7 tebanët konicianë kundër vetes

Ai qëndronte përballë një kopshti të madh e të bukur anglez. E pyetën se çka sheh. E para gjë që tha: “Pas atij drurit në fund të kopshtit, gjenden ca bajga kali“. Ç’perspektive është kjo që shkyç gjithë floran dhe faunan rrethepërqark për tu përqendruar tek bajga e fshehur pas drurit? Negative, e keqe apo mani e homo digitalisit për detajet? Ese mbi njeriun depresiv. 

Shanë, përlanë, fyen e nënçmon. Për atë nuk ka vlerë, subjekt apo objekt që s’rri shtrembër, pengueshëm në natyrë apo në arkitekturën mentale të popullit e baltëthemelet e kulturës së tij. Kategoria e ‘Njeriut negativ‘ duket të jetë në modë e sundim brenda infobotës shqiptare. Për njërën palë lugat e për tjetrën ushqim i domosdoshëm ditor e frymor. 

(E qartë: nga kjo analizë përjashtohen partitë dhe ideologët – sidomos ata që të keqen tek tjetri/tjetra, njeriu e kanë të vetmen doktrinë ekzistence). 

Është jeta, gjendja, kultura shqiptare e tillë, pra zona ku s’e gjen asnjë fije të vetme pozitive, apo kemi të bëjmë me një metodë të përhapur vetëpersekutuese sishiite, e pritshme si pasojë pas theqafjes së armikut të jashtëm nga odat e sheshet? Përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje të koklavitur mesiguri do ta japin një ditë sociologët dhe akademikët zëmëdhenj e asketikë shqiptarë. E jona është vetëm ta përshkruajmë kategorinë. Me shpresën natyrisht nëmos rastësisht ndeshim empatinë e kuptojmë gjendjen e tyre pa u bërë si ata. 

Si paraardhës frymorë kjo kategori konsideron trininë Fishta-Noli-Konica. Fishtën e përvetësojnë me refrenin e keq-plasuar të tij ‘le ta dijë gjithë bota mbarë se Gjergj Fishta nuk është (më) shqiptar‘; Fan Nolin me diagnozën e tij të kohës e çastit; ‘anës detit i palarë /anës dritës i paparë/pranë sofrës i pangrënë/ pranë dijes i panxënë/ lakuriq dhe i dregosur (…)‘; dhe Faik Konicën me të gjitha çka ka lënë pas – publicistikën e tij qortuese. S’kanë më shumë se vetëm këta tre? Paraprakisht: Pse u bëjnë të padrejtë së paku Fishtës dhe Nolit kategoria që përgojojmë, duke ua reduktuar gjithë habitusin në një fjali a strofë të vetme? Këtë do të përpiqemi ta shpjegojmë në fund. Njëherë le të shëtisim psikologjisë për t’u informuar aq sa mundemi, si amatorë të fushës që jemi, se pse një qenie s’ka perspektivë tjetër mbi botën e jetën e caktuar (shqiptari ndaj shqiptares në këtë rast) përveç asaj negatives. E kemi fjalën për të tipit si në këtë anekdotë: Në fillim të viteve të 90-ta në një debat publik me liderin e partisë evangjeliste zvicerane Christian Waber e pyeta: “A na tregoni një projekt të vetëm në jetën tuaj, të cilin emigrantët nuk e kanë perceptuar si armiqësor?”. Ai u përgjigj: “Ata nuk më kuptojnë. Gjitha projektet e mia janë edhe për të mirën e të huajve”. Heshtjes së thellë casekondëshe i bëri atentat gazetari dhe moderuesi i debatit Dr. Stephan Klapproth. Ky pas ekskursionit syçartur e vetullacarruar mbi kokat e audiencës bërtiti: “Ju jeni arrogant. Politika permanente e dëbimit dhe reduktimit të tyre, e demonizimit dhe kriminalizimit të të huajve qenka në favor të tyre?” Paradoks i papërtypshëm do të ishte ky. I bie sikur xhelati t’i thotë viktimës: të dua prandaj të pushkatoj!

