Edi, Erdo dhe hiobët

Përderisa qeveritë qendroperëndimore, kurrizthyer, balancojnë faktet dhe opinionet para se të vendosin definitiv për çeljen apo jo të negociatave me Shqipërinë, media vendore, të huaja, klane, klube, personalitete e shtete u shkruajnë zyrave në Bruksel se pse nuk duhet edhemëafruar Shqipërinë drejt BE-së? Shumica refuzimin e argumenton me ndikimin e Turqisë në këtë vend. Me të drejtë apo jo? Sidoqëtëjetë: Shqipërisë duhet t’i jepet ky shans ngase e meriton më shumë se çdo kandidat tjetër!

Edi Rama ka të drejtë; integrimi – jo vetëm i Shqipërisë – në BE është e vetmja mundësi, shteg dhe shans për ta bërë sa më jetëgjatë paqen dhe prosperitetin në Ballkan. Çdo hutosje, çorientim, refuzim apo dështim i këtij udhëtimi çon a fortiori greminave histori-përsëritëse; atyre të konflikteve, luftërave dhe regresit.
Republika e Shqipërisë, nëse lexojmë drejtë mesazhet e primusëve të saj, do që me çdo kusht e sa më shpejtë të nis procedurën konkrete të integrimit. Ky vullnet i saj si dhe lufta rigoroze e jo pak e rrezikshme (shikuar nga perspektiva e ruajtjes së stabilitetit të brendshëm) që bën për ta instaluar shtetin ligjor dëshmojnë përkushtimin serioz të saj. Megjithatë, thonë, se këto nuk mjaftojnë dhe se duhet bërë më shumë. Çka më shumë dhe nga vijnë ultimatumet, të cilat më shumë duken si histeri nga frika se Shqipëria vërtet do ia dalë qëllimit të saj dhe konsolidohet si anëtare e klubit të të „fortëve“? Veçanërisht mediat e rritura me romanet e tipit eurocentrik si ato të Karl May-t me shuta, karravane hajdutësh dhe assasinë sulltan-salepësh, janë ato që çeljen e negociatave e vizatojnë sikur të ishte fundi i BE-së.
Kur themi mediat eurocentrike nuk i kemi në radar vetëm ato të Berlinit, Parisit, Brukselit, por edhe ato të Beogradit, Athinës, Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Lubjanës e përreth. Eurocentrizmi, përherë, etjen mentale e emocionale e ka shuar nga dy bunarë primar: nga europianët që lëngojnë nga supremacia dhe nga nihilizmi, vetëposhtërimi që praktikojnë viktimat e tyre.
Çka bëri deri tani Shqipëria, kush janë akterët që luftojnë këtë vend dhe ç’shpatash kanë këta me të cilat mund t’i këpusnin litarin periferisë para se të ngjitet afër majës ku rrinë ulur bashkontinentalët që tashmë ia kanë dalë?

1.
Në Serbi tranzicioni nuk ka ndodhur fare dhe as që pretendohet një proces i tillë. Në Maqedoni ka nisur pas një ultimatumi të rëndë nga ana e ndërkombëtarëve dhe deri tani ende nuk është realizuar asnjë ndryshim esencial – i gjithë procesi ende është i fazës kozmetike. Bosnja nuk ka iluzione ngase iluzion është vetë. Gjithçka që bënë distrinia bashkë-qeverisëse e saj çon drejt një ndarjeje të dhimbshme, rezultati i të cilit divorc asqë mund të parafytyrohet si pozitiv a progresiv.
Pas më shumë se dy dhjetëvjetëshave humbjekohe, vendnumërimi dhe dështimi total Shqipëria nxori kokën. Në historinë e kriminalitetit masiv, operacione masive të shtetit si ai „Lazaratit“ dhe „kundër kanabisit“, kanë ekuivalentët e tyre me të atë të Italisë kundër mafisë, atë të amerikanëve kundër baronëve të drogës në Kolumbi e të llojit, por jo për nga suksesi, rezultati. Si asnjë vend tjetër – jo vetëm të rajonit – Shqipëria mund krimin, kur vendos dhe do. Këtë e thotë përvoja e operacioneve të përmendura pasi doli më efektivja. Asnjëri nga shtetet tjera përreth që synojnë aderimin nuk barazohen dot me Shqipërinë, për arsye se ky vend i ka hyrë tashmë radikalisht ndërtimit të shtetit ligjor dhe Rama ua premtoi gjatë vizitave të fundit qendrave perëndimore atë që tjerët nuk e bëjnë dot, pasi e tha edhe publikisht, citat: „Sistemi jonë ligjor do të fshijë çdokë që ka bërë krime, pavarësisht se a është ai president, ministër apo kryeministër“. Kjo edhe i është kërkuar Ramës. Dhe ai do ta bëj këtë se s’ka rrugë tjetër edhe po deshi ta „shpëtojë“ ndonjë. Kjo garanci është ajo që garanton hapjen e negociatave.

