Polyp-ët e një mentaliteti në sprovë

Muret e facebookut janë private. Mediat ende kanë autoritet dhe ndikim në krijimin e opinionit brenda shoqërisë. Të parat kanë përgjegjësi individuale para ligjit kur shpifin kundër dikujt apo linçojnë emra konkret. Të dytat përveç përgjegjësisë ndaj individëve kanë edhe atë shoqëroren. Kur shpifin të parët ia bëjnë diagnozën vetes, kur shpifin të dytët – ose kur nuk demaskojnë atë – bëhen kanceri i qindramijë vetëve. Dhe diçka shumë me rëndësi: Shpifja nuk mbrohet dot në kurriz të mendimit të lirë!

Shkrimtarja çekogjermane Marie Eschenbach e kishte gabim kur shkruante se kush del publikisht nuk ka të drejtë të kërkojë vetëpërmbajtjen e tjerëvë. Ndoshta në fillim të shekullit XX, kohën kur ajo jetonte, nuk njihte njeriu ende të drejtën e privatësisë e as përgjegjësinë e subjektit publikisht operues, sot mirëpo është ndryshe: Këto dy segmente tashmë janë bukur të sqaruara e të implementuara ligjeve e etikave universale të botës libertine. Në fakt edhe më herët, saherë që shoqëritë e kishin ndonjë gjeni brenda vetes njoftoheshin me maksimën që thoshte se përgjegjësia e akterit publik duhet të jetë e përqëndruar në kujdesin për gjendjen dhe të mirën e publikut, shëndetin e mentalitetit e sidomos të atyre kategorive të pambrojtura siç janë fëmijët dhe gjithë ata pa filtrin intelektual të dyshimit. Kështu fliste Ciceroni (De legibus 3 §8). Ai kërkonte përgjegjësinë e akterit që kishte privilegjin të llapë agorave të vërtetat e tij personale. Natyrisht ne mund të bëhemi cinik si iluministi francez Sébastien-Roch Nicholas dhe të themi: „çdo mendim dhe çdo konventë publike është idiotizëm, pasi u pëlqen shumicave“. Jo kështu sepse gjendemi në kohën e pushtetit të infobotës virale. Nënçmimi i masave s’mund të jetë më streha apo maska e ndonjë cinizmi apo idiotizmi individual.

Për çka e kemi fjalën konkretisht në këtë kollumnë. T’i bëjmë ca eksperimente?

2.
E1: Një individ serb për shembull thotë publikisht se UÇK apo SHIK ishin paramilitare dhe jo të pastra. Të njëjta me ato të Arkanit. Ç’ t’i bëjnë këtij shqiptarët që mendojnë ndryshe. Ata të cilët luftën e dy organizatave lartë e konsiderojnë legjitime. Të ndezur nga aparati subjektiv do të grushtohen ballkanasët deri sa „gjaku t’i mbrrij gjunjtë“? Jo. Racionali neutral do t’i thotë serbit se ka ngatrruar definicionin e paramilitaritetit: për të qenë një organizatë paramilitare ajo duhet të jetë e organizuar nga ushtria e rregullt e një shteti të njohur si të tillë; me ideologji, armë, infrastrukturë e logjistikë. Pasi UÇK nuk i plotësonte këto kushte s’mund t’i plotësonin as njësitë e saja.
Ky është eksperiment aksiomatik, mjafton dija apriori për ta hedhur në erë, pasi ne dimë se çka donë të thotë „paramilitarizmi“, njohim historinë e luftës serbo-kosovare dhe njohim ideologjinë serbe. As shqiptar nuk kemi nevojë të jemi në këtë rast. Mjafton terminologjia e përdorur gënjeshtërt.
Kështu zerozohet çdo argument i konstatimit të tij dhe lirisht mund të vuloset si shpifje. Motivi i tij? Se është serb apo injorant, se don të fus përçarje apo të difamoj të drejtën e shqiptarëve për liri? Përgjigjet s’na vyejnë për këtë temë e kontekst.
Ne e fituam debatin, por dikush lirisht mund të na akuzojë të jemi perfid, ngase e dinim që do ta cullakojmë kundërshtarin ngase intelektualisht është mozomokeq: sa i dijshëm mund të jetë një njeri që thotë lufta nuk ishte e pastër? Duhej ta lanin me sapun luftën dhe ushtritë e tyre shqiptarët e serbët saherë që baltosej maleve të Drenicës? S’ka luftë të pastër, jo për atë që reflekton intelektualisht e si qenie humane.
Të kalojmë tek eksperimenti tjetër.

