk mund ta kenë babë Adamin, as Polikarpin nga Smyrna, madje as Sokratin e dënuar me vetëhelmim e as ndonjë epigon të Konfucios, pasi paraardhësi i gjithë martirëve është ai i panjohuri i parë që u vra sapo zbuloi teknikën e fiksimit të epistemave në gur, dru, lëkurë, letër apo duke i vizatuar ato si figura, shenja mureve të shpellave e zgafelleve kontinenteve në formim e sipër.
Para se të mëtojmë ta përshkruajmë sa më gjallë botën e despotive kundër dijes, frikën e tyre nga shpirti i lirë, aparatin e tyre ndëshkues dhe vrasës, arsyet, paranojat le të lëmë historinë që ajo të rrëfejë me gjuhën e saj konfliktin e përjetshëm ndërmjet liridhunuesve, vrasësve dhe botëpohuesve, libertinëve.

III. NGA PARANTIKA DERI NË MESJETË
23 shekuj para «revolucionit kulturor» të Maos njëri nga ur-gjyshërit e tij është i pari që hapi kapitullin e errët të historisë së Epistemocidit. Perandori kinez Qin Shi Huang Di[2]***, i mbiquajturi «i pari zot madhështor», themeluesi i dinastisë Qin [221-207] dhe ushtrisë nga balta, sapo pushtoi disa vende rreth Kinës urdhëroi kancelarin e tij Li Si [213] të organizojë mbylljen e të gjitha shkollave filozofike dhe djegien e çdo libri. Arsyetimi nis kështu: «Të urtit nuk ligjërojnë për tashmërinë, por për të kaluarën. Ata kritikojnë kohën tonë dhe u ngatërrojnë mendjen flokëzinjve. Kur ata dëgjojnë urdhrin e perandorit debatojnë secili sipas opinionit që ka. Kur vijnë në oborrin e perandorit lëndojnë zemrën e tij me kritika e sa dalin jashtë flasin se ç’i thanë perandorit-zot. Pasi duke kritikuar perandorin fitojnë famë. Kështu ata nxisin edhe nxënësit e tyre të difamojnë perandorin. Nëse gjitha këto nuk ndalohen do të dobësohet pushteti i perandorit dhe do të formohen parti. Për këtë arsye ju lutem që të digjen gjitha shkrimet, reliktet dhe shenjat historike që nuk i përkojnë epokës së perandorit tonë dhe akademisë së oborrit […]»[2]. 460 filozofët e 100 shkollave protestuan jo vetëm pa sukses por edhe më keq. Të gjithë u ekzekutuan. U dogj një sistem shkollash filozofike të hapura rreth 3 shekuj para akademisë së Platonit dhe Liceut peripatetik të Arsitotelit. Digjen ato shkolla të Dao, Konfucios, Ging-ut, përballë mësimeve të të cilave fragmentet e parasokratikëve, postsokratikëve, atomistëve, pitagorenjëve dhe gjithë substitutëve tyre e deri tek Aristoteli duken si ato përrallat e bukura të 1001 netëve.

IV.
Një vit pas vdekjes së perandorit August, pasardhësi i tij Tiberiues modifikoi të ashtuquajturin «lex maistetatis» për ta bërë atë instrument legal jo vetëm kundër atyre që bënin tradhti të lartë kundër Republikës, por veçanërisht për të përndjekur ata që sillnin ide të reja, shkrime ose përhapnin deklarime të dyshimta apo fyese kundër perandorit dhe pushtetit të tij. Ky ligj i mundësoi Tiberius-it që përveç «policisë» së rregullt ta formojë një aparat prej mijëra delatores-ësh (denoncues privatë), curiosi-sh (informantët) dhe frumentarii-shë (sigurues indiciesh) – sistem ky i aq identik me aparatin e censurave të mëvonshme e deri sot.
Shumica e teatrove u mbyll me dhunë; për çdo ditë në shesh organizoheshin ceremoni të djegies së manuskripteve dhe papiruseve me drama, tragjedi, fragmente filozofike dhe formula magjish sybilike; autorët kritikë u kryqëzuan periferisë së qyteteve, ndërkaq atyre të tipit të historianit Titus Labenius, që njiheshin në gjithë perandorinë, pas djegies së librave u lejohej e drejta për ta vrarë veten. Përmasën e krimeve dhe orgjitë piromane të Tiberiusit për të shkrumbuar gjithçka të regjistruar nga epokat para se të merrte pushtetin ai, e dokumenton Tacitusi[3] kur përimtueshëm përshkruan procesin kundër historianit tjetër Cremutius Cordus [Viti 25], në padinë e të cilit krimi ishte se «ka lavdëruar Brutusin dhe Cassiusin, të cilët nuk i preferon Tiberius». Dënimi djegia e autorit dhe librave. Fjalia e fundit e Cordusit: «E nesërmja do t’ia jap nderin çdonjërit aq sa e meriton». Zgërdhirja e Tiberiusit të sigurte të ketë djegur dhe zhdukur gjithçka që do të mbetej shenjë e gjeniut i shkoi huq. E bija e Cordusit kishte prodhuar kopjueshëm të gjitha veprat e të atit, të cilat i botoi vite më vonë gjatë periudhës së Caligula-s.

