SVP gënjen!

Ligjet në fuqi janë mjaft rigoroze. Përndryshe, nuk do të kishim dëbuar deri tani 750 delikuentë të huaj. SVP-ja nuk bën asgjë tjetër përveç se vazhdon të helmojë klimën ndërmjet migrantëve dhe vendësve, thotë Christian Levrat në një bisedë me gazetarin Xhemal Ahmeti. Ai po ashtu sqaron pse ministrja socialdemokrate, Simonetta Sommaruga, angazhohet për kundërpropozimin e lansuar nga Qeveria dhe partitë FDP dhe CVP.

Christian Levrat: Socialdemokratët i thanë dy herë jo «Iniciativës së dëbimit», pse?

Partia jonë njëzëri votoi kundër Iniciativës së SVP-së. Ajo ka karakter arbitrar, shkel të drejtën e popujve dhe një seri Konventash të tjera ndërkombëtare. Para së gjithash, ajo është antihumane dhe ksenofobe. Nga ana tjetër, ajo është në kundërshtim brutal me parimin e barazisë ligjore të Kushtetutës sonë.

Sipas Komisionit Federativ për të Huaj, po në bazë të këtij ligji, vitin e kaluar janë dëbuar 750 delikuentë të huaj. Argument që dëshmon për rreptësinë e ligjit ekzistues. Deri sot SVP-ja dhe bartësit e kundërpropozimit ende nuk kanë dhënë asnjë argument objektiv pse sanksionet ekzistuese nuk mjaftuakan për të dëbuar të huajt që ushtrojnë vepra kapitale. SVP-ja gënjen kur thotë se në bazë të rrethanave ekzistuese ligjore po u natyralizuakan edhe kriminelët.

Juve as kundërpropozimi nuk ju pëlqen?

Kundërpropozimi nuk i ka ato mangësi që i bart me vete iniciativa e SVP-së, që do të thotë se ajo mund të vihet në realizim dhe është kompatibile me shumicën e marrëveshjeve dhe Konventave ndërkombëtare, e sidomos me të Drejtën e Popujve. Mirëpo edhe ajo sugjeron sikur Zvicra me ligjin që ka paska ndonjë problem sa i përket dëbimit të kriminelëve jozviceranë. Gjë që nuk qëndron aspak. Kushtetuta nuk është vendi për ligje të tilla. Disa nga eksponentët tanë janë aktivë në favor të kundërpropozimit, sepse mendojnë se kanë të bëjnë me një të keqe më të vogël dhe në këtë mënyrë mendojnë ta bllokojnë marshin e SVP-së.

Për shembull, ministrja juaj, Simoneta Sommaruga. Ajo është tepër aktive në favor të kundërpropozimit. Është ajo e detyruar të vallëzojë sipas muzikës së kolektivit ministror, apo qëndron personalisht pas iniciativës, e cila s’është tjetër veçse një version i modifikuar i iniciativës së Partisë Popullore?

Qysh në kohën kur ajo ishte deputete në Dhomën e kantoneve (Ständerat) ka qenë tepër e angazhuar në interes të kundërpropozimit, për shkak se është e mendimit – siç thashë më lart – se është një e keqe pak më e vogël se sa Iniciativa e SVP-së. Në një intervistë për gazetën «Sonntag» ajo sqaron se ka mirëkuptim për ata që do të votojnë dy herë jo.

Ekspertët pothuaj janë të sigurt se iniciativa do të pranohet. Nëse ekspertët kanë të drejtë, çka do të bëjë SP-ja? Do të dorëzohet?

Se «Iniciativa e dëbimit» apo «Kundërpropozimi» do të kalojnë nuk dihet ende. Do të shohim se çka do të ndodhë më 28 nëntor. Është e vërtetë se anketat flasin pozitivisht në interes të Iniciativës. SP-ja mendon sinqerisht se «Kundërpropozimi» është më pak negativ se sa iniciativa e SVP-së, prandaj u ka propozuar anëtarëve të saj, në rast se të dyja iniciativat kalojnë, të nënvizojnë kundërpropozimin.

Krijohet përshtypja sikur SVP-ja të diktojë politikën zvicerane ndaj të huajve. Truku i saj: Ajo bën një iniciativë krejt radikale. Partitë e tjera e modifikojnë ose e perfeksionojnë atë dhe shfaqen me një «Kundërpropozim», të cilin ia shtrojnë votuesit. Në këtë mënyrë SVP-ja realizon politikën e saj 90%, e të mos themi 100%. Sa qëndron kjo tezë?

Ka vite që SVP-ja zhvillon fushata dhe Inciativa në disfavor të të huajve. Këtë e bën ajo duke derdhur shumë para. Për fat të keq, ne kemi konstatuar se politika e tyre ka sukses. Pranimi i iniciativës në lidhje me minaret ka shokuar shumëkënd. Megjithatë, nuk duhet heshtur faktin se një numër i konsiderueshëm i iniciativave të SVP-së nuk kanë kaluar.

Ekziston një disponim i përgjithshëm në masë për të ashpërsuar sa më tepër ligjet ndaj kriminelëve, pavarësisht nga përkatësia nacionale e delikuentëve. Një shembull konkret është pranimi i inicitivës për moslirimin afatgjatë të dhunuesve. Në rast se do të mbrosh të drejtat e personave që bien në konflikt me ligjin, nuk korr simpatinë e askujt.  

Në një intervistë me ne Toni Brunner u propozoi migrantëve me të drejtë votimi që të pranojnë iniciativën e dëbimit, sepse votimi pro do t’ u përmirësonte atyre imazhin e keq që kanë, për shkak kompatriotëve të tyre kriminelë. Si e gjykoni këtë apel?

Edhe në radhët e zviceranëve me origjinë migrante ka njerëz që mendojnë në të gjitha drejtimet, pra me qëndrime të ndryshme politike. Disa prej tyre janë pro, e disa kundër «Iniciativës së dëbimit». Këtu nuk ka asnjë dallim ndërmjet vendësve dhe të huajve. Megjithatë, asociimin e kriminelëve me imazhin e të huajve e konsideroj problematik. Pse miliona migrantë të ndershëm të merren peng për disa qindra kriminelë të huaj

Në rast të pranimit të «Iniciativës së dëbimit» do të bëhet edhe më rëndë se sa që është për të huajt? Prognoza juaj: do të kalojë iniciativa?

Vitet e fundit SVP-ja ka helmuar klimën sa që nuk shkon më. Është bërë tepër rëndë që të zhvillosh një debat objektiv për integrimin dhe migrimin. Për SP-në është e qartë: Zvicra është një vend migrantësh dhe duhet të përballet me konsekuencat. Në këtë kontekst ka fenomene pozitive dhe negative. Fatkeqësisht, diskutohet me të madhe vetëm për anët negative të migracionit, e anët pozitive janë harruar. Zvicra ka nevojë për migrantë, për shkaqe ekonomike, sidomos për garantimin e sigurimeve tona të pleqërisë. Ne vetëm mund të fitojmë nga migrantët, nëpërmjet tyre ne kemi pasuruar jetën tonë.

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet në Filozofi dhe Histori dhe poststudimet në Filozofi dhe Teologji (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Aktualisht merret me studimin e Religjioneve dhe Rendeve Politike në të ashtuqujaturin Global South. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Ka ligjëruar në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermanishte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.