E2: UÇK, Hasani ose Husa kanë vrarë 100 njerëz të partisë UDX- thotë qytetari nga Shumadija. Ta konsiderojmë si të parën apo që ta kemi ndërgjegjën e pastër t’ia bëjmë një intervistë:
a) Keni ndonjë fotografi që dëshmon se pala A ekzekuton palën B?
b) Keni qenë vetë dëshmitar okular gjatë një vrasjeje të tillë?
b1: Pse nuk paditët deri tash asnjë njeri?
b2: keni dëshmitarë për këtë apo ndonjë materialitet që u bënë të besueshëm?
b3. Keni vrarë vetë ndonjërin prej tyre duke qenë agjent i të parëve?
b4. Nëse informatën e keni nga dikush tjetër; kush janë ata me emra e mbiemra? Nëse i keni informatat nga ndonjë shërbim ku keni qenë dikur, na tregoni adresën?
c) Ku ishit ju kur ndodhën këto ekzekutime?
Cila do të ishte përgjigja e qytetarit nga Llazarevaci vallë? Nuk e dimë se nuk e tha publikisht. Po tani parashtrohet pyetja, pse këto pyetje nuk ia parashtroi media që e publikoi? Në këtë rast nuk kemi argumente apriori se deri më tani askush përveç floskave nuk ofroi materiale dëshmuese.
Eksperimenti i dytë vlenë sidomos kur akteri publik përmend emra dhe mbiemra individësh.

3.
Po funksionuan kështu mediat asnjë portal a gazetë s’do mbijetonte“, më tha një redaktor. Pyetjes sime: „A jemi aq të pamoraltë si njerëz që për të mbajtur gjallë Yellow Press-in, për t’i mbajtur plotë xhepat e mediabërësve t’iu shërbejmë agjenturave të këqija e të llojllojshme; t’i shërbejmë gënjeshtrës, manipulimit ani se ato dëmtojnë rëndë psikën e publikut dhe shoqërisë – nga të cilat jetojnë mediat? A nuk duhet së paku në këtë drejtim një përgjegjësi minimale siç e dinte edhe Ciceroni i antikës romake?“, kësaj pyetjeje sime nuk iu përgjgigj redaktori. I rra interneti ndoshta.

4.
Mos kishte të drejtë shkrimtari francez Nicholas Roch sa u përket masave dhe publikut shqiptar kur thoshte se turmat duan vetëm atë ushqim, prandaj edhe i bëjnë konvencionale shpifjet edhe më ordineret, edhe ato pa as edhe argumentin më të imët? Nuk jemi etno-psikanalitikë dhe e lëmë këtë pyetje anash.
Nga përvoja ime personale me mentalitetin në fjalë e di se kategoria më e zhurmshme, më fabrikantja e këtyre shpifjeve është ajo që ka shumë frikë që në mos vërtet zbulohen vrasjet aq të shumta të civilëve dhe intelektualëve shqiptarë që nga 1945 e deri më 2019. Këta nuk tregojnë fakte, jo se nuk i dinë apo i dinë, porse nuk iu intereson. Motivi i tyre se pse shpartallojnë shpifje nuk është e vërteta, por vetvetja. Një zot e di se në ç’historirash vrasjesh e tradhëtish janë të involvuar apo se nga cili shërbim antikosovar marrin honoraret. Pa asnjë arsye njeriu nuk shpif, nuk flet pa ia ofruar publikut asnjë argument të vetëm për pohimet që bënë.

Dhe diçka shumë me rëndësi: Shpifja nuk mbrohet dot në kurriz të mendimit të lirë!

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet në Filozofi dhe Histori dhe poststudimet në Filozofi dhe Teologji (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Aktualisht merret me studimin e Religjioneve dhe Rendeve Politike në të ashtuqujaturin Global South. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Ka ligjëruar në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermanishte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.