Njëra nga reformat ndër kryesoret të perandorit romak [284 deri 305] me origjine iliro-dalmate Dioklecian ishte asgjësimi i sekteve religjioze, nga të cilët druante se ato synojnë teokratizimin e aparatit të perandorisë. Krishterimin, Diokleciani e konsideronte si fénë më të rrezikshme në këtë drejtim. Kjo ndoshta edhe për shkak të gjendjes në shtëpinë e tij: gruaja e tij Aleksandra dhe e bija Valeria ishin të krishtera. Për arsye se kisha katolike më vonë institucionalizoi «martirët e librave të shenjtë të Abitinës në Numidia» u zbuluan me këtë edhe përmasat e pogromit dioklecian jo vetëm ndaj librave por edhe ndaj njerëzve që i pandehte të jenë në shërbim të fesë në fjalë. Frika e Dioklecianit nuk doli aspak irracionale. Pas rënies së tetrarkisë së ngritur nga Diokleciani dhe ardhjes së Konstatinit [306 bis 337] nga Naissus-i Dardanisë, religjioni i krishterë u shpall zyrtari i imperium romanum-it. Për periudhën e Konstantinëve nuk ka të dhëna përndjekjesh të religjioneve tjera dhe shkollave filozofike, përveç vrasjeve spektakolare të të birit Crispius dhe gruas së tij Fausta nga vetë dora e tij. Se kjo ndryshon pas vdekjes së tij dëshmojnë kronikat e viteve 364-378, gjatë sundimit të perandorit Valens. Ky urdhëron të digjen gjitha librat, papiruset e pergamenat që kishin të bëjnë me «artes liberales», të së drejtës dhe magjisë. Dy tri vite më vonë, më 380-390 në Romë nuk ekzistonte më asnjëra nga 29 bibliotekat dhe asnjë shkollë e vetme. Urdhrin për shkretëtimin dhe «dezinfektimin» e Romës nga dija, librat, piktorët, skulptorët e jep Ipeshkvi famëkeq Theophilos nga Aleksandria.
Përkundër teorive aspak të besueshme që pandehin se arabët në vitin 642 dogjën Muzeionin**** famoz të Aleksandrisë, të ndërtuar nga Leka i Madh, biblioteka me 400 mijë manuskripte dhe 90 mijë tuba e mijëra pergamenë, digjet në të njëjtën kohë me tempujt Serapis në vitin 416 dhe atë nga një grup fanatikësh të krishterë, të cilët gjatë djegies së bibliotekave ekzekutuan edhe filozofen dhe shkencëtaren Hypatia.
Kontinuiteti i kësaj përndjekjeje, djegie, gjenicidi dëshmohet aq bindshëm edhe në periudhën e Justinianit [527-565], i cili mbyll edhe akademitë e fundit dhe vret e djeg çdo shkronjë që nuk përkon me të vërtetat biblike. Herezia si «corpora delicti adversus deus» legalizohet në kohën e trakasit me origjinë nga prefektura pretoriane e Ilirisë, nga fshati Taor i komunës së sotme maqedonase Zelenikovë. Nga kampanjat e Justinianit kryq e tërthorë perandorisë së tij më së tepërmi e pësojnë perënditë, statujat, tempujt paganë që lidhnin rajonin me epokat mioniko-mikene.
Që nga kjo kohë e deri në shekullin XX Kisha Katolike dhe ajo Lindore bëjnë luftë të pandërprerë jo vetëm kundër çdo dijeje profane por ndërkohë nisin të djegin masivisht edhe Talmudin bashkë me hebrenjtë. Ndërmjet viteve 1207 deri në vitin 1256 janë të dokumentuara qindra ekzekutime të ashtuquajtura «in maxima multitudine», ku librat radhiteshin në gërmadha dhe digjeshin krahas autorit në flakë dhe atë në Paris, Londër, Zürich, Berlin, Romë e gjetiu.