Me ´njeri negativ‘ apo armiqësor ndaj një adrese të caktuar nuk nënkuptohet ai që kritikon dhe në të njëjtën frymë tregon në letër e në vepër se pse kritikon dhe çka duhet bërë sipas tij që të iket nga gjendja e cilësuar si e keqe. Njeri armiqësor konsiderohet ai që përherë flet me mllef, pa sqarime e fakte, nënçmon, fyen dhe përqesh dhe i cili për finale ligjërimi a veprimi ka difamimin, mposhtjen, dobësimin, luftimin e tjetrit/tjetrës. Ky tip na intereson ne. Si duhet ta kuptojmë dhe nga vjen ky? Pse ky tip del të jetë më i zëshmi medieve dhe përçka tjerët mbeten të pafuqishëm para borisë së tij/saj?

II.

As ajo grupëfloskaja “njeriu është për nga natyra magnet i së keqes, negatives”, që përdoret për ta justifikuar dominimin absolut të të shtatëve antitebas në parlamentin e mentalitetit shqiptar – nuk mjafton fare. Për më tepër kjo nuk arsyeton mungesën evidente të objektivëve, balancuesve, artistëve që edhe aortën e negativitetit e modifikojnë nëse jo në kurorë të së bukurës, e bëjnë të pranueshme, njerëzore, si kusht ky që pastaj me kujdesin filigran të Gràciani-t ta metamorfozojnë, emancipojnë, pacifikojnë atë humanitetshëm. 

III. 

Pas psikologjisë së Theophrast-it dhe imazheve pasqyrore të Rumit – të cilat Freud i quajti Projeksione -ishin Robert Burtondhe Baltasar Graciàn y Moralesata që obduktuan personalitetin jo vetëm brenda tij por edhe në korrelacion me tjetrin. Mësuesi i Oxford-it Burton në librin e tij ‘Anatomia e Melankolisë´ (1621) e konsideronte ambicien për famë e pasuri matricën e shtatë gjendjeve që prodhojnë depresionin. Të ‘Shtatët kundër Tebës‘ sipas Burton-it janë: Frika, vetëturpërimi, agresionet, fyerja, nënçmimi, zilia dhe urrejtja (vëni re vertikalitetit hierarkik të rënditjes). Ndërsa Graciàn e kapërcen stadin e diagnozës individuale dhe donë ta shërojë atë nga depresionet që rezultojnë nga afektet e llojit. Për këtë ai në broshurën e tij për diplomatë ‘Oràculo manual y arte de prudencia‘ (1647: Doracak orakullor mbi artin e mençurisë së përbotshme) propozon katër faza imperative: 1. Njihe veten 2. Hulumto tjetrin me kujdesin më të madh, duke u bazuar në zbulimet tek vetja 3. Mëso të dëgjosh tjetrin ashtu siç jeton dhe flet ai dhe 4. Mëso artin e kundërshtimit – përherë nga ajo që mësove në ty dhe brenda tjetrit. 

Pas emancipimit me këto katër teknika Graciàn beson që njeriu fiton imunitetin e nevojshëm karshi gjendjeve të rënda, zhgënjimeve e krizave dhe nuk bie në depresion, të cilin ai e konsideron tejet afektiv jo vetëm për “pacientin“. Nuk besojmë se kemi nevojë të udhëtojmë edhe libidove të edipëve të Sigmund eAna Freud-it, Lacan-it apo horrorfilmave të Hitchcock sipas syzeve të Žižekutpër ta kapur sa më qartë karakterin e kategorisë së tipit negativ për të cilin flasim. Klasikët që opercionalizuam më lartë na mjaftojnë për të konstatuar se nuk është e njejtë ajo që çka individi beson ta shohë me sy me atë atje jashtë. Ajo zonë që atij i duket ferri i Dantes, nuk është vërtetë bota pa të. Ashtu shohin sytë e brendshëm të tij. Është ai vetë. Njeriu seleksionon për perceptim e përjetim pamjet e jashtme, tjerët, subjektet e objektet sipas radarit të tij të brendshëm e jo sipas preferencave të ndonjë katalogu mësimor, emancipues si ai i Gràcian-it?

III.

