Segantini ose arti i vetnjohjes dhe mbijetimit

Xhovani Segantini është një ndër ata krijues, që nëpërmjet artit të vet vizatoi sistemin dhe harmoninë e faktorëve përbërës të jetës së universit.

Edhe pse i shtërnguar nga përjetimet tragjike, të cilat si foshnjë e njohtuan me vdekjen dhe humbjen, ai përsëri gjeti forcën që shpirtin dhe mendjen t`ia falë të së bukurës, ngadhnjyeses dhe triumfales. Ai kuptoi më mirë se çdokush tjetër se përjetimet tragjike individuale nuk duhet të përcaktojnë kahjen e misionit të artistit gajtë depërtimit të tij në vetëdijen mondane. Segantini mund të shërbejë si shembull dhe udhërrëfyes për të gjithë ata krijues që ende janë duke kërkuar stadin dhe mënyrën e vet të hyrjes në mbretërinë e artit.

Segantini për të paraqitur ekzistencën e njeriut si qenie me lidhshmëri të fortë ndaj natyrës dhe gjithësisë personifikon çdo gjë që ate e rethon. Në pikturën e tij „Të jesh“ malet e lidhura njëra pas tjetrës , gurrët e radhitur me një mjeshtri fascinuese dhe njeriu që udhëheq turmën e kafshëve pas vetit në mënyrë të orkesturuar realizon kulminacionin e artit të tij si produkt madhështor i bagazhit të tij spiritual. Rrezet e diellit që ende fshehen pas kodrinave të larta të Mallojës i japin shpresë vetëdijes njerzore nëpërmjet figuracionit të vet zbërthyes se „E bukura ekzistuese kërkon përshtatshmërinë e vetë në të gjitha fushat e të qenurit qenie“. Koloriti i Segantinit i shoqëruar me një erudicion ndaj jetës dhe egzistencës shpirtërore zbulon sekretin se ku gjendet e bukura e njeriut dhe cili duhet të jetë efekti i saj. Të njejtin predikim hyjnor nëpërmjet figuracionit artistik të pikturës së vet, Segantini e dëshmon edhe në tablon tjetër „Dy nënat“ ku bën prezantimin e pjellshmërisë njerzore dhe asaj animale duke kërkuar ngjajshmërinë fenomenale që ka përcaktuar natyra tek krijesat e veta. Po të thellohemi mirë në këtë proces do të shohim se edhe kafsha edhe njeriu trashëgojnë njejtë, nëna njerzore në procesin e trashëgimit ka të njejtin rol si delja e botës së kafshëve në pjelljen e foshnjës së saj. Këtu Segantini me pikturën e vetë arijnë meritueshëm që nëpërmjet shpirtit të vet të gjejë të bukurën natyrore në vetë ngjajshmëritë e saj që i ka reflektuar tek krijesat e veta duke na argumentuar mjeshtrinë dhe dëshirën e natyrës për harmonizimin e përbotshëm të të gjitha krijesave në mes veti. Këtu zbulohet qëllimi i saj se pse ajo ka krijuar procesin e varësisë në mes tyre.

FATKEQËSIA DHE INSPIRIMI KRIJUES
Segantini, na demostron në mënyrë të përkryer rëndësinë e krijuesit në lidhje me mënyrën dhe kahjen e tij. Përveç ndihmës që na jep për të kuptuar lidhshmërinë në mes botës njerzore dhe atyre që me të qenurit e vet përbëjnë këtë botë na dëshmon edhe diçka mjaftë të rëndësishme në ndërtimin e artistit si dhe pavarësinë e tij nga ngjarjet e jetës individuale karshi gjiganteve të mëdha vizionare siç janë: Jeta, E Bukura, Arti, Universi etj.
Segantini po të ishte ndikuar nga tragjedia e vet individuale që kishte përjetuar qysh si fëmijë shtatëvjeçar me vdekjen e të ëmës dhe të jatit vizatimet e tij do të kishin vetëm një ngjyrë: Të zezën e shoqëruar me një pikë të imët drit vetëm sa për të dëshmuar se paska ngjyrosur diçka. Dhe kjo do të zhdukte çdo tentim të tij për të dalluar të bukurën nga jo e bukura dhe pozitiven efektive të shpirtit njerzor nga dështimi i tij total. Duke përballuar dhimbjet që i kishte përcaktuar fati i tij dhe duke kuptuar rëndësinë e artit dhe misionin e tij në vetëdijen e ardhmërisë, ai sakrifikoi çdo ndjenjë të vogël që kishte të bëjë me individumin e tij dhe iu nënshtrua detyrës së madhe krijuese në favor të së Bukurës, gjë që dëshmohet nëpër ngjyrat e veta ndriçuese dhe plotë shpresë për bashkimin e botërave dhe harmonizimin e tyre deri në aritjen e qëllimit për të cilën na detyron arti universal që nga ekzistenca e tij.