V.
Pandemia e shuarjes së materialiave orale e dokumentare nuk ishte e kufizuar vetëm në pjesën të nofkuar si oksidentale të globit. Sa më shumë dëshmi të fiksuara në gur a lëkurë që kishte brenda një gjuhosfere aq më shumë persekutime ndodhnin. Me tu ngjitur në pushtet Kalifi i tretë islam Uthmān ibn ʿAffān i mbiquajtur Osman e Usman [644–656] urdhëroi mbledhjen e të gjitha haditeve të fiksuara bashkë me «hafizët» dhe mistikët që i ligjëronin ato përmendsh dhe dogji çdogjë dhe çdokë që mbante mend qoftë edhe një vers të vetëm. Atë që ekspertët e doktrinës parafilozofike islame sot nuk e përmendin me qëllim është se në këtë ofensivë disavjeçare libra – e njerëzdjegëse më shumë se «hafizët» postmuhamedanë e pësuan shkollat, filozofitë, kulturat e identitetet jo-islame si ato perse, mesapotamike, babilonase, ato të Damaskut, Armenisë, Egjiptit, Kaukazit, Basras e gjithandej ku ky perandor depërtoi me devet e tij. Në të gjitha këto rajone të vëna nën kontroll prej tij, duke filluar nga viti 649, dënohej me vdekje pa asnjë lloj gjyqi përdorimi i çdo përmbajtjeje tjetër përveç «Kuranit të standardizuar» nga Uthmani.[4] Kjo politikë e djegies dhe vrasjes – me përjashtim të antikalifateve të ngritura nga Umayyadët e Cordoba-s dhe Almohadëve [912-1236], të cilët pranoheshin vetëm nga al- Andalus dhe pjesë të Maghrebit – u ndoq edhe nga abasidët, fatimidët dhe në fund osmanët.
Në pushtim e sipër të Indisë më vitin 1193, afgani trukmeno-bengalez Muhammad bin Bakhtiyar Khilji (paraardhësi i turqve të mëvonshëm) shkatërron Universitetin budist Nalanda, më të madhin e kohës, duke masakruar mijëra mësues, studentë dhe murgj me një spektakël morbid mortal: studentët i bën spektatorë të nisjes së zjarrit ku digjen mësuesit e tyre, ndërsa popullatën spektatore të një megafushe studentësh pa koka. Djegia e librave të universitetit, për shkak të volumit të madh të tyre shkruhet të ketë zgjatur disa javë. Të njëjtën dramë e pëson edhe Biblioteka e madhe e Assasinëve në Alamut nga mbreti mongolez Khan Hylegy, i cili më 20 dhjetor të vitit 1256 djeg gjitha veprat shkencore, letrare, përveç disa kopjeve të Kuranit.
Se qasja e tillë kriminele ndaj dijes ishte «mjet tradicional pushteti» dëshmohet edhe në fazat kur bota islame bie komplet në duar të osmanëve, më vonë turkmenëve. Në vitin 1485 Sulltan Bajaziti II ndaloi shkrimin e çdo gjëje jokuranore me dorë dhe shtypin e kuranit me makina (në Europë përhapje shtypi mekanik i librave). Shkelja e këtij ligji sanksionohej me vdekje. Të njëjtin ligj e zgjeron edhe me masa më drastike – përfshirja edhe e familjes në dënim – i biri i tij në vitin 1515. Ligji mbeti në fuqi deri në shekullin XVIII.

VI.
Nga shekulli XVI, në mënyrë intensive dhe nisur me rastin e Girodano Bruno– s si exempli causā, dy kishat europiane si ajo katolikja ashtu edhe ajo protestantja, do ta bëjnë «rend dite» djegien e bibliotekave, gjenive, intelektualëve, ikonave, pikturave dhe çdogjëje që kishte të bëjë me artet e lira dhe shkencën. Veçanërisht gjatë shekullit XVII, gjatë fazës së ashtuquajtur «kthesë kopernikane», d.m.th. kalimit nga botëkuptimi gjeocentrik në atë heliocentrik, kishat e asistuara me monarkët që gjendeshin nën «bekimin» e tyre masakruan një numër të madh bibliotekash dhe dënuan me vdekje ose ua dogjën veprat, dëbuan e burgosën mijëra reformatorëve (shkencorë jo brendareligjioz) lart e poshtë Europës dhe duke filluar nga shekulli XIX në mënyrë masive edhe në Amerikë. Sa për të ilustruar përmasat e krimit ndaj librit dhe arteve mjafton të përmendet vetëm rasti i priftit jezuit sllovak Antonín Koniáš [1691–1760], në gjashtë veprat e të cilit numëron hiç më pak se djegien e 60 mijë titujve me përmbajtje «heretike».[5]
Në këtë e sipër natyrisht nuk duhet lënë anash krimin përmbyllës bashkë me mesjetën e errët nga ana e jakobinëve gjatë revolucionit francez: bashkë me bibliotekat religjioze Robespierre urdhëroi të digjet edhe çdo fletë, libër apo dokument që përmendte, lavdëronte monarkët e mëhershëm francez ose që kishin sunduar mbi këtë rajon.
Ishin gjithë këta lartë kontributorët e asaj që sot nga shkenca konsiderohet si «epokë e mesjetës së errët» për shkak të mungesës së faktografisë e relikteve për ta përshkruar kohën qoftë edhe nëpërmjet stacioneve minimale antropokulturore të saj.