Kush e prodhoi atë? Kush sëmuri kaq shumë njerëz të shoqërive postsocialiste, aqsa depresivët të jenë kategoria shumicë, determinuese, vektoriale e agorave shqiptare? Askush – dhe këtu qëndron problemi. Ose mungesa e atyre që duhet të ishin: shkollat, mediat profesionale, shteti ligjor dhe shumëçka përgjegjëse për orientimin kulturor të masave. Në këto kushte injoranti/a kapet për Fishtës dhe Nolit apo Konicës. Herë përqesh, herë qanë, herë vajton e gjithmonë duke kumbuar himnin “anës lumenjve ju të poshtër dhe jonjerëzor/ ditën shani natën lavdëroni ju Ferrida sa faqe ndërroni/ dijeni ju të palarë se unë nga sot s’jam shqiptar/e“. Me të drejtë bëjnë Konicën profet të tyre. Ky përveç flakareshave semikualitative në letër kundër çdokujt e gjithçkaje në vepër i ka shërbyer vetë dreqit e të birit. Dhe po u zhytën edhe më thellë biografët në jetën e tij ndoshta del diçka edhe me sensacionale – ku ta dimë. Depresivët thirrën ose identifikohen me Konicën se nuk i merr kush në përgjegjësi të (mos)dinë ndonjë filozofi me esencë, përmbajtje a sistem. Letraria, mirëpo që do ta bënte edhe beun me diplomë të Harvard-it, siç bëri ta zëmë Fishtën Homer dhe në vepër kryeshqiptar, prift që mbronte xhaminë me pushke dhe në Manastir bënte alfabet, Konicës i mungon. E me Nolin nuk krahasohet dot. Ose është antitipi i tij. Ky, Fan Stylian Noli instaloi demokracinë në një gadishull që edhe sot e kësaj dite konsiderohet retrotopik, mesjetar, arkaik, me shtete shovinistë nga të cilët edhe sot po të ishte gjallë Drakulla s’i mbetej tjetër udhë veçse të ik këmbekrye atje ku jetojnë shamanët dhe eskimezet. Përveç në politikë, përkthimet dhe veprat e Nolit janë kolosale. Pra Konicën negativët e përdorin të sigurt, u mjaftojnë ca floska. Ndërsa sa t’i pyesësh më thellë për të dy tjerët thonë nuk kanë kohë të merren me histori se realiteti qenka aq mizëri saqë presin vizat për t’u shporrur sa më shpejtë e sa më larg.

IV.

Po kujt i duhet ky ese? A nuk shkruajnë edhe vetë negativët se gjithë bota negative është dhe se s’kemi as gjasën më të vogël t’i bëjmë njerëzit ndryshe? A nuk thonë fetë dhe Arnold Gehlen se njeriu është defekti, mëkati i Zotit dhe natyrës vetë dhe se s’ka shpëtim? Do ta lexojë dikush në rrjetin social këtë trajtesë dhe do të bindet se depresioni personal është i multiplikueshëm dhe infektiv dhe qëkëtej do të kujdeset të jetë sa më objektiv së paku me 5 mijë miqtë e tij në Facebook? Domethënë do të shkruaj përherë me kujdesin më të madh ndaj tjetrit dhe atë gjithmonë duke u marrë me veprimin e tij e jo me njeriun vetë? Asnjëra nga këto nuk do të ndodhë en masse. Ndoshta e lexojnë mediat serioze (gazetat, TV-të, adminët e grupeve në rrjetin e ashtuquajtur social) dhe nga publikuesit e tyre kërkojnë më shumë kujdes profesional në gjuhë, në shenja e në akuza? Tekstet në apelativ si ky, qofshin edhe me miliona fakte merren si zakonisht negative – po të ishin redaktorët e medieve ndryshe a do ta shkruanim këtë ese?

Megjithatë le të mbeten të thëna këto: Teksti pa fond faktik dhe atë dydimensional (pozitivet e mundshme dhe negativet eventuale) nuk është kritik por është akuzë, shpifje, është depresioni, zhgënjimi personal, lëndimi, mllefi i personit, të cilit media ia noterizon manifestin duke e katapultuar në të „vërtetë shoqërore“ . Natyrisht se ka shumëçka negative, por ata nuk zgjidhen duke multiplikuar depresionet, por duke i përshkruar, analizuar dhe duke prodhuar sugjerime për zgjidhjen e tyre. Sidomos nënçmimi, poshtërimi, përqeshja, fyerjet që dalin nga ky depresion janë nga më të gërditshmet që mund t’ia lejojë një publisferë vetes. Ose edhe ajo është e egër dhe injorante si autorët e saj. 

Ilustrimet që përcjellin tekstin janë të:Shawn Coss. Learning to Dance with my Depression. Ohio: 2016

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet në Filozofi dhe Histori dhe poststudimet në Filozofi dhe Teologji (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Aktualisht merret me studimin e Religjioneve dhe Rendeve Politike në të ashtuqujaturin Global South. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Ka ligjëruar në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermanishte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.