NË MES TRAGJEDISË INDIVIDUALE DHE KËRKESAVE TË ARTIT

Këtu pikëpamjet (teoritë) e shumë shkencëtarëve mbi letërsinë dhe artin se ; Krijuesi s`mund të shkëputet nga përjetimet tragjike të jetës së tij, janë të dyshimta. Njeriu nuk vendos vetë (e më hiç shpirtërisht ) se si do të zhvillohet jeta e tij, e cila varet nga faktorë tjerë natyror, e për këtë arsye ai as nuk duhet të marr si tragjedi ate që përeth ndodh pa dëshirën e tij, por me një pavarësi totale të rezistojë kundra saj duke kërkuar shpëtimin në anët pozitive të shpirtit dhe përvojës njerzore. Pasi diçka ka ndodhur tragjike në jetën e Segantinit nuk don të thotë që me këtë tragjedi të „edukojë“ vehten dhe të helmojë tërë ata që besojnë dhe përjetojnë artine tij si krijues. Nuk është fare e dobishme procesi i indoktrinimit të vetëdijes njerzore me tragjedinë individuale. E dobishme dhe efektive është lufta e tij individuale kundra tragjedisë, proces i cili edhe hapi dyert e universit krijimtarisë së tij. Dhe kështu do të dëshmohej tash më miliona herë e dëshmuara se krijuesi objektin duhet patjetër ta paraqes si një ngadhnjimtar të madh shpirtëror në detyrën e tij artistike për të vetëdijësuar dhe ndërgjegjësuar psikologjinë njerzore në misionin e drejtë të letërsisë dhe artit; Predikimin e së bukurës.

Pra krijuesi që metëvërtet është krijues di të shkëputet nga negativja e përjetimeve jetësore po që se ai kupton rëndësinë e vërtetë të letërsisë dhe artit në vetëdijen njerzore.
Sidomos krijuesit të cilët gjenden nën tutelën e ndonjë terrorizimi të veçantë të psikologjisë së kohës mund të marrin shembull Segantinin për të kuptuar se nënshtrimi nën këmbët e një fati, problemi, apo interesi të ngushtë si për nga hapësira ashtu edhe koha është pengesa më e madhe që ata asnjëherë të mos promovohen si krijues të universit dhe si të tillë do t`i shërbejnë vetëm vehtes dhe kohës së shkurtë të tyre. Dhe më e keqja dëmtojnë kulturën e popullit të cilin ata përfaqësojnë duke e stagnuar ate të ecë barabartë me kohën dhe zhvillimin kulturor e shpirtëror të tij, sepse një popull ec atëherë kur krijuesit e tij nuk venë krijimtarinë e vet në shërbim të ambicieve të një ideje personale apo grupore e cila nuk ka të bëjë fare me të përgjithshmen, por në shërbim të një ideje që do të përcaktonte imazhin e kuptimtë të tij në arenën e Kulturave në përparim.

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet në Filozofi dhe Histori dhe poststudimet në Filozofi dhe Teologji (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Aktualisht merret me studimin e Religjioneve dhe Rendeve Politike në të ashtuqujaturin Global South. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Ka ligjëruar në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermanishte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.