Cili fashizëm dhunoi romen?

Nëse në Kosovë ka vërtetë fashistë dhe racistë, atëherë ata nuk mund të jenë shoqëria me mediat in toto, por megjasë «antifashistët» vetë. Ata, politikanë dhe opinionbërës zyrash të caktuara, të cilët për të fshehur gjurmët shpallin edhe kozmosin si veten. Sapo të zhveshim ngjarjen nga dekoret retorike-kamufluese, kuptojmë thelbin e motivit të protagonistëve në histeri: frika se u grisen maskat. Konstatim ky anti-elitar, populist? Assesi. Mediat shpërdoren nga qarqe të caktuara, të cilat në këtë formë depërtojnë rrëfimin e tyre „postfaktik“ – qoftë edhe me fashizëm! Nga kush?

Portalet shpërndanë alarmin: Kujdes një romë i veshur si grua rrëmben fëmijë! Kumti u shndërrua në paranojë virale hapësirës virtuale. U deshën ca orë që romi i maskuar të pësojë metamorfozë: doli një vajzë, e cila fëmijë qenka vetë. E sulmuan rrugëve. Shteti e strehoi. Ajo u shfaq sheshit në Ferizaj. Aty u rrah sërish, brutalisht. U bë e mitura viktimë e racizmit, fashizmit të një shoqërie të përhumbur e degraduar nga urrejtja, dhuna, linçimi apo u bë ajo viktimë e psikotoksikës së akumuluar virtuale e mediale, të cilën një kategori e caktuar gjuhëhelmtë e moralthyer e prodhon en mase tash e sa vite? Doli ky mllef nga digjitaliteti, gjeti viktimën adekuate dhe veproi duke bërë veten realitet?!

Ky është njëri modus interpretimi.

Tjetri është ky realitet: Gjitha shoqëritë e botës luftojnë me këtë dukuri. Njeriu është hutuar thellë, ngaqë ai sot s’di më ç’të marrë si njeri konkret e çka hologram që duket edhe më fizik se ai vetë. Amerikanët as sot e kësaj dite nuk e dinë se u zgjodhi Rusia presidentin apo ata vetë.

Si ia dalin shqiptarët në këtë kontekst? Romja e përdhunuar nuk është vetë, nuk është rasti manifest i një ngjarjeje të pazakontë në vetvete. Jo. Para saj ndoshta, po të bindur e manipuluar me kumte të natyrës, ikën luftërave të huaja, atje ku tashmë janë varre qindra vetë. E kuptojmë përmasën e dukurisë dhe faktin se pse përdhunimi në Ferizaj është vetëm fragment i një procesi që lind më shumë nga sjellja e atyre që mallkojnë fashizmin se sa e ndonjë fashizmi shqiptar konkret?

II.

Vrasje refugjatësh në Gifhorn. Stop. Sulm islamik në Heidelberg. Stop. Në Islamabad u pa duke shëtitur Ben Ladeni. Stop. Amerikanët ekzekutojnë gabimisht katër familje myslimane në Afganistan. Stop. Izraeli sapo vrau 28 fëmijë dhe 10 gra. Stop. Një rom i veshur si burrë rrëmben fëmijë qyteteve të Kosovës. Stop…..

Gjitha këto, janë lajme të rrejshme, të plasuara vetëm brenda ca orësh në mediat gjermane, shqiptare, italiane dhe jo vetëm në Sputnik-un aq të citueshëm edhe në shqipe. «As që mundemi me të njëjtën shpejtësi t’i demantojmë», thotë kryepolici gjerman i Gifhornit Thomas Reuter.  Ambasadori amerikan Richard Grenell akuzoi magazinën «Der Spiegel», që në formë të orkestruar shpik fake-rrëfime kundër SHBA-ve. Fletorja famoze nuk i përgënjeshtron me aq sukses akuzat e diplomatit amerikan. Besimi në të, pas pranimit publik të autorit të saj Claas Relotius, të ketë botuar tonelata tekste të rrejshme aty, është përdhé.

Tash menjëherë mund të marrim në mbrojtje mediat që viktimizuan shtetasen kosovare të përkatësisë rome duke thënë: nëse mediat gjermane si «Der Spiegel» nuk krijojnë dot imunitetin karshi lajmeve të rrejshme, sa të drejtë kemi t’i qortojmë këto shqiptaret pse s’janë më me kapacitet? S’mundemi. Vërtetë? Pse?