VII. NGA SHEKULLI XX E KËTEJ
Sa më tepër që shtrihej ideja iluministe hartës së Evropës aq më shumë pakësoheshin djegiet e bibliotekave dhe gjenive qyteteve perëndimore. «Index Librorum Prohibitorum» i Kishës katolike tkurrej vazhdimisht dhe nuk bindte më asnjë monarki a republikë që ta ekzekutojë atë seriozisht. Censorët dhe inkuizitorët e lënë pa «profesion» mirëpo, patjetër se të kërkonin arsye e shkaqe tjera për ta vazhduar zejen e tyre. Pandemia e inkuizicionare kësaj radhe u spostua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1873 Anthony Comstock [1844–1915] themeloi shoqërinë «New York Society for the Suppression of Vice» (Shoqëria për luftimin e veseve), e cila organizonte konfiskimin e librave, të cilat pasi vuloseshin me logon e organizatës (një libër duke u djegur) digjeshin në turma me një ceremoni të veçantë si në kohën e heretikëve dhe shtrigave. Ngase Comstock ishte njëkohësisht edhe Shefi i «United States Postal Inspection Service» nuk ndodhte që kësaj organizate t’i ikë nga zhbërja asnjë libër që shkelte parimet e puritanëve. Çdo libër, revistë a gazetë që ndonjë postieri apo puritani nën komandën e kësaj organizate t’i dukej jomorale, erotike, blasfemike, darviniste i jepej saora zjarrit. Sipas sociologut të Northwestern University Nicola Beisel[6] Comstock dhe organizata e tij deri në vitet e 50-ta të shekullit XX dogjën 15 tona libra, shkatërruan 150 pllaka shtypshkronjash dhe rreth 4 milionë fotografi e piktura.
Në të njëjtën kohë edhe një krim i përmasave «aleksandrine» do të ndodhë në Europë, konkretisht në Löwen të Belgjikës: Në ditët e para të Luftës së Parë Botërore, më 25 gusht të vitit 1914 trupat perandorake gjermane tmerruan botën duke bërë hi e pluhur Bibliotekën e Universitetit Löwen, ndër dhjetëra mijë librat gjendeshin edhe mijëra dorëshkrime origjinale nga Mesjeta e Vonshme, të cilat u zhdukën përgjithmonë..

VII. KOMUNIZMI DHE NAZIZMI
Duke filluar nga nisja, përfundimi e pas LPB-së akterët e luftës kundër dijes dhe arteve nuk do të jenë më vetëm religjionet, kishat, ummat, ordot, papatët, perandorët, monarkët e kalifët por nazistët, fashistët dhe komunistët dhe listuar me emra të veçantë ishin; stalinët, hitlerët, mussolinët, franco-t dhe epigonët e tyre që gjallojnë edhe sot e kësaj dite cepave e qendrave, të cilat sa për t’ia siguruar kontinuitetin kësaj drame humane shërbejnë si centrifuga mentalitetesh të çorientuara nga e gjithë bota, drejt krimeve të reja.
Nazizmi, fashizmi dhe komunizmi po aq brutalisht si perandorët e shekujve ante et post christum natum besonin se mund ta riprogamojnë njeriun (duke eksperimentuar me kafshët sipas kondicionimit klasik të Pawlowit) në atë mënyrë që ai mund t’i vesh vetes një habitus novum sipas ofertave, urdhëresave dhe ndalesave të doktrinës së diktatorit. Diktaturat moderne besonin të jenë më të zgjuara se paraardhëset e tyre dhe Njeriun e tyre të Ri nuk donin patjetër ta ndërtojnë mbi kadavrat dhe hirin e të vjetërve për t’i krijuar feniksët e tyre, por ishin aq mendjemadhe saqë besonin në kondicionimin, modifikimin, tjetërsimin absolut të tij në zombi, në epigon të përkryer të Njëshit qoftë ai Führer-i, Sekretari i Parë i Partisë, Presidenti apo lideri (i sotëm) pa e ekzekutuar fare.

VIII. STALINI
Masakra e parë e kësaj «epoke të re» ndaj autorëve, bibliotekave dhe autorëve do të zhvillohet nga bolshevikët gjatë luftës qytetare ruse, viteve 1918 -1922. Lidhja e Shkrimtarëve Proletarë përpilonte lista të zeza shkrimtarësh e poetësh në «Krasnaja nov» [1921] dhe «Novi mir» [1925], kështu duke bërë paralinçimin e atyre që nesër do vdisnin gulagjeve. Nëpërmjet «studimeve» si «Psikologjia, refleksologjia dhe marksizmi», të cilat botoheshin nga Instituti «Profesorët e Kuq» shpalleshin katalogët me kritere për krijimin e «inteligjencies së re komuniste», të cilën më vonë detajisht dhe në formë ligji e shpalli Stalini në Kongresin e Rinisë Komuniste (Komsomol) në maj të vitit 1928. Që nga ai Kongres rinis edhe njëherë në formën më kriminele vrasja e gjithë shkencëtareve dhe intelektualëve që i bënin bisht ideologjisë së re. Në vitin 1937 u ekzekutuan publikisht 9 gjenetikët kryesor të vendit. Wawilov, ai që bënte listat denoncuese paraprakisht gjeti katër vite më vonë të njëjtin fat nën akuzën të jetë «spiun anglez». Sidomos historia e shkrimtari të romanit të njohur «Nëna», Maksim Gorkij tregon më së miri se ç’nënkuptonte në praktikë, në përditshmëri, kriteret e Stalinit për «intelektualin e ri». Pas hapjes së arkivave të KGB u zbulua se shërbimet sekrete bolshevike ruse kishin vrarë të birin e tij më 1934 me qëllimin për ta thyer psikikisht të atin. Ndër autorët që dy revistat e lartpërmendura kritikonin, ndër qindra të tjerë, ishin edhe Ossip Mandelsteam, Boris Pasternak, Wlladimir Majakovski, Isaac Babel e plotë të tjerë. Mandelstam burgoset dy herë në vitin 1934 dhe 1938. Gjatë arrestimit të dytë kishte në vizitë shkrimtaren e njohur Anna Achmatowa që kishte ardhur nga Leningradi. Gjatë gjykimit të parë në dosje i shkruante: «poeti duhet izoluar e keqtrajtuar por jo vrarë». Në gjykimin e dytë ndryshon përcaktimi i shtetit ndaj tij: «duhet izoluar dhe s’duhet patjetër mbajtur gjallë». Për 26 dhjetorin e vitit 1939, ditës së vdekjes së poetit, qëndron ky shënim në aktet e KGB-së: «Për këmbës së kufomës ia lidhëm një pllakë druri me emrin dhe mbiemrin, e hudhëm mbi kufomat tjera në kerrin që e solli në varrin masiv pranë logorit»[7]. E shoqja e tij Nadeschda mëson për vdekjen e të shoqit veç disa muaj më vonë dhe atë rastësisht, pasi i kthehet një letër me shënimin: adresati i vdekur! E njëjta i ndodhë Isaac Babel-it dhe autorëve të formatit si filozofi Jan Sten – që kishte pas nxënës vetë Stalinin – Boris, Guber, Iwan Katajew dhe 1600 shkrimtarëve tjerë tashmë të identifikuar e mijëra e mijëra tjerëve, të cilët ngase jo të njohur gjithaq atëkohë as që u dihet emri[8].

