Fytyrat e shumta të skamjes

Ky është rrëfimi i një 6vjeçareje:

„Quhem Jozefina. Jozefina Fernandez Alvarez. Jetoj bashkë me tetë vellëzërit dhe motrat e mia në Ekuador. Tek ne flitet spanishtja. Shtëpia jonë e drunjtë i ka tri dhoma. Ne fëmijët e kemi një shtrat. Në shtëpinë tonë nuk ka ujë e as rrymë. Ujin e marrim tek një pus ca qindra metra larg vendit ku banojmë. E përziejmë atë pastaj me miell dhe hamë. Nuk është shumë, mirëpo ta mbush barkun.

Babai im punon gjatë sezonit në një plantazhë të kakaos. Ne fëmijët punojmë gjithë me të. Përndryshe nuk mbijetojmë si familje. Poqëse ndonjëri nga ne sëmuret mebtemi për një kohë të gjatë pa miell, pa bukë. Unë barti për çdo ditë fryte kakaoje nga plantazha tek ca burra me maçeta të gjata, të cilët i presin ato në mes dhe ua nxjerrin bathët. Ca tjerë i mbushin thasët me të dhe i drejtojnë drejt Europës, atje fabriket bëjnë çokollatë dhe kafe me bathët që i barti unë, çdo ditë, ca kilometra. Me shumë dëshirë do ta vizitoja ndonjë shkollë, fatkeqësisht mirëpo s’kemi të holla. Përveç kësaj ata kanë nevojë që unë të punoj me ta (…).“

II.

Tani le të përpiqemi këtë rrëfim ndjenjadjegës ta përpunojmë filtrave të koncepteve të shumta sociofilozofike mbi skamjen. Jozefina, qenia e saj, na dështon, na shpif e demonton çdo teori të mundshme mbi barazinë ndërhumane. Qofshin ato koncepte kontratash fiktive siç na i ofruan Kant, Rousseau e Rawls e qofshin të teofilëve që jetën mbi këtë dhé e konsiderojnë si ashtu të pavyeshme – natyrisht duke u vërdallë vetë me mercedesë e iphonë e jo duke bartur kakao xhunglave latinoamerikane.

Po ç’na vyejnë ato teoritë e dy grupeve që ndajnë varfërinë në absolute e relative; ato mbi lumturinë, utilitarizmin, drejtësinë e barazinë kur të gjitha i drejton i vetmi: homo egocentriku i papërmirësueshëm që nga parardhësit e Jozefinës, atzekët, mayat, që zbuluan kakaon (shërbente si valutë) e çokollatën, nëpërmjet spanjollit që ua vodhi recetën e deri tek helvetikasi që shtratin e ka djath, çokollat e ar.

Pra le të shfryhemi, çlirohemi me vargun e Shakespeare-t tek „The Tragedie of Cymbeline“ »… We are all bastards! para se të zbresim sërish në tokën e pellazgëve, ilirëve apo shqiptarëve – asnjëri nga këto kualifikime nuk e ndryshon realitetin, kështuqë le të quhen edhe fis porfetësh pi deshën, shqiptarë do mbeten. Kështu siç i kemi sot.

Pse ikëm nga teoritë, para se të shpalojmë rrëfimin tjetër. Ikëm sepse: asnjë teori nuk na shpëton, justifikon se pse bota duhet të popullohet ende nga miliona Jozefina. Do mjaftonte një përiqndje fare e vogël e më të pasurve që gjendja të ndryshonte.

III.

Homologun e Jozefinës mund ta gjejmë fare lehtë shkëmbinjve të Shqipërisë. Andej ku fëmijët gjithë ditën vrasin gurrë për një gram krom. Atë krom që pastaj ua dorëzojnë tregtarëve të Skraparit për një grusht lekë. Aq sa për të mbijetur një ditë, për 500 gram miell dhe jo më shumë. Janë pak këta, jo si miliona shokët e Jozefinës, megjithatë janë dhe kush nuk çan trurin për ta. Kolegun e Jozefinës, mund ta gjesh edhe si fëmijë invalidësh të UÇK-së; si lypës rrugëve të Prishtinës apo duke vegjetuar në ndonjë kuazishtëpi pa dritare e çati. Nuk janë shumë, por megjithatë janë. Po këta, këta kolegë të Jozefinës s’kanë as bukë të hanë e lere më të shajnë rrejteve sociale, mediave e parlamenteve në emër të skamnorëve. Jo. Këtë e bëjnë në sferat shqiptare ata që zhvasin sa munden pare shteti me parti, organizata, ojq e çdolloj biznesi tjetër të zi apo të regjistruar. Varfëria është kauza prima dhe omega e këtyre. Po s’patën material nuk ekzistojnë. As makiatto nuk pijnë dot – duke vujatur për skamjen e madhe shqiptare.

IV.

Ja erdhëm tek rrëfimi tjetër.

„O s’po m’punon ky dreq samsungu… asht vjetru. Hajt ore ma dergo një iphone se s’bohet kijameti“, i thotë vllau nga Deçani vllait në Bernë. Ky i mërguari i thotë se nuk id alin paret e rrogës për t’ia blerë edhe një iphone. Ai: „Qysh? Aiii ti në Zvicër e s’po të dalin paret? A po di allhaile se me 600 Eurot dhe 400 tuat as për miell s’na dalin o shoq“.

Pastaj vazhduan tiradat rreth skamjes në Kosovën e varfër, të mjerë, të korruptuar, të tmerrshme.

V.

Jozefina dhe vllai nga Deçani; cili është dallimi ndërmjet tyre. Ai që ndanë varfërinë në absolute dhe relative. Shtetet shqiptare duhet të bëjnë çmos që të eliminojnë shumimin e kolegëve të Jozefinës shoqërive shqiptare e sa për këta të iphonëve dhe ata që kauzë kanë skamejen për tu pasuruar edhe më shumë – le të provojnë me demagogjinë edhe mëtutje.

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet në Filozofi dhe Histori dhe poststudimet në Filozofi dhe Teologji (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Aktualisht merret me studimin e Religjioneve dhe Rendeve Politike në të ashtuqujaturin Global South. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Ka ligjëruar në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermanishte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.