2.
Nëse statusi aktual i procesit të Shqipërisë drejt BE qenka „kaq me lule“, atëherë ku kapen kundërshtarët e këtij procesi, ku i marrin shkaqet që ua imponojne opinioneve nacionale si arsye se pse Shqipëria nuk duhet të hap negociatat? Edhe pa i shkruar gjashtë shkronjat çdokush e dinë: Turqia! E këtë nuk e dëgjon dot Rama se kështu ia kanë „shpëlarë trurin“ këshilltarët e tij dhe perëndimorët ia përmendin vetëm si apostilë ngase u duhet një xhoker në rast refuzimi afatgjatë. Kundërshtarët e Serbisë në BE e përdorin Rusinë si arsye. Për Shqipërinë përdorin Turqinë. Është kjo një luftë e imagjinuar për ta penguar Shqipërinë? Aspak. Material kanë ekskluzionistët plotë. Jo vetëm dashurinë personale të Edi Ramës karshi despotit të Ankarasë, por edhe dorëzimin atij për menaxhim të njërit nga religjionet (me imazh inspirues për çastin); të infrastrukturës, energjisë e shumëçka tjetër. Ec Rama si Vuçiçi në dy binarë për të zhvatur blloqet sa më shumë në interes të vendit të tij? Kështu duket.
Gjitha statistikat flasin të njëjtën: të krishterët dhe myslimanët në Shqipëri kanë kishat dhe xhamitë e tyre. Tempulli ynë mirëpo është Europa“. E qartë për çdo njeri që kupton renditjen hierarkike të akterëve në këto dy fjali nga perspektiva e shabllonit ne-ata!
Dakord kjo politikë shqiptare, ngase tjerët nuk bëjnë ndryshe, megjithatë në planin afatgjatë është dëmprurëse në shumë aspekte: 1. Pa këtë sjellje të Shqipërisë në relacion me Turqinë do e kishte shumë më lehtë integrimin ngase bën punët tjera më seriozisht se çdo konkurrent tjetër. 2. Kur një diplomat britanik u pyet se pse luftoni Hitlerin (sa mori pushtetin, ende pa krisur luftërat) kur gjermanët masivisht e përkrahin atë, ai tha: „Për dy arsye: ngase politika e tij është fashiste dhe e dyta ne duam të ruajmë miqësinë me popullin gjerman edhe pas zgjimit të tij nga hipnoza dhe ta kap menaxhimin e lirisë në mënyrë racionale. Nuk duam që në historinë e tyre tu mbesim në kujtesë se ishim në anën e demonit të tyre“ dhe 3. Masat jo numërpake tashmë janë tëhuajësuar nga kultursofera shqiptare dhe shoqëria për shkak të ndikimit të politikës protosheriateske të Erdoganit. Viset shqiptare qëmoti tashmë i kanë hy një regresi kulturor – dëmi i brendshëm! Regres që nuk donë ta shohë poashtu kryeministri shqiptar.
Është si është dhe nga kjo krizë segmentare e politikës së gabuar diplomatike shqiptare nuk dilet duke e shtyrë atë më tepër drejt Turqisë e më larg Europës.

3.
Pra, a do t’ia dalë Shqipëria që të hap negociatat me BE-në? Kjo varret se si do të vendosin qeveritë kryesore të perëndimit të ngushtë. Të fundit tashmë, siç merret vesh, kanë fut në aksion Thinktank-et e tyre për të hulumtuar e sajuar raportet me mendimin e tyre se si duhet të jetë përgjigja finale e qeverisë nga e cila paguhen.
Këto institute, raportet e tyre, nuk i ndërtojnë duke u bazuar në historinë e lavdishme të Skënderbeut, as në sajë të numrit të hyjnorëve që vendi i vogël ballkanik ia paska dhuruar ndonjë lagje tempujsh, perandorie a kolonie përjetësie; nuk vendosin poashtu se ç’thonë e shkruajnë mediat që dihen se mbrojnë financuesit e tyre nga Vettingu; as nuk i marrin dot si referenca qindra letrat publike që u drejtohen nga komunitete e media të acaruara me motive lokaliste, klerokrate apo klanokrate me domicil që nga Alaska e deri në Muçidoll; këto institute u nënshtrohen fakteve objektive. Po ose jo-ja ndaj Shqipërisë do vijë nga peshimi i dy dilemave që trajtojnë këtë institute:
1.A do t’ia dalë Shqipëria të përmbys krimin e organizuar dhe të instalojë shtetin ligjor në mbarë shtetin.
2. A do të ketë rrezik Europa me një Shqipëri, me një shoqëri e cila gjendet nën ndikimin kolosal të një autokracie parasheriateske si Erdogani, i cili do ta përdorte për të vënë nën presion BE-në ashtu siç synon edhe Rusia me Serbinë dhe cilat do ishin pasojat?
Rama duhet tu hiqet përrallave të ministrave dhe këshilltarëve të tij – që perëndimin e njohin vetëm nëpërmjet instruktorëve në terren – që ia bëjnë rrafsh se Erdogani dhe Turqia nuk qenkan problem dhe të ofroj një strategji-garanci konkrete se si do ta çerdoganizojë shtetin, ekonominë dhe religjionet ashtu siç i kërkohet edhe Serbisë çputinizimi. Për perëndimin despotizmi dhe radikalizmit nuk janë më pak kriminele se sa hajnitë dhe korrupsionet e natyrave tjera.
Rama duhet të intensifikojë vox-in e tij mediave të botës dhe në raport me vendosësit se ato që u tha mediave mund edhe t’i nësnhkruaj si garanci të paktyheshme se sa të jetë në pushtet. Kështu në preventivë bëhet edhe më i besueshëm për perëndimorët, por parasëgjithash për shqiptarët.

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet në Filozofi dhe Histori dhe poststudimet në Filozofi dhe Teologji (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Aktualisht merret me studimin e Religjioneve dhe Rendeve Politike në të ashtuqujaturin Global South. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Ka ligjëruar në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermanishte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.