HILTLERI
Paralajmërimin e spastrimit në Gjermaninë e Hitlerit e bëri ministri i tij Goebels më 15 mars të vitit 1933, kur botoi një listë me mijëra emra aktorësh, piktorësh, filozofësh, poetësh e intelektualësh, veprat e të cilëve kërkonte që të ndalohen për hir të luftimit të «shpirtit të keq jogjerman». Fatkeqësisht elitat gjermane nuk kishin gravuar në kujtesë alarmin e Heinrich Heines në tragjedinë e tij «Almansor» [1823] kur shkruante: «Ajo ishte vetëm paraloja, atje ku digjen librat, digjen në fund edhe njerëzit», qysh me nisjen publike të djegies në tonelata të librave, shesheve të qyteteve nga NSDAP.
Menjëherë pas nisjes së këtyre autodafeve publike, Gestapo shpërndau në të gjitha pikat kufitare një libër të trashë me fotografi të atyre që po u panë të arrestohen dhe ekzekutohen menjëherë. Listës i printe fotografia e Albert Einstein-it me një shënim ndër portret ku qëndronte rreshti: «Ende i pa varur»![9]
Sidomos pas djegies publike të 1052 librave të Emil Nolde-s – këtij ithtari të tërbuar të nazistëve – rra kambana e fundit se së shpejti do të nis përndjekja dhe vrasja e shumicës së inteligjencies së atëhershme. Freud, Paul Klee, Feininger, Beckman, Lieberman, Adorno, Horkheimer, Arendt, Brecht dhe qindra të tjerë u shpëtuan dhomave të gazit pasi ikën në kohën e duhur Amerikës, Skandinavisë, Anglisë, Francës e ku jo. Shumë të tjerë mirëpo vranë veten siç bëri Walter Benjamin, i cili nga frika se spanjollët e pikës kufitare Portbou do t’ia dorëzojnë Gestapos vrau veten. Vetëvrasje bënë edhe qindra të tjerë që ishin tashmë larg Gjermanisë por që nuk duronin më tmerrin si Stefan Zweig në Petropolisin brazilian. Ata që megjithatë ktheheshin e pësonin si poeti, teologu dhe antinazisti Dietrich Bonhoefer, ekzekutimin e të cilit Hitleri e urdhëroi nga bunkeri ku kaloi ditët e fundit të tij.[10]
Krahas holokausti ndaj hebrenjve qëndron teza se ndodhi edhe holokausti që nazistët ushtruan ndaj gjenive, dijes, pikturave, muzeve, skulpturave, kulturave dhe jo vetëm në Gjermani por gjetiu ku shkelën me çizmet e tyre. Se rënia e sistemit nuk donte të thotë se së paku kësaj lloj epidemie i shpëtoi bota. Në Spanjën e Francos, pushteti i të cilit vazhdoi deri më 1975, që nga dekreti i parë i tij në vitin 1936 e deri në rënien e pushtetit përveç 600 mijë njerëzve të vrarë, 400 mijë të ikurve ekzekutimin e mijëra intelektualëve u zhdukën – dhe nuk gjenden më – edhe 2663 tituj veprash që nga ekspertë konsiderohen të rëndësishme për historinë dhe kulturën latino-amerikane.[11]