III.

Gjersa informatikët të analizojnë kodet botës digjitale për të lokalizuar burimin primar të skandalit ne le të merremi me atë që përjetuam edhe përtej zonës së hypertekstit: Gati gjitha portalet botuan lajmin me fotografinë e një „mashkulli të veshur si grua që rrëmben fëmijë në Kosovë“. Rrëmben fëmijë?! Redaktori i parë ndoshta ka vetë fëmijë. Ose është ende vetë fëmijë? Nuk e dimë. I rritur s’mund të jetë. Po të ishte i pjekur, i shkolluar mirë dhe profesionalisht i përgatitur do t’i mjaftonin katër kodet: shqiptarë, fëmijë, rom, rrëmbim – që ta thirr policinë, ushtrinë, qeverinë, CIA-n apo MI6 para se ta botoj lajmin. Ai do të dinte emrin, gjeografinë, shtetin dhe shoqërinë se ku jeton. Kjo mirëpo tash ka pak rëndësi – se kush ishte shpërndarësi. Kush e sajoi informatën? Cili mund të ishte vallë qëllimi tij? Pse pikërisht një rome? Ndodhi. Ishte lajmi rezultat i ndonjë bashkpasagjeri shpifës, të frustruar nga refuzimi që do i kishte bërë zonja ende e pasulmuar apo ishte sajesë shërbimesh sekrete për të shpërfaqur kosovarët si racistë? Spekulimet s’kanë të ndalur. Të hetohet kjo, do të ishte megjithatë e udhës.

Një pjesë e mediave serioze e demantuan shumë shpejtë rastin. Ca edhe me komente speciale. Tjerat u mjaftuan duke botuar në një cep komunikatën e PK-së dhe e harruan. Deshën ta harrojnë. Po ja që ndodhi rrahja brutale, e dytë.

Sipas njoftimeve të fundit: rrahësi qenka një 16 vjeçar. E ka lexuar lajmin e parë – shpifjen – dhe pastaj IPKO ia ka shkyç abonentin dhe s’ka mundur të ndjek edhe matej portalet? S’ka rëndësi. Ai po aq sa romja është viktimë e stresorëve të njëjtë: po të mos ia krijonin mediat atij gjahun X ai do ta kishte rrahur babain Y apo mësuesin e tij Z.

III.

Rasti në vetë është një, ndërkaq reagimi doli edhe më dramë se ai vetë.

Rekapituoljmë: a) mediat botuan një lajm të rrejshëm b) u sulmua shtetasja R.K. ngase merrej për rrëmbyese fëmijësh c) policia dhe shteti i ofruan mbrojtje d) ajo refuzon dhe del në shesh të Ferizajt e) i riu I.P. e sulmon. Tjerët përreth e shikojnë të shtangur rrahjen. Reaguan mediat, politikanët dhe mijëra qytetarë. Mbi 90% e reagimeve qortonin shoqërinë – dikush vetëm pjesë të saja – për fashizëm, paedukatë, intolerancë dhe racizëm. Kryeministri kosovar në komunikatën e tij u bëri thirrje prindërve dhe mësuesve të edukojnë fëmijët e tyre.  Mungon ndonjë adresë këtu? Po. Askush nga opinionbërësit, politikanët nuk përmendi mediat, nuk kërkoi përgjegjësi nga organet hetuese që të zbulojnë burimin, origjinën e eksesit, por operuan me; „jemi shtet racist, me rini të prishur, jemi fashistë, s’kemi shtet“ e të tipit.

Edhe diçka tjetër na thotë analiza këtu: ta marrim si mundësi që ndonjë shërbim apo faktor tjetër deshi ta shpall Kosovën si raciste, ia doli apo jo? Duke e shpallur si fashizëm shoqërie eksesin ordiner, po ia doli. Po nëse në Kosovë ka një strukturë, një kategori fashiste, a do duhej ta quajmë Kosovën – shoqëri raciste? Edhe po ta kishte një parti të madhe sa AKR e të ishte fashiste – jo!

Atëherë pse e bënë të apostrofuarit këtë = akuzimin e shoqërisë si raciste, fashiste?

