Fanatik/e e zuzar/e shikojeni Alvinin në sy!

Odiseja e Alvin Berishës

Ky mot është i mirë për vdekjen e njerëzve të ligë“ – Naser Aliu në „Ngjyrat e dashurisë“, Fq. 22.

1.
Ky në kollazhin e sajuar anash është Alvini. Po të kisha pushtet, do të kisha mbledhur gjithë politikanët që nga Rama, Thaçi, Haradinaj e deri tek Kurti e Veseli; do të kisha arrestuar gjithë imamët shqiptarë bashkë me apologjetët e tyre mediave; po të kisha forcën do të kisha mbledhur gjithë frikacakët, heshtakët dhe profiterët; po të isha tiran me fuqi gjithë këta do t’i kisha ngujuar në një stadium të rrethuar me tela e gjemba. Do t’i kisha bërë rresht para këtij kollazhi dhe nuk do t’i liroja për një javë nga aty. Për 7 ditë e shtatë netë do të shpresoja ta vuanin çdo sekondë të dhunës ndaj Alvinit përjetuar kampeve të IS-isit. Apo s’di të vuaj fare fanatiku dhe motra e vllai i tij idioti me mjekrën e pushtetarit apo kapelën e demagogut?

2.
Këta në kollazhin e sajuar anash janë Valbona, e ëma e Alvinit, i ati i tij Afrimi, tjerët janë të organizatave humanitare që ndërmjetësuan shpëtimin e tij dhe Edi Rama i inkuadruar aty si përfaqësues i politikave dhe pushteteve shqiptare.
Kollazhi anash përfaqëson historinë e fundit të disa shqiptarëve, fëmijëve, burrave dhe grave që shkuan në Lindje për të luftuar për IS-isin. Sa janë? Qindra, mijëra? Askush nuk e di saktësisht. Alvini u lirua. Italianët shkruan: Alvin, il bambino dell’Isis, è tornato in Italia! Vetëm Alvini. Tjerët që erdhën para tij nuk e hoqën uniformën. Janë duke montuar video diku Anamoravës, bodrumeve të xhamive prishtinase, në Prizren apo në Tiranë, as Zoti i tyre nuk e di se ç’janë duke bërë.