NË SFERËN SHQIPTARE
Është i vetmi krim i përmasave universale epsitemocidi ku nuk mungojnë edhe shqiptarët, të cilët përndryshe pogromeve tjera të llojit i ka kursyer fati. Shikuar pra historinë globale dhe atë rajonale nga ky kontekst edhe shqiptarët kanë pjesën e vetë në këtë histori të epistemocidit dhe gjenicidit. Gjatë diktaturës moniste të Enver Hoxhës deri më tash janë dokumentuar 199 shkrimtarë të ekzekutuar apo të katapultuar përjetësisht llogoreve vdekjeprurëse. 50 të pushkatuar, të varur, të vdekur në tortura. Visar Zhiti[12] – njëri nga vetë viktimat solli një libër dokumentar për përmasat e krimit shqiptar në këtë luftë të despotit kundër poetëve, shkrimtarëve, dijes ndryshe nga doktrina e tij. Edhe pse libri trajton vetëm martirët e kolonisë aq modeste letrare për nga numri e jo të të gjithë viktimave të mundshme edhe të fushave tjera të shkencave e arteve, ajo është një sintezë e tmerrshme e pjesëmarrjes shqiptare në krimin kundër arteve, lirisë së fjalës dhe progresit shkencor të kulturosferës shqiptare. Ky kapitull i historisë shqiptare ende nuk është trajtuar aq sa duhet e më thellë për të kuptuar në total përmasën e krimit të diktaturës shqiptare prandaj edhe nuk na lejohet më shumë se të hedhim edhe njëherë në eter pyetjen: a ishte kuksiani Havzi Nelaj [1988] vërtetë poeti i fundit, i varuri i fundit në kulturosferën shqiptare? Apo në forma tjera ai vazhdon të rivaret e rivritet edhe më tej?

SOT
Më rënien e bllokut socrealist dhe regjimeve fashiste në Amerikën latine u besua të zhduken sistemet e fundit të mëdha e të përmasave globale ku ndodhte epistemocidi, liria e fjalës dhe ku ende ekzekutoheshin e vareshin autorë shesheve publike. Festë e parakohshme. Statistikat më të reja që na vijnë nga vende të ndryshme e të mëdha flasin një gjuhë krejtësisht ndryshe. Ashtu siç nuk kuptuan gjermanët, rusët dhe tjerët me kohë alarmin kur po si në kohën e inkuizicionit rinisën djegiet masive të bibliotekave, librave dhe njerëzve edhe njeriu i kësaj të ashtuquajture postmodernë nuk lexoi me vëmendje sinjalet e reja të rikthimit të epistemocidit, vrasjes së kujtesës dhe djegies së shenjave kulturologjike humane.
Me gjysmëzë u protestua kur talibanët në Afganistan rrënuan statujat mijëvjeçare budiste; kur dogjën dhe shkatërruan muzeun e fondacionit Nasir-i-Kushra në Kabul, i cili në vete konservonte libra shumëshekujsh në arabishte, poashtu dhe anglishte, botime origjinale nga Firdausi Shahname, kompletin e veprave ismailite të Hasan Sabbah-ut dhe papirusë të Aga Khan-it. Poaq me indiferencë u përcoll edhe djegia e Institutit Oriental të Sarajevës me një fond arkivor prej 250 mijë metrash. Aty u zhdukën edhe dokumentet origjinale të kompletit «manuscripta turcika» (7156 dokumente që dëshmonin periudhën osmane në Ballkan), arkivin e Vilajetit (220 mijë dokumente të shek.XIX), kompletin e sixhileve (shek.XVII-XIX) tapi të shumta dhe 5236 kodeke (manuskripte origjinale). Materialet e Institutit ishin të një rëndësie kolosale për të gjitha viset që kishin qenë nën sundimin osman, ngase dokumentohej sjellja e popujve, strukturat demografike dhe intensiteti i rezistencave dhe pakteve gjatë periudhës osmane, të cilat materialia ish RSFJ i tubonte atje. Tash dihet se Instituti u dogj me urdhër direkt nga postpashalluku i Beogradit.