A nuk dukej kristaltë procedura e eksesit: lajm i rremë – media – dhunë nga dy adoleshentë? Apo reaguesit kishin parasysh rastin e mediave botërore që për çdo ditë bien viktimë e „fake news“-ëve dhe s’kishte kuptim të kërkonin përgjegjësi prej tyre? Jo? Në mos disponojnë me informata empirike, statistika, studime që tregojnë qartë se shoqëria kosovare është raciste, fashiste, antirome e të ngjashme dhe u përqendruan aty për ta luftuar atë anomali? Kjo do të ishte risi sidomos kur bëhet fjalë për një shoqëri – shikuar siç është natyra e termit, në përgjithësi – që jeton fqinj me atë që e konsideron xhelatin e të vetit, të cilit ende kufomën s’ia ka gjetur?

Absurde kjo apo jo, do të thotë ai me logjikën elementare. Po, absurde po, por e kalkuluar: shumica që etiketuan shoqërinë si fashiste, fraksioni i atyre që vulosi rininë të degjeneruar pasi pinjoll prindërish pa kulturë e pa edukatë, «rastësisht», janë vetë bërësit apo vektorët e të të ashtuquajturit diskurs publik mediave; janë vetë ata të politikës me shtet e asaj jo në qeveri; janë edhe ata të së ashtuquajturës shoqëri civile. Ishin pra faktorët kryesorë që prodhojnë mentalitetin aktual, drejtojnë mediat dhe si parti udhëheqin shtetin. Po këta janë përfaqësuesit dhe kultivuesit e psikogjendjes së kosovarit të këtij shekulli. Po.

Atëherë u dashka të pranojmë se shteti kosovar, qeveria e saj, shoqëria, populli i saj janë shumice raciste, fashiste, ksenofobe dhe mediat s’kanë si prodhojnë imazhe tjera, përveçse të pasqyrojnë atë realitet që u ofrohet. Kjo do të ishte një tezë jo për ta hedhur anash. Me kushtin nëse do pranonim se kategoria në fjalë është përfaqësuesja legjitime e demosit kosovar. Por jo, shikuar kështu këta s’janë shoqëria, por një front i caktuar brenda shoqërisë me halle krejtësisht tjera e që përbën një temë në vete. Një front që me metoda fashiste tenton ta marrë primatin mbi shoqërinë – sipas recetës së Gramscit. Nëpërmjet mediave se ku realizojnë veten ndryshe: Në xhami, kishë apo në universitete?

Përndryshe reagimi nuk do dilte kështu: Poqëse ky divizion me agjendë të qartë politike në afekt antikosovare, do t’i donte mediat aq shumë do t’i qortonte dhe do kërkonte prej tyre përgjegjësi dhe mekanizmat e nevojshme të kujdesit. Jo, nuk e bënë se kështu u konvenojnë mediat.

IV.

Shkaktar i rastit ishte një lajm i rrejshëm. Lajmi erdhi si fotografi e bërë ilegalisht në autobus. Lajmin e distribuan mediat të shoqëruara nga privatë rrjeteve sociale. Si pasojë e lajmit shtetasja R.K. u sulmua rrugëve. Shteti u përpoq ta mbronte. Pasi ajo nuk kishte pranuar qytetari I.P. e rrahu publikisht. Reaguan ata që më së shumti prodhojnë akulturën e mosdurimit dhe shpifjes: politikanet, politikanët, parazitët e subvencioneve ndërkombëtare dhe shoqatave fetare të mbiquajtur në shoqëri civile dhe… hetimet vazhdojnë. Ata reaguan jo për romen apo në mbrojtje të mediave, qytetarisë por për të mbrojtur veten duke spostuar adresën e fabrikës së vërtetë që prodhon huliganë si ai që fotografoi dhe ai ata dy që e rrahën të dëmtuarën. Fatkeqësisht fashizmin e tyre e mbrojnë duke shpallur shoqërinë dhe kosovarët si fashistë, racistë pa pikën e fajit. Ndoshta edhe mund ketë shumë nder kosovarë të tipit – por jo për këtë rast! Ky dështim ishte i mediave – ato rranë ujërave të zeza dhe pas aktit shpërdoren nga fashistët, një pseudo-elitë e caktuar, si çdo herë tjetër, edhe kësaj radhe duke shpallur gjithë Kosovën si fashiste për ta justifikuar disi veten e tillë.

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet në Filozofi dhe Histori dhe poststudimet në Filozofi dhe Teologji (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Aktualisht merret me studimin e Religjioneve dhe Rendeve Politike në të ashtuqujaturin Global South. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Ka ligjëruar në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermanishte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.