3.
Ky kollazh anash iu dedikohet atyre, të cilët Volteri, në eseun e tij Fanatizmi i ndanë në dy kategori: 1) Në të atillë që ëndrrat i konsiderojnë realitet, të llojit që halucinacionet e klerikëve të tyre i marrin për profeci, të sojit pra që nga dashuria ndaj zotit të tyre shndrrohen në vrasës dhe 2) në të atillë si martiri i krishterë Polyeuktes dhe antikatoliku Bartolomeo Diaz, të cilët nga injoranca e thellë shkatrronin tempujt e tjerëve me arsyetimin se duan t’ua shpëtojnë shpirtrat.
Volteri e ka harruar edhe një kategori (qëllimisht), atë të tretën. Ai ka anashkaluar tipin e tretë, atë fabrikuesen e dy kategorive, fanatikëve. Si ta vizatojmë këtë kategori? Përgjigjet ndaj ca pyetjeve konkrete do na e vizatojnë portretin.
Kush ia shpëlau trurin Valbona Berishës që të marrë ne qafë edhe të birin?
Kush e mbronte atë duke thënë se ajo ka të drejtë në rrugën („besimin“) e saj?
Kush tentonte ta fsheh qëllimin dhe hutimin e saj duke mohuar synimin që ajo e demonstronte vetë?
Kush nuk intervenoi me kohë për të lokalizuar e parandaluar ikjen e qindrave atje, duke thënë mos e teproni ju „islamofobët“?
Portreti i cilëve u del para? I „islamofobëve“ si Arbana Xharra, Berat Buzhala apo ndonjë tjetër? Kush u vizatohet parasysh? Në mos ca manja të mbuluara që i futët në parlament; në mos ndonjë demogog që në kulmin e radikalizmit kishte kapur shpatën ta luftoj „islamofobinë“, atë që ishte nisur shesheve të rrah imamët dhe të demoloj xhamitë? Kë kini parasysh; pushtetin që i ligështuar para Erdoganit kërrnjonte jargshëm me feçkat e tyre plotë arrogancë duke vulosur rezistuesit kundër anomalive si injorantë ateistë?
Kujt t’i themi „mashallah, elhamdulilah“, kur shikojmë Alvinin në sy. E kufoma e ëmës së tij – ku është? U vra në luftë ajo apo vdiq duke u përdhunuar nga të vetët se nuk dinte aq sa duhet arabisht dhe nuk bënte dot foshnën e saj muxhahidin?
Fytyrat e cilëve u dalin parasysh kur shikoni këtë kollazh? Me siguri jo të atyre mijëra injorantëve, analfabetëve që nga Gjilani, Shkupi, Kumanova e deri në Tuz që shajnë, fyejnë e vrasin virtualisht në emër të ndonjë Zoti, të ndonjë si ai i Volterit që po e deshe të bë vrasës.
Në konto të kujt shkojnë gjithë këto tragjedi?
As të klerikëve jo ngase nuk kanë kulturë. Po ta kishin nuk qanin si lavire para audiencave se do të dinin se qysh tek vedat e mitet e Azisë (3-4 mijë para erës sonë) lind mashkulli (jo femra) nga një brinj; do të dinin se Varka e Noas gjendet tek Epi i Gilgameshit; do të dinin se qysh egjiptasit e perëndisë Amun – Re dhe babilonasit kishin muajin hënor Shabbat gjatë të cilit s’guxonte të punojë kush; do të dinin se në suren 21, 91 të librit të tyre të shejntë rilind për se dyti Isa, Jezu Krishti. Po të kishin ata injorantë kulturë nuk do qanin si debil, nuk do ulërinin duke dërguar njerëz në luftë por do të rrmonin gropës së qytetërimeve duke pyetur: në mos Zoti (nëse vërtetë janë religjioz) paska folur me gjithë popujt në plotë gjuhë në çdo kohë me metaforat e njejta? Injoranti nuk e parashtron mirëpo këtë pyetje se atëherë si të marrë në qafë Alvinë, si t’ia bëjë jetën dramë etërve të tyre, si t’ua vras nënat duke shkaktuar mijëra jetimë?

4.
Shikojeni këtë kollazh edhe ju lugaret gugatëse të partive politike me shami. Kallëzojuni xhemateve që i kaçkaritni me parajsa se sa u përket konditave të veshjeve, ushqimit Kurani është më liberal se sa librat bazorë të herbenjve, „hindusve“ dhe budistëve dhe askund në të nuk urdhërohet shamia, burka apo diçka e tillë. Kallëzojuni se shamia ka qenë veshje e gjitha kulturave të mundshme, madje edhe u e burrave në histori e s’ka të bëj asfare me perëndi. Kallëzojuni se atë e bëri simbol politik Homeini shiit. Nuk e bartni për këtë punë? Atëherë shikojeni fotografinë e dytë që e shoqëron këtë tekst: Pse u feston bota radikale politike islame? Se keni fytyrat si pogaçe? Pse nuk ma feston nënën time – edhe ajo më ka rritur e mbuluar me shami? Humbalaqe katile jeni ju dhe gjithë ata si ju e sidomos shefat që u imponojnë.
Për myslimanët e rëndomte ju jeni djalli vetë, djalli që vret. Pa ju, pa Shefqeta, Naça e Goga Alvini do të ishte rritur si gjithë mocanikët e tij, me nënë, babë dhe botën në paqë, qetë.
Unë s’jam religjioz, as në karma nuk besoj. Por kur më dilni ju parasysh megjithatë shpresoj që në jetën tjetër të lindi si derra të egër – bashkë me politikanët dhe gjithë ata që u mundësuan të vrisni fëmijë.

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet në Filozofi dhe Histori dhe poststudimet në Filozofi dhe Teologji (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Aktualisht merret me studimin e Religjioneve dhe Rendeve Politike në të ashtuqujaturin Global South. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Ka ligjëruar në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermanishte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.