Se kjo traditë epistemocidi, sidomos e intensifikuar në periudhën e mbiquajtur postfaktike, vazhdon në forma tjera por gjithmonë aktive, dëshmon edhe kjo kronikë e kondensuar këtu: Në janar të vitit 2001 Ministria egjiptiane e Kulturës, duke iu nënshtruar presionit të fundamentalistëve dogji në stilin e paramesjetës 6000 kopje të përmbledhjes poetike homo-erotike të poetit Abu Nuwas. Në mars të po të njëjtit vit prifti amerikan Georg Bender i kishës «Harvest Assembly of God» me «delet e tij» të Pittsburg-ut bëri një mal me romanet e serisë Harry Potter dhe romanet e J.K.Rowlings dhe u vuri zjarrin i ndjekur nga mediat kryesore të SHBA-ve. Më 30 mars të vitit 2005 deputeti provincial turk Mustafa Altinpinar urdhëroi mbledhjen e gjitha librave të Orhan Pamukut për t’i djegur në sheshe të krahinës Isparta, në shenjë proteste kundër kritikave të tij rreth mospranimit të gjenocidit ndaj armenëve dhe politikës antikurde turke. Në vitin 2006 politikanë italianë si Ceccano dhe Gizzi pas një mbledhjeje disaditëshe të romaneve të Dan Brown-it i dogjën ato duke mbajtur pankartën lartë «ne mbrojmë Jezusin». Në maj të vitit 2008 në qytezën izraelite Or Yehuda u mblodhën qindra kopje të Dhiatës së Re dhe u dogjën publikisht nga nxënës të një shkolle ekstra-ortodokse judaike me pretekstin të jenë blasfemike pasi propagojnë Jezu Krishtin të ishte mesia i pritur. Në 9-vejtorin e sulmit të 9. Shtatorit 2001 predikuesi evangjelist amerikan Terry Jones në Florida bëri apel për djegien masive të Kuranit, gjë që u parandalua për shkak të protestës së madhe ndërkombëtare. Që nga dekreti i presidentit turk dhe ministrive të tij religjioze për të dëbuar gjitha teoritë shkencore të bazuara në darvinizëm, jashtë syve të opinionit, për çdo ditë digjen tonelata me libra shkencorë që nuk përkojnë me mësimet e islamit. Pjesa dërmuese e intelektualëve kritikë gjendet burgjeve dhe i vetmi nobelist i gjallë ecë nga gjykimi në gjykim, i paditur nga fundamentalistët si antiturk. Për likuidimet si në Indi as që dimë gjë, ngase askush nuk mund t’i përgjigjet pyetjes kush vërtet është ende në burg e kush nuk është më fare hiç.
Sipas PEN-it Ndërkombëtar, raportit të tij për 2017[13] ishin 700 raste që i regjistroi gjatë vitit: 28 shkrimtarë e poetë të ekzekutuar, 33 të dënuar me vdekje, 202 të dënuar me burgje të rënda në kushte paravdekëse, 148 gjenden në procese gjyqësore. Prijnë vendet nga Azia, Afrika si dhe Turqia e Kina.
Dhe për optimistët dhe tifozët e hiperdigjitalitetit që këmbëngulin se zhdukja e shenjave, gjurmëve është e pamundur për shkak të fiksimit elektronik të dijes le t’iu shërbejë ky rast: Nën kontrollin e presidentit amerikan Donald Trump u zhdukën fare dhe pakthyeshëm të gjitha informacionet e mbledhura me dekada nga portali e Shtëpisë së Bardhë dhe Departmanetit Environmental Protection Agency (EPA) që kishin të bëjnë me problemet klimatike dhe mbrojtjen ekologjike të planetit.

XII. KONKLUZIONE DHE PËRFUNDIM
Nga kjo ekspoze mësojmë se diktatorët epistemocidalë nuk kanë lënë asnjë doktrinë, asnjë ideologji, filozofi e religjion pa e përdorur për ta imponuar atë si «anima mundin» personal – patjetër jo për hir të njerëzve e doktrinave, por për tu bërë zoti panoptik i masave nën sundim. Faktet për vazhdimin e këtij epistemocidi vazhdojnë edhe sot të jenë kokëforta ngado që lexohen e lokalizohen. Llogaritur përtej fatkeqësive individuale dihet e shihet se kush në plan afatgjatë fitoi luftën: Gjenitë! Po, megjithatë si është e mundur që kjo ushtri e pafuqi dhe e paarmatosur gjenish të triumfojë mbi gjitha ato perandori që me armë, flakë e terror donin e duan t’i shuajnë të pashenjë nga kujtesa humane? A ka fakt më të madh se ky për të dëshmuar se nuk shuhet fryma?
Diktaturat i vrasin gjenitë fizikisht. Frymën e tyre mirëpo nuk e zhbëjnë dot. Është ky fakt i padiskutueshëm edhe për këtë epokën tonë? Jemi pesimist sa i përket kësaj teze. Jo se jemi të bindur se asnjëherë nuk do të pushojë tentimi i shumicës së partive, liderëve dhe ideologjive që të kushtëzojnë eksternalizimin e subjektit sipas modelit të tyre, të kërkojnë militimin ekskluzivisht në favor të idébotës që përfaqësojnë, kështu duke vazhduar të prodhojnë shumica që aq shpejtë shndërrohen në flashmob-e të pakontrollueshme; jo se edhe matej do lindin liderë të tipit që do të kërkojnë nga ithtari i tij t’i multiplikojë antivlerat për pushtetin e tij, të jetë pra ai «dinamiti» që ua eksplodon ndrysheqenien tjerëve, siç thoshte Nietzsche për veten; një tjetër problem, i sjelle nga postmoderna dhe i paralajmëruar Hannah Arendt e sidomos nga Adorno e Marcuse, e diagnostikuar nga shumica e analistëve elitarë të «postmodernës» si Sloterdijk, Hahn, Zhizhek, Agamben, Gray, Beck, Bolz, Nancy e dhjetëra të tjerë është burimi i pesimizmit tonë se ky epistemocid një ditë të mundet përfundimisht.
Adorno kishte vërtet të drejtë me prognozën e tij kundër industrializimit të kulturës dhe frymës nga kapitalizmi i çdo lloji. Ky sendëzim i frymës dhe çdo vlere del të jetë arma shumë më perfide, më e sofistikuar dhe efektive se sa gjitha idetë tjera gijotinske të dijeve dhe arteve, armë që mund të definohet troç kështu: imunizimi i masave me të keqen dhe banalizimi i dijeve! Duke e shndërruar edhe frymën në mall për treg, kapitalizmi i tipit neoliberal ia del të parashuajë en mase çdo gjeni që në embrion. Prandaj trendi sot është kryeprapë: jo më si më parë kur masat duhej të mësonin nga gjenitë, në këtë shekull të fundit prodhojnë vetëm atë që konsumojnë masat për të mbijetuar materialisht. Gjithçka matet e vlerësohet sipas peshores utilitariste të kapitalit, monedhës. Gjersa në shtetet me mirëqenie të lartë poeti, shkrimtari i frymës «së rëndë» përqeshet dhe konsiderohet si një relikt kohësh të shkuara, në vendet e pazhvilluara ai vritet, përheshtet, asocializohet po në ato forma klasike si në kohën e perandorit kinez Qin dhe askush nuk bënë zë. Receta e epistemocidit postmodern neoliberal pra është jo martirizimi i gjeniut por banalizimi dhe injorimi i tij deri sa ta vrasë veten ose të vdes i pavërejtur e në anonimitet. Më e çuditshmja e kësaj lufte metodash ndryshe është se duket sikur edhe gjenitë t’i jenë dorëzuar këtij fati, gjithandej në lindje, perëndim, veri, në të gjitha kulturosferat pa dallim. Intelektualët janë dorëzuar përballë fuqisë e magjisë së komfortit aq rëndë saqë nuk manifestojnë më ideale dhe ky zhvillim s’ka se si mos të përfundojë me pyetjen se cili ishte kuptimi i luftës dhe shuarjes me koshiencë i gjithë atyre martirëve të historisë së dijes? Simbioza e intelektualit me injorancën në favor të pushtetit të tiranëve dhe minidespotëve të kohës sonë?

Burime dhe sqarime
[*] Epistemë donë të thotë, njohje, dije. Epistemocid është fjalëformim i autorit nga dy fjalët Epistemë dhe Gjenocid dhe që nënkuptohet: si vrasje kronike apo masive (të përnjëhershme apo si proces) me paramendim e dijes, njohjeve që mundësojnë sa më shumë liri për njerëzit, masat dhe shoqëritë, respektivisht si tendencë masive për banalizimin apo zhdukjen e bartësve të saj si shkencëtaret, poetët, intelektualët, artistët, shkrimtarët, nga një grup, shtet, sistem politik apo forma tjera turmo-afine. Shpesh në tekst si asistent i këtij termi përdoret edhe Gjenicidi!
** Këtë term përdorim për t’i ikur reduktimit zhanëror të gjeniut
*** Bëhet fjalë për ndërtuesin e ushtrisë 7 mijëstatujëshe nga balta ( = terrakota) gjatë të cilit aksion u viktimizuan rreth 700 mijë skllavë përgjatë 36 viteve. Qin besonte se pas vdekjes së tij do të jenë ata ushtarë që do ta mbrojnë Kinën e sapo bashkuar dhe atë nga armiqtë.
**** Këtë fake-teori Arabët të kenë djegur bibliotekën e Aleksandrisë e formulon historiani Abdulfarrad i shek. XIII pas konvertimit të tij në të krishterë. Sipas legjendës së tij Emiri Umar ibn al-Chattāb jep urdhrin që librat të përdoren për nxehjen e rreth 4000 pishinave publike të Aleksandrisë.
[1] Dominik Müller: Schriftsteller im Zeitalter des Hindunationalismus. DR. 2016.
[2] Peter-Matthias Gaede: Das große Buch der Archäologie: Expeditionen in mythische Welten. Hamburg 2003; F. 123
[3] P. Cornelivs Tacitvs: Annales, 4. 34f.
[4] Claude Cahen: Der Islam – vom Ursprung bis zu dem Anfängen des Osmanischen Reiches , në: Fischer Weltgeschichte. Vëll. 14. Frankfurt am Main 1968 & Wilferd Madelung: The succession to Muḥammad. A study of the early caliphate. Cambridge University Press, Cambridge 1996: F. 78–140 & Ulrich Haarmann (Ed.): Geschichte der arabischen Welt: 2001.
[5] Werner Fuld. Das Buch der verbotenen Bücher – Universalgeschichte des Verfolgten und Verfemten von der Antike bis heute. Berlin, 2012: F.67
[6] Nicola Beisel: Imperiled Innocents Anthony Comstock and Family Reproduction in Victorian America. Princeton University Press, 1997.
[7] Peter Watson. Das Lächeln der Medusa -: Die Geschichte des modernen Wissens, 2003: F. 509 versioni iBook.
[8] Robert Gallately. Lenin, Stalin, and Hitler: The Age of Social Catastrophe, Londër, 2007.
[9] Peter Watson. Das Lächeln der Medusa…F. 475.
[10] Werner Maser. Adolf Hitler – Legende, Mythos, Realität. B. 13. München 1993
[11] Robert O. Paxton. The Anatomy of Fascism. New York: 2004.
[12] Visar Zhiti. Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar. Tiranë: 2011.
[13] http://www.pen-international.org/…/The-PEN-Report-Creativit…

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet në Filozofi dhe Histori dhe poststudimet në Filozofi dhe Teologji (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Aktualisht merret me studimin e Religjioneve dhe Rendeve Politike në të ashtuqujaturin Global South. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Ka ligjëruar në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermanishte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.